Prishtinë, 24. 03. 2015 – Takimi i përbashkët në Tiranë i dy qeverive shqiptare, të Shqipërisë dhe Kosovës, padyshim se është një ngjarje me rëndësi historike jo vetëm ndërmjet këtyre dy vendeve, por edhe për shqiptarët e rajonit. Ky takim, përveç simbolikës së takimit të zakonshëm ndërmjet ekzekutivit të Shqipërisë dhe Kosovës, me ç’rast kishte ardhur deri te nënshkrimi i 11 marrëveshjeve ndërshtetërore, ajo përmban edhe domosdoshmërinë e një bashkimi real ndërshqiptar për të arritur vendime të duhura dhe të përbashkëta për të mirën e dy vendeve, por edhe të popujve tjerë të cilët jetojnë në këto hapësira.
Aprovimi i këtyre marrëveshjeve është përmbajtja më kulmore e këtij takimi dhe përfundimisht hiqen shumë pengesa dhe barriera që krijonin vështirësi të ndryshme ndërmjet këtyre dy vendeve në shumë sfera të jetës. Krijimi dhe unifikimi i sistemeve të përbashkëta shtetërore, si arsimore, kulturore, televizive, shëndetësore, të sigurisë etj., dhe të nënsistemve të ndryshme ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, tashmë nuk është vetëm ëndërr, apo dëshirë, por një nevojë dhe realitet për të mirën e të gjithë qytetarëve të këtyre vendeve pa dallim etnie.
Funksionimi i një sistemi të përbashkët ekonomik, pa pengesa dhe me lehtësira të theksuara është një e arritur e çmuar dhe shumë e domosdoshme për biznesin jo vetëm të Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe të rajonit dhe më gjerë.
Tashmë, këto dy vende janë shndërruar në një zonë me një treg të lirë dhe më të madh, me ç’rast interesin e tyre do ta gjejnë të gjithë palët e interesit dhe prodhuesit e rajonit. Hapja e tregut dhe krijimi i klimës së shëndoshë biznesore do të jetë një ndihmesë shumë imediatë për t’i ndihmuar edhe rajoneve tjera, kryesisht të banuara me shqiptarë, si Maqedonia, Malësia e Madhe dhe Lugina e Preshevës.
Lehtësimet për qarkullim të lirë, vetëm me letërnjoftime për qytetarët e rajonit, pa burokraci për njerëz dhe mallra në mes këtyre vendeve janë vendime të duhura dhe të një standardi evropian dhe kjo padyshim se do të mundësoj zhvillim dhe investime më të hovshme, sidomos në bregdetin shqiptar, i cili është një pasuri e çmueshme për turizmin shqiptar.
Tiranë, 23 . 03. 2015: mbledhja e dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës.
Takimi i përbashkët Shqipëri-Kosovë në Tiranë, për veç tjerash ka rëndësi të madhe edhe për faktorizimin e politikës shqiptare dhe forcimin e saj politik si mbështetës kryesor për shqiptarët e rajonit.
Mbështetja në takimin e Tiranës për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe ftesa e tyre ndaj Beogradit që të respektojnë dhe zhvillojnë të drejtat e shqiptarëve të Luginës në të njëjtën shkallë sikur me serbët e veriut të Kosovës, pa mëdyshje është një përkrahje e drejtë dhe normale.
Mbështetja për Luginën nga Tirana jo vetëm që është e drejtë e tyre edhe kushtetuese, por është më se e domosdoshme, andaj edhe kjo duhet të konsiderohet vetëm si një vazhdimësi e një përpjekje të kësaj politike në mbështetje të pareshtur dhe permanente ndaj shqiptarëve të rajonit.
Tirana dhe Prishtina me gjithë forcën e argumenteve duhet të ushtrojnë trysni ndaj Beogradit, por edhe ndaj faktorit ndërkombëtar për pozitën e rëndë të shqiptarëve të Luginës, të cilët tashmë nga shumë faktorë relevantë ndërkombëtar trajtohen si pakica më e diskriminuar në Evropë.
Nevoja për një mbështetje të vazhdueshme nga Tirana dhe Prishtina për Luginën është jetike, sidomos në aspektin e sigurisë dhe zhvillimin ekonomik të tyre.
Ndihma urgjente është në implementimin e projekteve konkrete për qytetarët e Luginës, në mënyrë që ata t’i prekin ato në jetën e përditshme dhe jo vetëm të mbështeten me retorikë dhe fraza boshe patriotike dhe nacionaliste. Investimet në projektet konkrete, si në arsim, shkolla, mjete të informimit, ambulanca, infrastrukturë, projekte për biznese të vogla dhe të mesme do të ishte mbështetja shumë e nevojshme për ruajtjen e substancës së tyre në këto hapësira.
Sensibilizimi i vazhdueshëm i çështjeve të hapura të tyre, si respektimi i drejtave individuale dhe kolektive, qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave, amnistia e pjesëtarëve të UÇPMB-se, përdorimi zyrtar i simbolit kombëtar shqiptar, respektimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, formimin e stacionit të pavarur policor për komunat Preshevë, Bujanoc, Medvegjë nën mbikëqyrjen e ndonjë faktori ndërkombëtar, policia multietnike si institucion vendor të jetë forcë kryesore e sigurisë në rajon, largimi i të gjitha formacioneve tjera policore dhe ushtarake të Beogradit nga rajoni dhe dislokimi i tyre në rajonin e Vranjes dhe më poshtë, formimi i entit shëndetësor, kthimi i kompetencave të gjykatës themelore dhe penale në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, rajonalizimi i këtij territori sipas konventave të BE-së, si dhe decentralizimi i pushtetit të Beogradit.
Për këto dhe shumë çështje tjera të hapura të këtij rajoni Tirana dhe Prishtina duhet t’i kenë në agjendë të përhershme dhe të merren me trajtimin e tyre të vazhdueshëm. Ndërsa, kjo nuk duhet të lirojë pushtetarët lokal të Luginës nga përgjegjësia e tyre, të cilët nuk duhet të presin vetëm nga të tjerët zgjidhje “magjike” të problemeve të tyre, por t’i vjelin mangët edhe më shumë në përpjekje të shtuar për zgjidhjen e problemeve të kësaj zone.
Ata me politikën e tyre duhet të shtojnë më shumë aktivitetin e tyre dhe jo si deri më tani të “presin nga qielli” për zgjidhjen e punëve të tyre dhe të jenë në kontakte të vazhdueshme me këto qeveri për interesin e rajonit të tyre, por edhe në përpjekjet e tyre me faktorin ndërkombëtar, sidomos me ambasadat e huaja në Beograd duhet shtuar kontaktet edhe më shumë. Kërkesat ndaj Beogradit duhet të jenë të pareshtura, të vazhdueshme dhe të pandalshme, por të bëhen projekte konkrete në formë që të kenë arsyeshmërinë e tyre edhe para faktorit ndërkombëtar.
Ndërsa, kontaktet e ndërsjella me Tiranën dhe Prishtinën, si dhe vizitat e tyre të pandalshme në Luginë duhet të jenë të zakonshme dhe ndihma e tyre duhet të jetë e obligueshme.
Kjo është rruga e duhur për zgjidhjen koherente të problemeve të shqiptarëve të Luginës dhe jo vetëm kukavajta e tyre dhe konstatimi për shkelje të drejtave të tyre, jetë të rënduar, perspektivë dhe shpresë të humbur për të ardhmen në këto hapësira.