Pashtriku.org, 28. 06. 2015 / Amerikani i njohur si denoncuesi më i madh në opinionin ndërkombëtar, i masakrave serbe në Kosovë, ish-ambasadori i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka thënë se është krejt e panevojshme Gjykata Speciale për Kosovën.
Kreu i misionit më të vështirë civil ndërkombëtar në Kosovë, në vitet 1998/99, që e kishte quajtur gjenocid ndaj njerëzimit Masakrën e Reçakut, të kryer nga forcat serbe më 15 janar 1999, ka thënë se është koha që Kosova t’u thotë mjaft ndërkombëtarëve.
Walker ka thënë se është shpenzuar shumë deri tani në këtë drejtim dhe nuk ekziston nevoja që të pritet edhe disa vjet derisa të fillojë punën ajo.
Madje, Walker thotë se “qytetarët e Kosovës bashkë me liderët duhet të vendosin dhe t’u thonë ndërkombëtarëve mjaft”.
“Duhet të fillojnë të vendosin vetë, t’ju thonë ndërkombëtarëve mjaft na treguat ju se çfarë të bëjmë”, – ka thënë ai.
“Çfarë na duhet edhe një Gjykatë që i duhen edhe disa vjet deri të fillojë punën. Nuk e kuptoj nevojën për themelimin saj”, ka thënë Walker.
Amerikani William Walker e kishte udhëhequr Misionin Verifikues të OSBE-së në Kosovë, prej vjeshtës së vitit 1998 deri në prag të fushatës ajrore të NATO-s kundër forcave serbe, që nisi më 24 mars të vitit 1999. Ai i kishte parë nga afër krimet serbe në Kosovë, veçanërisht Masakrën e Reçakut, pas së cilës alaramoi botën se “Serbia po kryen gjenocid në Kosovë”.