Suedi, 15 janar 2021: Në librat e mi rrethanat e mëposhtme janë të shtjelluara gjerësisht me ndihmën e fakteve të lëna nga Jusuf Gërvalla. Me këtë punim e kam vetëm një qëllim. Ta vërtetoj (vetëm me fjalët e Ibrahim Kelmendit) se Jusuf Gërvalla, më 16 janar 1982 nuk i ka ftuar as Kadri Zekën e as Ibrahim Kelmendin për kurrfarë pune, që të vijnë nga Dyseldorfi në Shtutgart – Bernhausen apo nga Dyseldorfi në Shtutgart – Untergrupenbach.
Jusufi e fton Kadri Zekën vetëm e vetëm, kur veç ai është në Shtutgart, nga banesa e Murat Kryeziut (Bernhausen), në një rreth të Shtutgartit, në banesën e vetë në Untergrupenbach, në një rreth tjetër të Shtutgartit. Edhe pasi Jusufi e bënë këtë, Kadri Zeka e Ibrahim Kelmendi më me dëshirë do shkonin tek Faridin Tafallari se sa tek Jusufi.
Kadri Zeka dhe Ibrahim Kelmendi, më 16 janar 1982 janë nis nga Dyseldorfi për në Shtutgart vetëm e vetëm sipas planeve të tyre dhe interesave të tyre, e pa asnjë planifikim dhe koordinim me Jusufin. Dy letrat e fundit të Jusufit të 15 janarit 1982, njëra për Kadri Zekën në Zvicër dhe tjetra për Ibrahim Kelmendin në Gjermani e vërtetojnë shumë mirë këtë çështje.
Me propozim të Xhafer Shatrit, organi udhëheqës i Lëvizjes për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ) është quajtur Qendra Ekzekutive (QE). Qendra Ekzekutive ka vepruar prej mesit të janarit 1983 deri më 3 mars 1984. (Qendra Ekzekutive në mbledhjen e 3 marsit 1984 quhet Komitet Qendror /KQ/ me plan që të zgjerohet me anëtarë të rinj. Shtjellimi i kësaj çështje është jashtë kufijve të qëllimit të këtij punimi.) Anëtarë të saj kanë qenë Faridin Tafallari, Hasan Mala, Ibrahim Kelmendi, Xhafer Shatri dhe Xhafer Durmishi.
Kjo Qendër, më 3 mars 1984 e ka mbajtur një mbledhje, (rrjedhat e ngjarjeve kanë bërë që kjo të jetë edhe mbledhja e saj e fundit, në këtë përbërje) ku të pranishëm kanë qenë Faridin Tafallari, Ibrahim Kelmendi, Xhafer Shatri dhe Xhafer Durmishi.
Anëtarët e KQ (QE) të LRSHJ-së: Ibrahim Kelmendi, Xhafer Shatri, Xhafer Durmishi dhe Faridin Tafallari
Diskutimet e kësaj mbledhjeje janë inçizuar në magnetofon, në katër kaseta 90 minutash (2×45 min).
Në këtë mbledhje që ka zgjatur rreth gjashtë orë është diskutuar për:
1) Aprovimin e një rregulloreje të punës së Organit udhëheqës të Lëvizjes;
2) Si dhe kur u themelua LRSSHJ (17 shkurt 1982 apo 15 maj 1982);
3) Analizë e punës së gjertanishme;
4) Detyrat në të ardhmen, dhe
5) Të ndryshme.
Pjesa e inçizuar, pas leximit të hyrjes dhe të rendit të ditës nga Ibrahim Kelmendi, është pjesë e diskutimit të Ibrahim Kelmendit, ku ai, më 3 mars 1984, e përshkruan momentin e nisjes së tij me Kadri Zekën, nga Dyseldorfi për në Shtutgart më 16 janar 1982, pra një ditë para vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës.
Për shkaqe praktike, për publikim në internet-youtube, dy audiofile të shkurta janë bashkuar në një. Në fillim, nga Ibrahim Kelmendi lexohet hyrja-rendi i ditës – 1 minutë e 7 sekonda – nga fillimi i kasetës së parë, pastaj vazhdon deri në fund diskutimi i Ibrahim Kelmendit për ngjarje të 16 janarit 1982, nga kaseta 2, pjesa e parë, minutat 9-12)
Nga inçizimi, shihet qartë se Jusuf Gërvalla, më 16 janar 1982, nuk i ka ftuar për kurrfarë pune Kadri Zekën dhe as Ibrahim Kelmendin, që të vijnë nga Dyseldorfi në Shtutgart – Bernhausen dhe as nga Dyseldorfi në Shtutgart – Untergrupenbach.
Fjala e Ibrahim Kelmendit, shkëputur nga içizimi:
Ibrahim Kelmendi: “Inçizim i takimit të mbajtur më 3 mars 1984 në Gjenevë. Në fillim të takimit u aprovua një dokument i cili nuk do të lexohet dhe u nënshkrua nga të pranishmit. Si rend të ditës u aprovuan këto pika: 1)Përpilimi i rregullores së punës së Komitetit Qendror, 2) Si dhe kur u themelua LRSHJ-ja, 3) Analizë e punës së gjertanishme, 4) Detyrat në të ardhshmen, 5) Të ndryshme.”
(Përfundon leximi i hyrjes nga fillimi i kasetës 1; Diskutimi në vazhdim i Ibrahim Kelmendit është nga kaseta 2, pjesa e parë, minutat 9-12, kur ai përshkruan ngjarje të 16 janarit 1982)
Ibrahim Kelmendi: (Kaseta 2, pjesa e parë minuta, 09.00) “Pikërisht prej Mërgimit (Sabri Novosellës-shën. i Xh.D.) a pat arsye njëmend në atë nivel me u çart ata në mes veti (si pasoj e qëndrimit të Kadri Zekës në takimin e Stambollit me Sabri Novosellën, në mesin e tetorit 1981-shën i Xh. D.). Ndërsa prap po më intereson tjetra. Ku munden ato vendime me i ngarkue njerëzit me përgjegjësi ashtu ku me të vërtetë prej dasmës e mbrapa, edhe në dasmë prapë është insistue prapë me ia nisë që me i bind shokët brenda se pamvarësisht që nuk u murëm vesh aty duhet me i fillua bisedimet e me e bindë njëri tjetrin, me e sqarua njëri tjetrin e me ardhë prapë tek bashkimi. Bashkimit s’kemi kah i ikim. (Në dasmën e Kadri Zekës, më 2 janar 1982 nuk është bërë kurrfarë insistimi për bashkim. Për dasmën shih filmin e dasmës dhe letrën e Jusufit për Ibrahim Kelmendin, më 15 janar 1982, do me thënë 13 ditë pas dasmës-shën i Xh. D.)
E prandaj nuk ish fort e pëlqyeshme, s’mu ka dukur atëherë, s’ka me m’u dukur kurrnjëherë në jetën time, kam drejt me e mbajt atë qëndrim, me thënë po e ngarkojmë me përgjegjësi (Jusufin-shën i Xh.D.) pse e kanë pranuar mysafir (Kadri Zekën-shën. i Xh.D.), kur e din Ky (Faridin Tafallari-shën. i Xh.D.) e e dinë boll (ai) kallabllak, që kur janë çue prej odës (së Murat Kryeziut, në Bernhausen, Nord-West-Ring 30, më 17 janar 1982 në ora 02.00-shën i Xh.D.) ku jemi kanë duke i parë filmat, çfarë insistimi e këmbëngulje ka pasë Jusufi me e marrë mysafir (Kadri Zekën-shën. i Xh.D.). A ne gjatë rruge jemi nisë (nga Dyseldorfi për në Shtutgart në pasditën e 16 janarit 1982-shën. i Xh. D.) për me shkue mysafir (të paftuar tek Jusuf Gërvalla-shën. i Xh. D.) e kemi thënë që ishalla (Jusufi-shën. i Xh. D.) do të na thirrë mysafir se aty kanë qenë edhe qëllimet e fundit që prapë me u ulë, prapë me ba kompromise pamvarësisht që s’u muarën vesh se duhet me i vazhdua demonstratat duhet me e vazhdue aktivitetin. E kemi thënë ishalla (Jusufi-shën. i Xh. D.) na thirrë mysafir, ose ishalla, në fund tash kjo shprehja ishalla është pak fetare, po në fund kemi dëshirua që prapë me u ulë e me e bashkua në të njejtin nivel si përpara. E nëse nuk thirrë e kemi pasë bërë plan me shkua mysafir te Ky (Faridin Tafallari-shën i Xh.D.).
Xhafer Durmishi: ”Po keni qenë edhe tek Ky (Faridin Tafallari-shën. i Xh. D.) Ti edhe Kadriu.”
Ibrahim Kelmendi: ”Kemi qenë. Edhe mundem me të tregua pikë për pikë se me çfarë qëllimi kemi shkuar, edhe çfarë relacioni kemi pasë. Kur jemi çue Ai (Kadri Zeka-shën. i Xh. D.) tha po shkoj tek Faridini. (Jusufi-shën. i Xh. D.) tha jo. Ky (Faridin Tafallari-shën. i Xh. D.) e din, e e dinë edhe të tjerët. Edhe Nuhiu (Sylejmani) e dinë nëse don ta pranon, se ka qenë aty.”
Faridin Tafallari: ”Në atë moment Nuhiu nuk ka qenë aty se ai ka dalë më herët. Përndryshe ai rregullisht ka dalë i fundit. (Për ta thënë fjalët e fundit).”
(Fjalë të inçizuara në magnetofon nga Mbledhja e Qendrës Ekzekutive në Gjenevë, më 3 mars 1984, Kaseta 2, pjesa e parë, minutat 09.00-12.00)
***
Dëgjoni fjalën e Ibrahim Kelmendit në youtube:
Ibrahim Kelmendi: Mbledhja e KQ të LRSHJ-së, Gjenevë, 3 mars 1984
https://www.youtube.com/watch?v=vtEu8o5CrNA
***
Plotësim nga libri i Faridin Tafallarit:
Faridin Tafallari: “Ndejtëm aty deri vonë; nga mesnata u ndamë. Kur dolëm jashtë dhe po ndaheshim, unë i thash Kadriut që të vinte tek unë për të fjetur. Kadriu pranoi dhe i tha Jusufit: “Unë po shkoj te Faridini”. Por Jusufi iu përgjigj: “Jo, sonte do të vish tek unë.” Kadriu përsëri i tha: “Ti mund të kesh mysafirë në shtëpi dhe bëhemi shumë vetë; prandaj po shkoj te Faridini.” Por Jusufi e mori me vete dhe për atë natë u ndamë pasi u përqafuam.” (Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 49)
==================
SHTOJCË E PASHTRIKUT
Jusuf Gërvalla, letër për Ibrahim Kelmendin, 15 janar 1982
I dashur shok Ibrahim! 15 janar 1982
Me bisedën që patëm në dasmë, unë në njëfarë mënyre u tregova i padrejt ndaj teje. Por, duhet ta kesh kuptuar që gjaknxehtësinë time mund ta zbrazja vetëm mbi një shok me të cilin nuk kemi pasur kufij. Arsye për të qenë aq gjaknxehtë, mbase nuk kam pasur. Puna e Organizatës në të cilën bëjë pjesë nuk shkon aspak keq. Por, nga takti më kanë nxjerrë disa gjeste e veprime të një shoku, që, të kundruara nga distanca e të sotmes, më dalin një lojë e pamirë, së pari me personin tim, e pastaj edhe me një organizatë, çka, më shumë organizata revolucionare, madje në një çast madhështor të historisë sonë, që implikon dashurinë, afrimin dhe sinqeritetin më të madh mes luftëtarëve të lirisë.
Ti mund dhe besoj se je i painformuar lidhur me ato që kanë ndodhur në përçapjet për bashkimin e dy organizatave. Por, unë kam edhe më pak leje të të informoj për to, tani që e di se ku bënë ti pjesë. Edukata ime s’më lejon të veprojë në mënyrë të tillë. Shokët e tu të rinj e kanë me borxh ta bëjnë këtë punë. Unë e di se ata e kanë vështirë ta bëjnë, sepse, po ta bënin, do të duhej të flisinin hapurazi kundër punëve të tyre të pahijshme. Tash për tash mund të të them se kjo gjë nuk do të mbetet shumë kohë pa u sqaruar. Do të dalë në shesh se kush është duke bërë zhurmë për bashkimin, duke u çjerrë për të e duke luftuar kundër tij.
Një punë, megjithatë të ngarkon edhe ty. S’ka pasur hije pa marrë edhe mendimin tim, ta shpallje ndër njerëz se si një nga njerëzit e rëndësishëm të Lëvizjes na qenkësh, në mos antikomunist, atëherë së paku kundërshtar i partisë (iluzioniste) që do të formoheshka ndër ne. E vërteta është krejt ndryshe. Shoku Z. i ka procesverbalet e takimit me të. Po deshtët të ngulni këmbë edhe më tej në qëndrimin ”antikomunist” të atij shokut të Lëvizjes, urdhëroni e bëjeni këtë punë në baza më të shëndosha e më të ndershme, merrini përbazë procesverbalet e takimit. Atje shihet se ku qëndron e vërteta për bashkimin e paarritur, e megjithatë të shpallur si akt të kryer në thirrjen e famshme ”Të gjithë në Front! Të gjithë për Frontin!”, të cilën ndoshta nuk e ke pasur në dorë, ngase botimi i saj u spostua pas letrës sime dërguar shokut Z.
Tani po e kupton se unë hyra shumë thellë në punë që s’janë të miat, në punë tuaja të brendshme. Prandaj, nuk shkoj dot më tej. Dëshiroj që ana jonë këndej të jetë e gabuar dhe juve t’ju shkojë puna për së mbari deri në arritjen e fitores. Ne s’ndiejmë frikë as kemi dëm nga cilado forcë me të vërtetë patriotike e revolucionare e popullit tonë. Përkundrazi, atë kërkojmë si qorri sytë dhe ajo na bënë të mburremi. Por kemi një çikë ndruajtje se punës i është zënë jo fort mirë peta.
Përkundër të gjithave, ne s’e kemi humbur as e humbim dot shpresën e bashkimit. Veçse kemi konstatuar se një mision i tillë aq të nevojshëm e aq të shenjtë për ne, do ta bëjnë kur të vijë koha, njerëzit e vërtetë të punëve të vërteta.
Tani po të njoftoj se këto ditë na arriti një videokasetë me pesë filma shqiptarë. Filmat janë të shkëlqyeshëm dhe shumë inspirues. Ne ende s’ia kemi dalë ta shumëzojmë videokasetën, se për këtë punë po na duhet edhe një videofon i dytë, që s’e kemi, dhe një shtojcë speciale për riinçizim, që s’e kemi poashtu. Po të nxorri rruga këndej ndonjë ditë dhe po pate mundësi, merr videofonin tuaj e eja t’i riinçizojmë. Me këtë rrugë, për të njejtën çështje po e njoftoj edhe shokun Z., megjithqë më duket se ata nuk kanë ende as videofon.
Të fala vëllazërore e revolucionare
J.G.
(Botuar për herë të parë nga Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 411-412)
***
Jusuf Gërvalla, letër Kadri Zekës – 15 janar 1982
Untregruppenbach, RFGJ
15 janar 1982
I dashur shoku Z*.!
Para disa ditësh e mora videokasetën e pritur. Në të janë pesë filma e drama shqiptare të shkëlqyeshme. Shfaqjet e tyre të para ndër punëtorët tanë, treguan se janë shumë frymëzues. Ne ende nuk arritëm t’i shumëzojmë e t’jua dërgojmë edhe juve, sepse po na mungon edhe një videofon i dytë. Sa më shpejt që të mundemi ta bëjmë inçzimin e tyre, ne do t’jua dërgojmë videokasetën. Ndoshta Ibrahimi ka mundësi më të mira, prandaj i thashë të vijë me videofonin e klubit, e po të vijë e bëjmë një kopje edhe për ju në Zvicër.
Po kështu kam marrë edhe disa shirita me radiodrama (për kasetofon). Ato do të përpiqemi të gjejme mënyrën t’i shumëzojmë në më shumë, e mbase t’i shesim për të mbuluar shpenzimet e tyre. Në to janë përfshirë radiodramat: “Epoka para gjyqit”; “Besa e madhe”; “ Toka jonë”; “ Prijësja e komitëve”; “Tokë e ndezur”.
Njëherazi shfrytëzoj rastin t’ju përgëzoj edhe njëherë për martesën dhe t’ju uroj trashëgim të frutshëm shqiptar.
Me përshëndetje revolucionare
Drini**
*) Kadri Zeka, shënim i Faridin Tafallarit
**) Pseud. i J. Gërvallës, shënim i Faridin Tafallarit
(Faridin Tafallari, ME TRE YJET E PAVDEKËSISË NË ATO VITE TË STUHISHME, Tiranë 2010 faqe 284-285)
***
DOKUMENTI I LRSHJ-së, 3 MARS 1984
Dokumenti i LRSHJ-së i aprovuar në mbledhjen e 3 marsit 1984, që u përmend (por nuk u lexua) nga Ibrahim Kelmendi – në inçizimin e bërë me magnetofon:
Në takimin e mbajtur më 3 (tre) mars 1984 në Gjenevë, pjesëmarrësit e këtij takimi deklarojnë:
jemi autorizuar që në emër të organizatave të mëparshme, që u shkrinë në LRSHJ, përkatësisht në emër të anëtarëve të Komitetit Qendror brenda, – që në pamundësi nuk po mund të takohen, – dhe në emër të anëtarëve të Komitetit Qendror jashtë, të cilët për arsyera shëndetësore e teknike nuk mund të marrin pjesë, të marrim të gjitha vendimet e mundshme e të nevojshme në emër të tyre.
Vendimet që marrim ne pjesëmarrësit e këtij takimi, me shumicë absolute votash, janë të plotëfuqishme për tërë LRSHJ, përderisa ato përputhen me vendimet që dalin nga Komunikata për Bashkim (ZK, nr.1, 1982). Ata që nuk u përmbahen vendimeve që do marrim do të marrin mbi vete përgjegjësinë dhe pasojat.
Dokumentin e nënshkruajnë me emër e mbiemër:
1. Faridin Tafallari, nënshkrimi
2. Xhafer Shatri, nënshkrimi
3. Xhafer Durmishi, nënshkrimi
4. Ibrahim Kelmendi, nënshkrimi
Dokumenti u nënshkrua nga katër veta, të pranishëm në këtë takim.
…..
PS: Ky Dokument i LRSHJ-së u formulua nga Xhafer Shatri dhe Ibrahim Kelmendi, në mbledhjen e 3 marsit 1984 në Gjenevë. Dorëshkrimi është i Ibrahim Kelmendit.
Lexoni faksimilin:
© Pashtriku.org, kryeredaktori Sheradin Berisha