FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (IV)

Cyrih, 15. 01. 2017: «Situata politike në Kosovë është shumë eksplozive. Mendoj se në asnjë orë, në tre katër muajt e fundit situata nuk ka qenë më eksplozive dhe më e volitshme se sa tash, për të organizuar protesta masive të popullit tonë.» (Afrim Zhitia)
U bënë tetë ditë që pandërprerë, populli ynë në Kosovë, duarthatë, por sypatrembur po bënë demonstrata, greva, bojkotime e sabotime kundër pushtuesve dhe tradhtarëve.
Në Prishtinë, në Podujevë, në Ferizaj, në Gjilan, në Lipjan, në Mitrovicë, e qytete të tjera të Kosovës, tash tetë ditë, populli ynë është vë në lëvizje, si kurrë më parë. Sa shpërthen demonstratë në një anë, sa në anën tjetër apo njëherazi në shumë lagje të të njëjtit qytet si dhe në shumë qytete të Kosovës, njëherësh.
Këto veprime të guximshme të popullit tonë në kohën kur pushtuesit kanë vendosur gjendje të jashtëzakonshme, e kanë hutuar dhe po e tmerrojnë atë. Andaj ai ka rritur reprezaljet.
Trupat pushtuese më 1 nëntor, në Prishtinë, vranë Bedri Sokolin( 27), plagosën me dhjetëra dhe burgosën me qindra veta…
Rrëfimi im i Njëmbëdhjetë
Pasi që militantët e radhëve të organizuara të LPRK-ës, bënë shpërndarjen e Traktit s’bashku me Librat dhe «Pararojën», të futura në zarfe, dhe, atë me suksesin më të plotë, materialet që kishin mbetur, jo traktet, ngaqë ato ishin shpërndarë të tëra (13.500 ekzemplarë), por librat, u vendos që ato t’i strehonim, në një bazë të veçantë… Një natë para se të fillonim me demonstratat, për të cilat nuk e dinim, nëse do t’mbahen ngaqë në marsin e vitit 1989, policia reagoj mjaftë dhunshëm, ku vrau më shumë se 30 veta dhe popullata mund të ndjehej e frikësuar, shokët na ngarkuan, mua dhe Fahri Fazliun, që ato t’i bartim nga baza qendrore, në bazë periferike.
Unë mora makinën e babait tim Reno4 dhe s’bashku me Bejtën, shkuam në bazën tonë qendrore. Fahriu erdhi pak më vonë dhe na gjeti, duke bartur materialet, e të cilat i fusnim me kujdes, në makinë. Kur, e kryem punën, hypëm na makinë dhe në ulësen e parë, u ul Fahriu, me pushkën automatike A47, e cila në kondak e kishte të gravuar «Kosova Republikë», që në rast se; do të ndaleshim nga policia, të shtiejmë në ta dhe në këtë mënyrë, të mos biem në dorë të gjallë… Unë e ngisja makinën edhe pse nuk kisha fare leje për ngasje.
Bejta, tha, se do të shkonte tek shtëpia ime, për të pritur… Nëse, unë do të kthehesha, në shtëpi, do ishte shenjë që aksioni i largimit të materialeve ishte kryer me sukses. Kur mbërritëm tek vendi, ku duhet të zbarkonim shumë materiale, vërejta që, banesa ku duhet të fusnim materialet nuk ishte shumë e përshtatshme, ngaqë mund të vëreheshim, dhe, i propozova Fahriut, që të heqim dorë për zbarkimin, e materialeve në atë vend dhe se idea ime ishte, që ato t’i marr të tërat dhe t’i dërgoj tek shtëpia ime ngaqë ishte shumë më e sigurt, kështu që, edhe ai u dakordua. I thash që «gjerë tek rruga e «Llapit» aty ku puqeshin me rrugën e «Proleterit» kështu quheshin aso kohe) ai do të zbriste dhe rrugën tjetër, do e bëja vet».
Kjo bëhej ngaqë, këtë bazën tjetër se ku ndodhej, e dinin pak veta / Fadili, Bardhyli, R.Avdiu, H. Selimi dhe unë… Edhe pse ishin në kryesin e Këshillit Rajonal, këtë bazë nuk e dinin se ku gjendej Fahriu dhe Avniu… Këta dy shokë të devotshëm, dinin për pjesën e qytetit por jo edhe për lagjen.. E dinin që ishte tek shtëpia ime por jo edhe se ku ndodhej kjo shtëpia ime…
Kur erdhëm tek rruga e Llapit, Fahriu zbriti dhe me shtrëngim grushtesh u ndamë me shpresën, që nesër thirrjes sonë për të demonstruar do t’i përgjigjeshin qytetarët… Automatikun e la aty… pjesën tjetër të rrugës e kalova i vetëm. Kur hyra në lagje dhe po i afrohesha shtëpisë sime, aty afër vërejta një siluet që lëvizte me kujdes. E dija që ishte Bejta që priste që të kthehesha… Kur iu afrova, i thash, që ishte me rrezik t’i zbarkonim materialet, në vendin ku paraprakisht kishte menduar Fahriu ngaqë ishte po thuajse në qendër…
Ishte dakord se kishim vepruar mirë dhe si duhet… Më ndihmoj që materialet t’i largoja nga makina. E bëmë këtë gjë dhe kur ai bëri të largohet, e kërkoj automatikun ta marrë me vete… E pyeta se si ishte Afrimi ngaqë tashmë ai nuk ishte në bazën time… « Atje», më tha. «po e dërgoj automatikun ngaqë u duhet shokëve»…
Ia dhashë dhe papritmas pash, që në ulëse ishte edhe një qese najloni, e cila i takonte Fahriut dhe i cili, kur kishte zbritur, e kishte harruar… E hapa dhe aty mbrenda kishte rrush. Një kilo o ma shumë rrush i zi… Meqë kisha etje dhe zjarmi të mbrendshme sepse nuk ishte thjesht të kaloje nëpër qytet, me të gjithë ato materiale, e mora dhe fillova ta ha atë rrush… Më besoni që kurrë më parë dhe as edhe një herë më vonë, nuk më ka shijuar rrushi më shijshëm, që e kishte blerë Fahriu, se kush e di për kënd dhe i cili ishte shkruar, që ta haja unë…
Kjo ishte hera e fundit që e kisha takuar Fahriun…

Rrëfimi i Njëmbëdhjetë i Nënës
Pasi u largua Afrimi prej shtepis sonë, sa herë kthehej Fatmiri në shtëpi, e pyesja për të dhe ai më thoshte mos u bë merak se mirë është. Njësoj më thoshte edhe Ramadani… Kur filluan demonstratat, ATO ISHIN AQË TË MËDHAJA sa kur bertisnin Kosova Republik dëgjoheshin tek shtepia e jonë… Unë bëhesha merak se, kisha frikë se do t’i vrasin se disa muaj ma heret policiA i kishte vra shumë veta…
E kishin vra Ismetin edhe burri im meqë ai kishte lanë disa fëmij jetima, i dërgonte herë-herë ushqime dhe miell në shtëpi…
Kur në mbrëmje, vonë kthehej djali nga demonstratat, e pyesja se a e ka parë Afrimin dhe ai më thoshte jo se ka parë se kishte shumë popull…
RRËFIMI I DYMBËDHJETË I RRUGËS SË LIRISË
Është e treta herë që populli ynë i pamposhtur, vetëm mbrenda 8 muajve të këtij viti, po hidhet në demonstrata e greva të përgjithshme; është e treta herë që populli ynë heroik, klasa jonë punëtore revolucionare, fshatarsia jonë patriotike, rinia e jonë e kuqe, vetëm brenda 8 muajve të të këtij viti, që hidhen në demonstrata e greva gjithëpopullore; është e treta herë, vetëm brenda këtyre 8 muajve të këtij viti, që Kosova e jonë martire lahet me gjakun e bijve e bijave më të shtrenjtë, që bien heroikisht në fushën e nderit për liri, demokraci e Republikën e Kosovës…
Rrëfimi im i dymbëdhjetë
Më 30 tetor do të duhej të fillonin demonstratat. Askush nga ne, nuk e dinim se si, ku dhe si do t’fillonin… Ishte paraparë koha e mbrëmjes,,, aty nga ora gjashtë, ku do të mbyllej rruga kryesore e qendrës së Prishtinës, me t’filluar korzoja ngaqë numri i qytetarëve, do të ishte shumë më i madh. U nisa me ca shokë të celulës sime: Hakiun, Musën, Ahmetin që të dalim në qytet dhe të gjendemi afër qendrës, që pastaj të tentonim me demonstrimin. Por, kur mbërritem aty tek gjykata, siç i thoshim ne, te « markagjit», dëgjuam një grup të rinjësh që brohorisnin: «Kosova Republik » dhe të cilët aty përballë «Llukmanit» (farashitës) kishin vënë një kontejner, në mes të rrugës… Ishte e qartë që protesta po fillonte…
Iu bashkangjitëm… Por reagimi i policisë ishte i ashpër dhe shumë shpejt na shpërndanë… Nga rrugë anësore arritëm në qendër të qytetit. Aty kalimthi, takova Bardhylin dhe shpejt e shpejt më tha: »vështirë të lëvizin sot qytetarët!»
I tregova që kishte Lëvizje se tek Gjykata, pat një reszistencë dhe një protestë por që policia shumë shpejt e shpërndau..
Ai shumë u entuziazmua…
Shokut që e kishte pranë dëgjova kur i tha «Hej paska pas ma herët protest!»
Pas pak minutash, një grup studentësh, që erdhën nga drejtimi i Menzës dhe u derdhë në qendër, megjithëse korzoja ishte mbushur me policë të uniformuar, papritmas filluan të brohorasin :
«Jo, Jo Serbi nuk do t’jesh perandori» dhe « Jetën e japim Kosovën se japim»…
U bë rrëmujë ngaqë policia hodhi menjëherë gaz-lotsjellës.
Dhe duke protestuar, në ca vende të qytetit, policia duke na larguar, na hodhi në Vranjevc. Ku qytetarët e kësaj lagjeje, me të dëgjuar që në qytet kishte lëvizje, kishin bllokuar rrugën kryesore Prishtinë- Podujevë, kishin vë barrikadat tek vendi i njohur si «Te Sharbanët » dhe te «Vetëshërbimi »…
U mblodhëm të gjithë aty dhe pasi u konsoliduam dhe u bëmë një masë e respektueshme, nëpërmjet «Hanit të Dilit» dhe rrugëve periferike, u bënë ca përpjekje, për të dalë në qendër të qytetit. Por policia, aty tek rruga që shpiente për në «Tophane», te vendi i njohur te «Libraria e Rilindjes», kishin vënë kordonin e hekurt… U bënë ca përpjekje por meqë policët hudhnin sasi të mëdha të gazit lotësjellës- ishte e pamundur për të depërtuar në qendër të qytetit…
Organizatori duke pasur frikë se mund të na ndodhin vrasje, merr vendim që demonstruesit të kthehen të gjithë te «Hani i Dilit» dhe të protestohet aty, pa u konfrontuar me policinë. Arsyeja ishte : gazetarët e vendit por edhe të mediumeve të jashtme (Franspres, Rojter etj) kishin ardhur tek ne, te demonstruesit pra.
Masa ishte e madhe dhe aty ishin gati 10.000 demonstrues. U vendos që të marshohet, rrugës së Llapit, deri tek rruga e «Proleterit», pastaj asaj rruge të shkohet deri te vendi që njihej aso kohe si «te shtëpia e Mursel Shumarit», duke u kthyer te lagjeja e bazenit, për te dalë te «Rruga e Xhemail Ibishit» dhe sërish, te vendi i njohur si «Hani i Dilit» apo edhe si i thonin ca qytetarë më të vjetër «Te Pozderka.»
U nisëm për ta bërë këtë marshutë.
Brohoritej:
«Jo jo Serbi nuk do t’jesh Perandori»
«Jetën e japim Kosovën se japim!»
«Kosova republikë!»
Aty ku puqen Rruga e Llapit me rrugën e Durmitorit (kështu quhej atëherë), përballë xhamis, në anën e majtë, vërejta Afrimin që po qëndronte anash dhe kundronte masën tek ajo lëvizte dhe brohoriste…
U shikuam, qeshëm por nuk komunikuam mes veti. Kur masa arriti tek «Shtëpia e Mursel Shumarit», u improvizua një Vend, prej nga masa, e kuptoj, se dikush, do të fliste… U ndalëm… Askush s’bëzante. Një demonstrues hypi mbi një ulëse betoni, i maskuar dhe filloj të fliste.
Ishte zëri i Afrim Zhitisë. Afrimi po i drejtohej masës. I fliste. Fjalimi i tij zgjati dikund jo më shumë se tre minuta… Kur e përfundoj, askush tjetër nuk foli dhe masa u nis drejt marshimit…
Kjo ishte hera e fundit që e kisha parë Afrimin të gjallë!
Masa edhe ditë të tjera; mbledhej në orën 17:00 tek Hani i Dilit dhe marshonte, po njësoj për çdo mbrëmje…
Se sa ishin qytetarët të gatshëm me sakrifikue, po u tregoj një detaj shumë interesant… Teksa marshonim rrugës së Llapit, një mbrëmje nga një shtëpi, shoh një grua që del me vrap, dhe duart i kishte me miell, e që kishte harruar t’i pastroj… Siç duket ajo në ato momente ka qenë duke gatuar, dhe, me t’parë masën që po kalon aty pari, ka dalur në atë gjendje që ka qenë dhe është futur në mesin e demonstruesve!
Liria po fillonte – robërisë po i vinte fundi!
Rrëfimi i dymbëdhjetë i Nënës…
Kur erdhë djali, një natë në shtëpi pas demonstratave dhe i cili me veti i kishte marrë edhe nja dy djem, e të cilët ishin nga Vushtrria, po që nata i kishte nxanun në Vranjevc, e pyeta se a mos e dinte se kush ishte vra në demonstrata ?
Djali më tha, jo ska pas vrasje se nuk jemi konfrontue hiq me policin. Jo valla, i thash, nja po thojn u vra te pazari edhe koka i Llugave… E pash që djali u zverdh në fytyrë.
A mos është Afrimi, tregom pash nanen i thash duke qarë ?!… Jo bre nuk është, më tha ai edhe vazhdoj: « gabim e keni se sonte su vra askush…
Po ne televizor sa na thanë se u vra një demonstrues… Ata dy djemtë, qe erdhën me Fatmirin, ishin të ri dhe na thanë , » nëse kena mundesi me i que sonte deri në Vushtrri, se familjet e tyne janë ba me siguri merak. Megjithëse u tham, të rrin sonte aty se është rrezik, të flejn dhe të nesermen i dergojm, ata si në të qarë thanë se ma me qef kishin me shkue sonte në shtëpi. I thash burrit, a po i qon se po thojn, se nanat e tyne janë ba shumë marak sonte ?
Edhe pse rrezik, burri i hypi kerrit, i mori ata dy dhe u nis… Kur erdhë pas mesnate, na tregoj se i kishte dërgue deri në Vushtrri dhe se rruges, askush si kishte ndalë as në të shkuar dhe as në të kthyer…
Por marakun e kisha se, mos ishte vra Afrimi dhe Fatmiri s’po na tregon sepse u tha, se njani që ishte prej fshatit Lula, e kishin vra…
RRUGA E LIRISË – Rrëfimi i Trembëdhjetë
Vazhdojnë demonstratat për Republikën e Kosovës
Trakt – Thirrje e 27 tetorit dhe proklamata e LPRK-ës, dhe demonstratat u përkrahën gjithandej Kosovës.
Popull shqiptarë lufta e jonë ka hyrë në një fazë të re, vendimtare për Republikën e Kosovës. Radhët e organizuara, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës janë shumëfishuar. Tani Republika e Kosovës kërkohet në të katër anët e saj, nëpër disa vende të Jugosllavisë, me shumë qendra europiane e deri në SHBA. Sado që S. Milosheviqi pohon se Kosova kurrë nuk do të bëhet republikë, ai e di mirë se koha punon për ne.
Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës duke vlerësuar se ekziston situatë revolucionare thërret masat e gjera popullore që të vazhdojnë me organizimin e grevave dhe demonstratave sa më masovike, me çka do t’i tregoonim S. Millosheviqit dhe Rr. Morinës se sa shumë gënjejnë kur thonë se « gjendja në Kosovë po stabilizohet», kur thonë se « shumica e shqiptarëve janë me ne».
Parullat:
Jo, Jo Serbi nuk do t’jesh Perandori!
Kosovë po se po- Metohi jo se jo!
Lironi të burgosurit politikë!
Referendum në Kosovë!
Kosova Republikë!
Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës!
Rrëfimi im i Trembëdhjetë
Më 1 nëntor, vonë në mbrëmje kur u ktheva në shtëpi, nga nëna mësova se atë mbrëmje, në Prishtinë, ishte vrarë një demonstrues. Gjatë kohës sa ne ishim në demonstratë, s’kishim marrë një informatë të tillë megjithëse, e dinim që herë pas herë, një grup demonstruesish, aty te Lumi Prishtina (i mbyllur dhe i asfalltuar) bënin përpjekje, për të thyer kordonin e policis dhe me këtë të dilnim në qendrën e qytetit.
Duhet theksuar që policia e kontrollonte rrugën Prishtinë-Podujevë dhe mbrendsin e qytetit, teksa ne demonstruesit, e kontrollonim një pjesë të Vranjevcit dhe një pjesë të qytetit, që shpiente në drejtim të fshatit Kolovicë… Më tha që i vrari ishte nga fshati Llugë por unë mendova, meqë ajo tërë kohën mendë i mbante tek Afrimi, e që po bëheshin katër ditë që ishte larguar nga shtëpia, iu kishte bërë si fiksion kjo gjë…
Por në lajmet e vona të RTP, u tha që sot në demonstrata, u vra një protestues, që ishte i lindur në fshatin Llugë dhe se ai, u vra nga një polic me rroba civile… Kur, bëra për të dal nga lagjeja dhe për te shkuar tek Bejta, për t’u informuar se mos ai e dinte, se cili ishte ai (duke shpresuar që nuk ishte Afrimi) në rrugë takoj Musën (Demollin) i cili më tregoj, se ishte vrarë një protestues, në afërsi të tregut të gjelbër, në momentin kur kishte identifikuar, në rroba civile, një inspektor të UDB-ës.
Demonstruesit kishin filluar ta godisnin spiunin, me gurë dhe ai kishte nxjerrë revolen dhe qëlluar njërin nga demonstruesit. Ai më tha se, i vrari ishte nga fshati Llugë me emrin Bedri Sokoli dhe se ishte vrarë nga një inspektor shqiptar i policisë me emrin Jakup HOTI.
Megjithëse ndjeva një dhembje për humbjen e një demonstruesi në njërën anë – nga ana tjetër – gjeta lehtësim që i vrari nuk ishte Afrimi.
Me shokë, u dakorduam që të nesërmen, do të shkonim në Llugë për të ngushëlluar familjen dhe për t’parë se kur do t’bëhet varrimi…
Të nesërmen, e lamë takimin tek shtëpia e Musës, ku një dyqan ushqimor ishte në pronësi të Kadri Hazirit nga Muhazopi me qëndrim në Prishtinë, i biri i të cilit, më vonë ishte martuar me motrën e Hakif Zejnullahut.
Tek dyqani na thanë që familja e Bedriut jetonte në Prishtinë, një pjesë e tyre dhe ca të tjerë në fshat, pra në Lluga. Nënën e kisha qetësuar se nuk ishte Afrimi por një djalë tjetër i fshatit të njëjtë…
U konsultuam dhe morëm vendim që të mos largoheshim nga Prishtina ngaqë sonte, aty në mbrëmje do të mblidheshin sërish, ku tani më, si pikëtakim ishte emëruar «Hani i Dilit»… Vlenë të përmendet që, aty policia e kishte të pamundur, të hynte ngaqë nga të gjitha anët, kishim vënë barikadat… por një natë më herët na kishin hedhur gaz-lotësjellës nga helikopteri…
Në ora 17:00 serish u tubuam tek shitorja e Kadris, ku punonin djemtë e tij, herë Ismeti e herë Hasani… Kur befas ia bëri, në shitore një djalë fqinjë i tyre dhe si pa të keq, ai filloi të tregoj që :« Kishte qëlluar në Breg të Diellit dhe se atje, tregonte ai, kishte parë se si dy djem kishin kërcyer nga dritarja, e një banese duke shtirë me armë në drejtim të policis… «Krejt Bregu i Diellit është rrethuar me polic !» tha ai.
U mendova se kush mund të ishte dhe mendja as që më shkonte tek Afrimi ngaqë s’kishte gjasa as teorike, që ai të gjendej në atë pjesë të qytetit dhe aqë më parë, në një godinë banesore… Pastaj ky çuni na tregonte se si policët fshiheshin prapa kerreve të tyre dhe autoblindave… Nuk u ndalëm fort, tek kjo pjesë për ta analizuar ngaqë duhej të dilnim sa më parë tek Hani i Dilit për t’u prirë demonstrueve, e të cilët tani më, na kishin akceptuar si udhëheqës «spontan» të saj…

Më 2 nëntor demonstrata vazhdoj, po njësoj si ditë më parë por ajo që ra në sy, ishte numri më i madh, i policëve se disa netë, më herët… Kur u ktheva në orën 22 :00 (përafërsisht) në shtëpi, më treguan se, kishin dëgjuar që në Breg të Diellit, kishte pasur konfrontim me armë, në mes policisë dhe disa të tjerëve…
• Fatmir, ku është Afrimi ?- më pyeti nëna.
• Nuk është ai mos u bë merak ti, – e qetësova.- Ai nuk gjendet fare në Prishtinë dhe ka dy ditë, që ka shkuar për Zvicër!» i thash sa për ta qetësuar por edhe për ta larguar ngaqë sa herë që shkoja në shtëpi më lodhte me pyetjet e njëjta…
Të nesërmën, në mëngjez, erdhë tek unë Bejta. Fytyra e tij ishte e ngrysur. E kuptova që diçka nuk ishte në rregull. Meqë në Bregë të Diellit kishte pasur të shtëna, mendja më vajti se ka mundur të jetë Fahriu… Në lajme, u tha se ishin vrarë dy veta mbrëmë nga policia e të cilit kishin qenë të barikaduar në një podrum të një ndërtese…
• « Bejtë. Mos më thuaj që, njëri prej tyre është Fahriu!»
• Po, Fahriu është edhe… Afrimi është i dyti…
Për një moment mu rrotullua çdo gjë… Fillova të bërtas:» po s’ka mundësi se ai si ilegal s’ka mundur me qenë atje, si qysh, qysh?»
Bejta më tregoj që një natë më herët, policia kishin tentuar të arrestonin Fahriun, te stacioni i vjetër i trenave në Prishtinë dhe se ky, kishte arritur për qime të flokut, të shpëtonte… Të nesërmën, Fahriu paska shkuar tek baza, ku ka qenë duke qëndruar Afrimi, aty kah mesdita… Në atë moment, më tha Bejta, që me të, me Afrimin pra, kanë qenë edhe dy shokë po ashtu ilegal (më vonë kam kuptuar- shumë më vonë që këta dy shokët kanë qenë Bedri Blakqori dhe Hasan Ramadani)… Bejta më tha që, «këta dy shokët u kanë thënë që, e dinë që Afrimi dhe Fahriu kanë biseduar vesh më vesh me njëri tjetrin, kanë qeshur dhe kanë dalur ashtu të qeshur duke u thënë: « kthehemi pas pak, mos u merakosni».
«Po pse ka dal kur ai s’ka guxuar fare të lëviz e sidomos jo ditën, pse?»- e di që i kam thënë Bejtës.
O zot po pse, pse ka ndodhë kjo gjë? Pse Afrimi ka dal dhe ka lëviz ditën dhe atë në mesditë, pse?
«Nuk e dimë»,- më tha Bejta.
(As sot e kësaj dite nuk e di dhe nuk e di në e dinë ndokush se pse ka dal Afrimi nga baza e sigurtë, pse ka shkuar Fahriu tek baza kur një natë më herët për një qime floku kishte shpëtuar nga arrestimi…)
Por ajo që më 3 nëntor qind për qind u vërtetua ishte se dy ilegalët që kishin rezistuar për 12 orë luftë me zemërzinjtë ishin: Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu…
(VIJON …)

___________________

FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (I)
https://pashtriku.org/index.php?kat=46&shkrimi=5815
***
FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (II)
https://pashtriku.org/index.php?kat=46&shkrimi=5816
***
FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (III)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=5995
***
FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (IV)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=6022
***
FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (V e fundit)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=6024

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura