Pashtriku.org, 01. 06. 2015 – Lufta në Kumanovë nuk është vetëm përleshja e armatosur me 9 dhe 10 maj. Më shumë sesa autoblindat, predhat, helikopterët sulmues, më aktiv ishin një pjesë e medieve në Kosovë që gjakojnë me e zhduk idenë e një rebelimi të përgjithshëm në Maqedoni. Duke e absolutizuar këtë status-quo aktuale, mediet që shtyjnë agjenda parapolitike kanë nisur të stigmatizojnë shumicën e atyre që u vranë në luftimet në Kumanovë. Në përpjekje për të luajtur ikonoklastin, gazetari i Kohës Ditore, Enver Robelli në një artikull të tij i quan shumicën e të vrarëve si gjoja të përfshirë në haraç, shkelje të ligjit e akte delikuente. Ky gazetar që për disa momente kishte mbresën se është prokuror, ankohet se përse 9 të vrarët nga Kosova po celebrohen si heronj. Për Robellin nuk ka rëndësi nëse Lagjja e Trimave në Kumanovë u rrethua nga mijëra efektivë të policisë ushtarake maqedonase, mjete të blinduara luftarake e helikopterë sepse gjithçka ishte provokuar nga luftëtarët e UÇK-së. Ndryshe nga ky gazetar i Kohës Ditore, ish-kryetarja e Komitetit të Helsinkit për Maqedoninë, Mirjana Najçevska qysh në fillim ka thënë se veprimet e policisë përbëjnë krim kundër popullatës civile në Kumanovë. Pra, ende kur dhimbja po gërryen me dhjetëra familje në Kosovë për humbjen e djemve të tyre, gazetari Robelli në maninë e tij prej nekrofili rropatet të çkuptimësojë gjithçka, a thua sikur krejt kjo u ysht për një grusht para e prej disa pëshpërimave në Zyrat e Shërbimit Inteligjent të Maqedonisë.
– Gazetari Enver Robelli në Kumanovë –
Në këto kushte kur opinioni është shërbyer për disa javë me raportime të gënjështërta mbi të vërtetën e Kumanovës, shkrime si këto të Robellit sajojnë përshtypjen sikur në grup aventurierësh për hesape meskine provokojnë një përplasje të armatosur. Ashtu sikur mediet e Gruevskit, edhe Robelli me disa medie po bëjnë të pamundurën për të depolitizuar luftimet në Kumanovë. Vetëm kështu sigurohet satanizimi i pjesëmarrësve, të cilët tash e tutje paraqiten si një grup te frustruarish qe përpiqen të zhvatin përfitime. Një logjikë e përçudnuar e keqkupton luftën si e nxitur nga thellësitë ireale të një invididi dhe jo si vazhdim i politikës me mjete të tjera. Rasti i Kumanovës nuk e prodhoi situatën aktuale në Maqedoni por anasjelltas. Zaten ai duhet parë si metastazim i segregacionit 14-vjeçar ku shqiptarët janë eklipsuar në kufijtë e së padukshmes. Luftimet në Kumanovë doemos se do ta politizojnë çështjen shqiptare në Maqedoni, për të cilën është pandehur se me Marrëveshjen e Ohrit është mbyllur. Marrëveshja e vitit 2001 është surrogate, përmes të cilës shqiptarët flijuan mundësinë për të qenë të pavarur me një bashkëjetesë në kushte poshtëruese. Pa ndihmë nga Prishtina e Tirana e të mpleksur në një luftë drobitëse mbi dy partive politike, shqiptarët në Maqedoni janë degdisur në atë që në teorinë post-koloniale quhet ‘subaltern’, një referencë për klasat e rrënuara sociale, të nemitura e pa mundësi të zërimit të problemeve të tyre. Një situatë si kjo prodhon një frymë solipsiciste, ku gjithçka përtej vetës shihet si e paqenë. Disa medie qëllimisht i kanë dhënë hapësirë një shkrimi të një banori nga Lagjja e Kumanovës, në një përpjekje për të përforcuar pretendimin se luftëtarët e UCK-së sollën shkatërrimin e gjithçkaje në këtë lagje. Është fjala për Hamdi Nuhijun, banor i Lagjes së Trimave. Shkrimi i tij është një lament jo për shqiptarët e vrarë, por për atë çka ai quan shkatërrim të rehatisë së tij. Ja një margaritar që dëshmon këtë rezonim pervert:
“Deri para asaj date gjithçka ishte në rregull me jetën dhe hallet tona të përditshme. As që kishim problem me dikë e as që na pengonte dikush në jetën tonë të përditshme”
Mjafton kaq për të kuptuar se një logjikë e tillë është përkufizimi i gjallë i solipsicizmit. Hamdiu nga Kumanova kuit sesi 9 maji zhduku atë që për të kishte qenë jetë normale. Hamdiu naiv beson se rahatia e mëparshme në Lagje reflektonte paqen e natyrshme e cila u prish vetëm nga luftëtaret e UÇK-se. Ai beson marrëzisht se edhe të tjerët e ndajnë të njëjtën rehati si ai. Atij s’i bën përshtypje se realiteti disa qindra metra larg lagjesh së tij e tradhton rehatinë e pretenduar. Ndryshe nga Lagjja e Trimave, e mbipopulluar shtëpi mbi shtëpi si një geto, disa qindra metra më larg ndodhen ndërtesa shumëkatëshe me një planimetri të rregullt ku jetojnë banorë sllavo-maqedonas. Mjafton ky mikrokozmos i jetës urbane për të sipërfaqë shtresëzimin e padrejtë në Maqedoni ku qytetarët rangohen në kategori varësisht etnisë së tyre. Hamdiu është epitomë e asaj kategorie shoqërore që shtypjen e natyralizon, pa e kontestuar asnjëherë atë. Ajo për ta bëhet aq e natyrshme, diçka krejt normale saqë çfarëdo përpjekje për t’i dhënë fund padrejtësisë, në sytë e Hamdiut dhe të tjerëve si ai shihet si jo-normale. Kjo është pikërisht ajo çka Owen Alik Shahadah, një aktivist panafrikan, e quan mendësi skllavi. Ai thotë se kur i tregon lirinë mendje-skllevërve, ata me gjasmë do të sulmojnë se po u prish parajsën: për ta liria është në zinxhirët e tyre dhe çlirimtarët janë armiqtë e tyre. Pikërisht me një sprovë të tillë do të ballafaqohej udhëheqësi ikonik, Kwame Nkrumah në sendërgjimet e tij për të mëvetësuar Ganën. Pavarësia politike, sipas tij, nuk do të ishte asnjëherë e mjaftueshme nëse nuk do të bashkëshoqërohej edhe me mëvetësi ekonomike. Por kur Gana po e krijonte staturën e saj ekonomike, Nkrumah do të nënkuptonte se gjithçka ishte përpjekje donkishoteske nëse nuk arrihej një pavarësi psikologjike, që do të thoshte shqitje nga mendësia e robit.
Prishtinë, 29 maj 2015