Kukës, 25 nëntor 2018:
Cikël me poezi: Si gjethe mbi Dri
Më ke shtyrë gjethe në Dri
erë e marrë, gati stuhi,
por stuhia heshtazi
brenda shpirtit po më rri
Valë e Drinit shkumëzore
ikën tutje me tërbim,
e ka zënë, s’e lëshon dore
këtë copëz të shpirtit tim
Ere e marrë nëpër qytet
gjithëka shpejt po e përfshin,
ja një çast ndalet e pret
aty ku Drinat kanë pikëtakim
***
Më gënjen mendja e shkretë
se mendoj rashë në qetësi,
valëbashkuar Drini rrëshqet
grykës tutje me furi
E unë mbes flokëshpupurisur
nën këta blinj lakuriqësuar,
me një gjethe shpirtin nisur
valës së Drinit shkumëzuar.
***
Më vijnë metaforet rradhë-radhë
gjerdan më ndritin shpirtit, gushës
si dhëndërrin kur sheh për herën e parë
përjetoj drithërimën e nusës
Me afsh rendojnë vargjet
tek zbresin nëpër gjoks
e zemra nis e dridhet…oh mos!
Peshë fluore vargu shëtit në çdo qelizë
poezia ime mbetur “Monalizë”
çelin fjalët bukur, livadhe, jaseminë
keq jam ngatërruar me vargun, poezinë
***
Një pikë shiu ra mbi gjethe
njomi plagë në shpirtin tim,
nis të soset kjo ditë vjeshte
erë e dimrit po mbërrin
Nën qerpik pika e lotit
ndrin vështrimit mjegulluar,
i bën sfidë tekës së motit
ngjyrë e vjeshtës e praruar
Fëshfërijnë gjethet nën bli
si një valle e trishtuar,
pisha nusëron përbri
bleron shpresën e pashuar
Do të vijë pranvera tjetër
të tjera gjethe do të ketë ky bli,
plagë e shpirtit do të ketë mbetur
shenjëzuar, gjithsesi
***
Ku ikën dhe si?
Mos ma mbill terrin në sy
Mos e hidh farën e dhimbjes
vragave të shpirtit tim,
dhimbja shpejt mbin!
***
Gjethe e vetmuar
në degën e pemës,
dridhet frikësuar
prej stuhisë së brengës.
Vërshimi i dhimbjes
oh, stuhi e marrë,
gjethja zverdhëruar
s’mund t’i bëjë ballë
Merre udhën gjethe
rrënjëve të pemës,
bashkë me pranverën
jepi jetë së blertës
Vera Istrefaj, Nëntor 2018
KUSH ËSHTË VERA ISTREFAJ
Vera Istrefaj është lindur në Kukës më 1 nëntor 1975. Që në vegjëli ka botuar vjersha dhe skica në shtypin e kohës.
Në vitin 1991 është paraqitur në një Almanak të krijuesve me 76 poezi dhe me një skicë.
Që prej asaj kohe ka botuar herë pas here brenda dhe jashtë Shqipërisë në shumë media të shkruara. Ka qenë pjesëmarrëse në shumë konkurse letrare ku edhe është nderuar me çmime.
Ka botuar librat:
“Shiu i fundit”,
“Nënqeshja e ëmbël”,
“Në akuj digjem”,
“U jepem udhëve”,
“Qielli I shpirtit tim”,
“Vese shpirti” dhe
“Lirikat e Pikellimes”
Është juriste në profesion dhe është aktiviste e shoqërisë civile, avokate e të drejtave të njeriut me nje eksperiencë 20- vjeçare.
Është koordinatore e rrjetit “Barazi në vendimmarje” për Qarkun Kukës.
Në vitin 2009 është nderuar me “Mirënjohje për kontributin e dhënë në komunitet” dhe është përzgjedhur një ndër 10 personat më aktivë në rang kombëtar.
Është e martuar dhe është nënë e dy djemve. Punon e jeton në Kukës, ku është kryetare e “Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve të Shqiperise” – Dega Kukës.