Shtutgart, 28 mars 2017: Sot me datën 28 Mars 2017 mbushen 28 vite pa më të Dashurit, Vëllezërit dhe Motrat tona. Vrarë nga dora mizore barbarosllave e at´hershme nën dorën e kryekriminelit Millosheviq, i cili do të krahasohet me dikatorët më të mëdhenj të shkruar në Histori. Kjo datë do të hynë në historinë e Fshatit Zhur edhe 10 vite më vonë, më 28 Mars 1999 ku do të dëbohet popullata me forcë nga shtëpit e tyre.
Kronikë: E martë, 28 Mars 1989 ditë Pranvere. Lulet sapo kanë filluar të qelin. Cicërrima e zogjëve të shoqëronë që në orët e hershme të mëngjesit, kohë kur njerëzit fillojnë përditshmërinë, shkojnë në punë, nxënësit shkojnë në shkollë; ditë si çdo ditë tjetër që nuk do të mbaronte si e zakontë, në shumë fshatëra e qytete të Kosovës. Në mbrëmjen e të hënës diskutuam në shtëpi: nesër nëna do të shkonte në Prizren për t’i marr pare në Bank, për obligime shtëpiake e familjare. Unë vendosa që atë ditë të mos shkoj në shkollë, ta shoqëroj nënën, meqë dy vëllezërit e mij ishin më të vegjël, kështu pak a shumë ndjeja obligim për të qenë pranë nënës. Herët në mëngjes, kur nxënësit shkojnë në shkollë, e gjejnë derën e mbyllur. Andaj për këtë askush nuk ka pasur dije pse dhe për çfarë arsyeje ishte dera e mbyllur. Përgjegjësinë duhet ta mbante drejtoria e atëhershme, ngaqë duhet të ishte e kujdesshme në rast të tillë, që duhej t’i priste nxënësit për të mos pritur që ata të revoltohen pse ishte dera e mbyllur. Gjë që nuk pritej, e as që ishte normale të jenë të mbyllur dyert e shkollë.
Xhimshiti, Hajrimi dhe Gjylbehari – Dëshmorët e Zhurit
Sot, mund të themi se po të ishin dyertë e hapura të shkollës, Hajrimi, Gjylbehari dhe Xhimshiti do të jetonin jetën ashtu siç do të dëshironin ata.
E, këta tre shpirtra, të fshatit, shënojnë 28 vite që nuk janë në mesin tonë.
Andaj nxënësit pa asnjë përgjigjeje pranë dyerve, të mbyllura, të shkollës ndihen të shqetësuar, revoltohen, bashkohen dhe ecin së bashku drejt qendrës së fshatit nga ku dhe fillon demonstrimi i nxënësve, që shumë shpejtë do të merr përmasa të gjëra dhe do t’i bashkëngjiten fshatarët kërkesës së nxënësve me moto:
Ta Mbrojmë Shkollën Shqipe.
Nxënsit fillojnë të Demonstrojnë nëpër fshat; Fshat me mbi 6 mijë banorë, i treti për nga madhësia dhe popullata, në tërë ish-Jugosllavinë e atëhershme. Kur kalojnë afër shtëpisë sonë, diku 50 metra largësi, nëna i dëgjon me kureshtje dhe ma ktheu e habitur: Po ndodhë diçka në Fshat! Për këtë as që e vrava mendjen, nga që nuk kisha dijeni se çka po ndodh dhe ku ishte poenta e tërë kësaj turme demonstruesish?
Koha ishte diku 8:30 në mëngjes.
Ne, ishim gati të shkonim për Prizren, ku dhe morëm rrugën drejt qendrës së fshatit, për të marr autobusin e orës 9:00, pas një copë udhe ca njerëz të cilët kishin qenë dëshmitar të ngjarjeve na thanë: asgjë nuk lëviz për qytet, kthehuni mos merrni rrugë kot. Pikëmbërritja deri në stacionin ku donim ta merrnim autobusin për në qytet nuk kishte më shumë se pesë minuta. Gjatë kësaj kohe, shushurimave të njerëzve, kureshtja filluan të grumbullohen për të mësuar se çfarë po ndodhë?
Kureshtja dhe halli u bënë rrugëtim i ndjenjave të zgjuara, me këtë i them nënës: Kthehu në shtëpi se unë po rri ende, përpos kureshtjes që kisha për të mësuar diçka në mesë kësaj zhurmës se që po ndodhë u bëra edhe unë pjesë e këtyre emocioneve, u takova me shokët e shkollës dhe ju bashkangjita turmës si gjithë të tjerët, që ishin tubuar në qendër të fshatit diku mbi 2, 3 mijë veta e brohorisnin diçka, apo atë që e kisha dhe unë në shpirtë për shumë kohë dhe doja da zbrazja diku, ku sot bashkë me demonstruesit tjerë po e zbrazi tërë dufin e grumbulluar, me vite.
Koha ishte ikur te nëntë e mëngjesit.
Demonstrata vazhdoj me brohoritje, momente të papërshkruara asaj kohe. Për një qastë ndjehesh i pafrikshëm dhe shprehësh lirshëm atë që ndjen në Zemër.
O Zot, sa mirë me qenë Shqiptar!
Merxhan Badallaj (Togeri), veteran i UÇK-së, ndërroi jetë më 04.03.2017
Demonstrata vazhdoj nga lagjja e Susurve, drejt Kryezive. Daja Xhon* (Merxhan Badallaj tashmë i ndjerë) mbante rendin e nxënësve me thupër. Atë ditë kishte me vete edhe një fëmijë të vetin dhe ma dha mua që ta dërgoja në shtëpi. Unë isha me shokët dhe kaloja andej pari, pse jo i thash?
Ishte kënaqësi, rridhte nga dejtë e zërit tonë tërë ajo brohoritje që buronte nga zemra. Këto brohoritje jo vetëm fshati ku bënim demonstrimin, po edhe fshatrat për rreth kanë dëgjuar. Këtë e kishin dëgjuar edhe policia e atëhershme jugosllave (specialcat), të cilët kishin arritur në fshat për t’i shuar brohoritjet e zjarrta dhe liridashëse. Në mesin e këtyre policëve kishte policë: Slloven, Kroat, Boshnjak, Serb, Malazez, Vojvodinas, Maqedon, pa përjashtuar edhe policë shqipfolës, Shqiptar të “ndershëm”.
Historikisht, këtyre mbi 150 Vjetëve të fundit, këta popuj barbarë kanë synuar të na pushtonin, si dhe me çdo formë të mundshme barbare kanë synuar të na e mbyllin dhe vrasinë dëshirën, idealin për lirin e popullit tonë, bashkimin me Shqipërinë, të pjesës së lënë jashtë Shqipërisë Etnike.
Nuk do koment, vetë koha fliste sa e domosdoshme ishte ndarja nga bisha serbe dhe hiç më larg se dy vite më vonë filloj shpërbërja e ish-Jugosllavisë fashiste, e cila filloj të shpërbëhet me luftë të egër e gjenocide të bërë në: Bosnje e Kroaci, më vonë edhe në Kosovë do të ndodhë e përsëritshme ajo tragjedi e kobshme, siç ndodhi në vende tjera.
Muaji Mars do të mbetet në memorien e kombit shqiptar, edhe te shqiptarët që kanë qenë përjetues të ngjarjeve të demonstratave të vitit 1989, luftën e viteve 1998/99, ngjarje që tronditën botën e qytetëruar e demokratike. Ata që i mbijetuan këtij tmerri, gjenocidit serbë ndaj popullit të pambrojtur, të cilët bënin qëndresë për të mbijetuar dhe ruajtur nderin nëpër zjarrin e hekurt që ushtronin forcat serbo-çetnike, militare e ato paramilitare serbe.
Ne posa e dërguam fëmiun e dajës Xhon në shtëpi, u kthyem prapë në qendër, diku kah ora 9:40, demonstruesit, afër ëmbëltores lajs Meston, ishte ndaluar nga policia në distancë nga 40/50 metra, të cilët kishin ardhur me autobus. Ndërsa policë tjerë ishin postuar në xhade, lartë rruga për Dragash, një shkall prej 45°, e cila ka mbishikim të pastër në qendër ku nga aty, pak minuta më vonë, do shtinë mbi demonstruesit edhe me snajper. Kurse demonstruesit brohorisnin parullat e tyre tashmë të njohura edhe hidhnin gurë drejt policëve.
Policia kishte nje megafon, që nuk u dëgjohej fare nga brohoritja, po kush do e kuptonte gjuhën e tyre sllave. Nga aty nuk di se si jam ndarë nga turma dhe kam vazhduar, ku në kthesën e rrugës drejt shkollës, mbas shpine ishte shtëpiza e ëmbëltores ku ndodhesha une, e që nga aty gjuaja me gur mbi policinë e cila për ne ishte fashiste dhe barbare. Në anën time të majt qëndronte Zeqa i lajs Hajdar.
Policia kishte lënë autobusin afër shtëpisë lajs Isuf, autobusi që ishte bërë një egërsi si vet policia, nga që i bartëte hijet e tmerrshme dhe nga urreja që kishte popullata ndaj policisë së tmerrshme, një grua* hidhte gur mbi autobusin e policisë, ku ditë më vonë kjo grua do të arrestohej, për thyerjen e xhamave të autobusit.
Në këto demonstrata të drejta dhe krenare, në njërën anë brohorisnin demonstruesit, në anën tjetër kërcisnin pushkët e policisë. Krismat e para të automatikut ishin tragjike, në ata momente isha duke shikuar drejt grumbullit të njerëzve, atë kohë Bali (Gjylbehar Badallaj) lëshon rendin e turmës dhe ec dy apo tre hapa para turmës së demonstruesve: Gjylbehari atë mëngjes ishte zgjuar për të ikur në punë sëbashku me djalin e axhës, njëkohësisht edhe djali i tezës, Xhimshitin, që nga kjo rrugë ato do të kthehen në shtëpi, në kufoma.
Eh! Koha po ik, rikujtesa ta tregon edhe kohën e ikur, qoftë e ëmbël apo e hidhur: më kujtohet mirë, që sot thua i kam para sysh, sa më vije të qaj; Gjylbehari kishte të veshur Xhinsa, Pantollat dhe xhaketën (e kuqe) dhe hapë xhaketën duke treguar gjoksin, në atë moment ai goditet me 4 apo 5 plumba në gjoks. Këtë e kam pasqyrë tërë jetën, në atë moment e lëshojnë gjunjët, ndërkohë njerëzit fillojnë të largohen, vrapime, skena horrore, disa mundohen me marr Balin me vete, gazlotsjellësa fluturojn, Krismat nuk ndalen, britmat marrin fushën, fshatin….
Njerëzit largoheshin me vrap, me ta edhe unë mora vrapin drejt fshatit.
Në ata momente kam ndjerë, një të kafshuar grejze në këmbë, diku mbas nja 50 metrave mu shtang këmba, nuk mundja të vrapoja më, me atë rrugë hyra në shpinë e Muharremit; ata kishin një palë shkallë të drurit rreth murit shtëpisë ku unë u ula edhe mbaja këmbën me dorë duke ofshamë nga dhimbjet. Lulja (Ademaj) kur më pa në atë gjendje ia dha të piskamës me një ofshamë: kuku edhe Muhametin e paskan vrarë! Nga zëri i saj u zgjuan familjarët, po në shtëpin e tyre kishte plot demonstrues që kishin kthyer nga demonstratat. Nga kjo klithmë e Lules erdhën dhe më të shpejtë u kujdesën për mua, nuk di as vet kush asht kujdesua, po një gjë e di se menjëherë më kanë shtri për toke edhe filluan të më heqin pantallonat. Duke parë tërë atë turmë njerëzish nuk pranoja që t’i heqja pantollonat (Nuk ka marre, nuk ka marre ndëgjoja), po në ato përpëlitje sa sytë më digjeshin, lotë më rridhnin pa ndal dhe britmat kishin marr dhenë, po e tëra ishte nga gazi lotsjellës dhe pickimi i grajzit. Skena që nuk mund të përshkruhen në asnjë film të holivudit. Aty ma lidhën këmbën dhe më bartën brenda në shtëpi.
Kujtim nga viti 2016 – Së bashku me nënën që më mbante në prehër në vitin 1989
Nëna e Muharremit, më ka mbajt në prehër, qante, biri nënës biri nënës çka u bo kështu, britma brenda, britma jashtë, vajzat qanin, në dhomë ishte edhe Gzimi i lajs* Ibish, atë e kish rrok plumbi në bërryl, kishte dhimbje të mëdha: Gzimi më pas do të mbetet me pasoja. Ajo ditë u shndërrua në vaj, dhimbje dhe britma.
Kohë që tmerronte kohën, një rrugë e mbyllur, njeriut ku i kishte humbur rruga në oborr nuk din edhe se si të veproj i shtronte vetes pyetje: nga, ku, pse, si, me milion mendime nëpër kokë. Pas pakësh dikush kishte organizuar makinë jashtë, ku mua dhe Gëzimin na bartën disa djem deri në makinë, ishte një Golf ngjyrë e verdh, dy dyersh, vështir për mua me hy, gjendje e mjerueshme, njerëzit nga meraku kishin ardhur në qendër për të mësuar se çka po ndodh me neve?
Djali axhës, Esati më pa në makinë, erdhi afër e më tha: O Met a edhe ty të kanë qëlluar a?
Jo, jo nuk më kanë qëlluar, po ik e tregoj nënës se mirë jam, s’kam asgjë dhe morëm rrugën për në Spital e Prizrenit.
Në të njëjtën kohë në Suharekë (Therandë), Dushanovë (Arbanë) rrethin të Prizrenit, Qendra tjera të Kosovës, skena të njëjta, vrasje, plagosje të rënda!
Rrugës për Prizren kishte dy postblloqe të policisë, një në dalje të Zhurit dhe një te ura Xhevrijes në Prizren, në të dy postblloqet na ndalën policia shkurt edhe pse kishim katër sinjalet ndezura!
Kur kemi arritur në spital të Prizrenit, aty pamë shumë të plagosur, britma, mjekët dhe motrat vraponin pa ndalur, korridori kishte marr ngjyrën e gjakut, po ashtu dhe refreni i përsëritur: gjak-gjak po kërkohet për të shpëtuar jetë gjak. Kësaj thirrje nuk i ikte askush u shtuan radhët e shumta për të dhënë gjak. Mua edhe Gëzimin na vendosën në një dhomë me 6 Krevate, unë në anën e majtë, krevati në mes, kurse Gëzimi në të djathtën, krevati, rreth dritares.
Në dhomë ishte Dashnori (Dashnor Ademaj), atë e kishin rrok tre Plumba në Bark, la Riz i rrinte te koka, qante i shkreti, kishte dhimbje të mëdha, e kishin mjekuar sadopak për kalim edhe Selajdin Ajazaj ishte në dhomë, atë e kishte goditur një plumb në afshin e këmbës, pjesës së poshtme, plumb me efekt dum-dum. Selajdini vuante nga plagët e marra, ku vite më vonë do të operohet në Gjermani, sot jeton në Zvicër. Po, edhe Hajrimi (Hajrim Badallaj 13 vjeçar) ishte në dhomë, po dhe atë e kishte marr plumbi (me efekt dum-dum) në kokë, pothuajse trurin ia kishte pëlcit. Hajrimin më pas e dërguan për Prishtinë, ku ditë më vonë do të ndërronte jetë nga plagët e marra.
Pas gjithë kësaj skene të tmerrshme, të dhimbshme dhe sfiduese erdhi një mjekë te unë dhe te Gëzimi dhe pasi na kontrolloi u tha motrave medicionale që t’na vendosin Infuzion, na lidhën me fasha provizore sa për kalim. Unë e dija se vetëm një plumb më kishte marr në këmbë, dikur fillova të ndjej dhimbje edhe nga pjesa tjetër e këmbës, pupla e poshtme, fillova të prek këmbën, kur nxora dorën, krejt gjak dhe me të shpejt e thirra mjekun ku i thash se: edhe një plumb tjetër e paskam, me të shpejtë erdhën dhe më mjekuan.
Fshatarët e mijë që i njihesha, ndihmonin, këtu mund të cek edhe Shabanin, vllaun e shokut (Nazmis), i cili ishte plaguar lehtë në krah, po kishte mjaft fuqi që edhe të ndihmonte. Pas nja 45 minutave, ja mbërrini Nëna me Axhën në Spital. Nëna qante, Axha im bërtiste, na kanë vrarë bre të pafytyrët!
Unë i thash Nënës, të mos të qante, nëse donte të qëndronte afër meje, përndryshe duheshin me dal jashtë derisa të qetësoheshin, në krahasim me tjerë, nuk kam qenë edhe aq në gjendje kritike, kështu që mbahesha me mundësi, kishte persona tjerë nga pjesa e Therandës (Suharekës), nga ana jonë, të Zhurit, që ishin shumë më rënd të plaguar, kështu që edhe aq rëndësi nuk i jepesha vetës për mjekim.
Kisha dhimbje të mëdha, ku dhe ju nënshtrova Operimit, nga mjeku me dialekt turk që fliste shqip. E tëra bëhej pa narkozë, rreth meje disa motra, mjekë, kokën më mbante një motër (më kujtohet se ajo kishte mbiemrin me viq) ku edhe ajo qante nga që ndiente dhimbje për gjithë atë ndodhi. Operim pa narkozë, ku pas 20 minutave përpjekje nuk mundën të ma nxjerrin plumbin, pas një konsultimi mes mjekësh, më thanë se nuk është rrezik, vite më vonë e kam heq në Gjermani, tjetrin në pjesën e poshtme të këmbës, sot e asaj dite e mbaj me vete se ashtu është i kapur në mish që nuk më bënë pengesë.
Më nxorën nga salla e operimit dhe më dërguan prapë në dhomë, ndërkohë Gëzimin edhe Dashnorin e kishin dërguar në sallën e operimit. Hajrimin e kishin nisur për Prishtinë se mundësia e mjekëve dhe aparatet e duhura nuk mjaftonin….
Ajo ditë ishte shumë e rënd.
Sigurisht edhe nga plagët e marra, por, pamundësia me ndihmua dhe i ngjitur në krevat të bën edhe më shumë të ndjehesh keq, kur sheh të gjitha skenat që ndodhin para syve. Ishte një rrëmujë e madhe. Në korridor kishte britma të mëdha nga kërkesa e gjakut apo edhe atyre vullnetarëve që jepnin gjak. Njëri nga fshatarët e mi, emri s’po më kujtohet, atë ditë ka dhënë 500 gram gjak, që nuk lejohej, po ky kishte ngul këmbë që kaq të jepte, përndryshe shumica që kanë dhënë gjak, ishte nga 250 g….
Spitali i Prizrenit ishte i stërmbushur nga pacientët, njerëzit që prisnin të japin gjak, të ndihmonin, të tjerë që brengoseshin për pjesëtarët e tyre të familjes.
Dikur filluan t’i ndanin pacientët, dikë në Prishtinë, dikush të qëndroj aty. Pastaj filluan edhe familjarët me i nxjerr jashtë, të mbahet një kontrolli mbi të plagosurit, kështu që e gjithë pasditja do të më shkonte duke biseduar me Selajdinin, Gzimin po edhe me Dashnorin, dhimbjet kishin filluar të merrnin qetësin e tyre.
Kjo pasdite do të mbetet nga më të gjatat që kam përjetuar deri më tani, po edhe nata të cilën e kishim para. Kishte momente kur ndjeheshe se diçka e panatyrshme po lëviz nëpër trup, diçka të hante nga brenda. Një djegëje e madhe në vendet ku më kishin goditur plumbat.
Kujdesi i mjekëve, me mundësit e atëhershme që kishin spitalet, ishte i mirë, motrat dhe mjekët nuk kanë pushuar fare, tërë kohën kanë qëndruar në lëvizje, vinin shpesh e na pyesnin se si ndjeheshim, na kontrollonin fashat, shtypjen e gjakut etj…..
Ditën e nesërme mbas kontrollës së përditshme, që bëjnë mjekët në mëngjes, mua dhe Gëzimit na thonë se ne jemi jashtë gjendjes kritike dhe për të mos u mundësuar ndonjë kontrolli të policisë në spital, që mundeshin të na merrnin me vete, duhej ta lëshonim spitalin.
Unë kisha vetëm një këmishë me vete dhe isha në brekë, rrobat tjera mi kishin zhveshur një ditë më parë që m’i kishin dërguar në shtëpi.
Si me udhëtua ashtu?!
Po më mirë është kështu të iku se sa të më marrin policia, folëm me një taksist, i cili kërkonte 4 milion dinar (dy nga dy milion të asaj kohe). Ne i thamë: nuk kemi para me vete. Rasti është mbreti i botës, thotë fjala e urtë e popullit, në këto halle u duk në derë të spitalit Ta Cul (Mensur Hoxhaj) komshiu im, nga i cili i mora lekë (pare) dhe paguam taksistin, po dhe ky (taksisti) kishte një drojë frikë ku na thoshte: e po udhëtojmë me rrezik, ka postblloqe në dalje të qytetit më së paku 3 postblloqe, po dhe në hyrje të Zhurit ka postbllok që do të na ndalin.
Në të hipur u morëm vesh që të nisemi e të mos të flasim asgjë, po nëse na pyet ndokush t’u themi se ne po shkojmë për Dragash e jo për Zhur.
Nga Prizreni dolëm mirë, por kur arritëm në Zhur na ndalën, kanë qenë më së paku 15 policë që qëndronin aty. Ne kishim frikën se mos na hetonin që jemi të plagosur dhe çka më pas….por fati i mirë na shikuan pak kohë, kontrolluan dokumentet e taksistit dhe mbas përgjegjjes se kishim rrugën për Dragash na lëshuan të kalonim me fjalët: hajt qoj ma shpejt këta fëmijë në shtëpi se brengosen familjarët! Në të shkuar për Dragash, kemi edhe një hyrje për në fshat, nga ku edhe hymë në Fshat.
Sapo hymë në fshat, ku ishte ditë e bukur pranverore, por sikur kishte rënë një zi e madhe mbi fshat dhe askush nuk lëvizte.
Kur arritëm para derës së shtëpisë sime, taksi ndaloi dhe unë zbrita. Ashtu duke shqepuar, hyra në oborr, ku kishte shumë njerëz që kishin ardhur, familjar të cilët kishin dëgjuar për plagët e marra dhe brengoseshin për gjendjen time. Momente që më bëjnë me kuptua se diç e madhe ka ndodhur dhe t’i akoma je duke kaluar fazën e shokimit!
Tri ditë më vonë kam pasur kontrollën e radhës në Spitalin e Prizrenit. Atë ditë jam njoftuar me Samir Kuqin nga Theranda i cili sot jeton në shtetet Skandinave, në atë dhomë me Samirin ishte edhe një tjetër nga fshatrat e rrethit të Therandës, të cilit ia kishin këputur njërën këmbë nga plagët e rënda që kishte marr dhe nuk kishte tjetër zgjidhje.
Nga dalja e spitalit e deri në rifillimin e shkollës kam qëndruar diku 3 javë në shtëpi.
Këtu edhe fillojnë planet e para të prindit tim, që të gjithë të emigrojmë në Gjermani, i cili dikur më thoshte: Birë, Baba kam me të dërgua me u bë Gjeneral mbasi po të ecë shkolla mirë! Por fati dhe jeta nuk shkoi ashtu si dëshironim ne.
Sot, shkolla fillore në fshatin tim, mbanë emrin e tre dëshmorëve të rënë më 28 mars 1989.
Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës, me Vendimin nr. 8 të datës 20 qershor 1992, shkollën e Zhurit e ri-emërtoi me emrin “Dëshmorët e Zhurit”.
Sot e 27 vite, nga janari i vitit 1990 jetoj dhe veproj në Gjermani.
* * * * *
* Daja Xhon – Në të vërtetë nuk e kam daj, por që kishte shoqëri të ngushtë me dajën tim të vogël Mifailin edhe atë e thirrja daj, përndryshe në fshatë njihet me nofkën e TOGERIT, kishte një respekt të veçantë ndaj tij i gjithë fshati. Ishte veteran i luftës së UÇK-së dhe ndërroi jetë më 04 Mars të këtij viti (2017).
* Gruaja që gjuante autobusin me gur – Ishte gruaja e Lajs Maliq (Susuri).
* Lajs – Lal – Përdoret si paratitull në emër, shenjë respekti për më të moshuar.
* Ta (shkurtesë nga Tadë) – Përdoret si paratitull në emër, në shumicën e rasteve janë rrethi familjar dhe komshi.