Viti, 13. 01. 2015 – Republika e Kosovës, e proklamuar natë e ditë si një histori (storie) e suksesit ndërkombëtar dhe vendor, vazhdon të mbetet i vetmi vend në Ilirinë (Ballkanin) Perëndimore qytetarët e të cilit nuk mund të shkelin tokën e BE-së pa viza! Republika e Kosovës është shndërruar nga BE-ja në një GETO të Ilirisë! Qytetarët e të gjitha vendeve rreth e rrotull nesh mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Europian! Edhe Serbisë, që është përgjegjëse dhe shkaktare e të gjitha luftërave dhe konflikteve në Iliri, i janë hequr vizat…!! Qytetarët e Republikës sonë gjatë këtyre viteve kanë shpenzuar miliona euro (mbi pesëmbëdhjetë milionë) vetëm për t’i paguar vizat që japin herë pas here (sipas simpative dhe parapëlqimeve të tyre) vendet e BE-së! Sikur të mos mjaftonte kjo, Republika e Kosovës, me kërkesë të Serbisë, u bë edhe me një FUSNOTË, e cila ishte kusht për anëtarsimin e Republikës së Kosovës në organizata të ndryshme rajonale, europiane e ndërkombëtare! Ҫfarë ironie!! Këto dhe lëshimet e bëra në Vjenë dhe, sidomos lëshimet në Bruksel, rritën edhe më tej oreksin e neofashistëve serbë në Beograd! Politikat kapitulluese të klasës politike të Kosovës sollën, me kërkesë të Serbisë, edhe themelimin e Gjykatës së Posaçme (speciale) Ndërkombëtare për Kosovën!
………………………………………………………..
Qeveritë e Republikës së Kosovës (posaçërisht ato të H. Thaçit) i plotësuan të gjitha kushtet e imponuara nga Bashkësia Ndërkombëtare për shndërrimin e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës në një GETO papunësie, pamundësie për të lëvizur lirshëm nëpër vendet e Bashkimit Europian, korrupcioni, krimi, dëshprimi dhe depresioni…!! Madje, qytetarët tanë, sidomos shqiptarët, as brenda vendit të tyre nuk mund të lëvizin lirshëm! E vetmja derë, nga mund të kalojnë qytetarët e Republikës së Kosovës (shqiptarët), është dera e Serbisë!! Kjo DERË e ikjes dhe e shpërnguljes është hapur nga Serbia për zbrazjen e Kosovës! Hapja e kësaj dere është mirëkuptuar (nuk po kundërshtohet) edhe nga Qeveria e Isahashimit dhe nga Bashkimi Evropian! Por, kjo derë ka dëmtuar dhe po dëmton keq fotografinë (imazhin) e Republikës sonë sot dhe interesat e saj afatgjata.
Krerët e institucioneve të Republikës sonë po “besojnë” se Republika e Kosovës mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian dhe e botës së zhvilluar e të përparuar demokratike, duke marrë pjesë në ndonjë manifestim në Paris, duke arrestuar ndonjë imam, duke rregulluar frizurat, duke blerë rroba të shtrenjta, duke marrë poza nëpër hotelet luksoze të botës, duke u përqafuar me Daçiqin, Vuçiqin e “viçat” tjerë, duke lëshuar pe deri në gjunjëzim në dëm të interesave të Republikës dhe të popullit të saj shqiptar, etj.! JO e madhe! Kështu janë rrënuar dhe po rrënohen edhe më sovraniteti, liria dhe pavarësia e Republikës së Kosovës! Kjo është e pafalshme. Liria dhe pavarësia e fituar me aq mund, djersë e gjak të shpërdorohet dhe të rrënohet deri në këtë shkallë nga një klasë e kapur dhe e paaftë politike është e papranueshme dhe e dënueshme. Për këtë gjendje të rëndë të Kosovës është përgjegjëse e drejtëpërdrejtë edhe klasa politike e Tiranës. Para kësaj gjendjeje nuk guxojmë t’i mbyllim sytë ose të sillemi si struci…
INTERAKTIV: RRËFIMI PËR IKJEN NGA SERBIA NËPËR HUNGARI PËR NË GJERMANI!
…………………………………………………………………..
(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)