Prishtinë, 7 shtator 2017: Në shtetet normale, në shtetet demokratike dhe në shtetet ku sundojnë ligji e drejtësia do të tingëllonte anakronike dhe absurde, madje nuk do të ndodhtëte fare që kolaboracionisti-argati i një shteti terrorist, i një shteti, që u angazhua për shfarosjen e shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore e deri në përfundimin e Luftës çlirimtare të LPK-UÇK-së e të kombit shqiptar, të dal në television e në mjete tjera të informimit dhe t’i akuzojë atdhetarët-luftëtarët liridashës, LIBERATORËT e Kosovës shqiptare për “terrorizëm”! Duket që në këtë “mission impossible” jugo-kosovari, Azem Vllasi, nuk është i vetëm! Prapa tij janë Serbia e Rusia, që japin edhe fonde të majme që këtij kuislingu dhe sojit të tij t’i hapen natën e ditën dyert e medieve për të akuzuar liberatorin Sadri Ramabaja dhe të gjithë liberatorët e Kosovës! Janë këto medie dhe klasa e tredhur politike në Republikën e Kosovës që po përpiqen ta promovojnë argatin e shtetit terrorist, që quhej Jugosllavi (i drejtuar kryesisht nga Serbia shoviniste…), herë si “viktimë” e herë si “hero”!!
Këto ditë, jugokosovari, Azem Vllasi, e akuzoi publikisht liberatorin, Sadri Ramabaja, si “ideolog të organizatës “Syri i popullit”, e cila “paska tentuar fillimisht ta vras Azem Vllasin e pastaj disa zyrtarë të lartë të Kosovës”!
E kam thënë në një shkrim më herët se organizata “Syri i popullit” është organizatë e sajuar prej atyre që kanë kapur shtetin tonë… Argati i Jugo-serbisë terroriste, Azem Vllasi, prokurori special, Sylë Hoxha (turpi i shtetit dhe i drejtësisë!), sikur edhe ata që kanë urdhëruar ngritjen e dyshimeve për liberatorin, Sadri Ramabaja dhe për shumë shokë të tij, e dinë saktë që ai dhe shokët e tij nuk janë pjesë e atij “tentimi për vrasje” dhe as e asaj organizate të krijuar enkas për t’i “inkriminuar” ata që nuk janë të inkriminuar, kundërshtarët e tyre politikë e jo për ta vrarë Azem Vllasin dhe as zyrtarët e lartë të Republikës, siç pretendohet nga propaganda bajate gebelsiane e kësaj klase të mjerë politike dhe medieve të paguara prej tyre me paratë e vjedhura e të përvetësuara nga pasuritë e Kosovës dhe të popullit tonë!
Populli shqiptar e njeh mirë surratin dhe “formatin” e jugokosovarit, Azem Vllasi, i cili ishte bashkëpunëtor i angazhuar dhe vegël e bindur e shtetit jugoserb, që persekutonte, mohonte, dhunonte, shtypte e terrorizonte çdo të drejtë kombëtare, qytetare, ekonomike, njerëzore dhe demokratike të popullit të pushtuar shqiptar, që përbënte më shumë se gjysmën e kombit shqiptar dhe të territorit të Shqipërisë… Kolaboracionisti, Azem Vllasi, ishte aktori kryesor shqipfolës që ndihmonte Serbinë për eliminimin e asaj pak autonomie kulturore që kishte Kosova e të Fadil Hoxhës dhe autonomistëve tjerë të asaj kohe. Ky ishte bërë i njohur edhe për refrenin e tij antishqiptar: “luftën kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar mund ta fitojmë vetëm me shqiptarët”, refren që ndillte përçarjen, urrejtjen dhe vëllavrasjen ndërmjet shqiptarëve të pushtuar. Mirëpo, populli shqiptar kishte zgjedhur të ndiqte traditën shekullore: unitetin dhe luftën e pakompromis kundër pushtuesve të tokave të tij dhe kolaboracionistëve, kurse Azem Vllasi me sojin e tij ndoqën me konsekuencë dhe me besnikri qeni rrugën e bashkëpunimit me shtetin pushtues terrorist…
Në kohën e tij dhe të sojit të tij burgjet në Kosovë dhe burgjet e gjithë Jugoserbisë ishin të mbushura plotë me shqiptarë që kërkonin të drejtatë e tyre kombëtare, ekonomike, politike e demokratike! Dhuna, torturat shnjerëzore dhe terrori (në kundërshtim edhe me kushtetutën dhe me ligjet e vetë shtetit jugosllav!…) ishin të pashembullta ndaj të burgosurve dhe të arrestuarve shqiptarë! Dhuna dhe terrori psikologjik e fizik ishin shtrirë pothuaj se në çdo familje shqiptare! Mbi 750 000 shqiptarë i ishin nënshtruar dyshimit, diferencimit-leçitjes, hetimit, persekutimit, dhunës, terrorit dhe dënimit me shumë vite burg të rëndë! Aktori kryesor i zbatimit (edhe i bashkëkrijimit) të këtyre politikave të dhunës e të terrorit të pashembullt ishte vetë jugokosovari, Azem Vllasi. Zelli i tij për të shtypur, dhunuar dhe terrorizuar çdo përpjekje për liri e demokraci në Kosovën e pushtuar i linte pa fjalë edhe shefat e tij në Beograd! Mirëpo, erdhi një ditë që ky faqezi nuk u hynte më në punë.
Milosheviçi donte një “markë” të re kolaboracionistësh në Kosovë dhe në gjithë hapsirën e pushtuar shqiptare. Jugokosovari, Azem Vllasi, nuk ishte i zoti të përballejë me qëndresën në rritje të “nacionalizmit dhe irredentizmit”-popullit shqiptar. Serbia e Milosheviçit për këtë e futi në burg për një kohë të shkurtër sa për t’i treguar se ku i kishte dërguar dhjetëra mijëra shqiptarë (kryesisht të rinj). Mirëpo, edhe në qelinë e burgut Vllasi i qëndroi besnik Jugoserbisë terroriste dhe satrapit Tito: “Kur ra sirena më 4 maj u ngrita në këmbë dhe nderova kujtimin për shokun Tito”, deklaronte Azem Vllasi pas daljes nga burgu në revistën “Danas”!
Megjithatë, ne të burgosurit politikë dhe ne liberatorët e Kosovës shqiptare nuk patëm menduar asnjëherë të hakmerreshim për persekutimin, dhunën, torturat dhe terrorin që shteti terrorist, i ndihmuar me krejt qenien nga kolaboracionisti Azem Vllasi dhe soji e sorrollopi i tij, kishte ushtruar mbi ne, mbi familjet dhe mbi popullin tonë liridashës. Madje, ne, duke marrë parasysh (me të drejtë) se jemi popull i vogël përballë pushtuesve, u kujdesëm dhe u përpoqëm për “pajtim” e unitet kombëtar përballë forcës së pushtuesve të tokave shqiptare. Ky kujdes dhe ky qëndrim i yni parimor-kombëtar u provua edhe në kohën kur ishim forcë e padiskutueshme në hapsirën tonë, por edhe menjëherë pas mbarimit të Luftës, kohë kur mund të hiqnim qafe (po ta kishim synim) cilindo kolaboracionist e sidomos ata të “formatit” të Azem Vllasit. Por, LPK-UÇK-ja nuk ishte organizatë terroriste dhe as hakmarrëse. Edhe organizatatë tjera atdhetare që iu bashkuan luftës për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë, siç ishte LKÇK-ja, nuk kishin synim larjen e hesapeve me kolaboracionistët, por me pushtuesit. Ne donim të besonim se edhe kolaboracionistë të “formatit” të Azem Vllasit e të sojit të tij do të reflektonin e do t’i bashkoheshin përpjekjeve e luftës për liri e pavarësi kombëtare dhe për zhvillim e përparim ekonomik e shoqëror, ose të paktën nuk do të bënin argatin e pushtuesve të deridjeshëm. Për “arrogancën” dhe paturpësin që po tregon jugokosovari, Azem Vllasi, dhe soji i tij faj kanë edhe institucionet e Republikës, të cilën Azemi me bashkëpunëtorë e luftonin që të mos bëhej me mish e me shpirt bashkë me Jugo-serbinë dhe miqtë e saj. Megjithatë, ne vazhdojmë të këmbëngulim që Republika e Kosovës, Kuvendi i saj, duhet ta miratojë ligjin për lustracionin-pastërtinë e figurës, që të parandalohen të vijnë në politikë, në funksione publike, në medie, etj., Azem Vllasi e soji i tij, që edhe sot bëjnë propagandë, vjellin vrerë e helm ndaj liberatorëve dhe ndaj çdo vlere kombëtare e çlirimtare, me synim të fundit dëmtimin dhe destabilizimin e Republikës, të cilën aq shumë e urrenin dhe e luftonin! Paraqitja në medie dhe në jetën publike e kryekolaboracionistit të Kosovës shqiptare dhe e sojit të tij është provokim i rëndë për popullin shqiptar dhe për luftën e tij titanike për liri e shkëputje të plotë nga Jugoserbia dhe së fundmi nga Serbia. Gati të gjithë ata që përjetuan ferrin e burgjeve, të torturave psiqike e fizike dhe të vuajtjeve nga shteti terrorist pushtues i Azem Vllasit dhe i sojit të tij janë gjallë.
Këtyre qindra mijëra njerëzve dhe popullit shqiptar Azem Vllasi dhe soji i tij do të duhejë t’u kishin kërkuar falje publikisht dhe me përulje… Në vend të kësaj, Azemi dhe kolaboracionistët e sojit të tij, dalin në medie dhe provokojnë dhe akuzojnë heronjtë e përpjekjeve dhe të luftës për çlirimin e Kosovës shqiptare! Krerët e institucioneve, partitë politike, por edhe shoqëritë e shoqatatë atdhetare duhet të inicojnë urgjentisht ligjin për lustrim dhe për hapje të dosjeve që të shpëtohet Republika, të shpëtohet dhe fuqizohet më tej liria dhe pavarësia e fituar me shumë mund, përpjekje, luftë e flijim. Deri sot kemi bërë sikur nuk kemi parë këta gorillat si Azem Vllasi dhe si këta që u “bashkuan” me Azem Vllasin dhe sojin e tij, sepse donim që t’i mbyllnim plagët që kishte hapur pushtuesi bashkë me këta gorilla në gjirin e popullit tonë… Mirëpo, po provohet ajo që tashmë është provuar sa e sa herë, se me kolaboracionistë të djeshëm e të sotëm nëpër këmbë nuk bëhet liria, nuk garantohet pavarësia!
Nuk kemi qenë dhe nuk jemi për larje hesapesh dhe për hakmarrje individuale, por jemi për “larje hesapesh” dhe për “hakmarrje” me ligj në emër të ruajtjes së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës që ashpër po cenohet! Kjo klasë kolaboracionistësh, të djeshëm e të sotëm, nuk do të ishin kaq të rrezikshëm për lirinë dhe pavarësinë e vendit sikur të mos kishin përkrahjen e “ngrohtë” të politikës, të sistemit të drejtësisë, të medies, të institucioneve të sigurisë, etj. Sot, prokuroria dhe sistemi i drejtësisë janë në duart e atyre që persekutonin e dënonin me shumë vite burg rininë shqiptare dhe familjet e tyre pse kërkonin dhe përpiqeshin për Republikën e Kosovës, për të drejtën themelore të popullit të pushtuar shqiptar, shkëputjen nga nga Jugoserbia terroriste e Azem Vllasit dhe e sojit të tij… Sot, mediet prostitute i ngrisin aktakuzë dhe i bëjnë gjyqin (me Azem Vllasin dhe sojin e tij) Sadri Ramabajës dhe cilitdo tjetër që angazhohet për më shumë liri, për më shumë pavarësi, për më shumë drejtësi, për më shumë dinjitet, për më shumë punë, për më shumë kulturë, për më shumë demokraci e për më shumë siguri në Republikën Shqiptare të Kosovës!! Të gjithë ata që besojnë te liria, te barazia dhe te shkëputja e plotë nga Serbia shoviniste duhet të bëhen digë e pakapërcyeshme për të gjithë ata që po përpiqen për rrënimin e lirisë, të pavarësisë e të sovranitetit të Republikës sonë. Azemi dhe të gjithë ata që kishin bashkuar vullnetin, shpirtin, mendjen dhe armët e tyre me pushtuesitë duhet ta humbin dhe do ta humbin përfundimisht luftën tashmë të humbur me kombin shqiptar…
________________
Xhevat Bislimi (Autori ishte i burgosur dhe i dënuar politik në rininë e tij nga shteti terrorist i Azem Vllasit, nga shteti që nuk respektonte as kushtetutën dhe as ligjet e tij kur ishte puna për shqiptarët… Ai ka qenë edhe veprimtar dhe njëri nga drejtuesit e LPK-UÇK-së. Pas lufte ishte Kryeredaktor dhe pastaj drejtor i Agjencisë “Kosovapress”. Ai ishte edhe drejtues shumëvjecar i Degës së PDK-së në Viti, anëtar i Këshillit Drejtues dhe i Kryesisë së PDK-së. Ishte edhe deputet në Kuvendin e Kosovës. Deputeti i parë që kishte kërkuar miratimin e ligjit për lustracionin dhe prej të paktëve që kundërshtoi fuqishëm dhe pa ekuivoke bisedimet e Vjenës me Serbinë dhe planin e Ahtisarit, etj.).