Viti, 14. 03. 2015 – Ky shkrim “profetik” është botuar para pesë vitesh (më 06. 05. 2010) kur forcat policore të EULEX-it sulmuan Qeverinë e Kosovës (Ministrinë që udhëhiqej nga Fatmir Limaj) në mënyrë banditeske dhe poshtëruese në emër të bastisjes… Po e “riaktualizoj” tash kur gazeta ‘Koha Ditore’ po boton “fakte” për (anti)drejtësinë e EULEX-it… Shkrimi kishtë një titull të papëlqyeshëm për ëndërrimtarët e një shteti të Kosovës, por koha më dha të drejtë: Qeveritë e Hashim Rugovës dhe të Hashim Pacollit, me marrëveshjet e Brukselit dëmtuan edhe më shumë ëndrrën dhe shpresën për një shtet të së drejtës, me pavarësi të plotë nga Serbia, me një ekonomi të qëndrueshme… Nuk pres më mirë as nga Qeveria e Isahashimit… Prandaj, dua të them se para popullit shqiptar të Kosovës dhe para mbarë kombit tonë ka sfida serioze dhe detyra që duhet përmbushur…
Në vijim lexoni shkrimin:
XHEVAT BISLIMI: KOSOVA NUK ËSHTË SHTET!
| E Enjte, 06.05.2010, 08:58 PM |
Sulmi brutal dhe barbar i forcave policore të EULEX-it në Qeverinë e Kosovës ia hoqi përfundimisht petën lakrorit! Iluzionet se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran ranë përtokë. U çjerrën maskat e atyre që erdhën gjoja për ta ndihmuar popullin e Kosovës dhe institucionet e saj. Ranë edhe maskat e atyre që i “ftuan” këto misione, duke pranuar dhe miratuar planin antishqiptar të Atisarit!! U vërtetua ajo që shumëherë është thënë e është shkruar se “EULEX-i është vazhdim i politikave dhe i projektit të UNMIK-ut kundër lirisë së Kosovës me iniciale dhe emblemë tjetër”. U vërtetua se EULEX-i s’është gjë tjetër veçse një repart ndihmës (përforcues) i UNMIK-ut kundër substancës shqiptare të Kosovës dhe tërësisë së saj të mbetur tokësore. Sulmi i armatosur i EULEX-UNMIK-ut në Qeverinë e Kosovës vërtetoi katërcipërisht se Kosova nuk është shtet, se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte një “përrallë” e bukur për ta mashtruar, qetësuar dhe mbajtur në gjumë popullin liridashës të Kosovës shqiptare. Erdhi dita e mbarimit të kësaj ëndërre të bukur, që e quajtën, “pavarësi”?! UNMIK-EULEX-i, me pëlqimin e fuqive që janë prapa tij, sikur tha: “Mjaft më me dënglat e juaja për shtetin e pavarur dhe sovran”! “Ne jemi shteti, ne jemi sovrani dhe ne jemi vetë ligji”! “Ju jeni një teatër kukullash, i licencuar prej nesh, sa për t’ia bërë popullit tuaj më të lehtë zgjedhën dhe tiraninë tonë”!!
Dhunimi i Qeverisë së Kosovës nga ata që në emër të “privatizimit” dhe të “ndihmës” ekonomike e financiare e mbollën, e kultivuan dhe e “miratuan” në Kosovë korrupcionin, krimin e organizuar dhe shkatërrimin e ekonomisë së Kosovës, dhunimi dhe poshtërimi i institucioneve të Kosovës, mu si në kohën e Serbisë, nga ata që në emër të “decentralizimit” dhe “trashëgimisë kulturore”, për hesap të Serbisë, copëtuan Kosovësn, kurse në emër të “paqesë” dhe “stabilitetit” ia dhuruan Veriun e Kosovës dhe kontrollin e tij, Serbisë, do të duhej t’ia hapte sytë popullit shqiptar të Kosovës. Është ora e fundit që edhe institucionet e Kosovës ta kuptojnë, nëse nuk është bërë tepër vonë, se janë të (vetë)rrethuara nga EULEX-UNMIK-u. Forcat politike që vërtetë e duan këtë vend të lirë dhe të pavarur nga EULEX-UNMIK-SERBIA do të duhej urgjentisht t’i rishqyrtojnë qëndrimet dhe politikat e tyre ndaj këtyre dy misioneve që kanë një qëllim: Ta mbajnë Kosovën të lidhur pas qerres së Serbisë?! Kjo është arsyeja pse e gjithë përpjekja dhe lufta e tyre është përqëndruar te “korrupcioni” dhe “krimi i organizuar”, i cili, sipas tyre, nuk ekziston në Veri të Kosovës, ku qeverisë dhe sundon Serbia, por ekziston në Qeverinë e Kosovës?! Ky mision, UNMIK-EULEX-i, është shkaku, burimi, prodhuesi dhe krahu më i fuqishëm i korrupcionit dhe i krimit të organizuar. Sot secili qytetar duhet të pyes dhe të kërkojë: Ku janë dokumentet kadastrale dhe çfarë ka ndërmarrë ky farë UNMIK-EULEX-i për kthimin e tyre? Kush është fajtor për kaosin që është krijuar me pronat në mungesë të dokumenteve kadastrale? Kush e krijoi AKM-AKP-në dhe rregulloren e saj (tash ligj) për ta bërë rrush e kumbulla atë pak industri dhe ekonomi që kishte Kosova dhe pronën e saj? Ku janë parat e këtij “privatizimi”? Ku janë parat e trustit pensional? Kush e zhvati dhe plaçkiti KEK-un dhe PTK-në për vite të tëra? Kush e krijoi Veriun e Kosovës dhe strukturat e Serbisë në Kosovë? Kush po e krijon edhe një Veri të dytë në Anamoravë? Kush po e mban kufirin dhe kontrabandën e trafiqet të hapura me Serbinë? Kush po e mban peng “Trepçën” dhe për kend po e ruan? Kush është përgjegjës për përmbytjen e minierave në Kosovë dhe shkatërrimin e tyre? Kush e krijoi këtë sistem të “drejtësisë” dhe kush po e kontrollon dhe drejton atë? Kush e krijoi policinë dhe kush i krijoi doganat? Kush i krijoi, kontrolloi dhe drejtoi institucionet e Kosovës dhe gjithë administratën publike në Kosovë? Kush, kush…? Përgjigjia është e ditur: UNMIK-u dhe tash edhe EULEX-i me ICO dhe Piter Faitin!! Çdo gjë është rezultat dhe prodhim i tyre! Natyrisht që për këtë vepër “madhore” kanë bashkëpunuar ngushtë me Serbinë! Këtyre misioneve u kanë shërbyer edhe partitë politike në Kosovë, duke besuar se kështu po bënin shtetin e Kosovës!! Ky mision, UNMIK-EULEX-i, e ka nënë kontroll të plotë “drejtësinë”, e cila i shërben verbërisht UNMIK-EULEX-it, i shërben edhe Serbisë dhe vendeve tjera, por kurrë Kosovës. Se EULEX-UNMIK-u dhe Piter Faiti janë krah i korrupcionit dhe krimit të organizuar u pa edhe me ndërhyrjet, presionet dhe dhunën arbitrare të tyre në Komunën e Vitisë!
Drejtësia e konsideron veten mbi pushtetet tjera dhe mbi vetë Kosovën!! Ky mision e ka vënë nënë kontroll edhe policinë e quajtur “e Kosovës” dhe doganat e quajtura, gjithashtu, “e Kosovës”!! Janë këto misione (me një qëllim), UNMIK-EULEX-i, që kanë bekuar dhe i ushqejnë (janë bashkëkrijuese) të strukturave të Serbisë në Kosovë. UNMIK-EULEX-i, që “komandon” edhe KFOR-in (rezoluta famëkeqe 1244), ka marrë në mbrojtje dhe është në aleancë me strukturat e Serbisë në Kosovë dhe me vetë Serbinë. Prandaj, këto misione dhe forca nuk u vendosën në Serbi, por në Kosovë. Sipas tyre, Serbia nuk përbënte kërcënim për paqen dhe sigurinë?!! Kërcënimi dhe rreziku ishin shqiptarët! Kjo ishte arsyeja themelore pse këto misione dhe forca u vendosën në tokën e shqiptarëve, për t’i bërë zap ata?!
EULEX-UNMIK-u poshtëroi edhe njëherë Kosovën dhe popullin e saj ditën për diell. Institucionet e Kosovës dëshmuan për të satën herë se janë surrogat ose prodhim i politikave të UNMIK-EULEX-it dhe i një projekti thellësisht kundërshqiptar të “bashkësisë ndërkombëtare”! Partitë politike “opozitare”, në vend se ta dënonin këtë dhunë vandaliste dhe këtë poshtërim që iu bë Kosovës dhe shqiptarëve (edhe atyre), parapëlqyen “duartrokitjen” dhe ngazëllimin e papërmbajtur!! Ta luftojmë kështu njëri-tjetrin me ndihmën e një misioni të korruptuar, instrument i Serbisë dhe kundërshqiptar, nuk e besoja! Siç po duket, “shqiptarët” e zinjë janë mësuar ta kërkojnë mbështetjen tek i huaji për ta mposhtur vëllaun “kundërshtar” ose “armik”!! Në këtë rast nuk bëhej fjalë për Fatmir Limën ose për cilindo emër a personalitet tjetër, por për institucionet e atij, që i themi shtet, për krenarin dhe nderin e një populli! Pastaj, cak i sulmit të tyre nuk është Fatmir Lima, por e ardhmja e Kosovës. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe me Ramush Haradinajn, duke e arrestuar dhe dërguar në Hagë për “krime lufte”?! Por, edhe ai e paska harruar poshtërimin që i kanë bërë atij dhe Luftës Çlirimtare të popullit shqiptar! Ata synojnë zbatimin e projektit të tyre?! Sipas këtij projekti Kosova mund të jetë çka do tjetër vetëm shqiptare JO?! Në funksion të këtij projekti kundërshqiptar, kundërhistorik dhe kundërqytetërues janë të gjitha politikat dhe i gjithë angazhimi i UNMIK-EULEX-it dhe Fuqive që qëndrojnë prapa tyre!! Këtë projekt ka pranuar dhe ka marrë përsipër ta zbatojë qorrazi edhe klasa politike dhe institucionale e Kosovës, e cila edhe pas poshtërimit që i bëhet ndjenjave liridashëse dhe kombëtare të popullit shqiptar në varrimin e atdhetarit të njohur, Ali Aliut-Preshevës, vazhdon të “qeverisë” sikur të mos ketë ndodhur asgjë! Këta drejtues institucionesh vazhdojnë të sillen si struci edhe për punën e Albin Kurtit dhe Lëvizjes së tij!! Persekutimi, presioni, shantazhi dhe dhuna e organizuar ndaj Albin Kurtit dhe Lëvizjes së tij paqësore dhe demokratike është fyese dhe poshtëruese për mbarë Kosovën dhe kombin shqiptar. Kjo klasë politike dhe institucionale vazhdon ta haj bukën me turp edhe pas sulmit dhe dhunimit që iu bë Qeverisë së Kosovës nga një bandë policësh të EULEX-it të armatosur deri në dhëmbë, nga ata që, ose kolegët e atyre që kontrabandojnë duhan e alkool!! Ndoshta edhe mallra tjera?!
Nuk mund të pritej më shumë nga ajo klasë politike që bëri kompromisin tragjik për lirinë dhe të ardhmen e Kosovës gjatë “bisedimeve” me Serbinë. Nuk mund të pritej më shumë nga ato institucione që nuk ndërmorën asnjë hap ose veprim konkret për largimin e Serbisë nga Veriu!!Nuk kemi si të presim më shumë nga ata që nuk ndrmorën asgjë për largimin e UNMIK-ut nga Kosova, si mision antikushtetues dhe pushtues!! S’kishin si të ndërmerrnin veprime për largimin e UNMIK-ut deri sa EULEX-i vepron nën çadrën e tij ose është degë e tij!! Refreni i tyre bajat është: “Ua kemi lënë organeve të drejtësisë”, “po presim faktet”!! Organet e drejtësisë janë vetë UNMIK-u, EULEX-i dhe ICO-Piter Faiti.
E mira e këtyre ngjarjeve dhe zhvillimeve të fundit është se populli i Kosovës po e kupton se jeton në një vend me institucione kukulla në duart e UNMIK-EULEX-it. Populli shqiptar po e kupton më qartë se kurrë se institucionet e Kosovës janë instrumenta në duar të UNMIK-EULEX-it për zbatimin e projektit tashmë të njohur kundër Kosovës dhe popullit të saj shqiptar. E mira e kësaj dhune të shfrenuar dhe me nuanca terrorizuese, që po ushtron EULEX-UNMIK-u kundër lirisë së Kosovës, është se populli i Kosovës e ka edhe më të qartë se zgjidhja e vetme dhe e përherëshme është ribashkimi i Kosovës me trungun (AMËN) e saj, me Shqipërinë. Dorëheqja e kësaj Qeverie është i vetmi shërbim i vockël që mund t’ia bëjë ajo këtij vendi. Dorëheqja, në fund të fundit, do t’u shërbente edhe vetë atyre që janë në këtë Qeveri.
Ka edhe një zgjidhje tjetër… Klasa politike dhe institucionale e Kosovës, pas këtij poshtrimi që i është bërë, mund të ulet dhe të merret vesh që ta prish “kumbarinë” me EULEX-UNMIK-un, t’i largojë këto misione nga Kosova. Por, ata që i kanë bërë gjithë këto koncesione Serbisë dhe misioneve të dashura për të, UNMIK-EULEX-it, nuk e besoj se mund ta bëjnë këtë punë. Jo, jo. Kjo klasë duhet të vazhdojë ta “qeverisë” Kosovën deri në përmbushjen e misionit të saj. Bisedimet e paralajmëruara me Serbinë janë vendimtare për finalizimin e projektit antishqiptar për Kosovën: Kantonizimin ose federalizimin e saj?! Kjo do të bëhet duke krijuar entitetin serb (Veriun, komunat serbe dhe zonat e mbrojtura). Këtij entiteti do t’i takojë mbi 30% e tokës shqiptare të Kosovës?! Ky territor (mbi 30 %) do të ketë lidhje speciale me Serbinë?! Pra, pakica serbe (3 ose 4 %), do të “pushtojë” dhe përvetësoj mbi 30 % të territorit të Kosovës dhe Serbisë do t’i garantohet “çasje” e papenguar në Kosovë?! Të gjitha informatat dhe të dhënat na thonë se klasa politike dhe institucionale, e “disiplinuar” nga EULEX-UNMIK-u dhe ambasadorët e huaj, nuk mund ta pengojë këtë projekt antishqiptar, për të cilin ka kontribuar mjaft edhe vet…!!
###
NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG
Më 6 maj 2010, kjo analizë është botuar në Portalin www.pashtriku.org
Shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte një “përrallë” e bukur!
KOSOVA NUK ËSHTË SHTET!
http://pashtriku.beepworld.de/files/kosova_2010/maj_2010/xhevat_bislimi_kosova_nuk_eshte_shtet_6.5.10.htm