Shkup, 30 shtator 2020: Klasicizmi është drejtim letrar që erdhi në shprehje në mënyrë më të plotë në letërsinë franceze në shekullin XVII. Fjala vjen nga latinishtja classicus. Në gjuhë të caktuara përdoret edhe në trajtat klasika, klasik. Në shekullin XVI termin e ripërtëriu francezi T. Sebije. Ky në veprën e tij “Mbi artin poetik” dy poetë të shquar francezë të mesjetës i quajti “shkrimtarë të mirë klasikë”. Më vonë, me përdorimin e shpeshtë dhe të ndryshëm, termi mori domethënie të ndryshme. Shkrimtarët e frymëzuar nga humanizmi krijuan vepra në të cilat i imitonin modelet greke dhe romake. Këta shkrimtarë me kohë e fituan të drejtën për t’u quajtur “klasikë”, që do të thotë se me frymën dhe me vlerat ishin të afërt me shkrimtarët antikë, ithtarë të denjë të tyre.
Në këtë domethënie, tashmë parandihet njëfarë orientimi letrar-stilistik, ndonëse jo aq i përcaktuar, për arsye se në këtë vështrim janë klasikë Petrarka (Petrarca) dhe Taso (Tasso), Ronsari (Ronsard) dhe Rasini (Racine). Më vonë edhe Klopshtoku (Klopstock) dhe Gëte (Goethe), Shenie (Chénier) e Leopardi (Leopardi).
Duke filluar nga shekulli XVIII, së pari në Gjermani, në shkrimet e vëllezërve Shlegel (Schlegel), e pas një kohe edhe të autorëve të tjerë dhe në letërsitë e tjera, termi klasik fillon të shënojë të kundërtën e nocionit të ri – romantik. Gjatë tërë shekullit XIX e më pas, kjo antitezë paraqet bazën më të rëndësishme për përkufizimin e të dy nocioneve.
Zonja dë Stal (Staël) u bë e njohur duke zhvilluar idenë e ndarjes letrare-gjeografike në jugun klasik greko-romak dhe në veriun romantik gjerman.
Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, me paraqitjen e realizmit, natyralizmit, simbolizmit dhe të drejtimeve të tjera, u paraqitën antiteza të reja në të cilat mbiemri “klasik” gjithnjë më tepër nënkuptonte të kundërtën e modernes dhe gjithnjë më fortë ndërlidhej me të kaluarën, me vlerat e pakontestueshme, të lidhura me traditën, të kulturave kombëtare.
Sot, asnjë nga domethëniet e sipërthëna, disa prej të cilave ende janë në përdorim, nuk mund të kontribuojë në konceptimin më të thellë, as të doktrinës, as të artit të klasicizmit.
Fjala “klasik” së pari u paraqit në Itali në vitin 1818. Në Gjermani u paraqit në vitin 1820, në Francë në vitin 1822, në Rusi më 1830, në Angli më 1831. Termi “klasik” hyri në përdorim të gjerë vetëm kah fundi i shekullit XIX. Mbiemri “klasik”(klasicistik) u krijua sipas shembullit “realist” (realistik), “simbolist” (simbolistik), “impresionist” (impresionistik) etj. Termi u krijua në trajtë mbiemri për të qenë shumë më i përcaktuar dhe është i një date më të re. Në këtë trajtë, termi nuk arriti të imponohet gjithkund.
Si drejtim dhe si periudhë, klasicizmi shënon në radhë të parë pjesën më të rëndësishme të letërsisë franceze të shekullit XVII: periudhën e Korneit (Corneille), Dekartit (Descartes), Paskalit (Pascal), Molierit (Molière), La Fontenit (La Fontaine), Rasinit (Racine), La Bryerit (La Bruyère) etj.
Në letërsitë e tjera, klasicizmi, po qe se ekziston, si epokë nuk është aq e rëndësishme, ndërsa ndikimi francez kudo është i pranishëm, madje edhe vendimtar.
Jashtë Francës, shkallë më të lartë të vlerës artistike klasicizmi arriti në Angli, në gjysmën e parë të shekullit XVIII, pas Drajedenit (Dryden) dhe në kohën e Popit (Pope) e Adisonit (Addison).
Në Gjermani në shekullin XVIII te Godshedi (Gottsched) dhe Bodmeri (Bodmer) klasicizmi është fare i zbehtë dhe shumë pak origjinal, ndërsa klasicizmi i Klopshtokut (Klopstock), Lesingut (Lessing), Vilandit (Wielland), Herderit (Herder), Gëtes (Goethe) dhe Shilerit (Schiller) është një dukuri më vete, e lidhur në mënyrë më të drejtpërdrejtë me të kaluarën antike dhe me tendencat bashkëkohore romantike.
Në letërsitë e tjera evropiane, shkrimtarët të cilët herë-herë quhen klasicistë (klasikë), si rregull, janë shumë më afër pseudoklasicizmit se klasicizmit të vërtetë. Rrjedhimisht, në përkufizimin e këtij nocioni në radhë të parë duhet nisur nga klasicizmi francez. Burime kryesore të doktrinës së klasicizmit janë retorikat dhe poetikat antike. Prej autorëve duhet përmendur sidomos Aristotelin dhe Horacin. Që nga mesi i shekullit XVI, ndikimi i Aristotelit ishte i jashtëzakonshëm. Në përhapjen dhe në zhvillimin e ideve të tyre, kanë luajtur një rol të madh me shkrimet e veta shumë humanistë italianë: Marko Xh. Vida, Danielo, Vinçenco Magji, Benedeto Varki, Robertelo, Antonio S. Minturno, Ludoviko Kastelvetro e të tjerë. Xhulio Skaligero vepronte në Francë krahas poetëve të Pleadës e të tjerëve.
Por, këtu me rëndësi të veçantë do të jetë brezi i doktrinarëve në krye me Shaplenin, puna këmbëngulëse e tij e plotëson tërë çerekun e tretë të shekullit XVII. Pas tyre vijnë apo shumë shpejt do t’u kundërvihen d’Obinjak (d’Aubignac), Kornei (Corneille), Nikol (Nicole), Ati Rapen (Rapin), në fund edhe Boalo (Boileau) dhe shumë të tjerë.
Në dekadat e para të shekullit XVII e më vonë gëzojnë autoritet të madh humanisti gjerman Vosius (Vossius) dhe komentuesi holandez i ideve të Aristotelit Hajnsius (Heinsius).
Doktrinarët duke iu mbështetur Aristotelit dhe autoriteteve antike të tjera, dëshironin të arrinin thelbin estetik të letërsisë klasike, të përcaktojnë kodeksin e rregullave dhe të parimeve të cilave duhet t’u përmbahet shkrimtari në krijimin e vet – të pavarur. Por, për shumë shkrimtarë mesatarë dhe më pak të talentuar kjo pashmangshëm paraqiste theksim të tepërt të rëndësisë së teknikës. Letërsia kuptohej më mënyrë tejet formaliste. Zbatimi i përpiktë i rregullave bëhet kriter kryesor, shpeshherë edhe i vetëm i vlerës.
Poetika e klasicizmit përbëhet prej këtyre elementeve:
a. Frymëzimi – Krijimi artistik është i pamundur pa frymëzim, pa gjeniun dhe pa prirjen natyrore si parakusht që ai të ndjehet. Por, vetëm frymëzimi nuk është i mjaftueshëm; nevojitet edhe metoda. Më së miri është kur artistin e stolis baraspesha e përkryer ndërmjet prirjes së madhe natyrore dhe frymëzimit të fuqishëm, në një anë dhe diturisë sa më të plotë, arsimimit teorik dhe punës këmbëngulëse, në anën tjetër.
b. Arsyeja – Metoda mbështetet në arsye (rezon) si mbështetëse kryesore për t’iu kundërvënë shpërthimeve të tepërta të imagjinatës dhe të ndjenjave.
c. Entuziazmi – Hovi i imagjinatës dhe vrulli i pasionit janë burim tejet i rëndësishëm i energjisë krijuese; arsyeja hyn në luftë me to, jo për t’i përjashtuar plotësisht nga arti, por për t’i frenuar, për t’i orientuar; në aktin krijues ajo (arsyeja) paraqet parimin zgjedhjes kritike, të vetëdijshme. Shpirti i klasicizmit të vërtetë pa diskutim frymon me racionalizmin, por assesi nuk mund të identifikohet me të.
ç. Natyra: Raporti midis artit dhe realitetit. Artisti është detyruar të krijojë sipas natyrës, por vepra në asnjë mënyrë nuk kopje e realitetit, por transformim specifik i tij. Arti nuk është dhe nuk duhet të jetë imitim i thjeshtë; ai duhet të jetë krijim i botës autonome të një realiteti fiktiv. Klasicistit në natyrë më së shumti i intereson njeriu dhe fati i tij, madje jo njeriu që dallohet për jetën e çuditshme dhe të pazakonshme, por ai që ngërthen në vet njerëzi të thellë, e përbashkët për shumë të tjerë. Prandaj, qëllimi është shprehja e fuqishme e së vërtetës së veçantë, por duke e çliruar nga hollësitë e tepërta dhe duke kërkuar në të bërthamën e së vërtetës së përgjithshme; të pasqyrohet personi, individin plotësisht të veçuar dhe thellësisht të zënë, por duke parë në të edhe një pjesë të njerëzimit, duke qenë i tërhequr nga rrethana, ngjarje, fate, individë, te të cilët takohen kundërshtitë, te të cilët realizohet sinteza e të veçantës dhe universales, e konkretes dhe abstraktes, e bashkëkohores dhe e përhershmes.
d. Kulti i antikës: Imitimi dhe origjinaliteti. Adhurimi i jashtëzakonshëm i të lashtëve. Imitimi i modeleve të tyre vlejnë vetëm atëherë kur kanë domethënie gare krijuese me ta, kur nxisin krijimin e veprave burimore. Ndalimi i rreptë i të shprehurit të drejtpërdrejtë të unit vetjak dhe të përjetimeve personale assesi nuk e përjashton praninë e fshehtë të individualitetit të autorit dhe të botës së tij të brendshme. Pa një prani të tillë nuk do të mund të paramendohej shndërrimi i paarritshëm i një origjinali në tjetër; imitimi i natyrës do të ishte pasqyrim i thjeshtë dhe jo kreativitet, ndërsa respekti i thellë ndaj antikës do të bëhej burim steriliteti.
dh. Qëllimi i artit: Raporti midis të dobishme dhe të bukurës. Në thelbin e këtyre pikëpamjeve mbizotëron pohimi i Horacit sipas të cilit e dobishmja duhet të bashkohet me të bukurën (docere et delectare). Në këtë bashkim, dobia morale që ofron vepra dhe pa të cilën për asnjë klasicist nuk ka art të vërtetë – i nënshtrohet të bukurës. Ajo është kusht i thellësisë së saj, i vlerës së saj, ajo e fisnikëron: E dobishmja i shërben artit, por jo edhe anasjelltas. Utilitarizmi në poetikën e klasicizmit mbështetet në bindjen se e dobishmja në art është e pandashme nga e bukura. Moralja e veprës nuk duhet të reduktohet në ndonjë këshillë të saj, për arsye se shkrimtari nuk është edukator i cili na mëson sesi duhet të jetë njeriu dhe si duhet të jetojë, por artist i cili në kategoritë e larta dhe mbarënjerëzore mendon për njeriun dhe fatin e tij. Mendimet e tilla janë qëndisur në poezi e cila u jep kuptim të ri, forcë dhe shkëlqim.
e. Rregullat – Karakteristike për klasicizmin është kulti i rregullave, konceptimi i përpiktë dhe respektimi edhe më i përpiktë, si i parimeve të përgjithshme të gjasës, të domosdoshmërisë, të përshtatshmërisë, ashtu edhe i rregullave që kanë të bëjnë kryesisht me gjini të veçanta, midis të cilave duhet veçuar sidomos rregullin e njohur të tri njësive të dramës (koha, vendi dhe veprimi) – i përhapur dhe i rëndësishëm Por, nocionin e klasicizmit nuk duhet barazuar plotësisht me nocionin e rregullsisë. Thelbin estetik të rregullave duhet kërkuar në bindjen se ato duhet të marrin pjesë në procesin e krijimit, se ato janë mbështetësi kryesor i metodës së krijuesit artistik, i arsyes (rezonit) së tij, në përpjekjen për ta frenuar vërshimin e pakontrolluar të frymëzimit krijues. Të nënshtruarit llojeve të formës, të përcaktuara paraprakisht, bëhet kësisoj faktor disipline. Pa këtë, respektimi i rregullave do të kishte humbur kuptimin e tij të thellë, arsyetimin estetik të tij, për arsye se çdo konceptim pastër formalist i rregullave, është në kundërshti me frymën e klasicizmit.
ë. Çështjet e stilit – Vërtetësia, natyrshmëria, qartësia, pastërtia e shprehjes, e madhërishmja, thjeshtësia, ndjenja e masës, të qenët konciz, përsosmëria, llojllojshmëria e tonit, harmonia, korrektësia, lidhshmëria e përkryer e pjesëve në tërësi – nuk janë vetëm karakteristika të stilit të mirë klasik, por edhe të artit të klasicizmit. Racionalizmi, besnikëria ndaj natyrës, të bazuarit te të vjetrit, rregullsia etj. nuk janë vetvetiu vlerë, por janë vetëm mënyra të sigurta për t’u arritur vlerat estetike të mirëfillta. pa ide të këtilla për stilin doktrina e brezave të parë të teoricienëve të klasicizmit ka qenë tepër formalist.
f. Teoria e gjinive letrare – Qysh në poetikat antike, me kodifikimin e praktikës, me këtë edhe me ndikimin teorik në krijimin e mëtutjeshëm, është formuluar parimi se elementet që janë karakteristike për një gjini, si rregull nuk duhet të shfaqen te gjinitë që për nga përkufizimi dallohen, e sidomos që janë të kundërta. Për Horacin përzierja e tillë e elementeve jo vetëm që është e palejueshme, por edhe akt i shëmtuar. Ndarja e përpiktë e gjinive bazohet në parimin e unitetit të tërësisë, unitetit të tonit në vepër. Ky unitete arrihet në mënyrë të përgjithësuar duke respektuar ndarjen themelore të poezisë në poezi lirike, epike dhe dramatike, por edhe më tepër dhe në mënyrë më të përcaktuar, me përdorimin pa kusht të rregullave që kanë të bëjnë me gjini të veçanta. Përpos rregullave të përgjithshme ekzistojnë edhe rregulla që e përcaktojnë karakterin e një gjinie të vetme apo të një grupi të vogël zhanresh që në njëfarë mënyre janë të ngjashme. Më të rëndësishëm dhe më mirë të përkufizuar janë tre zhanre të mëdha të letërsisë klasike: tragjedia, epopeja dhe komedia. Por, teoricienët shpesh dhe me po aq rigorozitet e kanë caktuar karakterin dhe i kanë përcaktuar rregullat edhe për një varg zhanresh poetike më të vogla: elegjinë, idilin, pastoralen, oden, epistulën etj. si dhe për tingëllimën (sonetin) të cilën klasicizmi e mori nga poezia e renesancës dhe e futi në radhët e zhanreve antike.
Është e vërtetë se poetika e klasicizmit përshkohet nga dogmatizmi, se bazohet në bindjen e palëkundshme për vlerën absolute dhe të përhershme të një sistemi parimesh dhe rregullash të përcaktuar rreptë. Por, të gjithë krijuesit e mirëfilltë, përfshi edhe Bualonë (Boileau) si teoricien, kanë dëshmuar se e ndjejnë dhe e dinë se nga parimet dhe nga rregullat nuk duhet të nxjerrësh skemën e gatshme të veprës artistike, por në to duhet kërkuar dhe çdoherë sërish duhet zbuluar – thelbin estetik, idenë e së bukurës, përsosmërisë të së cilës i afrohen vetëm artistët e mëdhenj, e pikërisht në çastet e frymëzimit krijues. Për sa tek ai dobësohet impulsi krijues dhe mbizotëron formalizmi pedant, për aq klasicizmi bie dhe shndërrohet në akademizëm* dhe në pseudoklasicizëm.
* * *
Klasicizmi pra është tendencë e shpeshtë në letërsi, sidomos në shekullin XVII në Itali dhe në Francë, për imitimin e artit, të arkitekturës dhe të letërsisë antike greke dhe romake për të marrë idealet letrare të tyre, përkatësisht poetikën e tyre. Përkthehen shkrimtarët antikë grekë dhe romakë, por edhe imitohen në krijimtarinë letrare.
Tendenca për t’i imituar shkrimtarët antikë sukses më të madh arriti në Francë: në shekullin XVII u zhvillua drama klasiciste. Përpjekjet që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen e idealeve antike quhen edhe pseudoklasicizëm, që për dallim nga klasicizimi fillestar, burimor është klasicizëm i pavërtetë apo i shtrembët.
Gjallërimi i botës antike greke dhe romake dhe afrimi i pikëpamjeve të tyre mbi botën dhe jetën në forma, tema dhe motive të pasura, në shumë raste ka qenë e dobishme dhe stimuluese. Dobi më e madhe ishte zgjerimi dhe begatimi i gamës së vështrimeve dhe të informatave për shoqërinë dhe jetën e panjohur, por edhe të çuditshme e të pasur. Vetë përngjasimi i idealit antik dhe krijimi sipas shëmbëllimit të tij nuk dha rezultate të mëdha. Për çdokënd përngjasimi në thelb është një tymnajë racionale dhe pedagogjike. Ai e frenon potencialin e lirë, spontan dhe kreativ në krijimin e veprës letrare dhe artistike në përgjithësi.
Përvojat dhe rezultatet lidhur me gjallërimin e antikës, edhe në rrethana bashkëkohore japin një mësim të çmueshëm: prej epokave të kaluara dhe prej stileve letrare të realizuara mund të merren informata të dobishme për preokupimet e periudhës së mëhershme, por për të sendërtuar arritje të reja artistike, gjithmonë dhe medoemos duhet shkuar rrugëve të reja, deri atëherë të panjohura.
* * *
Tragjedia franceze e periudhës së klasicizmit – Në periudhën e madhe të klasicizmit francez të shekullit XVII tragjedia nxori vepra të mëdha. Themeluesi tragjedisë klasiciste (klasike) franceze konsiderohet dramaturgu dhe avokati francez Pjer Kornej (Corneille). veprimtarinë letrare e filloi me komedi, por sukses më të madh arriti me tragjedinë “Sidi” (Le Cid, 1636) e cila është një prej dukurive dramatike dhe skenike më të rëndësishme në historinë e teatrit. ka pesë akte, është shkruar në vargje; në të janë realizuar të ashtuquajturat tri njësi të Aristotelit (vendi, koha, veprimi), janë theksuar sidomos personazhet kryesore. Megjithëkëtë, në kompozimin e tragjedisë Kornei veproi në mënyrë më të lirë dhe më individuale. Mbështetet në teatrin e vjetër spanjoll, në legjendat heroike dhe në romanca. personazhet Rodrig (Rodrigue) dhe Shimer (Chimère) janë në konflikt midis instinktit dhe ndjenjës, nga një anë dhe synimit për përkryerje morale, në anën tjetër.
Dramaturgu i shquar francez i shekullit XVII Zhan Rasin (Racine), në tragjeditë e veta i trajtonte sidomos personazhet femra: Tebaida, Andromaka, Britanika (Britanic), Ifigjenia, Fedra. Rasini me përpikëri dhe deri në fund e respektonte parimin e tri njësive (kohës, vendit dhe veprimit). Në tragjeditë e tij vendi nuk ndërrohet d.m.th. nuk ndryshon; e tërë drama është në monologun e heroit me kundërshtitë e veta, nuk ka peripeci dhe zgjidhje. Për këtë arsye vëmendja kryesore i është kushtuar ravijëzimit psikologjik të nuancuar të personazheve që paraqesin dy botë të kundërta: botën e ambicieve të shfrenuara, të interesave dhe të pasioneve shurdhuese përballë botës së idealeve dhe parimeve morale. Fedra, një prej personazheve më të rëndësishme të Rasinit, zhvillon një luftë të rëndë ndërmjet dashurisë së marrë ndaj thjeshtrit të saj dhe detyrimeve morale ndaj babait të tij, përkatësisht burrit të saj.
* * *
Komedia franceze e periudhës së klasicizmit – Emër më i madh në lëmin e komedisë është komediografi francez Zhan-Batist Molieri. nxitjet dhe motivet i gjen në commedia dell’arte, te Plauti, Terenci dhe kudo tjetër. Por gjithmonë mbeti komediograf i pakapërcyeshëm, burimor dhe autonom. Edhe sot është komediografi më i shfaqur. Molieri e ngriti komiken prej një këndvështrimi të herëpashershëm dhe të bërë kalimthi deri në një këndvështrim filozofik të gjithanshëm ndaj njerëzve dhe jetës. Për këtë arsye veprat e tij “Preciozet qesharake”, “Tartufi”, “Don Zhuani”, “Mizantropi”, “Borgjezi fisnik”, “Zhorzh Dandeni”, “Koprraci”, “Ngatërresat e Skapinit”, “I sëmuri imagjinar” janë bërë pronë e mbarë njerëzimit.
* * *
Shënim: Nocioni klasik përdoret në disa kontekste: 1. Si emërtim për tërë letërsinë dhe artin antik grek dhe romak; 2. Si emërtim për shkrimtarët me vlerë të veçantë, të njohur nga të gjithë, të ndonjë periudhe; 3. Si emërtim për krijuesit e shquar në fusha artistike dhe shkencore të tjera, po qe se veprat e tyre shquhen në veçanti dhe përmbajnë vlerë afatgjatë.
Edhe nocioni “klasika” përdoret në disa kontekste: 1. Si emërtim për tërë letërsinë antike greke dhe romake; 2. Si emërtim për arritjet më të mira dhe më të rëndësishme të një epoke, të një periudhe letrare apo të një letërsie kombëtare; 3. Letërsitë kombëtare të veçanta mund ta kenë epokën e vet klasike, p. sh. Greqia në periudhën e Periklit (495? – 429 para K.), Roma në periudhën e perandorit August (63 para K. – 14 pas K.), Italia në kapërcyell nga shekulli XV në shekullin XVI, Spanja në periudhën e Kalderonit (Calderon, 1600-1681), Anglia në periudhën elizabetiane* dhe në periudhën e Shekspirit (Shakespeare, 1564-1616), Franca në periudhën e Luigjit XIV (1638-1715), Gjermania në periudhën e Gëtes (Goethe, 1749-1832) etj.
* * *
Shënim: Pseudoklasicizmi është drejtim në letërsi që u përhap pas lulëzimit të klasicizmit dhe nën ndikimin e tij, duke paraqitur vazhdimin e rrejshëm të tij, në të vërtetë negacionin thelbësor të tij. Pseudoklasicizmi pa frymëzim krijues të vërtetë, në pikëpamje epigoni, thjesht formaliste dhe zanati mbetet i lidhur me parimet themelore dhe me rregullat e poetikës së klasicizmit. Konflikti i njohur ndërmjet romantikëve dhe klasikëve në fillim të shekullit XIX në letërsitë evropiane, i kuptuar si konflikt ndërmjet çdo gjëje të re, moderne, kreative dhe një tradicionalizmi tanimë tejet steril, në realitet është konflikt ndërmjet romantizmit dhe pseudoklasicizmit, për arsye se klasicizmi i vërtetë pushoi të ekzistojë shumë kohë para paraqitjes së romantizmit. Klasicizmi i Godshedit dhe i Bodmerit në Gjermani, i Kantemirit, i Tredjakovskit dhe i Sumarokovit¸në masë të vogël apo të madhe, i ka të gjitha format e pseudoklasicizmit.
Shënim: Plejada (Pléiade) është shkollë poetike në letërsinë franceze. U paraqit rreth vitit 1550. Grupi prej shtatë poetëve, midis të cilëve edhe Ronsari dhe Dy Bele (Du Bellay) më parë quhej “Brigadë”. Më vonë, meqë ishin shtatë, sipas shembullit të shkollës aleksandrine, mori emrin e grupit të yjeve – Plejadë. Manifestin teorik, doktrinën e plotë të kësaj shkolle e përmban në masën më të madhe shkrimi i Dy Beles (Du Bellay) “Mbrojtja dhe lartësimi i gjuhës frënge” (Defense et illustration de la langue française, 1549). Këtij shkrim mund t’i shtohen disa parathënie dhe trakte të Ronsarit. Në frymën e pikëpamjeve të renesancës, poetët e plejadës ngrenë një varg çështjesh estetike për rolin e poezisë dhe të poetëve, për imitimin, për gjuhën, për stilin dhe versifikimin (vargëzimin), për gjinitë letrare. Duke u frymëzuar nga legjendat e lashta për prejardhjen hyjnore të poezisë, për ndikimin e saj të çuditshëm mbi tërë botën e gjallë dhe jo të gjallë, për poetin si orakull, plejada ndërton kultin e vërtetë të poezisë dhe të poetit. Por, përkundër theksimit të irracionales, misterit të shenjtë të frymëzimit, poetët e plejadës janë të vetëdijshëm edhe për rëndësinë e disiplinës krijuese, të punës dhe të diturisë. Krahas poeta vates (poet orakull) duhet të ekzistojë edhe poeta faber (poet njohës).
Shënim: Akademizmi – Akademia e Platonit; Respektimi me verbëri i pikëpamjeve estetike që i ka kodifikuar ndonjë akademi artistike. Në kuptim të gjerë, akademizëm do të thotë të respektosh verbërisht traditën, doktrinën estetike zyrtare, format artistike të përcaktuara me rigorozitet; do të thotë mungesë origjinaliteti, imitim modelesh klasike standarde. Për shembull, epoka e klasicizmit karakterizohet me sundimin e akademizmit. Shumë drejtime letrare janë ngritur kundër akademizmit, si: romantizmi, realizmi, secesioni*, ekspresionizmi.
Secesioni – Është emërtim i përdorur në hapësirat gjermane për grupe të veçanta krijuesish artistikë të cilët kah fundi i shekullit XIX, duke i shkëputur lidhjet me traditën e akademizmit dhe pa ndonjë koncept të caktuar, janë ndarë prej grupeve artistike ekzistuese dhe kanë formuar shoqata të veçanta. Secesione kryesorë janë: i Munihut, i Vjenës dhe i Berlinit. Kjo ndarje u manifestua edhe formalisht në zgjedhjen e temave, shpesh të marra edhe prej veprave letrare, si dhe në stil, të karakterizuar nga simetria, nga vija e lakuar dhe ornamentika e stilizuar. I ngjashëm me këtë stil është edhe i ashtuquajturi “stil rinor” (Jugendstil) që e mori emrin më 1896 nga revista artistike e Munihut “Die Jugend” që paraqitet në të njëjtën kohë.
Shënim: Drama elizabetiane – Dramë e renesancës e lindur në periudhën e sundimit të Elizabetës I (1558-1603).
* * *
Të dhëna themelore për poetët dhe për teoricienët letrarë
Adison, Jozef (Joseph Addison, 1672-1719) eseist, dramaturg dhe poet anglez; studioi në Oksford; ekspert i pranuar i kulturës antike; në vitet 1699-1704 udhëtoi nëpër Evropë;
Aristoteli (384-322 para K.) filozof grek dhe teoricien letërsie nga Stagira e Maqedonisë antike;
Augusti (Gaius Iulius Caesar Octavianus Augustus, 63 para K. – 14 pas K.) i pari perandor romak; qeverisi prej vitit 27 para K. deri nÃÂ vitin 14 pas K.;
Boalo-Depro, Nikola (Nicolas Boileau-Despreaux, 1636-1711) poet dhe kritik letrar francez, bashkëkohës i Molierit, Rasinit dhe i La Fontenit;
Bodmer, Johan Jakob (Johann Jakob Bodmer, 1698-1783) shkrimtar dhe kritik zviceran;
Danielo – humanist italian;
Dekart, Rene (René Descartes, 1596-1650) filozof, matematikan dhe fizikan francez; një kohë të gjatë jetoi në Holandë; me ftesë të mbretëreshës Kristinë të Suedisë, shkon në Stokholm ku edhe vdes;
Dë Stal, Zonja (Madame de Staël ose Germaine de Staël, emri i vërtetë Germaine Necker, 1766-1817) shkrimtare gjermane;
D’Obinjak, Fransua Hedelin (Françoi Hédelin d’Aubignac, 1604- 1676) dramaturg dhe teoricien letrar francez;
Drajeden, Xhon (John Dryden, 1631-1700) dramaturg dhe kritik anglez;
Dy Bele, Zhoakim (Joachim Du Bellay, 1522-1560)poet francez;
Ezopi (shekulli VI para K.) fabulist antik grek; me veprën “Përmbledhje fabulash” i dha fabulës formë klasike; u ruajtën në përpunimin e shkrimtarit romak Fedra;
Fedra (shekulli I pas K.) shkrimtar romak;
Gëte, Johan Volfgang (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832) shkrimtar gjerman;
Godshed, Johan Kristof (Johann Christoph Gottsched, 1700-1766) filozof, shkrimtar dhe kritik gjerman;
Hajnsius, Daniel (Daniel Heinsius, 1580-1655) studiues holandez i periudhës së klasicizmit; komentues i ideve të Aristotelit;
Herder, Johan Gotfrid (Johann Gottfried Herder, 1744-1803) shkrimtar dhe filozof gjerman, përfaqësues i gjithanshëm i tendencave kulturore në gjysmën e dytë të shekullit XVIII;
Horaci, Kuin Flak (Quintus Horatius Flaccus, 65-8 para K.) poet romak; u shkollua në Romë dhe në Athinë;
Kalderon, Pedro K. de la Barka (Pedro Calderon de la Barca, 1600-1681) poet dhe dramaturg spanjoll, bashkëkohës i Servantesit (Cervantes) dhe i Shekspirit (Shakespeare);
Kantemir, Antioh Dimitrijeviç (Stamboll, 1708 – Paris, 1744) satirik rus; diplomat me prejardhje moldave;
Kastelvetro, Ludoviko (Ludovico Castelvetro, 1505-1571) kritik letrar italian;
Klopshtok, Fridrih Gotlib (Friedrich Gottlieb Klopstock, 1724-1803) port gjerman;
Kornej, Pjer (Pierre Corneille, 1606-1684) dramaturg francez
La Bryer, Zhan dë (Jean de La Bruyère, 1645-1696) moralist francez;
Krilov, Ivan Andrejeviç (1768-1844) fabulist rus; shkroi “letra” satirike dhe komedi, por u popullarizua me fabulat;
La Fonten, Zhan dë (Jean de La Fontaine, 1621-1695) tregimtar dhe poet francez;
Leopardi, Xhakomo (Giacomo leopardi, 1798-1837) poet dhe prozator italian;
Lesing, Efraim Gothold (Ephraim Gotthold Lessing, 1729-1781) dramaturg dhe kritik gjerman; i një familjeje evangjeliste;
Luigji XIV (Louis XIV, 1638-1715) mbret i Francës; njihej si Luigji i Madh (Louis le Grand) ose si Mbreti i Diellit (le Roi Soleil); mbretëroi në vitet 1643-1715 (72 vjet e 110 ditë) si asnjë monark tjetër në historinë e Evropës;
Magji, Vinçenco (Vincenzo Maggi, 1498-1564) filozof dhe humanist italian;
Minturno, Antonio Sebastiani (1500-1574) poet, humanist dhe kritik letrar italian;
Molier, Zhan-Batist (Jean-Baptiste Poquelin Molière, 1622-1673) komediograf francez;
Nikol, Pjer (Pierre Nicole, 1625-1695) teolog, autor, moralist francez;
Paskal, Blez (Blaise Pascal, 1623-1662) eseist francez; qysh si fëmijë tregoi veti të mendjes befasuese për matematikë; si i ri, arriti rezultate shkencore të jashtëzakonshme në lëmin e akustikës, të makinave llogaritëse, të matjes së trysnisë atmosferike, etj. Në rini u shoqërua me libertinët; më vonë, si jansenist, u përpoq t’ua tregojë atyre rrugët e fesë krishtere; kah fundi i jetës punoi për apologjinë e krishterimit në frymën e agustinizmit jansenist; nuk e konsideronte veten letrar, megjithëkëtë kritikët i siguruar vend edhe në historinë e letërsisë;
Perikli (Pericles, 495? – 429 para K.) burrë shteti antik grek, orator dhe prijës ushtarak;
Petrarka, Françesko (Francesco Petrarca, 1304-1374) poet dhe humanist italian;
Pëup, Aleksandër (Alexander Pope, 1688-1744, poet dhe kritik anglez; duke qenë katolik, i duhej të shkollohej privatisht;
Platoni (427-347 para K.) filozof grek, themelues i shkollës filozofike – Akademisë;
Rapen, Rene (René Rapin, i quajtur Père Rapin, 1620-1687) poet, teolog dhe historian francez;
Rasin, Zhan (Jean Racene, 1639-1699) dramaturg francez;
Robertelo – humanist italian;
Ronsar, Pjer (Pierre Ronsard, 1524-1585) poet francez;
Skaligero, Xhulio Cesare (Giulio Cesare Scaligero, emri i vërtetë Giulio Bordone, 1484-1558) humanist dhe kritik letrar italian;
Sumarokov, Aleksandër Petroviç (Wilmanstrand, Finlandë, 1718 – Moskë, 1777) poet dhe dramaturg rus;
Shekspir, Uilljëm (Wiliam Shakespeare, 1564-1616) poet dhe dramaturg më i madh anglez; figurë qendrore e dramaturgjisë botërore;
Shenie, Andre-Mari (André-Marie Chénier, 1762-1794) poet dhe eseist francez;
Shiler, Fridrih (Friedrich Schiller, 1759-1805) dramaturg, poet deh eseist gjerman;
Shlegel, August Vilhelm (August Wilhelm Schlegel, 1767-1845) kritik, përkthyes dhe poet gjerman; ishte erudit; si shoqëruese e Zonjës dë Stal shëtiti në shumë vende; vëlla i Fridrih Shlegelit;
Shlegel, Fridrih (Friedrich Schlegel, 1772-1829) kritik, historian i letërsisë dhe shkrimtar gjerman; një prej nismëtarëve të romantizmit gjerman; vëlla i August Vilhelm Shlegelit;
Taso, Torkuato (Torquaro Tasso, 1544-1595) poet italian;
Tredjakovski, Vasilii Kiriloviç (1703-1768) filolog rus; shumë para Krilovit botoi ritregimin e fabulave të Ezopit;
Varki, Benedeto (Benedetto Varchi, 1503-1565) shkrimtar dhe historian italian;
Vida, Marko Girolamo (Marco Xhirolamo Vida, 1485-1566) shkrimtar dhe humanist italian;
Viland, Kristof Martin (Christoph Martin Wieland, 1733-1813) tregimtar gjerman;
Vosius, Gerit Johan (Gerrit Johan Vossius, emri latin Gerardus Vossius, 1577-1649) studiues dhe teolog gjerman i periudhës së klasicizmit;