Pashtriku.org, 03. 02. 2016: – HYRJE – Në rrugëtimin e gjatë nëpër tërthoret e historisë, nëpër kataraktet e saj të thepisura, populli shqiptar nxori nga gjiri i vet figura të shquara, të cilat me pushkë e me pendë, ia hapën shtegun për t’i kapërcyer ato. Prandaj, ata u bënë prijës, krijuan epoka, përvijuan kahet e t’ardhmes kombëtare, duke u bërë gurrë frymëzimi përmasash mitike për brezat që do të vinin nëpër dekada e shekuj.
Pa u ndalur n’analet e së kaluarës më të lashtë, po theksojmë se një shekull i tërë, në saje të një të katërtës së tij të papërsëritshme, ka vetëm një emër – atë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut – figura më e lavdishme, bashkë me epokën e tij, në historinë shqiptare. Në istikamet e asaj epoke, tërthorazi, mbrohej edhe Europa; prandaj Kryeheroi ynë u laurua edhe si një hero i përmasave të saj. Këtë e dëshmon ajo vistër kronistësh, historianësh e shkrimtarësh, të cilët, me veprat e tyre, i ngritën monumente lavdie. Ndonjë shkarravinë e hershme apo edhe e ditëve tona, përgjigjet i kanë marrë. Prandaj, nëpër shkallët e katër të tjerëve, ai u shndërrua në legjendë, edhe në gurrë frymzimi që shpërtheu si llavë vullkani në zemrat dhe mendjet e pasardhësve të tij, të cilët, me pushkë e me pendë, shembëllyeshëm Motit të Madh, hapën një Epokë të re e të lavdishme gjithashtu, e cila në historinë tonë është pagëzuar si periudha e RILINDJES KOMBËTARE.
Përkundër të parës, kjo e dyta nisi me armët e mendjes, duke u mbështetur edhe me ato të krahut. Siç dihet, në të kaluarën tonë nuk mungojnë kthesa të karakterit kulturor, politik e ushtarak që rezultuan nga rrethanat korrespondente që u zhvilluan jashtë trojeve tona. Por, pa u ndalur këtu në asnjë rast, nuk mund të mos theksojmë se hapat tanë të ngadalshëm, jo gjithmonë rezultuan nga baticat dhe zbaticat e jashtëme. Përkundrazi, ato shpesh na detyruan të nxitojmë. Megjithatë, dihet katërçipërisht, për ata që duan ta dinë se vorbulla e tyre do të na kapërdinte, jo vetëm njëherë, sikur të mos shndërroheshim ne vetë në diga të pathyeshme.
Meqë kjo temë s’e ka vendin të trajtohet këtu më gjatë, po u kthehem rreshtave të kryeradhës së mësipërme. Pas „nënshtrimit“ t’Europës Perëndimore, Romantizmi, si shkollë letrare, vërshoi edhe në viset e tjera. Siç dihet, atë, e karakterizojnë një varg tiparesh, ndër të cilat është edhe ideja e lirisë. Shkrimtarët që u përkisnin popujve, të cilët ende rënkonin nën kthetrat e këti apo atij pushtuesi, ideja e lirisë ishte „alfa dhe omega“ e veprave të tyre. Prandaj, ideja e lirisë ishte tharmi i çdo vepre të rilindasve tanë, pavarësisht zhanrit të tyre. Ajo rrezatoi „duke filluar që nga Alfabeti e gjer te mbrujtja e një gjuhe letrare dhe të formimi i një literature të vet, në lëmë politike krijimi i një shteti. Kjo vepër njëkohësisht letrare e kombëtare përqendrohet në shek. XIX të dy burra: Girolamo, de Rada në Itali …, Naim Frashëri në vendin mëmë…“ (E. Çabej në „Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, Tiranë, 2006 f. 98). Dy emrat e përmendur në rreshtat e mësipërm emblematikë janë dy kulmet e romantizmit në letërsinë shqipe.
Po, të parit mos i takon edhe ndonjë „epitet“ tjetër? Po: „ …lindi dhe u zhvillua në Shqipëri edhe ideologjia kombëtare. Shprehësit e parë më të shquar të ideve të reja u bënë Naum Veqilharqi dhe Jeronim de Rada“ (Historia e popullit shqiptar II Rilindja Kombëtare, Tiranë, 2002 f. 98).
Pra, poeti i madh ishte njëkohësisht edhe njëri nga ideologët e parë të Lëvizjes sonë Kombëtare. Gjykimin e sipërm e gjejmë të mbrujtur në thelb edhe në vëzhgimet e disa studiuesëve të tjerë të shquar, ndër të cilët po citoj vetëm edhe një, për t’mos u zgjatur që në fillim me referenca: „Romantizmi shqiptar është një nga ato lëvizje letrare… që i priu, mund të thuhet plotë gojën me punën e tij të jashtëzakonshme në fushën e kulturës e veçanërisht të letërsisë, me ideologjinë e tij Lëvizjes Kombëtare shqiptare“ (Dh. S. Sh “Segoni, De Rada… Serembe… Noli…, Tiranë, 1987. f. 178/79). Prandaj, mendimi i studiuesit të zellshëm, i njërit nga deradianët më të merituar Jup Kastratit, se Naumi, De Rada, Kamarda e ndonjë tjetër janë „pararëndësit e Rilindjes sonë Kombëtare“ duket krejt i paqëndrushëm (Histori e gramatologjisë shqiptare 1635-1944, Rilindja, Prishtinë, 1980 f. 84).
Para se t’i çasem veprimtarisë së jashtëzakonshme të arbreshit të lavdishëm e shoh të arsyeshme që ta „rezimoi“ veprën e Naumit, e cila mund të emërtohet, pa kurrfarë ngurimi, si i pari traktat, i pari manifest politik e kulturor i Rilindjes Kombëtare. Cilët janë „kapitujt e veprës së tij? Dy Ëvetarët, apo dy abetaret e para të gjuhës shqipe, që mund të konsiderohen si djepi i të tjerave bashkë me alfabetin krejtësisht të ri, të cilin e hartoi vet; Parathënia e të dytit Ëvetar me Qarkoren e famshme dhe letra e njohur, drejtuar nipit të vet grekoman. Gjurmuësit e veprimtarisë së tij kanë shprehur mendimin se Naumi mund të ketë shkruar edhe një gramatikë të gjuhës shqipe. Megjithatë tekstin nuk arriti ta gjejë asnjëri prej tyre. Pra, vepër e paktë në vëllim, me tematikë të larmishme, po e një rëndësie kapitale për të ardhmen e kulturës dhe të Kombit në përgjithësi. Naumi i tërboi armiqtë e kombit shqiptar me veprimtarinë e vet, prandaj edhe ata ia morën jetën në mënnyrën më tinzare.
Do të ndalem pak vetëm rreth alfabetit me të cilin Naumi i shkroi veprat e veta, duke iu referuar siç thot vetë ai mikut të tij iluministit rumun Radulesku: „Ky alfabet ka më shumë mundësi të pajtojë mendimet që i ndajnë banorët e Shqipërisë… përpjekjet e z. Naum mund të konsiderohen te ky popull si një simbol kombësie, rreth të cilit mund të mblidhen të gjitha pjesët e shpërndara prej aq shekujsh dhe të bëjnë një të tërë…“ (Shih shënimin nr. 10: Mahir Domi – Mbi jehonën e botimit të abetarit shqip… në veprën e R. Qoses Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi II. Rilindja, Prishtinë, 1984. f. 23). Çdo koment tjetër për synimet e atij atdhetari të rrallë do t’ishte i tepërt. Parathënien e të dytit bashkë me qarkoren dhe letra e njohur drejtuar nipit të tij grekoman përbëjnë një vepër kapitale për fillet e Rilindjes Kombëtare.
Siç po shihet, e paktë në vëllim, e larmishme në tematikë e përmbajtje madje edhe në zhanër po me një bosht të vetëm ideor – tërë atë që ngërthen togfjalëshi çështja kombëtare, vepra e Veqilharqit është një nga margaritarët më të çmueshëm të historisë dhe kulturës shqiptare. Ajo dhe të tjerat e këtyre përmasave ua kanë bërë dhe do tua bëjnë gjithmonë gjyqin dhe ua kanë shqiptuar dënimin: përgjithmonë në „Ferrin“ e Dantes të gjithë atyre që u përpoqën dhe përpiqën t’i rrenojnë fitoret e arritura me pushkë e pendë, që përpiqen ta përçajnë kombin nga secili aspekt qoftë.
Se me çfarë çmimi e pagoi Naumi përkushtimin e vet prej atdhetari u tha më lart. Shumë e kushtueshme, por nuk ishte e para as e mbrama, sepse në altarin e atdheut kishin rënë e do të binin gjithmonë ata që lirinë e vendit e shihnin më të shtrenjtë se jetën. Por kjo bashkë me atë të vitit 1919 përbëjnë një koincidencë nga më të veçantat në mesin e shumë të tjerave që e përshkojnë historinë dhe kulturën tonë kombëtare. Pra, derisa ideologu i parë i Rilindjes helmohet në Stamboll nga shovenistët grekë, „përmbaruesi“ i asaj epoke të ndritur, arkitekti i shpalljes së Pavarësisë dhe themeluesi i shtetit shqiptar, I. Qemali helmohet në Perugjia t’Italisë në rrugëtim e sipër për t’i dalë zot atdheut (Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë 1985 f. 1161; „I. Qemali“ Monografi, Koli Xoxi, Tiranë 1983 f. 399).
Po vepra e tij, ndonjë „kapitull“ i saj mos u ndëshkua? Po: Ëvetari i dytë e pësoi gati si autori. Fati i tij shëmbëllen me atë të librit të parë të shkruar në gjuhën shqipe që e kemi në dorë deri tash. Prandaj, me pak rreshta po e përshkruaj edhe koincidencën e mësipërme. Siç dihet, vepra e Buzukut, pas një jete të shkurtër nëpër duart e lexuesve që vërtetohet nga disa anëshkrime të tyre nëpër faqet e saj, për një kohë të gjatë humbi, jo më pak se tre shekuj. U gjet pikërisht në vitin e themelimit të Normales së Elbasanit nga Pal Skiroi. Por për të arritur deri këtu ndihmesa të çmushme dhanë disa admirues të librit shqip, ndër të cilët, edhe Gjon Nikollë Kazazi (E. Çabej: Meshari i Gjon Buzukut, Botim kritik, Tiranë, 1968. f. 7).
Edhe Ëvetarit të dytë, pas disa dekadave i humbën gjurmët në ato përmasa sa që kërkuesi më i famshëm i librit shqip Profesor Dh. S. Shuteriqi „dorëzohet“ duke pohuar se mund të jetë djegur me 1915 në shtëpinë e pionierit rilindas, në Fier, të cilës armiqtë i patën vënë zjarrin (Dh. S. Shuteriqi, cituar nga R. Qosja në „Semantika e ndryshimeve historiko-letrare“ Prishtinë, 2009 f.182). Po derisa, Meshari u gjet i cunguar, pa 16 faqet e para, që do të thotë përveç të tjerave pa titullin dhe vendin e botimit, parathënia e Ëvetarit njihej. Ajo ishte e botuar në revistën „Kalendari Kombjar“. Megithëse, siç u tha më lart, vepra konsiderohej e humbur përgjithmonë, kërkimet nuk u ndërprenë dhe, më në fund nuk shkuan kot: Evëtari u gjet në Athinë nga historiani Shkëlzen Raça me 1982. Lexuesi e ka të plotë në veprën e sapo cituar të R. Qoses.
I
Duke iu kthyer tani titanit arbëresh, dua të theksoj se pikëpamja e shumë dijetarëve që personalitet historike dhe kulturore së pari duhet të vlerësohen në raport me rrethanat e kohës, në të cilat kjo apo ajo figurë ka vepruar dhe vetëm pastaj në çfarë përmasash ka arritur të komunikojë me t’ardhmen është verifikuar si e mbështetur. Mund të thuhet kështu sepse një komunikim i denjë me të tashmen, qoftë edhe përmes të kaluarës nuk mund të mos shtegtojë edhe në të ardhmen. Po dua ta ilustroi këtë me një shembull konvencional ta quajmë nga fusha e gramatikës së gjuhës sonë, respektivisht e morfologjisë: Format gramatikore të foljes të kohës së tashme, në një mënyrë a në një tjetër, janë pjesë përbërëse të së shkuares dhe të ardhmes. Edhe pikëpamja tjetër se jo më pak e rëndësishme se ajo që e bënë njeriu, është edhe mënyra se si e bën, mund të ilustrohet dhe të mbështetet me një shembull tjetër si ky i mësipërmi: Folja në gjuhën shqipe i ka gjashtë mënyra, përmes të cilave shprehet kuptimi dhe funksioni në strukturën e fjalisë (Gramatika e gjuhës shqipe, vëll. I Morfologjia, Tiranë, 1995 f. 272 – 273). Shembujt e mësipërm janë pasqyrë e ligjësive të të shprehurit të mendimeve në çdo gjuhë.
Tani, në ç’përmasa iu përgjegj De Rada rrethanave, në të cilat ndodhej populli shqiptar në tre çerekët e shek XIX? Përgjigjja: konstatimi, pa asnjë ekuivok i profesor Çabejt që u citua më lart. T’i shohim degët mahnitëse të lisit deradian: Gjuhëtar, poet, historian, folklorist,estet, publicist,mësues e veprimtar politik. Ndonjë segment tjetër mund të përftohet edhe më poshtë. Në këtë punim, kjo veprimtari e jashtëzakonshme do të vështrohet vetëm në përmasat e një panorame, në të cilën nuk do të mungojnë as mendimet e shkrimtarëve dhe studiuesvetë shquar, qofshin ata shqipatrë apo të huaj. Një çështje tjetër që duhet theksuar këtu është se De Rada në disa nga fushat e përmendura më lart, siç është çështja e alfabetit, mbledhja e këngëve popullore, fillet e krijimtarisë poetike e ndonjë tjetër punoi paralelisht me dekada të tëra. Kjo provë dëshmon se ai i përgjigjej flakë për flakë Epokës së Rilindjes, sfidave të shumta të cilat ajo duhej t’i përballonte. Ato nuk prisnin në radhë. Për këtë arsye disa studiues, më duket me të drejt, veprimtarinë e De Radës e kanë analizuar duke e zbatuar parimin tematik, ndonëse edhe ai kronologjik është i pashmangshëm.
1.Prandaj, edhe ne po fillojmë me De Radën gjuhëtar. Në këtë fushë përveç çështjes së alfabetit, arbëreshi i shquar trajtoi edhe këto çështje: Prejardhjen e gjuhës shqipe, gramatikën e saj – fonetikë, morfologji e sintaksë, aspekte të ndryshme në fushën e leksiokografisë, toponimisë e ndonjë tjetër.
A) ALFABETI
Tre shekuj pas botimit të Mesharit, gjuha shqipe shkruhej me disa alfabete. Ajo gjendje kishte përmasat e një gangrene që e gërryente identitetin tonë kombëtar. Prandaj edhe De Rada, si Naumi pak para tij, e hartoi alfabetin e vet me shpresë se do t’i pranohej nga ata që shkruanin shqipen; pra nga shqiptarët në radhë të parë. Me atë alfabet e botoi edhe poemen e tij të parë „Këngët e Milosaos“. Kërkues i pamëshirshëm ndaj vetvetes dhe, në këtë aspekt nga më të rralltë në letrat shqipe, De Rada e përpunoi vazhdimisht në harkun kohor prej mësë gjashtë dekadash. Puna e tij rezultoi me këto variante: 1834 – 36 – ’47 – 66 – ’71 – ’73 dhe ’83 – ’94 (Tomor Osmani: „Udha e shkronjave shqipe“ Shkodër, 1999 f. 320-36 – shih tabelat; Jup Kastrati „ Studime për De Raden“ në New York, 2003 f. 63-67). Duhet thënë këtu se në variantin e fundit De Rada arriti t’i mënjanojë të gjitha shkronjat e alfabetit grek.
Puna e tij në këtë fushë është vlerësuar nga studiuesit si një nga përpjekjet më të rëndësishme në kuadrin e gjithë synimeve të të gjithë rilindasve për ta zgjidhur çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe. Ndërkaq, duhet të theksojmë se poeti arbëresh edhe pas vitit 1894 opinionit shkencor dhe jo vetëm atij, ia bëri të njohura mendimet e veta edhe në rrafshin teorik. (T. O. Vep. E cit. f. 334; J.K. Vep. E cit. f. 65); ndonëse disa prej tyre ishin të paqëndrueshme. De Rada nuk e pranoi propozimin e Vëllezërve Frashëri për ta bërë të vetin alfabetin e shoqërisë „ Drita“ për arsye se, sipas tij, kishte disa të meta të pakapërcyeshme. Shikuar nga një periudhë e mëvonshme, pavarësisht nga mungesat e atij alfabeti De Rada do ta bënte një hap të madh në rrafshin kombëtar sikur t’i thoshte Po propozimit të frashrëllinjëve. Megjithatë, përmes një mendimi që ngërthente përveç propozimit edhe shpresën se çështja e alfabetit do të zgjidhet „ … kur drejtuesit e „Dritës“ së Stambollit, kryesia e shoqërisë së Bukureshtit dhe ne bashkë do të këmbejmë mendime për të shikuar se cilat shkronja mund të jenë të nevojshme të përdorën për një njësim të gjuhës sonë të përbashkët (T. O. Vep. E Cit. f. 336, J.K. Vep. E Cit. f. 64).
Megjithëse ai „këmbim mendimesh“, siç dihet, nuk u realizua asnjëherë, idenë e poetit të madh arbëresh se çëështja e alfabetit do të zgjidhet atëherë hur shqiptarët do ta shqyrtojnë së bashku, e sëndertoi „Kongresi i Manastirit“. Prandaj, mund të thuhet se me përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm dhe me kushtrimin që e dha, De Rada qe dhe mbetet njëri nga rilindësit më të shquar, të cilët në përpjekjet e tyre të përbashkëta më në fund e zgjodhën „nyjën Gordiane“të kulturës shqiptare.
B) PREJARDHJA E GJUHËS SHQIPE
Çështja, siç dihet, përveç se më herët, ka tërhequr vëmendjen e dijetarëve europianë që nga shek. XVIII, në mesin e të cilëve atyre gjermanë u takon merita dhe nderi shkencor për kontributin e tyre të veçantë. Ata janë të parët që u shprehën se shqiptarët janë autokton në trojet ku jetojnë dhe të parët e tyre kanë qenë ilirët (Autoktonia e shqiptarëve në studimet gjermane, Rilindja, Prishtinë, 1990 f.15 – 18).
Ndërkaq, në shekullin që jetoi De Rada sidomos në gjysmën e tij të dytë prejardhja e shqiptarëve dhe e gjuhës së tyre përtej interesit shkencor mori edhe një deminsion tjetër – politik. Kjo përmasë e re rezultoi për arsye se n’atë periudhë shpërthyen shkëndijat e Krizës Lindore. Prandaj, për shqiptarët çështja ishte krejtësisht e karakterit kombëtar. Në ato rrethana De Rada atdhedashës i rrallë nuk mund të qëndronte indifrent ndaj asaj ere që kishte filluar të fryente. Duke e njohur në themel literaturën artistike e shkencore të periudhes antike greko-romake, ai e krijoi opinionin e vet se gjuha shqipe ishte bijë e pellazgjishtes. Nuk mund të mos përmenden këtu pararëndesit e tij në këtë fushë nga radhët e arbreshëve, siç ishin Nikollë Keta e Engjëll Mashi.
Para se të vazhdoj më tutje, mendojmë se është në interesin e lexuesit që të dijë se të kaluarës kombëtare në rrafshin shkencor De Rada ia kushtoi jo më pak se 40 punime, disa prej të cilave janë të përmasave monografike. Tematika e tyre është e karakterit historik e gjuhësor. Sa për ilustrim, po i shënoj këtu ndonjë nga titujt e tyre: Hyjni Pellazge, Identiteti i Pellazgëve me shqiptarët, Dinjiteti i gjuhës shqipe, Dukuri gramatikore të gjuhës shqipe e të tjera. Kjo „kollanë“ e cila si vëllim ngërthen afër 2000 faqe filloi të shkruhet nga viti 1834 dhe vazhdoi deri në fund të jetës së tij (J.K Vep. e cit. f. 30 – 31). Tanimë është krejt e qartë se në një punim si ky, natyrën e të cilit e ceka më sipër, sa shkurt na duhet t’i biem kësaj çështjeje. Megjithatë, do të përpiqemi mundësisht për ta pasqyruar qoftë edhe në mënyrëm më koncize që të jetë e mundur kontributin e De Radës në këtë fushë. Autori i këtyre punimeve e mbështeste mendimin e vet kryesisht në emrat e hyjnive si Posejdoni, Zeusi, Nemesi, Afërdita etj. Po edhe në disa emra vendesh, të cilët i shpjegon me anë të shqipes, respektivisht nga pararëndesja e saj, sipas tij, pellazgjishtja.
Ndërkaq, Përmasë europiane kësaj teze i dha dijetari gjerman Hahni, i cili në veprën „Studime shqiptare“, e botuar më 1854 në Vjenë, në tezën e katërt vuri shenjën e barazimit midis ilirëve dhe pellazgëve (Autoktonia … f. 89). Ndonëse De Rada nuk e ndjente veten inferior në raport me emrat e njohur të gjuhësisë europiane, mendimi i dijetarit gjerman nuk mund të mos e ketë nxitur për t’i mbrojtur më me vendosmëri pikëpamjet e veta. Kjo shihet edhe në letërkëmbimin që pati me albanologun më të shquar të kohës, Gustav Majerin. Ka edhe shumë çka për t’u thënë në këtë aspekt, por do të kapërceheshim së tepërmi caqet e natyrës së këtij punimi. Megjithatë do t’u kthehemi shkurtimisht aty ku e kanë vendin. Prandaj këtu duhet të theksoj se flamuri i lashtësisë së shqiptarëve dhe i autoktonisë së tyre në trojet ku jetonin e që e ngriti De Rada shumë më denjësisht se paraardhësit e tij arbëreshë, valoi në duart e shumë personaliteteve të Rilindjes, ndër të cilët nuk mund të kapërcehen dy majat e saj emblematike që i rrinë në të dy krahët poetit arbëresh: Përveçse tjetërkund, Naimi e shkroi edhe poezinë e njohur „ Pellazgët- shqiptarët“,e Samiu në Manifestin e asaj epoke „Shqipëria…“ shkroi: „më të vjetërtë prindërt’ tanë bota i quajnë pelazgë, fjal’ e mbeturë nga prindërit tanë më të pastajmë… (Shqipëria Çka qenë… në Vepra II, Tiranë 1988 f. 20)
Me vëzhgimet në fushën e toponimisë e onomastikës De Rada e begaton tezën e vet për lashtësinë e gjuhës shqipe si bijë e pellazgjishtës duke i analizuar një vistër emrash, ndër të cilët po i përmendim këtu sa për iliustrim: Dyrrachium, Emathia, Pelazgoi, Tesali e shumë të tjerë. Duhet thënë se ato vëzhgime janë pjesë e punimeve të shumta të karakterit gjuhësor e historik, të botuara gjatë jetës së tij. Po i përmendim këtu „ mbi pellazgët dhe shqiptarët“, „shqiptarë dhe grekë“. Ato vëzhgime nuk mund të mos kishin edhe karakter etimologjik. Prandaj, pavarësisht nga fakti se sa u qëndronin interpretimet e De Radës kritereve të kësaj fushe, ato janë vlerësuar si kontribute, përveç të tjerave, edhe për arsye se disa prej tyre janë çmuar se janë afër analizës së mirëfilltë shkencore.
Duke e mbrojtur me këmbëngulje lashtësinë e kombit dhe të gjuhës arbëreshi i madh synonte ngritjen e vetëdijës kombëtare të mases së gjerë, e cila ishte në këtë aspekt ende largë cakut që e kërkonin rrethanat e kohës. Në anën tjetër kundërshtoheshin padrejtësitë që kishin filluar t’u bëheshin shqiptarëve në gjysmën e dytë të shek. XIX.
C) DE RADA FONETIKAN DHE GRAMATOLOG
Atdhetar krejt i jashtëzakonshëm, madje i papërseritshëm në shumë aspekte, kur të peshohen rrethanat në të cilat jetoi dëshmon fakti se poeti i madh i trajtoi me përkushtim të rrallë të gjitha çështjet që kishin të bënin me kombin shqiptar dhe kulturën e tij. Përveç gramatikës që konsiderohet si „e para e kësaj fare“, që u botua nga një shqiptar (J. K. „studime për De Radën“ f. 69), çështjet e kësaj fushe autori i trajtoi edhe në disa punime tjra, titujt e të cilave po i kapërcejmë. Përveç se për alfabetin, në vështrimet rreth tipareve fonetike të gjuhës shqipe, autori trajton sistemin vokalik të cilit ia njeh gjashtë zanore, por ia shton edhe të shtaten – ë-në , që sipas tij është e pazëshme e shurdhët. Duhet të theksojmë këtu se De Rada është i pari në gjuhësinë shqiptare që këtë tingull – fonemë e trajtoi në një vështrim të veçantë, ai është i pari gjithashtu që e përdori metoden statistikore. Përveç theksit e diftongjeve, ai e trajtoi edhe kuantitetin e zanoreve të theksuara, njëra ndër dukuritë më të ndërlikuara në fushën e vokalizmit të gjuhës shqipe (shih për të gjitha këto J. K. Vep e cit. F 73 – 4). Ndërkaq, bashkëtingëlloret, në kornizën e sistemit kosonantik, përveç të tjerave veçori i ka ndarë në këto grupe: Buzore, grykore, dhëmbore, e këto të fundit në të aspiruara e fishkëlluese.
Shumicën e faqeve të gramatikës autori ia kushtoi materjes që i përket morfologjisë. Aty janë trajtuar të gjitha pjesët e ligjeratës nga emri deri te pasthirrma, të ndara në dy grupe ashtu siç janë edhe tash – të ndryshueshme dhe të pandryshueshme. Edhe këtu nuk kemi rrugë tjetër përveç se t’i biem sa më shkurt: Emrit ia njeh të gjitha kategoritë gramatikore, të cilat i analizon në ato përmasa që atij i dukeshin të domosdoshme. Këtu duhet theksuar se asnjanësin De Rada ia njeh gjuhës shqipe, çështje kjo rrth së cilës gjuhëtarë shqiptarë e të huaj patën mendime të ndryshme. De Rada me Kamardën para tij bashkë me ndonjë studiues tjetër të huaj ia njihnin shqipes gjininë asnjanëse, përkundër disa të tjerëve, ndër të cilët edhe themeluesi i gjuhësisë krahasimtare F. Bopi ia mohonin (J.K. Vep e cit. f.77).
Edhe përemrat, mbiemrat e numërorët i ka trajtuar në përmasa relativisht objektive; ndërkaq sistemi foljor ia kapërdiu shumicën e faqeve të morfologjisë, gjë që është krejtësisht e kuptueshme. De Rada ia njeh foljes të tri diatezat, tri kohët, por vetëm katër mënyrat: dëftore, urdhërore, lidhoren, dëshiroren. Duke e kapërcyer zgjedhimin e foljeve, po theksojmë se pjesët e pandryshueshme të ligjeratës i ka shtjelluar më shkurtimisht me përjashtim të ndajfoljeve, të cilat i ka ndarë në nëntë grupe.
Vepra e De Radës nuk mund t’ishte pa të meta, prandaj iu bënë edhe disa vërejtje, shumica e të cilave qëndronin. Megjithatë, gramatika u çmua lart dhe u mirëprit në opinionin shkencor të kohës. Për veprën u interesuan përveç Samiut e Kamardës edhe V. Dorsa, P. Kjara e arbëreshë të tjerë bashkë me dijetarë që i përkisnin çerthullit të gjuhësisë europiane si Majeri, Shuhardi, Mikloshiqi etj.
Por, siç është thënë mësipër e nuk mund të mos thuhet edhe më poshtë, De Rada si kërkues i pamëshirshëm ndaj vetvetes, nuk e nderpreu përkushtimin në këtë fushë me veprën veçoritë kryesore të së cilës i theksuam më lart. Prandaj, Pas një çerek shekulli, kur vetë ishte 80 vjeçar e botoi vepren me titull „Fonetikë dhe gramatikë e gjuhës shqipe“. Më duket krejt e paarsyeshme që t’i çasem monumentit të dytë deradian në këtë fushë, përmes një përshkrimi sado i shkurtër qoftë ai. Por duhet thënë pa ngurim se të gjitha çështjet janë shtjelluar më gjerësisht dhe më thellësisht se në veprën e parë. Megjithatë edhe kjo veper e re e De Radës në fushën e gramatologjisë shqiptare nuk ishte pa të meta, shumica e të cilave janë krejtësisht të kuptueshme kur të kihet parasysh fakti se studimi i strukturës fonetike dhe garmatikore të shqipes, mund të thuhet se ishte ende në fazën fillestare. Prandaj, ajo që ishte arritur ishte fryt i përkushtimit të disa dijetarëve të huaj dhe shqiptarë, në mesin e të cilëve De Rada zë një vend krejt të veçantë.
VIJON…
__________________
HASAN UKËHAXHAJ: JUBILEU I NJË APOSTULLI
(NË 200 VJETORIN E LINDJES SË JERONIM DE RADËS) /1/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4943
***
HASAN UKËHAXHAJ: JUBILEU I NJË APOSTULLI
(NË 200 VJETORIN E LINDJES SË JERONIM DE RADËS) /2/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4944
***
HASAN UKËHAXHAJ: JUBILEU I NJË APOSTULLI
(NË 200 VJETORIN E LINDJES SË JERONIM DE RADËS) /3/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4945
***
HASAN UKËHAXHAJ: JUBILEU I NJË APOSTULLI
(NË 200 VJETORIN E LINDJES SË JERONIM DE RADËS) /4/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4946