Zürich, 21. 04. 2015 – Në të gjitha legjislaturat e IRJM shqiptarët janë trajtuar si qytetarë të rendit të dytë sepse ata kanë qenë dhe janë të pambrojtur. Prandaj ftojmë studentët, nxënësit, mësimdhënësit e tyre, punëtorët dhe të gjithë shqiptarët që nga Kumanova e deri në Manastir që të bashkohemi dhe të ngrihemi në nivelin e të drejtës kombëtare deri në realizimin e kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar. Të bashkohemi për t`i larguar ata që shitën interesat e popullit shqiptar. Të bashkohemi për votën shqiptare. Vota e bashkuar shqiptare vë në rend dite çështjen e pazgjidhur shqiptare në IRJM.
Pas gjithë kësaj që kanë ndodhë dhe po ndodh mbi trojet shqiptare në IRJM, dhe të indinjuar thellë me veprimet e partive parlamentare shqiptare, Ne anëtarët e Shoqatës „Liria Kombëtare“ në Zvicër iu drejtohemi të gjithë shqiptarëve që nga Kumanova e deri në Manastir që të kundërshtojmë fuqishëm padrejtësitë që ushtrohen në të gjitha pikëpamjet mbi popullin shqiptar në IRJM. Në vazhdimësi kemi reaguar ndaj projekteve antishqiptare të qeverisë së Shkupit, kemi theksuar paaftësinë dhe vasalitetin e partive parlamentare shqiptare, korrupsionin dhe shitjen e interesave të popullit shqiptar për interesa personale apo grupore, lidhjet me pushtetin dhe bashkëfajësinë e tyre.
Këto projekte antishqiptare gjatë këtyre 25-viteve të pluralizmit politik mbajnë vulën e qeverisë sllavo-maqedonase të IRJM-s, si dhe për fat të keq edhe vulën e partive parlamentare shqiptare (dikur PPD – PPDSH-PDSH, dhe tani BDI dhe PDSH) dhe funksionarëve të saj, të cilët siç janë parë dhe siç po shihet interesat e popullit shqiptar dhe të drejtat e tyre i kanë shitur në të gjitha pazaret e mundshme të IRJM-s.
Të përkujtojmë Marrëveshjet në mes të ashtuquajturave koalicione ndaj shqiptarëve VMRO-BDI dhe VMRO-PDSH, të dhënat e këtyre marrëveshjeve asnjëherë nuk janë bërë publike. Marrëveshjet sekrete për ta zhdukur elementin shqiptar në Shkup, ndërtimin e përmendoreve vrasësve të shqiptarëve ndër shekuj si dhe arsyetimin banal e të turpshëm gjoja për ta bërë Tetovën kryeqytet, janë projekte antishqiptare.
Gjatë këtyre viteve kemi ngritur zërin kundër proceseve të montuara politike, kundër dënimeve drakonike ndaj shqiptarëve, kundër vrasjeve të njerëzve të pafajshëm, kundër arrestimeve brutale dhe shtetrrethimeve të vendbanimeve shqiptare qoftë për të shtypur zërin kundërshtues ndaj regjimit diktatorial apo për t` i plaçkitur firmat shqiptare.
Të përkujtojmë:
– Regjistrimin e popullsisë më 2002 dhe 2012, ku u manipuluan rezultatet e popullsisë shqiptare,
– projektin antishqiptar “Shkupi 2014”, i cili solli më se 2014 krime dhe mashtrime mbi shqiptarët,
– ndarjen territoriale dhe masakrimin administrativ të vendbanimeve shqiptare,
– Masakrën e Gostivarit,
– Masakrën e Sllupçanit,
– Masakrën e Lubotenit,
– Masakrën e Porojit,
– Masakrën e Brodecit,
– Masakrën e Radushës,
– proceset e montuara politike të Ladorishtës,
– Bit – Pazarit,
– Tanushës,
– procesi i ashtuquajtur “Monstra”,
– procesi i Radishanit,
– plaçkitjet e firmave shqiptare,
– uzurpimin e pronave të shqiptarëve,
– mohimi i nënshtetësisë dhe dëbimi i më se 50.000 shqiptarëve,
dhe shumë të tjera janë vetëm disa medalje të turpit që sot i sheh varur çdo shqiptar jo vetëm në qafën e qeverisë sllavo-maqedonase, por edhe në qafën e partive parlamentare shqiptare.
Prandaj ju bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve dhe në veçanti: studentëve, nxënësve, dhe mësimdhënësve të tyre, punëtorëve që të bashkohemi dhe të ngrihemi në nivelin e të drejtës kombëtare deri në realizimin e kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar, sepse këto parti dhe koalicione partiake nuk e meritojnë votën shqiptare.
Këto parti politike gjatë këtyre 25 viteve të pluralizmit politik jo vetëm nuk arritën asnjëherë të vënë në rend dite kërkesat e popullit shqiptar në IRJM, por edhe miratuan dhe zbatuan me mijëra ligje dhe nene antishqiptare.
Prandaj si të tilla nuk e meritojnë votën shqiptare sepse nuk i shërbejnë mirëqenies sonë.
Zürich, 19. 04. 2015
Vaxhid Sejdiu – kryetar i Shoqatës “Liria Kombëtare” në Zvicër. Kontakti: [email protected]