SABRI KIҪMARI: FILOZOFIA DHE ETIKA POLITIKE E ADEM DEMAҪIT

Prishtinë, 29. 02. 2016: (Me rastin e 80-Vjetorit të lindjes së Simbolit të Rezistencës sonë Kombëtare) – Në jetën e kombeve lindin përfaqësues që shndërrohen në aktor të vetëkuptueshëm dhe të natyrshëm të tij. Një rol të tillë mund ta luajnë vetëm individ të veçantë, të cilët me filozofinë e tyre politike krijojnë themelet e luftës për liri, paqe dhe mirëqenje. Maks Veberi individët e tillë i definon si udhëheqës karizmatikë. Legaliteti dhe legjitimiteti i tyre bazohet në tipare personale, që ka si rrjedhim një identifikim të vetëkuptueshëm të njerëzve me qëllimet dhe vizionet e tyre, të bazuara në kontributin e jashtëzakonshëm për liri, paqe dhe mirëqenie. Numri i personave të tillë që shndrrohen në individ-aktor në mesin e shqiptarëve është fare i vogël. Adem Demaçi është i tillë! Ai është simbol, që sakrifikoi për lirinë kundër tiranisë, për barazinë kundër pabarazisë, për paqen kundër dhunës, për pajtimin kundër hakmarrjes.
Adem Demaçi me filozofinë e tij politike të vetëmohimit krijoj një frymë politike. Kjo frymë është bartur te ne – gjenerata e re e bashkëveprimtarëve të tij nëpër kohë. Ajo është parë si feniks, që ka bërë dritë edhe në netët më të errëta të pushtimit. Ajo nuk është shuar dhe nuk shuhet! Ka mbetur e tillë pavarësisht individëve. Fryma e lirisë, republikës dhe pavarësisë janë të pashlyeshme nga qenia jonë.
1.
Filozofia politike është një disciplinë e filozofisë, e cila studion principet dhe normat e rendit shoqëror. Si disciplinë normative ajo merret edhe me kuptimin, shpjegimin dhe kritikën e veprimit politik. Detyrë e saj është të përcaktojë shkallën e legjitimitetit dhe drejtësisë së një rendi shoqëror. Fokus i saj është veprimi politik në një shoqëri, komb, shtet ose nga një aktor politik, duke u përqëndruar në vështrimin kritik të rrethanave, mënyrës, dhe normave të veprimit. Ne do të përqëndrohemi në këtë rast në veprimin politik të një aktori karizmatik të kombit shqiptar – Adem Demaçit.

Fryma politike e krijuar nga Adem Demaçi është e orientuar drejt tri ideve themelore: idesë së kombit, lirisë dhe barazisë. Këto tri ide janë shoqëruar te ai vazhdimisht me një mal ideshë të tjera politike si drejtësia, të drejtat e njeriut, paqja, mirëqenia, pajtimi, patriotizmi, idealizmi etj. Persiatjet e tij filozofike politike dëshmojnë për një kokë gjeniale plot ide. Absorbimi i këtyre ideve ishte detyrë e gjeneratës sonë, por mbetet edhe detyrë e gjeneratave që vijnë. Kjo frymë fiton në peshë sidomos nëse qytetari i Kosovës e rikthen për një moment vëmendjen nga e kaluara jo e largët kur:
– në Kosovë nuk kishte liri dhe qytetarët vuanin nën thundrën e një pushtimi të egër antinjerëzor – fitimi i lirisë ishte synim i të gjithë qytetarëve;
– në Kosovë nuk kishte paqe dhe lufta për çlirim ishte bërë i vetmi mjet për mbrojtjen e jetës dhe të dinjitetit njerëzor, qytetar e kombëtar – vendosja e një paqeje të qëndrueshme ishte qëllimi i luftës çlirimtare;
– në Kosovë nuk kishte barazi, sepse pakica e shtypte mizorisht shumicën – vendosja e barazisë së të gjithë qytetarëve ishte imperativ i shumicës dërmuese të qytetarëve;
– në Kosovë nuk kishte demokraci, sepse qytetarëve nuk u lejohej të vendosnin vetë e lirshëm për sistemin e tyre politik, për përfaqësuesit e tyre, për të ardhmen e tyre – vendosja e demokracisë ishte bërë qëllim i pashmangshëm për evitimin e padrejtësive.
Kombi është një fenomen dinamik historik. Rrënjët e kombit janë prejardhja dhe gjuha e përbashkët. Por karakteri i kombit zhvillohet përmes historisë, kulturës dhe letërsisë së përbashkët, pastaj sistemit zakonor dhe atij të së drejtës. Shprehitë komplementare të komunikimit të një kombi rrjedhin nga tiparet e përbashkëta të anëtarëve të tij, nga të cilat pastaj rrjedh një identitet kolektiv, i cili në të shumtën e rasteve forcohet nga besimi për një prejardhje të përbashkët. I vetëdijshmë se kombi paraqet fuqi universale, politike, kulturore, shpirtërore dhe ekonomike Adem Demaçi, që në hapat e parë të veprimit të tij politik, do të punojë në arritjen e shkallës më të lartë të zhvillimit të identiteit të një kombi përmes një përbashkësie të qëndrueshme shtetërore. Demaçi e sheh si interes stretegjik të kombit shqiptar integrimin. Forcimi i shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës dhe integrimi i tyre në Bashkimin Evropian dhe në NATO sipas tij janë pjesë e një qëllimi themelor strategjik të kombit shqiptar: maksimalizimin e fuqisë ekonomike, politike, kulturore dhe rritjen e sigurisë, mirëqenies dhe paqes.
Liria e individit dhe liria e përgjithshme janë strumbullari i filozofisë politike të Adem Demaçit. Ai është mbështetës i jashtëzakonshëm i lirisë së individit konform koncepteve të filozofit anglez John Stuart Mill.[1] Menjëherë pas daljes nga burgu merr përsipër mbrojtjen e të drejtave të njeriut përmes Këshillit për Mbrojtjen e të Drejatve dhe Lirive të Njeriut. Në fjalën e tij para Parlamentit Evropian, me rastin e pranimit të Çmimit Saharov, ai do të angazhohej fuqishëm për lirinë e fjalës si hap i parë dhe i domosodoshëm drejt demokracisë: “Pa fjalë të lirë ska dialog. Pa dialog nuk mund të zbulohet e vërteta. Kurse pa të vërtetën nuk ka progres.”[2] Por, Adem Demaçin për aq sa mund ta cilësojmë si mbështetës të idesë së lirisë së Millit, po aq mund ta konsiderojmë si mbështetës të tezës së Immanuel Kanti se liria është e mundur vetëm përmes arsyes, duke i shndrruar në sinonime lirinë dhe ndjenjën e obligimit (gjerm.: Pflicht).[3] Ai, njësoj si Kanti, synon një rend shoqëror të bazuar në liri të individit dhe liri të përgjithshme. Përmes lirisë së Kosovës dhe kombit shqiptar ai sheh realizimin e lirisë së individit dhe lirisë së përgjithshme. Ai synon drejtpeshimin e të dy këtyre segmenteve të lirisë.
Adem Demaçi karakterizohet poashtu me sensin e tij të barazisë. Ai i konsideron njerëzit të barabartë, pavarësisht përkatësisë kombëtare, gjinore, racore, klasore ose regjionale. Lufta e tij politike në fakt ka për synim barazinë. Barazia e popullit shqiptar me popujt tjerë të Ballkanit është lajtmotivi i tij politik gjatë gjithë jetës së tij politike. Kjo barazi, sipas tij, jetësohet me bashkimin. Dhe këtë synim do ta mbrojë edhe në kohë të vështira, atëherë kur shpallet herezi të mendosh për të, edhe në kohë bashkëkohore, kur konsiderohet politikisht jokorrekte në kohë trendi të integrimit në BE.
Adem Demaçi është idealist. Ai, përmes veprimtarisë së tij politike, synon realizimin e një gjendjeje ideale në raportet ndërnjerëzore, ndëretnike, ndërshtetërore dhe ndërshoqërore. Ai synon një sistem ku balancohen interesat dhe bëhet shpërndarja e drejtë e të mirave dhe mundësive. Ky është principi bazë i koncepteve të tij mbi drejtësinë.
Drejtësia është një vlerë themelore, princip dhe qëllim etik. Drejtësia duhet t’i pretendojë tri qëllime kryesore: të jetë e paanshme, e dobishme dhe e sigurtë. Në luftën për drejtësi Adem Demaçi nuk është konformist. Drejtësinë ai e kupton si një imperativ normativ, që simbolizohet me shprehjen “duhet”. Kush dëshiron të jetë i drejtë përballë vetes, ka obligim të jetë i drejtë edhe më të tjerët. Drejtësia nënkuptohet nga ai normë etike veprimi, për të penguar, pamundësuar dhe luftuar të kundërtën e saj – padrejtësinë. Në fjalën e tij në Bruksel Adem Demaçi shprehet me forcë kundër padrejtësisë për shqiptarët duke deklaruar se “e tërë Kosovë është shndrruar në një megaburg, ku shqiptarët nuk gëzojnë as sigurinë më të vogël as fizike as juridike” duke i akuzuar “pushtuesuit serbomëdhenjë hegjemonist e militarist, se përmes dhunës më të egër po i presin arteriet jetëdhënëse të popullit shqiptar, duke rrënuar pa mëshirë e plotësisht sistemin informativ, arsimor, shëndetësor, kulturor, sistemin bankar-financiar, ekonomik, juridik dhe përfundimisht duke rrënuar e shkatërruar tërë sistemin politik.”[4] 2.
Nga shumë vetë Adem Demaçi nuk është kuptuar kur ai vendosi që të marrë përsipër udhëheqjen e Këshillit për Mbrotjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në vitin 1991. Por, ai vendosi t’i kushtohej idealit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Në fakt të drejtat e njeriut ai i koncepton si të drejta subjektive, të cilat i takojnë secilit. Principi egalitar i të drejtave të njeriut është lajtmotivi i tij prijës në realizimin e të drejtave themelore universale dhe të patjetërsueshme. Një nga filozofët e shquar të shekullit XX Isajah Berlin ka shkruar se “liria politike nuk është gjë tjetër veçse hapësira brenda së cilës njeriu mund të veprojë pa u penguar nga askush tjetër.”[5] Në Greqinë antike nocioni i lirisë kuptohej si një nocion i së drejtës. Qytetari konsiderohej atëbotë i lirë në raport me skllavin dhe barbarin. Derisa J.J. Rouuseau mendonte se “njeriu lind i lirë, por gjendet gjithkah i rrethuar nga prangat,”[6] tek Hegeli liria nënkuptohej si “liri e vullnetit e lidhur me një sferë të veqantë të sistemit të filozofisë, me atë sferë që e kishte parasysh njeriun e “përgjithshëm” veprues historik.”[7] Të drejtat dhe liritë e njeriut shkeleshin në mënyrën më të vrazhdë në Kosovë në kohën kur Demaçi vendos të marrë përsipër të udhëheqë KMDLNJ. Ai e kupton më mirë se kushdo tjetër se individi duhet mbrojtur nga shteti i dhunshëm, njësoj siç duhet mbrojtur kombi nga shteti pushtues. Ai synon që Serbinë ta obligojë të respektojë normat ndërkombëtare për mbrojtjen e individit.[8] I vetëdijshëm se të drejtat e njeriut kanë natyrë universale,[9] punon që të drejtat dhe liritë e njeriut t’ju përkasin të gjithë njerëzve pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, gjinore, religjioze, racore ose regjionale.
Raporti në mes të individit dhe bashkësisë në filozofinë politike të Demaçit kanë një konkordancë natyrore. Ai e afirmon individin në raport me individët tjerë, e njeh të drejtën e tij njerëzore dhe humane, e njeh të drejtën për të qenë ndryshe dhe unik. Raportet intersubjektive i shikon si pasqyrë të së ndryshmes. Ky lloj përceptimi na shpie te konstatimi se ana humane te UNË si individ është refleksion i njohjes së të njëjtës anë të tjetrit pranë meje. Ana humane paraqet një kualitet që ne e zotërojmë dhe duhet ta zhvillojmë. Ne e krijojmë botën e njëri-tjetrit, e plotësojmë dhe ndryshojmë atë. Në gjuhën filozofike do të mund thonim se unë jam, pasi që edhe ti je – ne jemi, pasi që edhe ju jeni. Unë jam, në këtë rast, është një demonstrim subjektiviteti, një vetëidentifikim dinamik me shkallë të caktuar pavarësie, por edhe me elemente të qarta varësie nga tjetri, nga bashkësia. Në këtë nivel relacionesh, mund të respektohet dhe mbrohet dinjiteti i njeriut.
Adem Demaçi është mbështetës i një filozofie të veçantë politike. Ai është kundërshtar i padrejtësisë dhe lufton për drejtësi për individin, shoqërinë dhe kombin. Të drejtën e individit e koncepton si të drejtë natyrore, e cila duhet mbrojtur në secilin rast dhe në secilin vend. Të drejtën e kombit për liri dhe bashkim e koncepton si të drejtë natyrore, të pakufizueshme dhe të pakornizueshme nga kombet tjera.
3.
Hannah Arendt, një nga klasiket bashkëkohore të shkencës politike, tregon një admirim të veçantë në aftësinë e njeriut për veprim praktik politik. Pikërisht në këtë dimension të veprimit shoqëror ajo e sheh dështimin e totalitarizmit. Sipas saj praktikë do të thotë, jo se ne duhet të jemi të përcaktuar nga raportet e jashtme, por nga liria e brendshme. Veprimtaria praktike politike e Adem Demaçit e vërteton katërcipërisht konstatimin e Arendt.
Preteksti i arrestimit të parë të Adem Demaçit në vitin 1958 ishte kundërreagim ndaj potencës së tij intelektuale. I profilizuar si një intelektual me perspektivë, kundërshtar i shpërnguljeve me dhunë të shqiptarëve në Turqi dhe kundërshtar i rreptë i gjakmarrjes, autor i romanit të parë shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore, së pari fokusi i Lidhjes së Komunistëve u orientua në anëtarësimin e tij në parti në verën e vitit 1958. Ai nuk pranon për t’u anëtarësuar në parti, në një kohë kur partia e bënte ligjin dhe policin. Fjala e hapur në publik kundër padrejtësive është shkasi fillestar i arrestimit të tij më 19. Nëntor 1958.
Akuza për propagandë armiqësore ishte një konstruksion kundër të drejtës së shprehjes dhe mendimit, kundër lirisë së individit dhe kundër të drejtave legjitime të popullit shqiptar në Jugosllavi. Shpallja e tij armik i popullit, “në emër të popullit”, kishte për qëllim arritjen e dy synimeve themelore: diskreditimin e tij para opinionit publik dhe frikësimin e intelegjencës së re që po krijohej në Kosovë. Akuzat e mëpastajme në dy burgosjet e mëvonshme për kundërrevolucion, kundërshtar i socializmit, i barazisë së popujve të Jugosllavisë, rrezikues i sovranitetit shtetëror etj. duhet kuptuar si një tentim narracioni të Lidhjes Komuniste për të legjitimuar pushtetin e saj totalitar, të padrejtë, të pabarabartë dhe mizor dhe frikësuar shqiptarët.
Sot, në moshën e tij 80-vjeçare, studiuesi i filozofisë politike të Adem Demaçit e ka të vështirë ta rreshtojë saktësisht atë në një sistem të mendimit bashkëkohor. Ideja e bashkimit të kombit shqiptar, që e karakterizon fazën fillestare të veprimit të tij politik në LRBSH, kombinohet me angazhimin e tij në përfaqësimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me një vetëidentifikim me vegjëlinë dhe popullin. Ai nuk sillet si përfaqësues i elitës, që merr distancë klasore nga të tjerët. Sjellja e tij politike është punë për të bashkuar njerëzit në luftën për liri. Takon secilin dhe e dëgjon secilin. Pra ai vetëvetishëm shndrrohet në përfaqësues të veprimtarit që synon lirinë, mbrojtës i qytetarit që i shkelen të drejtat dhe liritë, bashkëpunëtor i luftëtarit që mbron vijën e frontit dhe qytetarit të lirë që synon barazinë.
Adem Demaçi është njëkohësisht revolucionar dhe luftëtar me moral të lartë patriotik. Mendimi i tij politik është humanizëm dhe heroizëm njëkohësisht. Idetë e tij janë aq demokratike, sa edhe revolucionare. Ai shndrrohet në një ikonë të luftës për liri, paqe, drejtësi dhe mbrojës i të drejtave të njeriut. Ai vendos që problemet e popullit shqiptar në Kosovë t’i personalizojë në ndjenjat e tij dhe veprimet e tij politike. Sistemi i mendimit të tij politik karakterizohet nga vlera dhe ideale të larta, për të cilat vendos të luftojë dhe, në rast nevoje, edhe të vdesë. Gatishmëria e tij sublime për vetësakrificë është e pazakonshme, e papërsëritshme, heroike.
Çlirimi nacional për Adem Demaçin është synimi themelor politik. Por, Adem Demaçi nuk është nacionalist tipik. Mendimi i tij politik është përtej ngurtësisë nacionaliste. Në një intervistë dhënë gazetarit të New York Times më 10. Gusht 1999 Adem Demaçi e thërret popullin serb, “i cili gjendet tani në konfuzion, të lirohet prej miteve dhe iluzioneve.” Ai fton për pajtim në mes të serbëve dhe shqiptarëve. Duke konstatuar se shqiptarët pas 2000 vitesh skllavërie nga Romakët, Turqit dhe Serbët “tani po marrin frymë lirisht dhe janë në gjendje të vendosin vetë për veten e tyre”[10], ai e konsideron këtë frymë lirie për shqiptarët edhe si një mundësi për serbët.
Demaçi beson në paqe. Për një kohë të gjatë ai është angazhuar për të realizuar qëllimet e tij politike në rrugë paqësore, pa dhunë. Që nga viti 1958, kur u arrestua për herë të parë, ai u mundua ta bind regjimin jugosllav dhe serb që të rimendojë se mbajtja nën pushtim e Kosovës i kushton vetë regjimit dhe popullit të tij. Ai do të pledojë vazhdimisht te shqiptarët që ti konsiderojnë me shumë kujdes pakicat. Ai do t’i ftojë pakicat të integrohen në kuadër të sistemit të Kosovës dhe të kontribuojnë për rindërtimin dhe zhvillimin e vendit.
Por, Adem Demaçi nuk është pacifist. Ai ka mbrojtur vazhdimisht konceptin se përdorimi i dhunës në luftën politike mund të vehet në zbatim vetëm atëherë kur nuk ka rrugë tjetër, kur janë shterrur të gjitha mundësitë. Ai ishte i bindur se vetëm me sakrificë, aksione militante dhe veprim të fortë mund të arrihet deri te liria. Ai është mbështetës i tezës së Klauseviçit se “lufta është vazhdim i politikës me mjete tjera.” Kur u bë fare e qartë se regjimi i Millosheviqit nuk i kupton format joviolente të veprimit politik, ai nuk hezitoi të marrë rol drejtues politik në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Mbështetja e luftës së UÇK është rrjedhim logjik i filozofisë politike të Demaçit. Vetë përfaqësuesit ndërkombëtar, që fillimisht nuk e kanë kuptuar qëndrimin e fortë të Demaçit në mbështetje të rezistencës së armatosur, do të detyroheshin të përdornin armët kundër regjimit të Millosheviqit. Të luftosh kundër një shteti policor, pushtues, dhe vrasës të popujve është vlerë politike. Formulimi i ministrit të jashtëm gjerman Joschka Fischer, në vitin 1999, në debatet e ashpra me partinë e tij, në mbështetje të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë është nga më precizët në këtë rast: “Unë i mbroj dy principe: kurrë më luftë, por edhe kurrë më Ausshvitc, kurrë më vrasje të popujve, kurrë më fashizëm.”[11] 4.
Adem Demaçi është i ndikuar nga vlerat tona tradicionale kulturore shqiptare. Siç do ta theksojë shumë herë, ai fillimisht do të ndikohet nga nëna e tij, e cila e fton që në mes të nënës Nazife dhe nënës Shqipëri, të zgjedh këtë të dytën: “Nëna Nazife vdes një ditë, kurse nëna Shqipëri jeton nëpër shekuj!” Në këtë logjikë filozofike popullore mund të konstatojmë identifikimin spontan me vlerën universale të kombit të një gruaje të rëndomtë shqiptare. Kjo logjikë identitare ka qenë shumë e ndrydhur në kohën kur ai e merr këtë mesazh simbolik, pothuajse profetik, nga nëna e tij.
Adem Demaçin do ta ndikojë edhe mësuesja Vezire. Mësimet e saja për të dashur atdheun dhe kombin, praktika për të filluar mësimet me vjershën që glorifikon “Shqipërinë si nënë” nguliten thellë në ndërdijen e tij. Një filozofi e tillë dashurie për kombin dhe nënë Shqipërinë nuk është instrumentale, por një ndjenjë e fuqishme për vendin dhe kombin.
Ambienti shoqëror i pas Luftës së Dytë Botërore e influencon Demaçin për ta shndrruar në një filozof popullor e veprimtar politik, por edhe në një orator të rrallë. I pajisur me një nivel të lartë oratorie, me një kombinim të gjuhës dhe filozofisë popullore, ai dëgjohet me vëmendje edhe atëherë kur nuk kuptohet.
Adem Demaçi ka një pikëpamje të qartë në raportet në mes të politikës dhe moralit. Ai e kupton moralin si tërësinë e parimeve, normave dhe rregullave që përcaktojnë sjelljen e njerëzve në shoqëri, kurse etikën si disciplinë të filozofisë, e cila në mënyrë metodike dhe sistematike studion veprimin moral. Pra, konceptet etike të Demaçit janë në konkordancë me konceptin antropologjik të teorisë politike të Aristotelit, i cili e ndërton teorinë e tij mbi polisin (shtetin) dhe kushtetuten e tij mbi bazën e bashkësisë së qytetarëve, duke e definuar njeriun si zoon politikon (qenie politike). Demaçi e preferon si zgjidhje të drejtë të raportit në mes të moralit dhe politikës një balancë të qëndrushme mes tyre: as zbatim ekskluziv të moralit dhe nënçmim i politikës, por as zbatim ekscesiv i politikës dhe lënje anash e së moralshmes.

– Sabri Kiçmari dhe Adem Demaçi –

Vlera themelore etike e Adem Demaçit është vetëmohimi. Ai sakrifikon veten e vet, duke djegur simbolikisht letrën me emrin e tij, dhe duke e vetshpallur vdekjen e tij përgjatë jetës. Ai e sakrifikon nënën Nazife për nënën Shqipëri. Ai rrezikon karrierën e tij intelektuale për drejtësi dhe liri. Ai e sakrifikon mundësinë për të marrë pushtet, për të drejtat e njeriut. Ai e sakrifikon veten e vet, duke mos ikur nga Kosova gjatë luftës, për të demonstruar prezencën shqiptare në Kosovë në kohë lufte. Me këto ai arrin shkallën më të lartë të altruizmit.
Etika politike e Demaçit është e orientuar kundër diskriminimit dhe shkeljes së dinjitetit të shqiptarëve nga shteti jugosllav e ai serb. Ai ngritet hapur kundër dominimit të pakicës serbe mbi shumicën shqiptare duke ja dedikuar qenien e tij luftës për të drejta të shqiptarëve. Në të njëjtën kohë ai kujdeset në mbrojtje të pakicave. Ai është në gjendje të falë duke demonstruar shkallë të lartë tolerance ndaj atyre që e kanë mbajtur dhe diksriminuar në burg.
Prof. Qosja duke analizuar jetën krijuese, etike dhe politike të Adem Demaçit me të drejtë ka konstatuar: “Jetëshkrimi i tij ka domethënie të pashtershme morale. Për ne kjo është jetë – porosi prej së cilës inteligjencia shqiptare ka mundur dhe do të mund të nxjerrë mësime për mospajtim me të këqijat shoqërore, politike dhe morale kudo dhe kurdo.”[12] Ka pasur plotësisht të drejtë edhe Ukshin Hoti në konstatimin e tij se “një makineri e tërë ishte përpjekur, gati me sukses të plotë, ta heshte jo vetëm kuptimin dhe qëllimin e qëndrimit të tij nëpër burgje, por edhe vet atë, ekzistencën e tij. Për këtë shkak figura e tij e rëndomtë në mënyrë gati të padiskutueshme kaloi në legjendë.”[13] Do të kishte qenë normale që një njeri me një përjetim të tillë padrejtësie të lartë prej 28 vitesh të sillej si viktimë. Adem Demaçi nuk e bënë këtë gjë. Ai dëshiron të mos sillet dhe të mos kuptohet nga të tjerët as si hero. I kundërshton hapur lajkat dhe lajkatarët në raport me të. I lirë nga çdo kompleks, i hapur për vlerësime politike, vetkritik dhe kritik i rreptë ai nuk dëshiron ta luajë rolin e heroit. Pikërisht kjo sjellje ia shton edhe më shumë madhështinë prej heroi, deshi apo nuk deshi ai, e pranoi apo nuk e pranoi ai. Ai është hero i lirisë, i ndërgjegjës, i drejtësisë, i pavarësisë, i kombit. Ai është hero i gjallë!
5.
Adem Demaçi që nga dalja në skenën publike si autor e deri më sot është një nga personalitetet më të shquara të kombit tonë. Edhe atëherë kur emri i tij ishte i ndaluar, kur ai mbahej në burg dhe veprat dhe mendimi i tij ishin shpallur non grata, ai ka qenë dhe ka mbetur personalitet i admirueshëm, i respektuar dhe i dashur. Ai konsiderohet sot shqiptari më i shquar në botën shqiptare. Idealet e tij politike, vlerat e tij etike dhe filozofia e tij konsiderohen udhërrëfyes nga një shumicë absolute e shqiptarëve. Ai ka mbetur një njeri i shquar, me tipare të jashtëzakonshme, përkundër vuajtjeve të shumta dhe vështirësve që ka pasur.
Adem Demaçi deri sot nuk ka qenë i veshur me pushtet, me asnjë post ekzekutiv dhe legjislativ në Kosovë. Por, ai ka qenë, është dhe do të jetë përherë lideri shpirtëror i Kosovës së lirë dhe të pavarur. Sa herë flitet për sakrificën e popullit të Kosovës për liri, ai është simboli i saj, simboli i lirisë së Kosovës.

_______________________
[1] Mill, John Stuart: „Über die Freiheit“, Stuttgart: Reclam 1988, f. 16.
[2] European Parliament: “Sakharov Prize 1991: Award ceremony to Adem DEMAÇI, 10/12/1991”, në: http://audiovisual.europarl.eu/..
[3] Kant, Immanuel: „Über den Gemeinspruch: Das mag in der Theorie richtig sein, taugt aber nicht für die Praxis“, Ausgabe der Preußischen Akademie der Wissenschaften, Berlin 1900ff, AA VIII, f. 290.
[4] European Parliamaent: “Sakharov Prize 1991: Award ceremony to Adem DEMAÇI, 10/12/1991”, në: http://audiovisual.europarl.eu/..
[5] Izajah Berlin: “Idetë filozofike të shekullit XX dhe katër ese për lirinë”, Onufri, 1996, Elbasan, f. 205
[6] J.J.Rousseau: „Der Gesellschaftsvertrag“, S. 5. Digitale Bibliothek Band 2: Philosophie, S. 21125 (vgl. Rousseau-Gesell., S. 34)] [7] Mittelstraß, Jürgen (Hrsg): „Enzyklopädie Philosophie und Wissenschaftstheorie“ 4 Bände, Verlag J.B. Metzler, Stuttgart, 1996, S.679
[8] UNO: “Resolution 217 A (III) der Generalversammlung vom 10. Dezember 1948 – Allgemeine Erklärung der Menschenrechte“ në: http://www.ohchr.org/EN/UDHR/-…
[9] HUMANRIGHTS: “Was heisst «Universalität der Menschenrechte»? në:http://www.humanrights.ch/de/m…
[10] STEVEN ERLANGER: “Champion of Free Kosovo Now Urges Moderation”, Published: August 10, 1999, në:
http://www.nytimes.com/…/champion-of-free-kosovo-now-urges-…, më 21. Janar 2016
[11] DER SPIEGEL: “Auszüge aus der Fischer-Rede“, 13.05.1999: “Aber ich stehe auf zwei Grundsätzen, nie wieder Krieg, nie wieder Auschwitz, nie wieder Völkermord, nie wieder Faschismus.”, në: http://www.spiegel.de/politik/…
[12] Rexhep Qosja: „Adem Dema – Shkrimtari për të gjitha kohët“, cituar sipas botimit nëhttp://fondiademdemaci.org/ade…
[13] Ukshin Hoti: „Adem Demaçi – histori e gjallë e Lëvizjes Çlirimtare Kombëtare“, në:http://fondiademdemaci.org/uks…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura