ZHAGITJA E ANËTARËSIMIT TË MAQEDONISË VERIORE NË BASHKIMIN EVROPIAN DHE FAKTORI POLITIK SHQIPTAR

A n a l i z ë

ZHAGITJA E ANËTARËSIMIT TË MAQEDONISË VERIORE NË BASHKIMIN EVROPIAN DHE FAKTORI POLITIK SHQIPTAR

Nga Prof.dr.Abdulla Mehmeti

Heqja e pengesave dhe hapja e rrugës për anëtarësimin e Maqedonisë Veriore në Bashkimin Evropian varet kryesisht nga faktori politik shqiptar, nëse nuk është i kapur nga merimanga serbe-rusomadhe. 

Unë nuk e di saktë se çfarë bisedojnë përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare me faktorin politik vendës dhe me drejtuesit e pushtetit aktual në Shkup, por e di saktë se këto bisedime zhvillohen me ndonjë strategji tjetër nga ajo që bëhet publike për opinionin.

Përndryshe, nuk besoj të mos e dinë edhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare se, çelësin për zhbllokimin e procesit integrues të këtij shteti në BE e kanë ekskluzivisht drejtuesit e partive shqiptare, ato në pushtet dhe në opozitë.

Nëse do të ishte kështu siç deklarohen drejtuesit e këtyre partive të shqiptarëve, se janë për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, kësaj radhe në BE, kjo varet nga vendosmëria e drejtuesve të këtyre partive, por edhe nga strategjia e partisë në pushtet, LSDM-së, nëse vërtet punojnë sinqerisht për këtë kauzë, siç deklarohen.

Nëse nuk ekziston ndonjë marrëveshje e fshehtë mes OBRM-PDUKM-së me LSDM-në, për bllokimin e këtij procesi, për të blerë kohë se çfarë do të ndodhë në arenën ndërkombëtare gjatë muajve të ardhshëm, sidomos me rrjedhat e luftës në Ukrainë, atëherë do të mjaftonte një deklaratë e fortë e përbashkët e partive politike të shqiptarëve, se në çfarëdo rrethanash, nëse bllokohet rruga e anëtarësimit të shtetit në samitin e radhës të BE-së, asnjëra nga partitë e shqiptarëve, në asnjë rrethanë nuk do të pranojë të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme, nëse atë do ta formojë OBRM-PDUKM (VMRO-ja) me partitë tjera të pakicave në koalicion, edhe nëse kjo parti do ta fitonte një mandat të tillë pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Ju garantoj se, as drejtuesit e LSDM-së dhe as të BDI-së, nuk janë të sinqertë në deklarimet e tyre për hapjen e rrugës së anëtarësimit të Maqedonisë Veriore në BE. Kjo vlen sidomos për partitë e shqiptarëve në opozitë, të cilat për të ardhur në pushtet janë të gatshëm të djegin çdo mundësi të këtij shteti për të ecur përpara, pa llogaritur se një ditë vendi mund të mbetet pa banorë dhe pa votues, për teket idiote të politikanëve të sotëm, pa strategji, vizion dhe njohje elementare të rrethanave politike në arenën ndërkombëtare.

E gjithë kjo ngatërresë mund të zgjidhet tepër lehtë, nëse ka vullnet të mirë mes palëve dhe mirëkuptim nga faktori politik joshqiptar, me organizimin e një takimi të përbashkët të liderëve të partive shqiptare dhe nënshkrimi i një deklarate me qëndrime serioze, drejtuar opinionit vendës, institucioneve të pushtetit në Shkup dhe institucioneve ndërkombëtare.

Le ta formojnë qeverinë e ardhshme atëherë vetëm LSDM dhe OBRM-PDUKM, ashtu siç janë mësuar të fërkohen mes vete, pa partitë e shqiptarëve, që njëherë e mirë t’u çirret maska e tyre përpara qytetarëve të vendit dhe para faktorit ndërkombëtar. Atëherë mund të hapen tema të tjera, nga të cilat në asnjë rast shqiptarët nuk do të jenë humbës.

E nesërmja mund të jetë tepër vonë, bëjeni këtë sot!

(22. XI. 2023)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura