BEDRI ISLAMI: KJO ËSHTË LUFTA E TË GJITHËVE

(Pashtriku.org, 08. 07. 2012) – Është lufta e të gjithëve. Brenda dhe përtej kufijve zyrtarë. Është luftë që lumi i Drinit t’i bjerë vërtetë mespërmes Shqipërisë, si shkruante Lasgush Poradeci dhe të mos jetë një lum kufitar, mes katër copra Shqipëria. Është koha që lumi i Drinit të jetë një lum i mbyllur mes kufijve që vetë zoti ia ka dhënë, mes kufijve shqiptarë. Është lufta e të gjithëve. Mos të vijë koha që burrat të koriten nga vashat. Mos të vijë koha që djemtë të kenë turp të shkojnë në fshatin e tyre, sepse në luftën e të gjithëve kanë qenë vëzhgues. Është lufta e të gjithëve. Është pra edhe lufta jote o njeri i mirë, që në këtë çast lexon këtë pjesë të shkrimit tim.
Ndoshta dy ditë pasi kishte rënë në betejë familja legjendare e Jasharajve, dhe kur ata ishin ende mes legjendës dhe të vërtetës, e cila edhe kështu ishte prag legjende, isha i ftuar në një takim me bashkatdhetarë në Stutgart. Në sallën e mbushur plot njerëz ndizej prushi i lirisë dhe i sakrificës. Ndoshta kam përjetuar një nga çastet e ralla të bashkimit të vërtetë të njerëzve, si parathënie e bashkimit të madh të luftës. Aty mes tjerave, më bëri një pyetje një vajzë e re, e cila më duket se quhej Angjelina. Kishte qëndruar diku në radhët e para dhe kur bëri pyetjen, ndjehej e emocionuar. Ndryshe nga shumë pyetje tjera, ajo ishte e thjeshtë dhe shprehte një të ardhme të afërt. Dëshironte të dinte nëse lejoheshin vajzat në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Vetëm kaq të tjerat i thonte me vete. Ishte mars. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ndodhej ende mes sulmeve të disfatistëve dhe shpresës së njerëzve. Mes tyre qëndronte pyetja e kësaj vajze të re, të cilën nuk e kam takuar më, por kam parë shoqet e saj të radhitura në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. I kam parë kur kanë bërë stërvitje, njëlloj si shokët e tyre dhe jam ndjerë i gëzuar kur të gjithë ata që e kishin shikuar atë pjesë të filmit dokumentar (ashtu si edhe unë) ishin lumtuar nga fakti se në ushtri ishin edhe ato vajza shtatëlarta, që këndonin një nga hymnet e reja të ushtrisë. Nuk kisha qenë i gabuar, kur isha përgjegjur se në një luftë të të gjithëve, me mendësi të reja, besoja se luftëtaret e lirisë duhej të ishin të mirëpritura. Në ato çaste kisha menduar edhe për shoqe të tjera luftëtare, që kishin shkuar më parë për të mbrojtur vendin e tyre.

_________________________

HEROINA E UҪK-së XHEVË KRASNIҪI-LLADROVCI.

………………………………

NJËSIA E FEMRAVE TË UҪK-së GJATË BETIMIT NË KLEҪKË (VERË 1998)

……………………………………………………..

Ky ishte shembulli i parë që doja të sillja, për të cilin një bashkëudhëtar i imi, Gëzimi tha se «Është mbushur Drenica me Shotë Galica». E vërtetë është, e jo vetëm Drenica, por e gjithë Kosova. E unë do të doja të shtoja edhe shembullin tjetër.
Disa ditë më parë kisha mik në shtëpinë time njërin nga vëllezërit Buzhala (Franë Buzhala). Ishte e natyrshme të bisedonim për gjithçka po ndodh në Kosovë, por edhe për poezinë e vllait të tij, edhe për ngjarje të tjera që kanë lidhje me të përditshmen. Biseduam edhe për shokët e rënë në beteja dhe nderuam për një çast heroizmin e tyre. Atë ditë që kishte rënë një dëshmor, për të cilin ishte shkruar në gazetë, ishin plagosur edhe të tjerë, mes të cilëve, shtatë shokë të njohur të Buzhalajve, por edhe të besimit të tyre. Unë i takoj atyre njerëzve që kam patur gjithnjë nderim për njerëzit që besojnë në një ideal, qoftë ai edhe fetar, por ndërsa po bisedonim për këtë, i cili edhe mund të thuhet në gazetë, m’u kujtua deklarata e një politikani ndërkombëtar, sipas të cilit, serbët po luftuakan në Kosovë kundër fundamentalistëve myslimanë.
M’u kujtuan këta dy shembuj të zakonshëm për të dalur tek idea që kisha: kjo është luftë e të gjithëve dhe duke qenë se është e të gjithëve secili duhet të gjejë vendin e tij. Nuk është koha më për të pritur, e as për të thënë se jam i vonuar. Për t’i bërë mirë vendit tënd, pra për të mirën e vetvetes, nuk je kurrë i vonuar. As nuk je i tepërt. Më takon udha të bisedojë me shumë bashkatdhetarë, të cilët duke besuar tek pacifizmi pa skaj, nuk kanë besuar, ose nuk kanë besuar sa duhet tek forcat e vërteta çlirimtare. Ka një huti në fjalën e tyre, u duket sikur kanë bërë një faj ose sikur janë tepër të vonuar. Ka të tjerë, që ende e kanë në dorë të bëjnë diçka, që ndonëse e kanë kuptuar se farsa e „këshillave të emergjencës” tani po merr fund, nuk e kanë burrërinë të kthehen nga e mbara, sepse përsëri u duket sikur janë të vonuar. Për të mos folur pastaj për ata që deri në momentin e fundit duan të qëndrojnë në radhët e atyre që pengojnë.

Fran Buzhala – veprimtar i fondit të UҪK-së “Vendlindja Thërret”

______________________________

 

Shtutgart, Mars 1999: Në qendrën mobilizuese të UҪK-së, Mehmet Bruqi, Sheradin Berisha, Kushtrim Hadërgjonaj…

_______________________________

Kjo luftë është e të gjithëve. Sepse ose do të jetë për të gjithë Republika e Kosovës dhe bashkimi i trojeve etnike shqiptare, ose nuk do të jetë për askënd. Ose do të jemi të gjithë të lirë, ose do të jemi të gjithë nën thundrën e pushtuesit. Dhe nëse biem përsëri nën thundrën e tij, pra, nëse pushtuesi rikthen edhe një herë gjendjen e para shpalljes së luftës, kjo dhunë dhe kjo shtypje do të jetë e pamëshirshme. Askush nuk duhet të ketë as më të voglin iluzion për këtë. Nën peshën e dhunës do të jenë edhe pacifistët, do të jenë edhe familjet e luftëtarëve. Por kjo nuk do të ndodhë, sepse ata djem e vajza që kanë marrë rrugën e lirisë, nuk kanë ndër mend të kthehen nga rruga e nderit. Nuk e kanë ndërmend të presin përsëri një valë të re dhune mbi trojet shqiptare. Nuk e kanë ndërmend të japin armët për një copë autonomi, për një copë republike të tretë apo të katërt, për disa të drejta kulturore e arsimore. Ajo kohë ka perënduar një herë e mirë. Kush nuk ka mësuar, le ta mësojë. Ajo kohë nuk ka më takat të rikthehet. Ose do të fitojmë të gjithë, dhe do të fitojmë të gjithë – ose do të shuhemi. Nuk paskemi pra rrugë tjetër. Dhe kur e sheh se në këtë luftë janë përfaqësuesit e gjithë shqiptarisë, përfaqësues nga të gjitha trojet etnike shqiptare, kur janë vashat si zana dhe djemtë, kur janë pa u dalluar se nga cila krahinë vijnë dhe si e thërrasin zotin e tyre, Jesus ose Muhamet, kur nuk vriten me emërin e zotrave ose me emrin e liderve partiakë, por për shqiptari – e beson se kjo është luftë e të gjithëve.
Që nga fillimet e kësaj lufte kam patur mjaft ngjarje të veçanta. Edhe kur nganjëherë, ashtu rastësisht e jorastësisht kam fatin të flas me shokët që janë në luftë, e ndjej se duhet bërë më shumë. Dhe kur një ditë përmes telefonit dëgjova edhe zërin e Komandant Çelikut dhe tregimin e tij të shkurtër për luftën që po zhvillohej në Rahovec dhe në Suharekë, kam besuar edhe më shumë se është luftë e të gjithëve. E përse kështu? Sepse në atë dialog të shkurtër unë mora dhe një fragment të qëndresës mbarëpopullore. «Gjithë populli është përkrah Ushtrisë dhe po lufton për trojet shqiptare. Janë shkatërruar tanke dhe mjete të blinduara të armikut». Ato që dëgjova më tej, ndoshta i takojnë një shkrimi tjetër. Ishte një thënie e njerëzve të luftës «i tërë populli është përkrah ushtrisë…», “po shkatërrohen mjete të blinduara të armikut” për të lindur dëshira për t’ja thënë të gjithëve këtë lajm, që tashmë vërtetë duket i zakonshëm, por ka mes vetes edhe pohimin e madh se kjo është lufta e të gjithëve.

Fatmir Limaj – Komandant Ҫeliku dhe Ismet Jashari – Komandant Kumanova,

në mesin e bashkëluftëtarëve në Kleçkë – 1998.

_____________________________

Kjo është edhe lufta e atyre që përkohësisht janë në viset e perëndimit. Pra është edhe lufta jonë. Të mos e harrojmë se e kemi të shkruar në flamurin kombëtar, në palët e flamurit, përpara të cilit jemi betuar se «nga lufta veç ai largohet, që është i lindur tradhëtor…». Nuk është shkruar në hymnin e shqiponjave se «nga bisedimet veç ai largohet…». Sepse populli e ka ditur, se me këta fqinj, që as djajtë mos i paçin, nuk është koha e dialogut. Dialogu ardhtë atë ditë, kur me pushtuesin të bisedohet se ku do të vendosen kufijtë dhe cila është ora e shporrjes së tyre.
Është lufta e të gjithëve. Brenda dhe përtej kufijve zyrtarë. Është luftë që lumi i Drinit t’i bjerë vërtetë mespërmes Shqipërisë, si shkruante Lasgush Poradeci dhe të mos jetë një lum kufitar, mes katër copra Shqipëria. Është koha që lumi i Drinit të jetë një lum i mbyllur mes kufijve që vetë zoti ia ka dhënë, mes kufijve shqiptarë.
Është lufta e të gjithëve. Mos të vijë koha që burrat të koriten nga vashat. Mos të vijë koha që djemtë të kenë turp të shkojnë në fshatin e tyre, sepse në luftën e të gjithëve kanë qenë vëzhgues.
Është lufta e të gjithëve. Është pra edhe lufta jote o njeri i mirë, që në këtë çast lexon këtë pjesë të shkrimit tim.
*) Nga cikli i shkrimeve: „Shansi i fundit në mbarim të shekullit”, të botuar për herë të parë në gazetën “Zëri i Kosovës” – në fund të vitit 1998 dhe në gjysmën e parë të vitit 1999.

————————————

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.OR)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura