ZBULOHEN DOKUMENTET E RRALLA TË SHPALLJES SË PAVARËSISË, MË 1912 NË VLORË
Pashtriku, 2 shtator 2021
Koleksionisti shqiptar Eros Hoxha ka zbuluar për herë të parë në emisionin Opinion disa dokumente historike për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Bëhet fjalë për mandatet autentike, origjinale të disa prej qyteteve kryesore të Shqipërisë që mandatojnë të zgjedhurit e tyre për Kuvendin e Vlorës që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
Dokumentet janë në osmanishte dhe vijnë nga disa qytete. Vetëm njëri nga dokumentet, ai i Peqinit (nga gjashtë dokumentet që ka Eros Hoxha) është në shqip dhe në osmanishte, me firmat përkatëse dhe vulat e të gjithë parisë së qytetit të Peqinit.
Në dokument lexohet: “Peqin më 20 vjeshtë e tretë 1912… “Na paria e Peqinit i japim gjithë të drejtat kryeqeveritarit të këtushëm Zotit Dervish Bej Elbasanit dhe Zotit Mahmut Ziut për me u mundue për shpëtimin e Shqipnisë si të jetë ma mirë për të”.
Po ashtu në këto foto janë mandati i Elbasanit, Peqinit, Shijakut, Tiranës si dhe dy mandate të rralla: Ohrit dhe Strugës, dy qyteteve që në atë moment ishin të pushtuara nga forcat bullgare dhe serbe.
Një tjetër dokument i përket Pejës, në atë kohë e pushtuar nga forcat serbe. Në total janë 6 dokumente origjinale, më të rrallat, që tregojnë krijimin e shtetit shqiptar.
***