Besianë, 4 prill 2020: Këto ditë letërsia jonë u pasurua edhe me një përmbledhje poetike me vjersha lirike të poetes Shkurte Povataj. Pra, autorja lexuesve po ua dhuron vëllimin poetik “Mos m’i burgos ëndrrat”, që është libri i parë i saj. Kjo përmbledhje më dha shkas për të shfaqur disa mendime për atë që shpreh dhe përmban poezia e autores Povataj. Për faktin se autorja veç sa ka nisur të botojë poezitë e veta, dhe meqë më parë nuk kemi pasur rast që të shfletojmë diçka nga autorësia e saj, vlerësimi ynë për artin poetik të saj do të jetë relativisht i saktë, sepse nuk e kemi mbështetur në një kriter të nivelizuar, ngase këtë e pengojnë shkaqet objektive. Vëllimi poetik “Mos m’i burgos ëndrrat”, në të vërtetë është dëshmi e ekzistimit të indit poetik bukur të brishtë të poetes Shkurte Povataj, që është në zhvillim e sipër. Nga poezia e poetes Povataj kemi gjetur tërë atë që është e natyrshme: shpirtin e dëlirë, butësinë dhe madhështinë, të mbështjellur me dashuri të sinqertë dhe me mall e dhembshuri për njeriun, qoftë prind, vëlla, motër, bijë, apo edhe të dashur.
Poezinë e poetes Shkurte Povataj ne e pranojmë dhe e kuptojmë si ndjenjë dhe mbresë të raporteve të përditshme jetësore, por edhe si funksion ndjenjash në të përjetuarit e jetës shpirtërore. Prandaj poezinë e kësaj autoreje do ta quajmë krijim më suptil dhe ndjenjë, madje edhe kur është fryt i ndjenjave intime, të buta, i epshit dhe i shtytjeve të brendshme. E tillë është dhe duhet të jetë poezia e mirëfilltë, shprehëse e mendimeve për problemet dhe preokupimet e drejtpërdrejta, të thurura me gjuhën e fantazisë dhe të sensit krijues. Në poezinë e poetes Shkurte Povataj dominon motivi i dashurisë në kuptimin e gjerë të fjalës. Ky motiv trajtohet i shoqëruar përherë me brenga dhe halle, kundërshtime e pajtime, luftë kundër veseve, siç janë gënjeshtra, mashtrimi, pabesia etj. etj. Por, poetja Povataj e ka trajtue edhe poezinë me motivin atdhetar dhe social. Kur mbërrijmë deri te poezia e fundit e përmbledhjes poetike “Mos m’i burgos ëndrrat” të poetes Shkurte Povataj, të cilën e kemi lexuar dhe analizuar, për një çast do të ndalemi në njëfarë mëdyshjeje, ngase përmbledhja do të na sjell kënaqësi në përjetimin e vlerave poetike dhe freskisë së motiveve, siç janë dashuria, atdhedashuria, malli për nënën, dashuria ndaj fëmijës, ndjenja e miqësisë së sinqertë etj., por njëkohësisht do të na lërë përshtypje edhe me përdorimin me sukses të figuracionit poetik. Pretendimet e poetes në këtë vëllim nuk hetohen, pasi që nuk janë aq të mëdha, për shkak se ajo është ndalur te bota e ndjenjave të veta subjektive dhe me to, kryesisht i ka përshkuar të gjitha poezitë e veta. Prandaj është edhe konstatimi ynë se autorja Shkurte Povataj poezitë e veta i ka stolisur me ngjyrime individuale. Kjo gjeturi dhe modesti, autores i ka ndihmuar shumë dhe ka bërë që përmbledhja e saj të shquhet në mënyrë edhe më impresive.
Lexuesi këtë vëllim poetik do ta lexojë me ëndje, ngase aty do të gjejë optimizëm, por edhe sentimentalizëm, mall edhe dhimbje, qëndresë edhe krenari. Pra në këto poezi do të gjejmë tërë atë që na e paralajmëron edhe vetë titulli i përmbledhjes.
Postime të Lidhura
PROF. DR. XHEVAT GEGA MODEL NJERIU, PEDAGOGU E SHKENCTARI
PROF. DR. XHEVAT GEGA MODEL NJERIU, PEDAGOGU E SHKENCTARI Prof.Dr.Avzi Mustafa, Shkup 01. 09. 2011 Është një fakt…
ÇMIMI “NOBEL” PËR LETËRSI – LAUREATËT
ÇMIMI “NOBEL” PËR LETËRSI – LAUREATËT Nga Xhelal Zejneli, Shkup 09. 10. 2022 Çmimi “Nobel” për letërsi ndahet…
VANGJUSH ZIKO *): STILI I JASHTZAKONSHËM I MOIKOM ZEQOS
Kanada, 5 nëntor 2017: Moikom Zeqo është, përveçse një krijues shumëplanësh, historian, arkeolog, piktor, studjues, eseist, kritik, aktivist…
KADRI REXHA: KLEMENTINA KËRKON PËRKRAHJE NGA BASHKATDHETARËT TANË
(Pashtriku.org, 02. 11. 2012) – Pas fazave garuese të eliminimit, në një konkurrencë të jashtzakonshme, më në fund,…