XHEMILE ADILI: ‘JU TREGOJ BUKURINË E JETËS SIME, E CILA MA QETËSON SHPIRTIN’

Tiranë, 16. 07. 2016: (Bisedë me Xhemile Adilin, autore e disa librave poetikë)
– 1.Ke lindur dhe jeton në krahinën e Kërçovës…Aty i kreve dhe mësimet e para, të cilat lanë mbresa të pashlyera në jetën tënde. Më pas u frymëzove, për të shkruar e botuar dy libra për fëmijë…Cilët janë ata, çfarë përmbajnë dhe si u përjetua kjo ngjarje, si nga ti vetë, fëmijët tuaj ose lexues tjerë të vegjël?
-Po, jetoj në rrethinat e qytetit të bukur të Kërçovës, në Republikën e Maqedonisë. Lindur në një fshat të vogël, i quajtur Jagoll. Aty kreva mesimet e para dhe që në bankat e shkollës nisa të thur poezi. Por, në pamundësi, asgjë nuk u botua në atë kohë, si nga kushtet e vështira dhe nga mentaliteti i atëhershem!?… Ndërsa vjen një ditë, pas martesës në fshatin Haranjell dhe fillova që të shkruaj librin e parë.Ishte me tematikë për femijët dhe mbante titullin “Kush i shkundi mollët?”(1995). Pas një periudhe i tubova poezitë e mia në librin e dytë, me titullin “Pasi ndalet shiu”(2002). Kryesisht, janë poezi për femijë, të cilat i shkrova me shume dashuri. Aty kam prekur çdo gjë të pranishme, që të jetë sa më e afërt dhe e kapshme për këtë moshë. Ishte një ndiesi e veçantë, se arrita ta realizoja ëndrrën time, në atë kohë, për të hyrë sadopak në botën e pasur të fëmijëve. Pra, u përkushtova shumë, që ato vargje të jenë të dashura për më të vegjëlit. Të parët ishin fëmijët e mi, që i pëlqyen ato poezi. Gjithashtu, nga lexuesit e vegjël u pritën jashtëzakonisht mirë. Ata kërkonin me padurim, që këta dy libra të ishin në duart e tyre të arta dhe prandaj pjesa më e madhe u shpërndanë nëpër shkollat fillore …
2.Po më tej, si e vazhdove krijimtarinë poetike dhe cilët janë librat, që ke botuar?
-Pasi shkrova dhe botova dy librat për fëmijë, fillova të merrem me poezi për të rritur. Kështu, për një periudhë paksa të gjatë, nuk pata mundesi të botoja. Ndërsa me një pjesë të tyre kam marrë pjesë nëpër revista. Disa nga poezitë e asaj kohe janë recituar dhe në TVSH e një pjesë u botuan në “Flaka e Janarit”. Aty mbahej akademi përkujtimore për vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën. Në fund, mbyllej me nga një libër. Verimtaria mbahej në qytetin e bukur të Kërçovës….Më vonë kam botuar krijime të mijat në disa revista, në Shqiperi e diaspore dhe në antologji të ndryshme poetike.

Xhemile Adili

Deri tani, kam botuar këta libra me poezi, për të rritur: “Lulëkuqja që mbin në mure”(2015), “Një jetë mes dy dashurive”(2016),”Mes ngrohtësive të një dite tjetër”(2016) dhe “Erë erosi”(2016).
3.Sigurisht, është e njohur, se pranë një poeti ose poeteje qëndron një redaktor me përvojë…Ku i ke botuar librat tu, cilët ke patur redaktorë dhe si u ka ecur bashkëpunimi, në këtë fushë?…Gjithashtu, kam kenaqësi, kur shoh se kemi disa miq krijues të përbashkët edhe në FB, si: Agim Desku, Pranvera Gjoni, Adem Zaplluzha, Zyba Hysa, Fran Ukcama, Lida Lazaj e te tjerë…
-Sigurisht që pranë nje poeti ose poeteje ndodhet një redaktor, që bashkëpunon e ndihmon. Kështu, edhe unë i falënderoj dhe i përgëzoj ata për punën e tyre të palodhur! Tre titujt e librave të parë, që përmenda më lart, janë botuar në Prishtinë, në shtypshkronjën”Lena Grafik”. Kurse libri më i fundit, me titullin “Erë erosi” është botuar në shtypshkronjën”Offset print” të Kërçovës. Redaktorët e librave të mi janë: Marin Kelmendi,Agim Desku dhe Rami Kamberi, të cilët i përshëndes përzemërsisht, në këtë Bisedë tonën. Pa e zgjatur shumë, pohoj këtu se bashkëpunimi ynë ka qenë mjaft frytdhënës.
Gjithashtu, e pohoj mendimin tuaj, se kemi disa miq krijues të përbashkët, në FB. Me ata komunikoj, herë pas here dhe shkëmbejmë mëndime me interes të ndërsjelltë, për krijimtarinë tonë.
4.Kam parë në profilin tënd, në facebook, që je shumë aktive në krijimtari. Pra, shkruan e publikon vazhdimisht. Si janë pritur librat tu nga lexuesit, në përgjithësi? A ke marrë pjesë në veprimtari kolektive, që janë organizuar në qytetin tuaj, në Shkup ose diku tjetër?
-Keni të drejtë, pra është e vërtetë që në profilin tim, në Facebook, kam postuar rregullisht poezi dhe vazhdoj të postoj. Ndiej kënaqësi në shpirt, kur vërej se ato priten shumë mirë nga lexuesit e ndryshëm. Gjithashtu dhe librat e mi janë pritur mjaft mirë nga lexuesit, gjë që e kanë shprehur dhe me komentet e tyre, me shkrim…Ka qenë kënaqësi dhe e dobishme për mua se kam marrë pjesë në disa takime poetike, si në Kërçovë, Tetovë e Shkup…Shtoj këtu se jam zëvendëskryetare e Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë “Mugullimi” të Kërçovës.

Ballinat e 4 librave, nga autorja Xhemile Adili…

5.Më ke treguar se poezitë më të reja do t’i tubosh në një vëllim tjetër. Sa janë ato dhe cila është tematika kryesore e tyre?
-Po, tani së shpejti, do ta botoj dhe librin e shtatë, në radhë. Ai do të ketë rreth 70 poezi, por të gjata. Pra, pjesa e madhe e tyre kalojnë në dy faqe. Tematika e tyre, kryesisht, janë: dhimbjet,vuatjet,zhgënjimi i njeriut nga jeta…?!
6.Nuk “harrova”, por e lashë për në fund këtë pyetje. Pra, sa fëmijë keni, a e vazhdojnë ata shkollën apo punojnë? Ndonjëri prej tyre, a përpiqet t’i ngjasojë mamit, pra të lexojë me pasion e pastaj të krijojë, të shkruajë edhe ai poezi ose tregime?
-Ne kemi dy djem, tanimë, të rritur dhe të martuar. I kemi edukuar shumë mirë, me bashkëshortin, i cili punon në postë. Prandaj ndjehemi krenarë, si prindër, ashtu edhe për vlerësimin nga shoqëria. Djali i madh e nusja e tij kanë kryer fakultetin, në Universitetin e Tetovës, drejtimi ekonomi-financë-kontabilitet. Ata janë prindër të një vajze shumë të bukur dhe që e dua shumë, me emrin Eliza, e cila tani mbushë dy vjet. Djali tjetër ka kryer Fakultetin e Informatikës dhe atë të Anglishtes. I ka ndjekur, paralelisht, të dy fakultetet. Edhe nusja e tij ka kryer Fakultetin e Ekonomisë, po për fat të keq janë të papunë, në drejtimin e tyre të zgjedhur. E, sa për t’i ngjasuar mamit në fushën e krijimtarisë, këtu përgjigjem “jo”, nga që janë të orientuar në fushat e tyre, për të cilat kanë studiuar. Por më ndihmojnë shumë në punët teknike, ku, pa ata, nuk mundem t’i kryej. Ndoshta, një ditë, edhe do të ulen të shkruajnë poezi dhe kjo do të jetë një kënaqësi tjetër e madhe për mua.
-Faleminderit, mike krijuese Xhemile Adili, që na dhe këtë pasqyrë të shkurtër të krijimtarisë tënde poetike. Me këtë rast, të urojmë përzemërsisht arritje sa më të mira, në të ardhmen, në fushën e krijimtarisë dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare! Shpresojmë që, së shpejti, të jeshë pjesëmarrëse edhe në veprimtaritë poetike, të cilat organizohen në Shqipëri.
Prof. Murat Gecaj – publicist e studiues-Tiranë, më 9 korrik, 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura