NË VJENË FESTOHET 8 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS ME NJË ORË LETRARE

Vjenë, 20. 02. 2016: -Tashmë gati pesë vjet që nga formimi, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, shkurt LSHKSHA (www.moisiu.eu) me seli në Vjenë, tregohet si një nga subjektet më aktive shqiptare në Austri dhe me shumë përkushtim dhe angazhim realizon planet e parapara vjetore. Me këtë rast, deri më tani kjo Lidhje ka organizuar mbi 40 orë letrare-kulturore, promovime librash dhe bashkëorganizime të ndryshme me shoqata të tjera shqiptare dhe vendase në Austri. Sidomos për festat kombëtare si 28 nëntorin dhe 17 shkurtin janë organizuar gjithmonë orë letrare në dy gjuhë, në shqip dhe në gjermanisht, ku autorë të ndryshëm shqiptarë dhe austriakë, gjegjësisht të huaj që jetojnë në Austri, kanë lexuar nga krijimtaria e tyre.
Edhe sivjet, për nder të 17 shkurtit, festës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pikërisht më 17 shkurt, nga LSHKSHA u organizua një orë letrare. Krijues të ndryshëm nga të gjitha trevat shqiptare me banim në Austri, u mblodhën në Galerinë e arteve “Der Kunstraum”, në Ringstraßen-Galerien në Lagjen e parë të Vjenës, dhe publikut i ofruan një program të larmishëm letrar dhe kulturor. Në këtë aktivitet u bë edhe prezantimi i antologjisë në gjuhën gjermane “Stadschattierungen” (Dritëhijet), autore e së cilës është znj. Eva Schmidt, kurse botues PEN Klubi austriak. Në këtë antologji me dy tregime është prezantuar shkrimtari dhe poeti shqiptar Anton Marku, i cili nga nëntori 2015 është kryetar i LSHKSHA. Në pjesën e dytë disa krijues shqiptarë si Anton Marku, Vjollca Koni, Mërgim Osmani dhe Ragip Dragusha, anëtarë të LSHKSHA dhe dy krijues austriakë Helmuth A. Niederle, kryetar i PEN Klubit austriak dhe Peter Paul Wiplinger, shkrimtar i cili ka mbi 45 vepra të botuara dhe në mbi 20 gjuhë të përkthyera, lexuan disa poezi të tyre.

Me pjesëmarrjen e tyre e nderuan këtë aktivitet përfaqësuesit diplomatikë në Austri, ambasadori i R. Së Kosovës z. Sami Ukelli dhe ai i R. së Shqipërisë z. Roland Bimo. Në fjalën e tij z. Ukelli u shpreh: “Shfrytëzoj rastin t’ju falënderoj për ftesën, t’jua uroj këtë ditë feste dhe të reflektojmë tërë atë mund, atë sakrificë dhe atë dhimbje që solli këtë pavarësi dhe që ne ta rikujtojmë sot dhe të krenohemi me këtë liri. Kuptohet se ka edhe shumë për t’u bërë, shteti bëhet hap pas hapi, përpjeke pas përpjekjeje”. Ndërsa z. Bimo në fjalën e tij tha: “Shumë gjak, mund dhe sakrificë është dhënë që ne të jemi sot këtu ku jemi, gjithsesi se nderimi i parë shkon për të rënët për lirinë e vendit. Pastaj një meritë të madhe ka edhe diaspora shqiptare, dhe ajo në Austri në veçanti, pasi ka gjithashtu mbështetjen e fortë të shtetit ku jeton dhe të miqve austriakë, të cilët i falënderoj me këtë rast”. Në emër të LSHKSHA “Alëksandër Moisiu”, të pranishmit i përshëndeti kryetari Anton Marku, i cili bëri një përshkrim të shkurtër të aktivitetit të Lidhjes, rëndësisë së bashkëpunimit mes shoqatave shqiptare në Austri. Mes tjerash ai tha: “Qëllimi ynë është të ndërtojmë ura lidhëse dhe miqësie mes krijuesve shqiptarë dhe atyre austriakë gjegjësisht të huaj që jetojnë në Austri”.

Pjesëmarrës në këtë mbrëmje letrare ishin bashkatdhetarë të shumtë, intelektualë e aktivistë të ndryshëm, studentë shqiptarë, miq austriakë, përfaqësues të shoqatave shqiptare në Austri, të Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri dhe Besim Xhelili, kryetar nderi i LSHKSHA. Ambientin e zbukuroi një tavolinë e begatshme me libra të shumtë të autorëve që ishin në sallë dhe për fund për të pranishmit u shtrua një koktej rasti. / Besim Xhelili /

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura