MBROJTJA E UKSHIN HOTIT PARA TRUPIT GJYKUES SERBË NË PRIZREN – SHTATOR 1994 (I)

 Pashtriku.org, 15. 05. 2012 – “Më ka arrestuar policia e Republikës së Serbisë, ndoshta me kërkesën e një pjese të alternativës shqiptare të Republikës së Kosovës. Shkaku i drejtpërdrejtë i këtij arrestimi sigurisht ka qenë frika iracionale e kësaj pjese të alternativës shqiptare se me shkuarjen time në Prishtinë në krye të UNIKOMB-it pas 9 vitesh të ostracizmit dhe të izolimit, do të çrregullohej baraspesha e forcave politike dhe do të krijohej një gjendje e paparashikueshme dhe e pakontrollueshme. Ky edhe është shkaku i vërtetë i mbajtjes së këtij gjykimi për të cilin personalisht kam besuar se nuk do të ndodhte. Besoj gjithashtu se gjykimi po mbahet me pajtimin e ndërsjellë të dy republikave ose të organeve të tyre përgjegjëse kompetente, gjersa shkaqet juridike që i përmban aktakuza s’mund të qëndrojnë absolutisht …” – kështu ka deklaruar Ukshin Hoti para trupit gjykues, më 29 shtator 1994.
***
Zonja kryesuese e gjyqit, Të nderuar zotërinj të kolegjit gjykues!
Njeriu nganjëherë, edhepse mund të gjendet në një situatë specifike, mund të dojë të bëjë një gjë normale, e cila pikërisht sepse është normale, në një situatë të tillë specifike mund të duket si e çuditshme. Kështu p.sh. unë, ndonëse tani prej meje nuk pritet një gjë e tillë, në situatën e dhënë, më duhet t’i shfaq respekt institucionit gjyqësor të fjalës së mbrojtjes. Nuk e di se kur është futur ajo për herë të parë dhe për çfarë shkaku, që t’i ofrojë të pandehurit mundësi të vërtetë për mbrojtje apo që t’i ofrojë gjyqit justifikimin e nevojshëm për verdiktin. Nuk e di nëse është një institucion vetëm formal apo edhe efikas, apo edhe njëra edhe tjetra, po unë megjithatë dua t’i shfaq respektin, sepse kam përshtypjen sikur në atë raportin përjetësisht të pasqaruar midis shoqërisë dhe individit, d.m.th. individit të cilin shoqëria e ka thirrur në përgjegjësi për shkak të veprimeve të tij të menduara apo të realizuara (gjyqi nganjëherë për shkaqe preventive gjykon edhe për “mendime” të cilat i cilëson si veprime); në atë raport në të cilin individi pavarësisht nga avoketërit e tij dhe nga mbrojtja, pavarësisht dhe nga bindjet, nga motivet dhe nga veprimet e veta, por edhe së bashku me to, megjithatë ndodhet plotësisht i vetëm përpara shoqërisë, në këtë raport, institucioni i fjalës së mbrojtjes fut njëfarë imazhi iluzor apo përshtypjen se në një periudhë të caktuar kohe drejtësia dhe e drejta mund të puqen dhe të bëhen një. Në jetën praktike e drejta dhe drejtësia rrallë ndonjëherë ndodh që të puqen, por qoftë edhe si iluzion, duke i dhënë individit mundësinë që të flasë, të thotë, të shprehet dhe të vlerësojë, të mbrohet apo të sulmojë, ajo njëkohësisht i ofron mundësinë që të besojë se po i drejtohet drejtësisë dhe jo vetëm së drejtës. Individi atëherë mendon se mund të ndikojë jo aq në vendimin eventual të gjyqit, sa në kompleksitetin e rrethanave dhe të situatave që mund t’i shkaktojnë gjykimet. Në këtë mënyrë shpresa paraqitet si esenca e vetë iluzionit, ndërkaq edhe filozofët e lashtë kanë vënë re se të shpresosh edhe atëherë kur do të thotë vetëm të jetosh, është gjë e bukur dhe e madhërishme.
Në anën tjetër mësojmë se gjyqi është një institucion juridik i shoqërisë me anën e të cilit shoqëria e mat peshën e konfrontimit të individit me normat pozitive juridike, dhe në pajtim me vlerësimin e vet për lëndimin e këtyre normave ia shqipton individit masat mbrojtëse të vlerave sunduese të shoqërisë në formën e dënimit apo të shkarkimit nga faji. Nëse është kështu, ndërkaq duket se është kështu, gjyqi atëherë paraqitet edhe si instrumenti kryesor i shoqërisë së civilizuar, d.m.th., i shoqërisë që do ta mbajë veten dhe s’do të lejojë që të bjerë në nivelin e totalitarizmit primitiv, përkatësisht, atij primitiv-modern. Ai atëherë paraqitet detyrimisht jo vetëm si instrument i efikasitetit të pushtetit politik të shoqërisë por edhe si indikator i dinjitetit të tij. Institucioni i fjalës mbrojtëse e forcon këtë dimension të gjyqit dhe tërthorazi edhe të shoqërisë. Sepse në masën që një shoqëri i respekton njësoj edhe formën edhe përmbajtjen e pushtetit të vet politik, po në atë masë ajo paraqitet si shoqëri politikisht dinjitoze (degnity society), ndërsa juridikisht legale dhe legjitime. Prandaj institucioni gjyqësor i fjalës së mbrojtjes duket si një institucion serioz, i cili, edhe kur është vetëm formal, ka të bëjë me dinjitetin e gjyqit si një institucion politiko-juridik.

AKTAKUZA Kt. br. 107 / 94 dt. 30. 05. 1994 (KUNDËR UKSHIN HOTIT)

Në kuadër të këtyre parametrave të tillë të shtruar parimorë , unë, me lejen e këtij gjyqi, do ta shfrytëzoj këtë të drejtë për të provuar përgjigjen në pyetjen:
Përse po gjykohem në të vërtetë
Duke e shtruar këtë pyetje në këtë formë, nuk e kam për qëllim t’i përmbys ato që thashë pak më parë lidhur me funksionin e dinjitetit të gjyqit por vetëm t’i nënvizojë ato momente kyçe lidhur me këtë gjyq nga të cilat vetë gjyqi do të mund t’i nxjerrë konkluzionet e duhura lidhur me mua, por lidhur edhe me vetë gjykimin. Do të mbrohem me të vërtetën, dhe pasiqë ajo nuk ka të bëjë vetëm me mua por dhe me gjithë kontekstin e situatës politike në tërësi, do të provoj që të veçoj atë që ka të bëjë me mua dhe që në të vërtetë si juridikisht, ashtu dhe politikisht, paraqitet si plotësisht e paqëndrueshme:
1.Duke e trajtuar çështjen nga ky aspekt, gjatë gjykimit të gjertanishëm u bë plotësisht e qartë, ose së paku është dashur që të jetë plotësisht e qartë, se aktakuza të cilën Z. prokuror në emër të Republikës së Serbisë ka denjuar ta ngrisë kundër meje është absolutisht kontradiktore dhe e paqëndrueshme. Ajo niset nga aspekti i mosnjohjes juridike të Republikës së Kosovës, që do të thotë nga aspekti i ndarjes teorikisht të paqëndrueshme të formës nga përmbajtja. Së paku filozofët, që nga antikiteti e këtej, nuk e bënë dot këtë esencialisht. Ndërkaq në praktikën e marrëdhënieve politike midis shtetesh, por edhe në praktikën e veprimtarisë se brendshme të vetë shtetit, kjo ndarje, ndonëse në esencë vetëm në dukje, shfaqet si plotësisht reale. Vetë ky gjykim, ashtu si çdo gjykim politik në përgjithësi, përpiqet që të duket sikur nuk ka asnjë lidhje me politikën, që do të thotë përmbajtje, por vetëm me të drejtën, që përfaqëson formën. Në praktikën e marrëdhënieve midis shtetesh janë plotësisht të mundshme situatat kur shtetet e njohin një shtet vetëm de facto d.m.th. faktikisht, por jo edhe de jure d.m.th. juridikisht. Zakonisht ajo e para, d.m.th. njohja faktike, i paraprin së dytës, d.m.th. njohjes juridike të një shteti. Hë për hë do të merremi vetëm me këtë aspekt të kësaj çështjeje për të treguar dhe për të provuar se aktakuza e ngritur kundër meje është plotësisht e paqëndrueshme, sepse është në kundërthënie me përmbajtjen politike, ndërsa me këtë edhe me formën juridike, por fillimisht do të vazhdojmë me shkoqitjen e tezave juridike tashmë të pranuara e të pranueshme nga të gjithë. Në të vërtetë, janë të njohura rastet e “permanencës” por vetëm për një periudhë të caktuar kohe, të shtetit të njohur de facto. Këto raste kanë përfunduar rëndom me ndonjë ndryshim të brendshëm në shtetin e njohur de facto, me ndryshimin e rrethanave të jashtme ose me pranimin e kushtëzimeve të paraqitura nga ana e saj të cilat do ta mundësonin vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me të. Me fjalë të tjera, të gjitha këto raste zakonisht përfundojnë edhe me njohjen de jure të shtetit të dhënë.
Ju të gjithë e dini se Republika e Kosovës ekziston; se ndodhet në procesin e krijimit të institucioneve vetjake, dhe mund të pohoj se Republika e Serbisë de facto e njeh. Asnjëherë nuk kam pohuar se unë jam i pari dhe i vetmi që e kam kërkuar atë. Kontributi im në lindjen e Republikës së Kosovës konsiston në dhënien në atë kohë të arsyetimit komplet dhe definitiv politik për nevojën e konstituimit të saj në suazë të RSFJ-së së atëhershme. Këtë e kam bërë vetë dhe plotësisht i pavarur nga të tjerët, për të cilët madje as që kam ditur se kanë punuar rreth kësaj çështjeje. Edhe atëherë edhe tani kanë ekzistuar dhe ekzistojnë tendenca të fuqishme që të minimizohet ose që të mohohet plotësisht kontributi im për këtë çështje. Mirëpo, pasiqë argumentimi politiko-teorik i një intelektuali politik të madh në asnjë mënyrë s’mund të ishte i njëllojtë me argumentimin e një linguisti që merret me studimin e zanoreve të patheksuara në një fjali, të një sociologu që shtirej si politikolog ngaqë e kishte studjuar Makiavelin ndërkaq nuk e kishte vënë re asnjëherë se pikërisht ai përfaqësonte paraardhësin e mendimit politik modern negativ dhe jo pozitiv, d.m.th. të një politike të konceptuar si cinizëm të zhveshur prej çfarëdo morali, të një historiani që kurrë nuk e kishte kuptuar ndërlikueshmërinë e politikës ndërkombëtare, kështuqë botën e reduktonte në kombin vetjak, i cili në këtë mënyrë ekziston në zbrazësinë e vet, pra, pasiqë nuk është e mundur në asnjë mënyrë që të anashkalohen apo të mos merren parasysh faktet që pastaj do t’u bien në kokë, me kohë tendenca të tilla u bënë plotësisht kundërproduktive dhe të dëmshme. Unë do të mund të gjendesha sëbashku në të njëjtën birucë të burgut edhe me një çoban, por do të ishte gjë absurde dhe e marrë po të barazohej vlera e një çobani me atë të një politikani në luftën politike për republikën, në çfarëdo lufte politike dhe për cilëndo çështje. Ndërkaq tendenca të tilla për fat të keq kishte mjaft, dhe s’ishin ato vetëm shprehje e synimeve për të më poshtëruar në zemërim e sipër por kryesisht ishin shprehje të një prepotence. Të tillët ndjeheshin aq të ngrefosur e të vetëmjaftueshëm sa që nuk e vinin dot re atë që ishte qenësore në afërsinë e tyre. Mirëpo kjo i përket së shkuarës dhe nuk ka më ndonjë rëndësi, por kanë mbetur si të rëndësishme dy fakte vijuese: e para, se jam njëri ndër themeluesit e Republikës së Kosovës, dhe e dyta, se jam nxitësi, themeluesi dhe bartësi i mendimit të ri politik në Republikën e Kosovës.
Lidhur me faktin e parë prokurori publik më akuzon se kam dashur ta ndaj me anë të dhunës Kosovën nga Republika e Serbisë. Pasiqë Republika e Serbisë, e njeh de facto Republikën e Kosovës, unë nuk po akuzohem për ndarjen e saj nga Serbia, sepse kjo tek e fundit përbën cakun e gjithë alternativës politike shqiptare në Kosovë, por vetëm për mënyren e realizimit të këtij qëllimi (d.m.th. me anë të dhunës). Rrjedha e gjertanishme e gjykimit ndërkaq e vërtetoi se kjo gjë nuk qëndron dhe as që dua që, hë për hë, të merrem me këtë çështje. Mirëpo dëshiroj t’ia tërheq vërejtjen gjyqit të nderuar për një varg rrethanash të cilat sipas meje janë qenësore për vlerësimin e këtij rasti.
a) Për herë të parë, d.m.th. me 1982, kam qenë i dënuar sipas nenit 114 të LPJ me katër vjet burg. Ky dënim pastaj është ndryshuar sipas nenit 133, alinea 1 të LPJ dhe është ulur në 3,5 vjet burg të cilat i kam mbajtur në tërësi nëpër burgjet hetimore të RSFJ-së së atëhershme. Përveç vitit 90-91, (gjithsejt një vit) gjer te ky arrestim i fundit, gjatë gjithë kohës kam qenë plotësisht i izoluar dhe i ostracizuar në fshatin tim të lindjes. Pra, i kam mbajtur më shumë se l2 vjet burg e jo vetëm 9 vjet, sa m’u dhanë në gjykimin e parë. Shteti e di se kjo gjë është e vërtetë, ashtu siç i di dhe mekanizmat me të cilët e ka arritur një gjë të tillë. Zatën kam pasur mundësi edhe ta ndërpres atë izolim, por me çmimin e lëndimit të integritetit të personit tim ose me çmimin e braktisjes së vendit tim. Nuk kam dashur ta bëj as njërën dhe as tjetrën, dhe në këtë mënyrë kam vepruar ashtu siç do të vepronte çdo njeri normal që e do vetveten dhe vendin e vet. Shtetit i mbetet radha që këtë edhe ta pranojë haptazi dhe jo të vazhdojë edhe më tej që të më gjykojë. Me fjalë të tjera, ky ështe gjyqi i katërt që po më bëhet për të njëjtën çështje, të cilën aktakuzat e formulojnë në mënyra të ndryshme, por të cilën ata asnjëherë nuk e argumentojnë dot sepse e vërteta me të vërtetë po fshihet.
b) Rrethana e dytë për të cilën dëshiroj ta tërheq vërejtjen është e lidhur me politikën e Kosovës. Zatën në qoftë se Republika e Serbisë e njeh de facto Republikën e Kosovës, atëherë funksionimi i saj në formën e këtij gjyqi në territorin e Republikës së Kosovës ose është akt marrëveshjeje midis tyre, ose është akt i dhunimit ndaj kësaj të fundit. Në rastin e parë, d.m.th. në rast se ky gjyq zhvillohet sipas marrëveshjes së tyre, gjë që unë e besoj thellësisht për disa shkaqe të caktuara, duke e marrë parasysh se ekzistenca e një marrëveshjeje të tillë nuk është shpallur botërisht por përkundrazi, e gjithë politika e tyre zhvillohet sipas shenjës së armiqësisë (mbase vetëm në dukje) atëherë me vetë këtë fakt ajo bëhet lëndë për akuzë për shkeljen e ligjeve të veta mbi të drejtën e qytetarëve për informim objektiv. Politikisht kjo do të nënkuptonte një manipulim të thjeshtë me opinionin publik. Se manipulimet e tilla janë fare të mundshme nuk ka nevojë që të provohet në mënyrë të veçantë. Këtë e pranon madje edhe pioneri i mendimit politik modern qytetar Henry Kissinger, në librin e tij më të ri “Mendja e kombit”, nga i cili gazeta “Borba” para një muaji e gjysëm pati mirësinë që t’i përkthejë dhe të na i ofrojë pjesët më interesante. Autori shkruan aty se në Evropën Lindore nacionalizmi shfrytëzohet në luftë kundër komunizmit, ndonëse me këtë ai nuk na thotë ndonjë gjë të re sepse një rregull i tillë është i njohur tash më shumë se 200 vjet. Ndërkaq shteti serb një përvojë të tillë e ka që nga viti 1924, kur në emër të kapitalit evropian, sidomos në emër të kompanive vajgurore Britanike, dhe me ndihmën e pretendentit të më vonshëm për fronin mbretëror të Shqipërisë A. Zogut, e rrëzoi pushtetin demokratik të Fan S. Nolit, i cili ishte njëri nga intelektualët më të mëdhej shqiptarë të të gjitha kohërave, vetëm për faktin se ky mori guxim që në parlamentin shqiptar t’i bëjë nderimin udhëheqësit të madh të revulucionit rus, V.I.Leninit, që kishte vdekur ato ditë. A mos vallë vërtet e kishte me gjithë mend Evropa, se i përndershmi Noli do ta fuste kontrabandë komunizmin në një vend që s’kishte atëbotë kurrfarë klase punëtore, përveç një fshatarësie të varfër, dhe se një komunizëm i tillë hipotetik do ta rrezikonte Evropen dhe rendin e saj? Dhe a mos vallë ky mbret, që nuk është më i gjallë, të jetë nxitur edhe nga ana e nacionalizmit serb që t’u lajkatohet disa qarqeve të caktuara evropiane për ta marrë prej tyre detyrën kujdestare të luftës kundër komunizmit brenda popullit shqiptar? Duket sikur kësaj lufte që nga viti 1981 e këndej iu bashkua edhe një pjesë e caktuar e ish nomenklaturës titiste në Kosovë, dhe duket sikur të gjithë së bashku po merren me gjueti shtrigash, sepse në Kosovë as që kishte pasur ndonjëherë komunizëm të mirëfilltë në aspektin autentik. Dhe në qoftë se çdo intelektual i ndershëm duhet shpallur komunist në mënyrë që të përndiqet, të burgoset e të gjykohet, atëherë shtrohet pyetja se për çfarë sistemi vallë është fjala dhe mos ndoshta nën të po fshihet një luftë e organizuar e mafisë kundër shoqërisë pasiqë s’mund të bëhet fjalë për një luftë të ndytë klasore në kuptim të plotë të fjalës, sepse nuk kishte komunizëm autentik dhe sepse akoma edhe sot nuk ekziston një klasë punëtore vërtet e pjekur në Kosovë.
Ndërkaq në rastin tjetër, d.m.th. në rast se ky gjykim do të mund të quhet si akt i dhunimit ndaj Republikës së Kosovës, sepse , veç tjerash, po gjykohet njëri ndër themeluesit e saj, atëherë me këtë Republika e Serbisë via facti do të pranonte se është forcë pushtuese dhe se në këtë mënyrë po sillet sipas kriteresh të veçanta të fuqisë pushtuese në përndjekjen, burgosjen dhe gjykimin e qytetarëve lojalë ndaj Republikës së Kosovës, gjë që ajo gjithsesi e refuzon duke deklaruar se ligjet e veta po i zbaton njësoj në të gjithë territorin e saj, gjë të cilën gjithkush mund ta vërë re se nuk i përgjigjet fare të vërtetës.
c) Momenti i tretë për të cilin dëshiroj t’ia tërheq vërejtjen këtij gjyqi ka të bëjë me sa vijon: siç e dini, në Kosovë në vitin 1990 u krye Revolucioni Demokratik. Një revolucion i tillë nuk u bë në Serbi sepse ajo ndryshimet demokratike në shoqëri i akceptoi me rrugë institucionale, atëherë kur e shpalli veten si vend me sistem shumëpartiak, me ç’rast e vuri në jetë edhe parlamentin. Për dallim nga ajo, në Kosovë u krye Revulucioni Demokratik. Unë gjithashtu kam qenë njëri ndër aktorët e tij kryesorë. Kam qenë intelektuali i parë i sërës sime që hapur dhe publikisht jam shprehur në favor të sistemit shumëpartiak. E kam bërë këtë në artikullin që u botua me titull “Gishti i trashë i vëllait të madh” në Alternativa nr. 5, 1990, në Lubjanë, ndonëse ai artikull ishte dërguar për botim në revista të tjera qysh në fillim të vitit 1989. Ai ishte shkruar në formë të përgjigjes ndaj disa sulmeve kundër meje në revistën “Intervju” të Beogradit, dhe në gazeten “As” të Sarajevës. Për më shumë se një vit e gjysëm artikulli u lexua nën dorë në të gjitha qendrat e mëdha të RSFJ-së së atëhershme, sepse ua dërgoja për botim. Nuk deshën që ta botonin me kohë për shkak të përparësisë së disa forcave tjera politike që pretendonin të stoliseshin me të, por, natyrisht, pa pasoja politike apo penale për ta. Ndërkaq orientimi im për ndryshime demokratike përbënte një rrjedhim logjik të shkaqeve për të cilat kisha qenë i burgosur më 1981, me një besim plotësisht të sinqertë se në këtë mënyrë do të mund ta shpërtheja izolimin dhe bllokadën mizore që m’u kishte imponuar për nëntë vjet me radhë. Disa funksionarë të lartë të nomenklaturës së atëhershme intelektuale komuniste, të cilët në ndërkohë u bënë edhe funksionarë të të ashtuqujturës nomenklaturë demokratike, më vonë, në mënyrë fare të paturpshme, këtë izolim dhe këtë ostracizëm e quajtën “vetizolim” dhe “autobllokadë”.
Pastaj më vonë, në një fjalim posthum funeral, tek varri i njërit prej kushërinjve të mi, Halim Hoti, të vrarë me parullën e lirisë dhe të demokracisë në gojë (prej katër të vrarëve në Brestovc, tre ishin të afërm e të njohur të mi) kërkova që të fillonte dialogu për rirregullimin demokratik të shoqërisë. Pas një kohe të caktuar ky dialog edhe do të fillonte, me vizita zyrtarësh nëpër disa fshatra, me braktisjen e LK dhe LSPP-së së atëhershme etj., dhe me anëtarësimin masiv në LDK. Ky fjalim më vonë do të inkorporohej dhe do të botohej në kuadër të artikullit tim të njohur me titull “Bëje ose vdis” (Rev. “Fjala” në dy numra, shkurt 1992). Artikulli ishte i rëndësishëm për faktin se vinte në spikamë thelbin e vërtetë të gandizmit, duke marrë parasysh se artikujt e deriatëhershëm gazetareskë lidhur me këtë fenomen i fyenin kujtimet e mia për miqtë dhe të njohurit e mi të ndjerë nga India, ish-bashkëpuntorë të ngushtë të Mahatma Gandit si Xhai Prakash Narajan dhe Xhagxhivan Rami, ashtu si dhe njohuritë e mia mbi atë problem. Thënë shkurt, asnjë histori objektive e domokracisë moderne në Kosovë, por edhe në Shqipëri (sipas disa të dhënave të pavërtetuara, viktima e pestë e masakrit në fshatin Brestovc, KK Rahovec, ishte nga Shqipëria) nuk mund të shkruhet pa i përmendur ato viktima, (ishin martirët e parë të demokracisë në Kosovë), as dhe duke iu shmangur emrit dhe veprës sime. Nëse është kështu puna , dhe në të vërtet ajo është e tillë, pavarësisht nga fakti se kjo edhe më tej po tentohet për tu relativizuar, madje edhe për tu mohuar, dhe pavarësisht nga lufta që është zhvilluar kundër meje pikërisht nga ana e atyre prej të cilëve pritej mbrojtja ime, atëherë në mënyrë fare legjitime shtrohet një pyetje mbi pyetjet: zatën, nëse ky gjyq është çështje e marrëveshjes midis dy palëve, dhe sipas të gjitha gjasave duket se është, atëherë shtrohet pyetja nëse orientimi i tyre për demokraci është i vërtetë apo i rremë. Ndërkaq nëse ky gjyq është një çështje që i takon vetëm njërës palë, cilat janë vallë ato forca politike që dëshirojnë nulifikimin, d.m.th. zhdukjen e arritjeve të Revolucionit Demokratik si dhe të zhvillimeve demokratike në Kosovë, qoftë dhe nën hipotezën e thënë hapur se LDK-ja është vetëm një reflektim, apo edhe më keq, vetëm një bisht i SPS-sit serb? Dihet tashmë se ato duhet matur edhe me vitet e jetës, edhe me sasinë e djersës dhe të gjakut, edhe me mundësitë e humbura, edhe me shkallën e vetëdijës politike të njerëzve konkretë, siç jam edhe unë vetë. Dhe nëse është kështu, ndërkaq sipas të gjitha gjasave duket se është, si ka mundësi atëherë që institucione të ndryshme të Evroamerikës, të cilat dinë të ngrenë zërin edhe për gjëra më pak të rëndësishme në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në rastin tim reagojnë vetëm formalisht, vetëm sa për të larë gojën, ndonëse edhe vetë gazetat konfirmojnë se që prej shumë kohësh jam një temë tabu. Përse jam temë tabu? Dhe kujt i pengoj në të vërtetë? Nuk do t’i elaboroj më tutje këto pyetje. Vetëm do të konstatoj se është vërtetë një gjë e pikëllueshme të krijosh shtriga artificiale dhe pastaj t’i shpallësh ato si reale. Nuk mund të ketë kurrfarë shtrigash aty ku ato nuk janë dhe ku objektivisht nuk mund të jenë. d) Gjyqit të nderuar do t’ia tërheq vërejtjen edhe për momentin e katërt dhe të fundit që ka të bëjë me këtë gjykim. Zatën, nëse unë si i pandehur para këtij gjyqi ngul këmbë në qëndrimin se Republika e Kosovës ekziston (nuk do të ishte aspak çudi që revolucionet nganjëherë t’i hanë bijtë e vet); se ajo de facto është e njohur nga Republika e Serbisë; se asnjë histori serioze objektive e Republikës së Kosovës, ashtu si historia e mendimit të ri politik në Kosovë, nuk mund t’i injorojë as ngjarjet e vitit 1981, as emrin dhe kontributin tim në to, se këtë nuk mund ta bëjë çfarëdo historie serioze dhe objektive e ndryshimeve moderne, demokratike në këto hapësira, pavarësisht nga rezultati definitiv i zgjidhjeve të gjithëmbarëshme politike në këtë pjesë të Ballkanit, që nuk do të thotë se një gjë e tillë edhe s’mund të bëhet, por që vetë ai veprim, si i tillë, do të ishte akt i një pushteti totalitar. Atëherë do të ishte më e drejtë të thuhej se desha në të vërtetë në njëfarë mënyre, që për shoqërinë nuk ishte e pranueshme, ta çaja këtë bllokadë të neveritshme dhe ta bëja të njohur atë që ekziston si e tillë. Me këtë aktakuza ndoshta do të ishte më e drejtpërdrejtë, më konkrete dhe më e arsyeshme, dhe jo thjesht një përkthim i mjegullt, i thatë dhe i sofistikuar i veprimtarisë sime publike në një vepër të inkriminuar. Do të dija se përse më akuzojnë në të vërtetë dhe do të provoja që të mbrohesha në formën adekuate të drejtpërdrejtë dhe jo në baza hipotetike, siç po veproj tani, në të cilat realiteti duhet të fitojë pamjen dhe pandehmat, sepse zatën, gjithçka po bëhet sikur dikush pas tij dëshiron të konzervojë atë çfarë është në të vërtetë, d.m.th., i paqëndrueshëm dhe jo ashtu siç do të duhej të ishte.
Zonja kryesuese e gjyqit, Zotërinj të kolegjit gjykues,
Në qoftë se sipas pjesës së parë të aktakuzës do të duhej të isha anëtar i LPRK-së, si një instrument politik për realizimin e Republikës së Kosovës, sepse një individ i vetmuar nuk e bën dot një gjë të tillë, atëherë sipas pjesës së saj të dytë, ose sipas pikës së dytë të të njëjtit dokument, akuzohem se në cilësinë e Kryetarit të UNIKOMB-it, d.m.th. të një partie që ka në program bashkimin e kombit, kam dashur t’ia bashkoj Republikën e Kosovës Republikës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë aktakuza bëhet e plotë, duke i shtuar veç tjerash edhe mjetin e dhunës, por tani në aspektin e ilegalitetit të UNIKOMB-it, për të cilin, siç u pa gjatë shqyrtimit, doli se është krejtësisht në rregull sipas sistemit të paraqitjeve, është regjistruar në organin kompetent përkatës të RSFJ-së së atëhershme, ashtu si edhe LDK-ja. Kjo e dhënë është shumë interesante nga aspekti politik dhe më duhet të pranoj se unë dyshoja me vete se ndoshta edhe ishte e mundur një gjë e tillë, dhe mendoja se megjithatë do të bëja një punë të dobishme sikur të mund ta legalizoja këtë parti njësoj si LDK-në. Mendimet e tilla ndërkaq i mbaja për vete, ndërsa para opinionit dilja sikur besoja plotësisht se ajo ishte e regjistruar, dhe tani u provua se kishte qenë. Dhe ky fakt më gëzoi, jo për shkak të aktakuzës, por për shkak se askush nuk doli gënjeshtar. Si një tërësi, aktakuza sikur përmbledh një rrugë të kaluar që nga viti 1981 gjer më sot. Në këtë kuadër argumentimi kishte mbetur i njëllojtë sikur të ishte ngurtësuar që atëherë: “Ju e doni republikën që t’i bashkoheni Shqipërisë.” Unë isha ndër njerëzit e rrallë që një argumentim të tillë nuk e kam besuar kurrë. Kam qenë profesor i politikës ndërkombëtare i cili në Qendrën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, por edhe në Qendrën për studime strategjike ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit në SHBA, jam specializuar pikërisht në temën e reflektimeve të politikave globale në regjione të ngushta siç janë p.sh. Ballkani, Indokina ose Lindja e Afërt. Isha autor i një libërthi të vogël mbi “Lufën e ftohtë dhe detantin” në të cilin temë qendrore ishin marrëveshjet e Helsinkit të vitit l975, por e kisha edhe përvojën e një burrështeti. Me fjalë të tjera, e dija se nuk është i mundur ndrrimi i kufijve ndërkombëtarë pa luftë, kundër së cilës do të ngrihej gjithë bashkësia ndërkombëtare. Ndërkaq pikërisht ky problem përbënte temën qendrore të disertacionit tim të doktoranturës. E njihja jashtëzakonisht mirë atë problem që ta besoja ashtu kot një argumentim të tillë. Pikërisht për këtë shkak argumentimi im shkonte në drejtim të kundërt. Pra unë pohoja se Republika e Kosovës i kontribuon forcimit të Jugosllavisë por edhe sigurisë së Shqipërisë; se ajo s’mund të ishte kundër politikës globale të SHBA-ve dhe as të BRSS-së së atëhershme; se është kështu në thelb, imponon edhe e drejta demokratike e popullit shqiptar për zhvillim më të shpejtuar (që përbënte anën ekonomike të çështjes) dhe për barazi me të tjerët (anën politike të çështjes). Në këtë kohë (janar-mars 1982) ndodhesha nën hetime në Beograd. Më ishte bërë e njohur se në Beograd, njëri pas tjetrit, në një distancë të shkurtër kohe, kishin ardhur Vjencesbergeri – Sekretari amerikan i mbrojtjes, dhe Andrej Gromiko, shefi i diplomacisë së BRSS-së së atëhershme, dhe se ata në të vërtetë e kishin aprovuar argumentimin tim në favor të Republikës së Kosovës. Pak kohë pas kësaj kam qenë i transferuar në burgun e Mitrovicës së Kosovës. Gjatë ndryshimeve demokratike në fillim të këtij dhjetëvjeçari edhe më tej kam insistuar në opcionin jugosllav të Republikës së Kosovës. Vlerësoja se një gjë e tillë nuk do ta shtynte më larg perspektivën e bashkimit me Shqipërinë; që procesi i një bashkimi të tillë do të duhej zhvilluar me rrugë institucionale dhe që Republika e Kosovës do të duhej të ishte në funksion të këtij bashkimi. UDB-ja e kishte sekuestruar një artikull timin studimor lidhur me ato probleme, i cili i dedikohej inteligjencisë së lartë politike të Kosovës. Ai titullohej “Për një politikë unike dhe pa ekuivoke”. Me të do të duhej hapur diskutimi në nivel të tillë për orientimin e mëtejshëm të forcave politike të Kosovës, por kjo ligjëratë nuk u mbajt për shkak të, siç mu tha mua atëherë, të ftohtit të madh që mbretëronte në lokalet e Institutit Albanologjik, d.m.th. se Institutit i mungonte ngrohja. Mirëpo problemet vazhdonin të mbeteshin edhe më tej. Është interesant se si në këtë periudhë (1990-94) u zhvillua një luftë e vërtetë psikologjike e mekanizmave të shtetit e të pushtetit kundër meje.

VIJON…

 ______________________________

MBROJTJA E UKSHIN HOTIT PARA TRUPIT GJYKUES SERBË NË PRIZREN – SHTATOR 1994 (I)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=2770
***
MBROJTJA E UKSHIN HOTIT PARA TRUPIT GJYKUES SERBË NË PRIZREN – SHTATOR 1994 (II)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=2771
***
MBROJTJA E UKSHIN HOTIT PARA TRUPIT GJYKUES SERBË NË PRIZREN – SHTATOR 1994 (III)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=2772

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura