FATMIR BRAJSHORI: BEHAJDIN ALLAQI, “DËSHMORI” PA VARR! /FOTO + DËSHMI ARTKIVORE

Cyrih, 18. 03. 2016: Për Intelektualin Fjala është ekzistencializëm! Për shkrimtarin, mos shkruarja e realitetit është dënim i realitetit. Është detyrë e tij që të flasë kur të gjithë heshtin dhe të heshtë kur të tjerët flasin pa pra.
E, me këtë shkrim – Requiem, do flasë, për revolucionarin Behajdin Allaqin, sado pak sipas detyrës sime si intelektual dhe shkrimtar, por edhe si akterë i ilegales së kohës.
Po e bëj këtë gjë ngaqë nuk dua të vras realitetin tim, sepse jeta ime pastaj do të jetë një disfatë absolute.
Meqë disfatën s’e kam pranuar asnjëherë as sfidat që sjellë jeta, do të sjellë, në rikujtesë një ngjarje të kohës dhe një ilegal të kohës, i cili shquhej për vërshtrimet e tija, jo vetëm politike por, edhe ato letrare, fillozofike etj.
Ndodhitë e së kaluarës nuk duhet t’i paraqesim si forcë të huaj por, si forcë tonën – të brendshme. Të shkruash për një Intelektual, profesor, dhe për një militantë të ilegalës, për disa që kanë “rrëshqitur gjatë rrugëtimit në valë të gabuara” s’kanë vlerë, për disa është e vështirë e për disa të tjerë është krenari. E vështirë ngaqë njëra palë nuk të akcepton dhe krenari ngaqë pala tjetër ka akcepte të njëjta me këto vështrimet e mia…

***
Sa i përket jetës dhe veprimtarisë së Behajdin Allaqit!
Këtu nuk mund ta përshkruaj dialektikën e vërtetë për fundin e një revolucionari, patrioti, atdhetari dhe militanti të LPRK-ës (sipas meje) siç ishte Behajdini, ngaqë nuk kam qenë akterë i ngjarjes së fundit të jetës së tij.
Pra, me këtë shkrim synoj që të mos vëhem në rolin e subjektives apo edhe të objektives. Këtu më duket që subjektivja e ruan në vete objektiven për çastet e fundit të jetës së Behajdin Allaqit; qoftë ai fund në betejë me armikun e jashtëm apo edhe me armikun e brendshëm.
Këtë gjë mund ta shpjegoj e ardhmja!
***
Behajdin Allaqin – gjatë veprimtarisë sime, e kam takuar shumë rrallë, ngaqë ai vepronte në Këshillin e Rrethit për Prizren, dhe më vonë në Këshillin Rajonal të Prizrenit, ndonëse ishte edhe anëtar i Komitetit Drejtues të LPRK’së. Pak më shpesh, jemi takuar gjatë kohës kur në Kosovë zhvillohej aksioni për Pajtimin e Gjaqeve. Po ashtu ai, ishte mjaftë aktiv me shkrime analitike në gazetën “Rruga e Lirisë” dhe nëse e kam mbajtur mirë në mend, edhe në gazetën “Bashkimi”, që asokohe dolën vetëm nëntë numra. Por ishte e pamundur të mos e takoje atë, në takimet dhe në Mbledhjeve tona të mëdha… Një motër e tij ishte e fejuar (më vonë e martuar) për një djalë që e kisha në fqinjësi, shok fëmijërie dhe i cili për pak kohë ishte i organizuar në ilegale…
***
Mbledhja e Tretë e Përgjithshme e LPRK’së që u mbajt në Ujëmir të Klinës (në tetor 1991), për shumë çka ishte e dështuar! Nga ajo Mbledhje doli një Kryesi, e cila më vonë bëri përpjekje, që LPRK-ën ta largoj në mënyrë perfide nga politika dhe që militantët e saj, t’i çorientonin dhe t’i bindnin për t’u angazhuar nëpër partitë politike legale… Këtë ide e propagandonin Gani Syla (që doli si udhëheqës dhe i cili ashtu shpejt siç u zgjodhë edhe më shpejt u largua), Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Ali Lajçi etj. Ata pastaj, e braktisën LPRK-ën, ani pse në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme, erdhën, dhe u zgjodhën në pozita drejtuese. Ikën dhe të gjithë u anëtarësuan në LDK-ë, dhe madje morën edhe funksione prijëse në këtë Parti…
***
Në këtë kohë, LPRK-ja u gjetë para një situate të re!
Për këtë arsye, në vitin 1993 u vendos që të kontaktojmë me militantët e radhëve të organizuar, për ta riorganizuar LPRK-ën brenda vendit, ngase ajo ishte në mjegullnajë, pas goditjes që mori nga akterët e lartëpërmendur.
Përpos celulave të Këshillit Rajonal të Prishtinës, ku bënte pjesë edhe celula e Universitetit, (kryesisht ishin studentë të degës së historisë), me të cilët i mbaja unë lidhjet, të shkëputur nga baza, kishin mbetur edhe shumë ilegalë tjerë të LPRK-ës, të cilët e kërkonin riorganizimin.
Ishin pashkët e vitit 1993.
Në Prill të atij viti, te kafeja “Kodra” erdhën me makinë, Dani, Sahit Berisha, Mustafë Krasniqi, më morën dhe u nisëm për Kërçovë… Takimi ishte në Gostivar.
Në Gostivar, takuam ca nga ata që duhej të vinin në Mbledhjen për Organizim dhe Ri-organizim të LPRK-ës.
Përse quhej kështu – Mbledhje për Organizim dhe Riorganizim?!
Sepse në atëkohë, LPRK-ja, thuaja se fare nuk ekzistonte brenda vendit, dhe ishte imperativ i kohës, që ajo t’i riaktivizojë të gjitha strukturat, me qëllim të përgatitjeve për luftë të armatosur, ngaqë situata në rajon ishte e tillë, kishte nisur lufta në Kroaci dhe më pastaj në Bosnje …
Në Gostivar, unë dhe “Bejta”, ndejtëm deri vonë ngaqë duhej t’i informonim pjesëmarrësit për rrugën që do të merrnin… Nuk dua të përshkruaj tani çdo detaj, mjafton të themë se, Luboteni ishte veshur me qeleshe (borë) të bardhë, teksa në qytetin e Gocës së Tivarit, rrezet e diellit gudulisnin fytyrat tona të zbehura nga pasojat e një dimri të gjatë dhe të egër…
Në mbrëmje, unë dhe Ramadan Avdiu ishim të fundit që mbërritëm atje. Aty pothuajse të gjithë të pranishmit i njihja dhe më njihnin…
Mbledhja Konsultative zgjati tërë natën dhe të nesërmen gjerë në mbrëmje, me një pauzë të vogël gjumi…
U diskutua për të gjitha çështjet!
Mbledhja i shpalli të pavlevshme të gjitha vendimet e Mbledhjes së Tretë të Përgjithshme!
Mbledhjes ngjyrë dhe jehonë me diskutimet e tyre, i dhanë: Xhavit Haziri dhe Behajdin Allaqi.
Nga të gjithë ne, më së shumti foli, analizoi, diskutoi dhe propozoi Behajdini… Nga diskutimet dhe ndërhyrjet e Behajdinit mund të veçohen:
– organizimi i mirëfilltë i Organizatës dhe
– Liria!
Gjatë diskutimit, Behajdini fliste për realitetin e shoqërisë sonë gjatë epokave historike. Ai kur diskutonte ishte i sigurt në opinionin e tij.
Me një fjalë diskutimi i tij kryesor u fokusua në situatën nëpër të cilën po kalonte Kosova përgjithësisht, dhe rolin e organizatës në përballimin e kësaj gjendje në veçanti. Ai i inspiruar nga një teori e përgjithëshme bëri një analizë reale të situatës.
Në fund të punimeve Mbledhja Konsultative mori vendimet,
që;
– të organizohet dhe Riorganizohet LPRK-ja,
– të formohet një Këshill, i cili do t’i vizitoj të gjitha Rrethet dhe celulat ekzistuese dhe pas gjithë kësaj,
– të shkohet në Mbledhje të Katërt të Përgjithëshme…
U bënë propozimet për Këshillin e Organizimit dhe Riorganizimit…
U propozua edhe Behajdin Allaqi dhe mbledhja e miratoi këtë propozim…
Dhe këtu ndodhi një gjë e papritur, s’paku për mua…
Pjesëmarrësi në mbledhje H.TH (Hashim Thaçi), i cili tërë kohën kishte heshtur (as edhe një herë s’kishte diskutuar), e kërkoj fjalën! Dhe kur e mori fjalën, e sulmoi Behajdinin me fjalët më të rënda… Ai kërkoi nga pjesëmarrësit, që të mos zgjedhet në Këshill një njeri (duke aluduar në Behajdinin) i cili ka lidhje me UDB’ën, një njeri i cili në Këshillin e tij e ka të anëtarësuar një Shaban Sh., i cili qenka njeri i sigurimit serb!
“Si mundet një njeri që është i dyshimtë, të zgjedhet në organe të Lëvizjes?” – pyeti ai.
Për mua personalisht ndërhyrja e tij ishte dogmatike, dalluese si e shtyrë nga dikush tjetër, e që tingëlloj si eleminuese dhe shpifëse.
Ne të tjerët heshtëm karshi akuzës që po dëgjonim…
Behajdini më vonë bëri një “autokritik”, duke u shfajësuar që atë iks -ypsylon personin, e kishte anëtarësuar në Lëvizje, me rekomandim të shokëve dhe se ai, nuk kishte mundësi të dinte se cili ishte i infiltruar… Vlen të theksohet që personi me emrin Sh.Sh., kishte qenë pjesëmarrës i Mbledhjës së Tretë të Përgjjithëshme, që u mbajt në Ujëmir të Klinës…
Unë personalisht asgjë – as një pikë e presje, – nga ajo që u tha për Behajdinin – aty për aty – nuk e besova.
Behajdini u tërhoqë si anëtar i propozuar për Këshill të Organizimit dhe Riorganizimit të LPRK-ës, Këshill që merrte për obligim, të caktonte delegatët për Mbledhjen e katërt të Përgjithëshme, dhe në vend të tij, për befasinë time, u propozua pikërisht Personi “H.TH”, që e sulmoj Behajdinin si të “dyshimtë”!!!
(Në Kollare nuk ishte kjo zënka e vetme… Më herët, gjatë punimeve të natës së parë edhe Ahmet Haxhiu bëri një sërë kritikash në adresë të “shokëve” të LPRK-ës, dega jashtë vendit, dhe herë-herë situata në mes tij dhe atyre që kishin ardhë nga mërgata acarohej dukshëm!)
Mbledhja përfundoj dhe Këshilli mori për detyrë që të sqaronte punën e Behajdinit dhe të infiltruarin Shaban Sh. (siç u tha) në radhët e LPRK-ës për Prizren… Meqë në atë Këshill ishte H.TH., i cili akuzoj rëndë Behajdinin, më thoshte mendja që nuk do t’ketë sqarim të drejtë dhe real… Kurrë më parë dhe as më vonë nuk është dhënë një sqarim, nga këta të Këshillit, për akuzat drejtuar në adresë të Behajdinit. Kam menduar që në Mbledhjen e katërt do të kemi një raport, por një gjë e tillë nuk ndodhi…
***
Në Mbledhjen e Katërt të Përgjithëshme që u mbajt në Prishtinë (më 26 – 27 korrik 1993), e ku u morë vendimi për Formimin e Ushtrisë, që të kalohet në aksione të armatosura dhe të shkurtohet emërtimi i LPRK’së në LPK, Behajdin Allaqi nuk mori pjesë, dhe kjo më kishte befasuar asokohe… Jo vetëm Behajdini por, në Mbledhje nuk ishte asnjë delegatë i rajonit të Prizrenit…
***
Isha në redaksinë e “Zërit të Kosovës”, në Aarau të Zvicrës, disa vite më vonë (në vitin 1998) kur, fillimisht mora lajmin se, Behajdin Allaqi ishte “arrestuar”!
Një gjë e tillë më kishte befasuar!
S’mund ta besoja!
Pastaj ndodhi befasia tjetër.
U tha: “Jo nuk ishte arrestuar por, është vrarë në betejë me armikun”!
Nuk dija – cilin lajm të besoja?!
Për mua, si nga lajmi i parë si nga i dyti, Behajdinin e nxirrja si dëshmor kombi, ngase si të tillë e njihja!
Fillova të mendoj, se mosmarrëveshjet e Mbledhjes së Kollares (prill 1993) nuk ishin sçaruar deri në fund, dhe këtu kemi sërish të bëjmë me një viktimë!
Rënja e Behajdinit në luftë me armikun ishte e pritur! Nuk mund të ndodhte ndryshe!
Ndërkaq rënja e tij në luftë me armikun e brendshëm nuk duhej të ndodhte!
***
Në një takim në Arau të Zvicrës (në lokalet e Redaksisë “Zëri i Kosovës”) kur po bënim përpjekje që të shpëtonim LPK-ën, nga atentati që po i bënin pikërishtë njerëzit e saj, nuk u përmbajta, dhe shpërtheva: shokëve që ishin aty, R.A., J.S. dhe dy a tre të tjerëve, ju thash aty për aty – një të vërtetë timen – për fundin e këtij shoku (Behajdinit)…
Në Mbledhjen e Përgjithëshme të LPK-ës, në vitin 1998, ku u kontrabanduan delegatë, pa të drejtë pjesëmarrjeje, u zgjodhë një Kryesi prej 7 vetash dhe për befasin e të gjithëve, e sidomos të “veteranëve të LPK-ës” si Kryetar u zgjodhë Bedri Islami, një njeri që nuk kishte më shumë se dy a tre vite që ishte bërë anëtar i LPK-ës.
Kjo ishte goditja e parë që iu dha organizatës.
Atentati i dytë ndodhi me Fondin “Vendlindja Thërret”!
Kryesia e LPK-ës, kjo e “zgjedhura” (lexo dhe kupto: e vetëzgjedhura) lëshon një letër qarkore për Këshillat e rretheve të LPK-ës, për Degët e saja anembanë Europës, me të cilën njoftohet anëtarësia se: Është formuar një Këshill i ri në kuadër të LPK-ës, për Fondin Vendlindja Thërret… Në atë letër ishin publikuar emrat e 15 personave, të cilët ishin caktuar si përgjegjës për Fondin “VTH”. Pjesa dërmuese e tyre s’ishin anëtarë të LPK-së, dhe e keqja më e madhe qëndronte në faktin se, aty figuronin emrat e atyre që kishin propaganduar kundër Fondit “Vendlindja Thërret” dhe ishin aktivistë e udhëheqës të Lidhjes Demoktarike të Kosovës – dega në Zvicër.
Në fund shkruante:
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Anëtarësia e devotshme e LPK-ës, nuk mund ta besonte një gjë të tillë… Ishte e qartë se kishim të bënim me një manipulim të radhës, ngase Shtabi s’kishte mundësi t’i emëronte ata 15 vetë, e aqë më parë të emëronte në krye të Fondit (në Këshill) aktivistë të LDK-ës…

***
Në Mbledhjen e Madhe, ku na vunë para aktit të kryer me Fondin “V.TH”, që ia morën LPK-ës dhe ua dhanë atyre që donin ta vrisnin LPK-ën, nuk durova më, shpërtheva ndaj të gjithëve…
Meqë Këshillat e Rretheve të LPK-ës ishin “rebeluar” dhe kishin kërkuar shkarkimin e këtij Këshilli dhe dorëheqjen e Kryesisë së LPK-ës, u thirrë një mbledhje sqaruese për këtë çështje…
Jashar Salihu në zyrat e LPK-ës më thotë se, ishte i befasuar me këtë veprim dhe se çdo gjë kishte ndodhur pa dijenin e tij…
Vlenë të theksohet që: Këshilli i Rrethit të LPK-ës për Gllatbrug, Cyrih, Rapersvil dhe Jona, ditë më parë ishin bashkuar në një Këshill dhe kishin zgjedhur një Kryesi të Fondit dhe të LPK-ës…
Ky Këshill, i fuzionuar nga katër Këshilla në një, kërkon takim urgjent me strukturat udhëheqëse, si të fondit ashtu dhe të organizatës.
Atentatorët e largimit të LPK-ës nga skena, kishin organizuar edhe një atentat ndaj zyrave të LPK-ës në Cyrih,… Ata kishin hyrë me armë në zyrat e saj,dhe kanë kërcënuar,”nëse e përmendni LPK-ën do t’ju vrasim të gjithëve!”. Pra, aty janë nxjerrë armët por,për fat të mirë nuk kanë shkrepur.
Dhe, gjerë sa prisnim të vinin të deleguarit në Arau, ku duhej të mbahej mbledhja sqaruese, rreth emërimit të Këshillit të ri të Fondit Vendlindja Thërret, në zyrë, ishte Jashari, Dani, Muharremi dhe disa të tjerë. Meqë ditë më parë, nuk ma kishin mbushur mendjen që t’i përkrahja në synimet e tyre,apo më mirë me thënë, meqë nuk mundën t’më blenin me “premtimin për një funksion” (merreni me mend funksion në kushte lufte) u nxe debati, sidomos rreth fuzionimit të katër Këshillave të rrethit, me një Kryesi, si për Fondin ashtu edhe për LPK-ën, të Kantonit të Cyrihut…
***
Me këtë rast spontanisht u bisedua edhe për rastin e Behajdin Allaqit… Meqë isha i mllefosur pa masë, gjerë sa dëgjoja tek flisnin dhe jepnin sqarime dogmatike, shpërtheva duke u thënë:
“Ju e keni vrarë Behajdinin!”
“Ke kujdes se, çka po flet Fatmir”, – më tha Jashari.
“Kush na?”, – më pyeti Bejta.
“Lëreni këto gjëra, sepse mua s’më manipuloni dot. Ju e dini, që unë i di akuzat që iu kanë bërë atij (Behajdinit) në Mbledhjen Konsultative (në Kollare – prill 1993) !”
Disa javë më vonë, M.Elshani më thotë: “Ke qenë i guximshëm kur ua the atë gjë, dhe ta dishë që kanë mundur me të vra…”
Hymë në Mbledhje, dhe u fjalosa skajshmërisht më Jashar Salihun, i cili nuk kishte treguar shumë vigjilencë, që të mos rrëshqiste Fondi në duar të gabuar…
“Më kanë vu para aktit të kryer”, – tha Jashari dhe filloi t’i mikloj flokët me forcë nga sikleti.
Kot!
Koha tregoj që ishin akuza koti!
Pse po them koti?
Sepse “atentatorët” ndaj Fondit V.TH dhe ata të Kryesisë së LPK-ës, të zgjedhur në rrethana jonormale, ngadhnjyen si ndajë fondit, ashtu edhe ndaj LPK-ës.
Të njëjtit pas lufte, (pra atentatorët), asnjëherë s’e kanë përmendur të qenit e tyre si pjesëtarë të LPK-ës…
E kishin ndarë mendjen që LPK-ën, ta izolonin!
Dhe LPK-ja që nga maji i vitit 1998, e tutje vepronte si e izoluar.
Për më tepër, që nga viti 1998 LPK-ja nuk merrë asnjë përgjegjësi për Fondin “Vendlindja Thërret”, ngaqë ajo nuk e kishte më në menaxhim!
***
Edhe një fakt për Behajdin Allaqin!
Më vonë në redaksinë e “Zërit të Kosovës” erdhi një Komunikatë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-ës (Komunikata nr.61, datë 31.10.1998), me 53 emra të atyre që ato ditë kishin rënë nëpër beteja anë e mbanë Kosovës, e të cilët ishin shpallë dëshmorë!
Në mesin e tyre ishte edhe emri i Behajdin Allaqit!

Dhe për çudi!
Gjerë sa eshtrat e të gjithë dëshmorëve të Kosovës janë gjetur, ato të Behajdin Allaqit, ende edhe sot e kësaj dite nuk gjinden! Andaj me të drejt familjarët e tij dhe gjithë veprimtarët e devotshëm, kërkojnë eshtrat dhe një varr, ku mund t’i përkulen Behajdin Allaqit!
Fatmir Brajshori, Cyrih më 17. 03. 2016
***

Behajdin Allaqi (7 prill 1963 – ?. ?. 1998)

*  *  *

EDHE UNË, E DUA NJË VARR!
(Kushtuar Behajdin Allaqit)
Toka është një pjesë e vogël e jetës
E unë nuk dua të marrë përpjetë përrenjtë
Si një hymnë në këngën time
Sepse dua të kem, një varr,
dhe kujtohuni për këtë gjë, të gjithë JU
kur jeni duke qajtur të vdekurit tuaj!
Edhe unë e dua një varr o njerëz të mirë!
Kur të kem ditëlindjen time, të më sjellin urimin,
Kur biri im të bëj diplomimin të më merr bekimin,
E vajza nuse t’më bëhet – me vello të bardhë,
Këtu është guri i varrit të gjyshit, t’u thotë fëmijëve.
Po si t’bëhet kjo gjë, kur unë s’kam një varr?
Unë ç’faj bëra që u linda tok me grurët
Dhe nga asgjëja s‘më tutej syri:
Meqë vrasja dhe tortura
Vetëm sa imitojnë natyrën.
Në një anë të medales, viktimë
teksa në anën tjetër privilegj.
Po ju pse s’më bëtë një varr?
Ku janë eshtrat më thoni,
Mua luftëtarit të robërisë dhe shtypjes,
I barta ato eshtra, me ideologjinë e revolucionit,
Për t’kërkuar një copë lirie për JU,
Ani pse sot akoma se kam një varr!
Një shigjetë mbi mur qëndron,
E një tjetër mbi ata që më qëlluan.
Mos u dridhni sepse unë sërish fal
Po më kthyet eshtrat që mi morët
Sepse ato i do, shoqja, biri, vajza e motra,
Që në pashkë dhe Bajram, lule t’hedhin.
Sall ma bëni edhe mua një Varr!
Sepse unë kam vendos që t’ju fal!
(Cyrih – 16 mars 2016)

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura