AVDYL BAJRAMI: KADRI LUZHA, ATDHETAR MODEST

Viti, 2 mars 2020: Një ndër vendbanimet më të mëdha të komunës së Kaçanikut është fshati Begracë. Në kuadër të këtij fshati janë edhe familjarët e familjes Luzha të shpërndarë në tri lagje.
Me këtë shkrim do të fokusohem në një veprimtarë të veçantë të çështjes kombëtare, në veprimtarin Kadri Luzha. Fëmijërinë e hershme e kaloi me shumë vështirësi edhe pse kishin pasuri. Mbetën shumë të vegjël pa babain, mungesën e të cilit përpiqej ta zëvendsonte nëna e tij.
Ajo ishte një personalitet i jashtëzakonshëm, i cili i rriti pesë fëmijët e sajë dhe i shkolloi deri në titujt më të lartë akademik. Vdiq pas lufte me një ngushëllim të vetëm dhe një gëzim, që e priti lirinë për të cilën u angazhua shumë gjatë me fëmijët e saj.

– Veprimtari Kadri Luzha –

Kadri Luzha ishte djali i dytë prej djemëve, Xhavitit (tani edhe ky i ndjerë) e Ibushit (doktor i shkencave teknike) respektivisht fëmija i tretë, sepse vajza më e madhe ishte Makfirja, ndërsa e vogla Elifja.
Kadriu si nxënës shembullor qysh në klasën e katërt fillore merret me aktivitete kulturore që organizohen në kuadër të shkollës fillore, në grupin letrar e dramatik të udhëhequr nga arsimtari Skënder Dushku ku aktron në dramën “Karavani i bardhë”.
Pas kryerjes me sukses shembullor të shkollës fillore dhe klasës së parë në Shkollën e mesme në Kaçanik, ai përzgjidhet për t’i vazhduar mësimet në shkollën elitare të kohës në Gjimnazin Matematikor Prishtinë – në vitin shkollor 1978/1979.
Edhe atje ishte nxënës shkëlqyeshëm, por punët e shumta bujqësore për ekzistencën familjare kërkonin edhe angazhimin e tij.
U kthye vazhdoi mësimin në Kaçanik. Mësimi për Kadriun, ishte puna më e vogël, ndërsa tani Kadriu iu përvesh punës së organizimit ilegal çlirimtar. Filloi me leximin e shpërndarjen e librave të ndaluara të asaj kohe: “Gjarpinjt e gjakut” të Adem Demaçit, “Qielli i përflakur” i Sylejman Krasniqit ,”Shota e Azem Galica“ të Ajet Haxhiut, gazetat “Liria” numrat 1, 3, 4 dhe5, e shume literaturë tjetër ilegale, të cilat ishin bazë për ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe bazë për rekrutimin e anëtarëve të rinjë të ilegales çlirimtare kombëtare.
Demonstratat e vitit 1981 e gjetën maturant të shkollës së mesme edhe pse i ri, shumë i pjekur politikisht ishte aktiv në organizimin e pjesëmarrjen në demonstrata.
Nuk shkoi shumë kohë burgoset, torturohet rëndë dhe dënohet në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës me pesë vite burg. Ishte më i riu në grup. U dënua së bashku me Mehmet Hajrizin, Jakup Krasniqin, Gani Sylën, Berat Luzhën, Ismajl Sylën e shokë të tjerë.
Gjatë vuajtjes së dënimit përveç burgjeve të Kosovës i përjetoi edhe ato të Sërbisë. Një kohë të gjatë ishte në burgun “Zabella“ të Pozheravacit së bashku me Afrim Zhitinë, Fadil Vatën, Sabit Veselin (tani i shpallur “Hero i Kosovës“) e shumë bashkëvuajtës të tjerë.
Pas burgut vazhdon studimet, por adresa e milicisë, inspektorëve e hetuesve jugosllav, republikan e krahinor ishte shtëpia e tij. Pasi iu pamundësua veprimtaria e edhe ju kufizua gati çdo gjë, një ditë vendosi të largohet dhe shkoi në Gjermani, ku atje jeton edhe sot me familjen e tij.
Me modestinë e tepruar jeton në Gjermani, nuk flet për sakrificat e tij për liri, por në brendi mban krenarinë për kontributin e madh që ka dhënë së bashku me familje për çështjen kombëtare.
Paç shëndet shok im i vjetër!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura