MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (74)

Pashtriku, 25 shtator 2020: 8.1.14 Pjesë nga artikulli “Përpara drejt fitores!”, botuar te “Liria”
“…Gjendja e rëndë dhe e padurueshme e krijuar në Kosovë, sidomos këta muajt e fundit, nga dhuna e terrori shovinist, shtypja kombëtare e shoqërore dhe shfrytëzimi i egër kolonial, represioni fashist e persekutimi në masë gjithnjë në shkallëzim, kanë bërë të domosdoshme nevojën e organizimit të një rezistence të fuqishme popullore kundër këtyre valëve të tërbuara shoveno-fashiste e të vazhdimit dhe intensifikimit të luftës për të drejtat tona të mohuara me zjarr e barot dhjetëra vite me radhë nga revizionistët barbarë të Beogradit…
…Ata menduan se me një sulm të rrufeshëm, të egër dhe të gjithanshëm mbi Kosovën, të planifikuar me kohë nga Rankoviqi dhe klika e tij në pushtet, do të na frikësonin dhe të na nënshtronin shpejt. Kështu do të krijohej një terren i lirë për të realizuar në Kosovë politikën shoviniste të Çubriloviqit e të Rankoviqit me shokë, që janë bërë sot qëllime jetësore të pasuesve të tyre, klikës serbe në Beograd. Këto qëllime të bijve të sotëm të Karagjorgjeviqëve nuk janë më sekrete për askënd në botë, ata i kanë nxjerrë ato sheshit, me bisht e me brirë, duke treguar hapur se duan të na i marrin edhe ato pak të drejta që fituam me gjak, duan ta fusin Kosovën në një sundim edhe më të egër, ta shtypin e ta shfrytëzojnë barbarisht, ta shndërrojnë atë përjetësisht në një tokë serbe, ta zhdukin gjuhën, kulturën, artin, letërsinë, këngët, simbolet tona kombëtare, të na bëjnë të harrojmë historinë tonë të lavdishme dhe të na i shkelin e poshtërojnë, të na i fashitin njëherë e përgjithmonë ndjenjat tona të zjarrta e të pashuara të lirisë dhe patriotizmit, idealet tona të shenjta…
…Bëjmë thirrje që lufta për të drejtat tona të ligjshme, lufta kundër masave të egra shoviniste antishqiptare të organizohet me guxim e heroizëm, të rritet e zgjerohet dhe të vazhdohet me vendosmëri deri në realizimin e plotë të kërkesave tona të drejta. Rruga e rezistencës, e luftës së vendosur, është rruga e vetme e shpëtimit, rruga e vetme e fitores, rruga e vetme e realizimit të të drejtave tona…
…Në të vërtetë, i gjithë populli ishte në demonstrata dhe s’kishte si të hiqte dorë nga kërkesat e veta. Të diferencuar nga kërkesat tona, nga populli, mbetën vetëm një grusht tradhtarësh të mjerë shqiptarë, që me kohë kanë qenë kundër popullit dhe interesave të tij…
…As plumbat, as tanket e aeroplanët, as dhuna e terrori, as presioni e torturat, sado të egra qofshin, nuk mund të na nënshtrojnë kurrë.
…Në demonstratat masive të pranverës së përgjakshme të këtij viti, bashkimi i radhëve të punëtorëve, lidhja e gjokseve tuaja si një barrikadë e pashpërthyer çeliku i tmerroi armiqtë. Ngjarjet e përgjakshme të marsit dhe prillit në Kosovë, ishin një provë e vështirë, por, shumë e suksesshme, e bashkimit jo vetëm e klasës punëtore por e të gjithë popullit në rezistencën e përbashkët për interesat tona të përbashkëta…
…Por, që të arrijë këtë, ajo duhet të jetë e organizuar më mirë dhe e bashkuar si një trup i vetëm. Prandaj, ne i bëjmë thirrje gjithë klasës punëtore të Kosovës që t’i organizojë radhët e veta në çdo ndërmarrje, në çdo repart, në çdo brigadë e njësi punonjëse, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të saj nëpërmjet luftës së përditshme klasore, të zhvillimit të vazhdueshëm të kësaj lufte për kërkesa ekonomike e politike. Të lidhemi me besa-besë me njëri-tjetrin që bashkërisht, të mbrohemi dhe të luftojmë për të drejtat tona…

Fshatarë të Kosovës,

Kërkesa e të gjithë popullit tonë për republikë, është kërkesa për shpëtimin tonë nga sundimi i egër shovinist serb, i cili në bashkëpunim me shovinizmin malazez dhe maqedonas, shtyp dhe shfrytëzon dhe vëllezërit tanë në Maqedoni e Mal të Zi, është kërkesë kundër grabitjes së pasurive të tokës sonë, për të cilën fshatari patriot shqiptar ka luftuar me shekuj, është kërkesë kundër rrëmbimit të drithit dhe të arave tona, bukës sonë, bagëtive tona. Është kërkesë për një jetë më të mirë e më të lirë, për shkolla shqipe, për kulturën tonë, për rrugë e ambulanca në fshatrat tona, kërkesë për zhdukjen e varfërisë së mjerueshme dhe kurbetit të hidhur, papunësisë e analfabetizmit, kërkesë për të qenë zotë në trojet tona. Bashkë me bijat dhe bijtë tuaj, me punëtorët, studentët me nxënësit e intelektualët, me këto kërkesa në gojë dhe në zemrat që ndizeshin flakë, u derdhët edhe ju rrugëve e shesheve të Kosovës, u gjakosët me heroizëm me xhelatët fashistë…
…Cili fshatar i ndershëm shqiptar duron t’i shahen në sytë e tij bijtë e bijat që ranë në fushën e nderit, në ngjarjet heroike të marsit dhe prillit, t’i shahen e t’i njollosen ata mijëra bij e bija që po dergjen burgjeve të errëta, t’i shahet e njolloset vetë lufta e popullit tonë për të drejtat e tij të ligjshme, t’i shahet historia e tij, kultura, gjuha, flamuri e nëna shqiptare? A ka më të tmerrshme e më të rëndë për fshatarin tonë të ndershëm e patriot, me dinjitet burri shqiptar, sesa të poshtërohet ditë e natë, të bastiset e kontrollohet nga banditët shovinistë dhe t’i shkelet nderi i shtëpisë dhe i kombit?
…Është mjaft domethënës për armiqtë tanë fakti se që me 1 e 2 prill, kur shpërthyen demonstratat e mëdha popullore, dhjetëra familje shqiptare, të gjakosura më parë mes veti, falën gjaqet dhe u përqafuan vëllazërisht për interesin e përgjithshëm, për hir të bashkimit. Ky nuk ishte një fenomen, por një proces që po vazhdon edhe sot. Ne përshëndesim nga zemra këto familje dhe thërrasim të gjitha familjet e tjera që akoma janë në hasmëri, të veprojnë sipas këtyre shembujve të trimërisë së vërtetë. Apo të marrim një fakt tjetër: Vëllezërit tanë në kurbet të hidhur, kudo që u ndodhën, me të dëgjuar ç’ndodhi në Kosovë, u hodhën edhe ata në demonstratat e shumta dhe në protesta, duke u bashkuar kështu me luftën tonë të drejtë. Edhe larg Kosovës ata jetojnë me Kosovën dhe për Kosovën e tyre të shtrenjtë…

Rini punëtore, fshatare, shkollore e studenteske e Kosovës trime, rini e barrikadave dhe e aksioneve heroike revolucionare,

ti i vure gjoksin e para tiranëve shtypës e gjakatarë, ti e para derdhe gjakun rinor në përleshjet e përgjakshme me armikun. Dhjetëra vite me radhë armiqtë u munduan, me çdo mjet e me çdo formë, të të degjenerojnë, të të fusin në një jetë të shthurur, pa ideale e pa kuptim, por ti ruajte me besnikëri traditën e të parëve, trimërinë e baballarëve, idealin e aspiratat e popullit që të lindi, dhe në ngjarjet e fundit shembe për tokë gjithë ato përpjekje të ethshme e të vazhdueshme të armikut kundër teje, i tregove gjithë botës se në Kosovë po rritet e ngrihet një rini e madhe, e fortë, e bashkuar, trime dhe e vendosur, që nuk do ta durojnë më shtypjen dhe robërinë. Ja për se, shovinistët e tërbuar kanë drejtuar pikërisht kundër rinisë gjithë atë forcë sulmesh barbare. Ata vranë e plagosën qindra të rinj, arrestuan mijëra të tjerë, që ta frikësojnë rininë tonë, mbyllën Universitetin dhe shkollat, arrestuan dhe përjashtuan nga puna arsimtarët patriotë e revolucionarë shqiptarë kudo në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, zvogëluan numrin e nxënësve e të studentëve duke lënë në rrugë mijëra djem e vajza shkollare, na ndanë nga profesorët e dashur të Universitetit të Tiranës për t’i zëvendësuar ata me serbomëdhenj nga Nishi, dhe tani po bëjnë plane për shkapërderdhjen e Universitetit tonë dhe për largimin e studentëve shqiptarë edhe nëpër universitete jugosllave dhe, më në fund, ndryshimin e të gjitha planprogrameve mësimore, duke filluar nga klasat më të ulëta të shkollës fillore e deri te universiteti, duke hequr prej tyre edhe ato pak elemente që mund t’i edukonin të rinjtë tanë me ndjenjën kombëtare e patriotike shqiptare .

Studentë e nxënës,

protestoni në mënyrë të organizuar dhe me forcë kundër organeve qeveritare që duan të lënë rrugëve, jashtë universitetit e shkollave shokët tuaj!
Kërkoni me këmbëngulje qe të kthehen në radhët tuaja shokët dhe shoqet e përjashtuar nga shkollat dhe fakultetet!
Kërkoni që t’u lejohet vazhdimi i studimeve në gjuhën shqipe vëllezërve tanë nga Maqedonia, Serbia e Mali i Zi!
Protestoni kundër ndjekjes e persekutimit që po ushtrohet ndaj studentëve, nxënësve e profesorëve të ndershëm!
Protestoni kundër hallakatjes e shkapërderdhjes së Universitetit dhe studentëve!
Protestoni kundër censurës shoviniste në planprogramet mësimore, në historinë tonë kombëtare, gjuhën, letërsinë ë kulturën tonë !
Kërkoni që profesorët nga Universiteti shtetëror i Tiranës të vazhdojnë ligjëratat në universitetin tonë!
Vazhdoni kërkesat tuaja të drejta për kushte shkollimi e studimi!
Organizoni në fakultete e shkolla shokë e shoqe më besnikë, të vendosur për të luftuar me çdo sakrificë për të drejtat tuaja, për t’u bashkuar me luftën e të gjithë popullit për të drejta e liri!
Vetëm kështu mund të quhemi bij e bija të popullit tonë trim e patriot, që na lindi e na rriti, na edukoi e kaliti si thesarin tij më të çmuar, lulen e tij më të bukur, si trima e heronj, luftëtarë të lavdishëm të betejave revolucionare.
Nuk ka mjet as metodë degjenerimi, dhune e terrori, demagogji e mashtrim që mund ta largojë rininë tonë nga rruga e luftës për të drejta të ligjshme të popullit tonë…

Gra dhe vajza heroike të Kosovës,

asnjëherë në historinë e Kosovës nuk është parë një pjesëmarrje aktive kaq e gjerë e gruas shqiptare në lëvizjet popullore si kjo në ngjarjet e fundit historike të popullit tonë të robëruar…
Ju, nëna të dashura, që u ndatë nga bijtë e bijat tuaja të pavdekshme, nuk keni mbetur të vetmuara. Ju keni sot qindra mijëra djem e vajza të popullit, që ju thërrasin nënë, ju keni dashurinë dhe respektin e gjithë popullit tonë patriot e luftarak, i cili përulet para bijave dhe bijve tuaj, duke thirrur :”Lavdi e përjetshme dëshmorëve të lirisë !”
…I gjithë populli shqiptar në Jugosllavi shtypet e shfrytëzohet, por akoma më shumë gruaja shqiptare, e cila nuk ka pothuajse asnjë të drejtë në jetën shoqërore, politike e ekonomike. Sistemi revizionist dhe zakonet e egra prapanike, që ruhen nga ai të gjalla, kanë bërë që gratë të lidhen në pranga vetëm në rritjen e fëmijëve dhe të mbyllura në burgun shtëpiak, në një errësirë e prapambeturi mesjetare. Pa luftë e përpjekje nuk mund të dilet nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhet sot gruaja shqiptare në Kosovë dhe në viset e tjera të banuara me shqiptarë.

Intelektualë patriotë e revolucionarë,

si bij besnikë të popullit, nga gjiri i të cilit keni dalë, juve u bie një barrë e rëndë dhe e vështire e luftës dhe përpjekjeve të popullit tonë të shumëvuajtur për të drejta e liri.
Mijëra intelektualë patriotë e revolucionarë shqiptarë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Serbi, mësues, arsimtarë, profesorë, nëpunës, mjekë, artistë, shkrimtarë, këngëtarë e punëtorë të shquar të shkencës e kulturës e kanë kuptuar drejt detyrën e tyre dhe me vetëmohim janë bërë shërbëtorë të denjë të popullit, të interesave të tij të mëdha.
Armiku ynë barbar e ka vënë në shënjestër inteligjencën tonë popullore e revolucionare, duke përdorur mjete dhune, terrori e presioni kundër saj, kulturën, shkencën, gjuhën, letërsinë, historinë tonë të lashtë, duke zbatuar kundër tyre një inkuizicion të tmerrshëm shovinist.
Por, ne do t’i mbrojmë ato me guxim. Gjuha e kultura jonë u kanë rezistuar shekujve plot rrebeshe, aq më pak sot ato mund të sakatohen e të zhduken.
Prishjet e kontratave të lidhjeve tona me Shqipërinë, në fushën e kulturës, arsimit, shkencës etj., nuk mund t’i shembin kurrë lidhjet tona të zemrës më Shqipërinë.
Censura e egër shoviniste ndaj krijimtarisë letrare e artistike, shkencore, publicistike etj., që është vendosur në Kosovë, nuk mund t’ua mbyll gojën intelektualëve revolucionarë të Kosovës. Ashtu sikurse librat nga Shqipëria që po qarkullojnë ilegalisht në Kosovë, edhe ato të shkruara nga autorët kosovarë, jashtë censurës, do të qarkullojnë fshehurazi dorë më dorë. Kështu na kanë mësuar intelektualët patriotë të Rilindjes sonë kombëtare.
Shfrytëzoni të gjitha format dhe mundësit në veprimtarinë tuaj krijues shkencore, kulturore, arsimore, edukative, letrare e artistike…;
Edukoni fëmijët, rininë dhe popullin në frymë patriotike, kudo që të veproni, pa përfillur presionin e egër shovinist;
Luftoni bashkë me popullin për të drejtat e tij, për një jetë të tij të lirë.
Luftoni për të drejtën e fjalës e të shtypit, për krijimtari pa censurë të egër shoviniste…
Popull shqiptar i Maqedonisë, i Serbisë dhe Malit të Zi, Republika shqiptare në Federatën jugosllave, që do të përfshinte në vete të gjitha viset shqiptare në Kosovë, Maqedoni Serbi, e Mali të Zi, do të ishte njësoj si Republika Serbe, Kroate, Maqedonase, Malazeze etj. Kërkesa e shqiptarëve në Jugosllavi për Republikë nuk ka asgjë nacionaliste e shoviniste, por është kërkesë për një të drejtë kombëtare që do të duhej ta kishim me kohë. Kërkesa jonë për Republikë nuk do të thotë aspak dëbim për pakicat serbe, malazeze dhe maqedonase, siç na akuzojnë shovinistët.
Shovinistët revizionistë jugosllavë padrejtësisht na kanë copëtuar ne shqiptarët, që jemi një popull i vetëm me truall unik e të pandashëm. Asnjë popull në Jugosllavi, shumë prej të cilëve janë më të vegjël se yni, nuk është ndarë e copëtuar kështu .
Edhe shqiptarët e Maqedonisë, Serbisë, dhe Malit të Zi, gjatë gjithë sundimit revizionist në Jugosllavi, i janë ekspozuar një shtypjeje të egër shoviniste, gjenocidit në masë dhe shfrytëzimit barbar, duke qenë të detyruar shpeshherë të lënë edhe vatrat e tyre njëherë e përgjithmonë, për të marrë në sy rrugët e botës, si refugjatë të përjetshëm.
Sot, kur i gjithë populli ynë i shtypur e i sunduar u ngrit në këmbë, shovinistët, si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, po ushtrojnë një dhunë e presion fashist të pa paparë. Edhe ato pak të drejta elementare që kishin shqiptarët e këtyre viseve, tash po u hiqen nga shovinistët barbar.
Por ne do të vazhdojmë të gjithë së bashku luftën për të drejtat tona të ligjshme, deri në realizimin e plotë të tyre…
Popull serb e malazez në Kosovë,

armiku ynë i përbashkët po mundohet t’i gënjejë popujt e Jugosllavisë se gjoja shqiptarët janë ngritur në luftë kundër tyre, e jo kundër regjimit shtypës e shfrytëzues të Beogradit, që është edhe armiku i popujve të tjerë në Jugosllavi. Ju, serbët e malazezët e ndershëm në Kosovë, e dini më së miri të vërtetën mbi luftën e popullit shqiptar për të drejtat e tij të ligjshme. Ne nuk duam të luftojmë me asnjë popull të Jugosllavisë, as me popullin serb e as me popullsitë serbe e malazeze në Kosovë. Këtë e dinë armiqtë tanë shovinistë dhe duhet ta dinë dhe të gjithë popujt e Jugosllavisë.
Ne themi se Kosova shtypet e shfrytëzohet nga klika shoviniste serbe e Beogradit, kurse nga revizionistët jugosllavë shtypet dhe shfrytëzohet jo vetëm populli shqiptar, por edhe ai serbo-malazez në Kosovë, sepse nuk i shfrytëzojnë vetë pasuritë e vendit ku jetojnë, nuk i gëzojnë as të drejtat e tyre të ‘garantuara’ me kushtetutë.
Popullit të ndershëm serb dhe popujve të tjerë jugosllavë nuk u vjen asnjë e mirë nga ky trajtim i Kosovës dhe popullsisë shqiptare, serbe, malazeze etj., që jetojnë në të.
Lufta për të drejtat e Kosovës, lufta e saj për shkëputje nga vargonjtë shtypës dhe shfrytëzues, është për të drejtat e serbëve dhe të malazezve në Kosovë, është edhe në të mirë të tyre, sepse edhe ata jetojnë në varfëri, nga e cila shpesh detyrohen të ikin, duke braktisur Kosovën. Ky dhe vetëm ky është ai ‘presioni shovinist’ që ka bërë të shpërngulen familjet serbo-malazeze nga Kosova. Por, nga ky ‘presion’ i kanë braktisur vatrat e veta akoma më shumë familje shqiptare. Ky fakt është tashmë i njohur prej të gjithëve.
Klika shoviniste serbe në Beograd dhe shërbëtorët e saj serbë në Kosovë, nuk mund të jenë mbrojtës të interesave të popullit serb, ashtu sikurse nuk është dhe nuk mund të jetë mbrojtëse e interesave të popullit shqiptar klika tradhtare shqiptare…
Populli serb duhet ta dijë se agresioni eventual sovjetik në Jugosllavi, Shqipëri e gjetkë, do të sillte një robërim të egër edhe për vetë serbët. Mjafton të përkujtojmë Çekosllovakinë dhe Afganistanin…
Nevoja e organizimit të të gjitha forcave popullore në një front të vetëm për t’ u bërë ballë këtyre stuhive të tërbuara është bërë nevojë dite dhe krejt e domosdoshme…
Të punojmë me popullin, duke u lidhur ngushtë me të, që bashkë me popullin e në ballë të tij, të luftojmë për të drejtat e tij, lirinë e popullit!
Lufta e popullit tonë është e drejtë dhe e ligjshme. Atë po e përkrah sot gjithë opinioni përparimtar ndërkombëtar. Luftë pa sakrifica nuk ka”.
VIJON…
________________
MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (73)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10540

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura