PROF.DR.NEBI DERVISHI: RËNDËSIA E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

 Strugë, 10. 6. 2016: (Me rastin e 138 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit) – Njëqind e tridhjetë e tetë vjet më parë, më 10 Qershor 1878, në ditët e stuhishme të ,,Krizës së madhe Lindore”, kur re të zeza ishin përhapur mbi qiellin e Shqipërisë, në qytetin e lashtë të Prizrenit u themelua organizata e parë e Lëvizjes sonë Kombëtare me karakter politik panshqiptar, e cila, me emrin ,,Lidhja Shqiptare”, ose ,,Lidhja e Prizrenit” ka hyrë në histori si një ngjarje e madhe historike, si një kthesë vendimtare në luftën për çlirimin kombëtar të popullit shqiptar, e cila me rrjedhimet e saja objektive ndikoi mbi të gjitha periudhat e mëvonshme.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 138 vjetorin e së cilës e përkujtojmë sot dhe veprimtaria e saj në katër vitet e stuhishme të Krizës lindore, zë një vend nderi në panteonin e historisë. Ajo përbën një nga momentet kulmore dhe kthesë në historinë e lëvizjes kombëtare çlirimtare shqiptare, ku mbarë populli ynë u hodh në rrugën e guximshme të luftës së armëve e të mendimit për të flakur tej zgjedhën e huaj, për të siguruar të drejtën e tij themelore për liri e tokë, për drejtësi e përparim. Ajo përbën një nga ato ngjarje që i rrëmbejnë masat me thirrjen ,,Ja vdekje, ja liri!” i çojnë në barrikadat, i bëjnë të marrin me vete vuajtje e flijime, për t’i çarë rrugë të reja së ardhmes, me bindje se, në mos vetë, do të jenë brezat e sapolindur që do të korrin fitore.

Sot, kur po përkujtojmë këtë 138 vjetor të Lidhjes së Prizrenit, të gjithë shqiptarët në tërë rruzullin tokësor, me mirënjohje i japin vendin e nderit kësaj ngjarjeje kulmore dhe veprimtarëve të shquar të saj.
Është krenaria jonë se historia e kombit shqiptar është e pasur me ngjarje të tilla të mëdha përparimtare. Ne krenohemi që flamuri që ka udhëhequr popullin tonë të lashtë në rrugën e tij historike, nuk shërben kurrë si simbol lufte për një çështje të çndertë, si simbol robërimi e dhune pushtuese, as i diplomacisë së intrigave dhe komploteve në kurriz të popujve fqinjë. Sa e sa herë të parët tanë dhanë kushtrimin për t’u bërë ballë vërshimeve e pushtimeve që u përsëritën në kurriz të kombit tonë me një rregullsi periodike tragjike! Ata ishin të detyruar të përballonin rrezikun e shfarosjes e të asimilimit, të copëtimit e të grabitjes së trojeve të veta nga ana e cezarëve, perandorëve, kralëve të kohëve të lashta e modernë.
Të vetëm, pa aletë, shpesh të braktisur e të tradhtuar nga klasa sunduese vendëse, stërgjyshërit e gjyshërit e etërve tanë u mblodhën e u betuan për luftë në kuvendet e mëdha historike. Në vazhdën e këtyre kuvendarëve të mëdha tradicionale një vend të veçantë zë Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ajo është e vetmja organizatë politike e ngritur brenda në Shqipëri, që u doli zot me armë në dorë të drejtave të kombit shqiptar, një organizatë që ka jo vetëm një platformë ideologjike kombëtare e një program politik të përcaktuar qartë, por edhe një organizim shtetëror dhe ushtarak në shkallë kombëtare për sa u takon ndarjeve krahinore e fetare të vendit.
Nuk qe e rastit që ajo u mblodh për herë të parë pikërisht në qytetin e lashtë shqiptar të Prizrenit, mu në zemër të Kosovës, në atë trevë ku përqendroheshin në mënyrë më të theksuar lakmitë grabitqare të armiqve të popullit shqiptar. Këtu ajo filloi veprimin e vet me akordin madhor të memorandumeve të saj me veprimet e organizuara politiko-ushtarake si përfaqësuese e të drejtave të kombit shqiptar dhe më vonë si qeveri e tij. Pavarësisht se kanë kaluar plotë 138 vjet, Lidhja Shqiptare e Prizrenit e ka ruajtur domethënien e saj të madhe dhe do ta ruaj atë për brezat e ardhshëm të kombit shqiptar.
Lidhja shqiptare e Prizrenit ishte organizatë e parë politike dhe ushtarake mbarëshqiptare me frymëzim patriotik, e themeluar në Prizren më 10 qershor 1878, në kushtet e sundimit osman dhe të Krizës Lindore, të viteve 70 të shek. XIX. Ajo mori përsipër të zgjidhte tri detyra themelore që shqetësonin në atë kohë opinionin e mbarë shqiptarëve: a) të afirmonte në arenën ndërkombëtare kombin shqiptar, si subjekt i të drejtave kombëtare; b) të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike shqiptare, të vendosur në Kongresin e Berlinit (13.06-13, 1878), në favor të monarkive fqinje ballkanike dhe; c) të realizonte bashkimin e mbarë trojeve autonome në kuadër të Perandorisë Osmane, si hap i parë për të krijuar shtetin shqiptar të pavarur dhe demokratik. Para formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shqiptarët kishin zhvilluar një mori kryengritjesh kundër zgjedhës osmane, por Porta e Lartë nuk kishte pranuar asnjë nga kërkesat e tyre kombëtare. Edhe Fuqitë e Mëdha në praktikën e tyre diplomatike nuk kishin pranuar t’u njihnin shqiptarëve të drejtën e formimit të një shteti të veçantë shqiptar. As tani, kur dukej qartë fitorja ruse në luftën ruso– turke në vitet 1877 – 1878, asnjë nga Fuqitë e Mëdha nuk e përkrahu formimin e një shteti shqiptar. Shqetësimi i shqiptarëve arriti kulmin me nënshkrimin, më 3 mars 1878, të Traktatit të Shën Stefanit, kur Rusia fitimtare i shkëpuste Perandorisë Osmane në favor të Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi mjaftë territore shqiptare, me ç‘rast e gjymtonte rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u themelua 138 vjet më parë, më 10 qershor 1878 nga Kuvendi Kombëtar i Prizrenit, në të cilin morën pjesë përfaqësuesit e viseve të ndryshme shqiptare. Ajo zgjodhi organet e larta: Këshillin e Përgjithshëm me funksione legjislative dhe Komitetin Qendror me funksione ekzekutive.
Më 17 qershor 1878 u miratua statuti i Lidhjes Shqiptare (,,Kararname”) dhe ,,Urdhëresa” (“Talimati”), ku trajtoheshin aspektet organizative, politike dhe ushtarake të saj. Nën presionin e qarqeve patriotike, Këshilli i Përgjithshëm, më 2 korrik 1878 miratoi një ,,Kanun të Ri”, i pastruar nga shprehjet për “besnikërinë ndaj Perandorisë Osmane” të Kararnamesë, shënoi fitoren e plotë të Lëvizjes Kombëtare në gjirin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit kundërshton vendimet antishqiptare të Traktatit të Shën Stefanit dhe të Kongresit të Berlinit, që prekën rëndë tërësinë tokësore shqiptare në favor të shteteve fqinje. Për këtë qëllim ajo ngriti pothuajse kudo degë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, krijoi një front të gjerë atdhetar mbi dallimet klasore, fetare e krahinore dhe u bë një forcë e organizuar, duke fituar një autoritet të padiskutueshëm në mbarë vendin.
Pas aksionit të Gjakovës, i cili me vrasjen e Mehmet Ali Pashë Maxharit, shpuri në dështimin e përpjekjeve të Portës së Lartë, për të bindur krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që t’ia dorëzonin Malit të Zi Plavën dhe Gucinë, Lidhja e Prizrenit ngriti me forcë para qeverisë osmane (Portës së Lartë) çështjen e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare, me një njësi më vete politiko-administrative (në një vilajet shqiptar autonom), që Porta e Lartë në mënyrë të vendosur e kundërshtoi.
Vendosmëria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për të mbrojtur tokat e Çamërisë deri në lumin Kalamat e detyroi delegacionin osman në Konferencën e Prevezës, më 6 shkurt 1879, që të mos u nënshtrohej kërkesave të qeverisë greke.

Lidhja shqiptare e Prizrenit, në pranverën e vitit 1879 dërgoi një delegacion të kryesuar nga Abdyl Frashëri e Mehmet Vrioni nëpër Evropë, për t’i bindur kancelaritë e mëdha evropiane që ta ndryshojnë përmbajtjen e Protokollit 13, (që kishte të bëjë me Jugun e Shqipërisë), përndryshe, siç theksonin ata, do të shkaktohej gjakderdhje midis grekëve dhe shqiptarëve, të cilën Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk e dëshironte. Delegacioni që u nis për në Europë, në fund të prillit të vitit 1879, i vizitoi kancelaritë e pesë Fuqive të Mëdha (Romë, Paris, Londër, Berlin, e Vjenë). Përveç shpjegimeve gojore, delegatët e Lidhjes u dorëzuan ministrave të jashtëm të pesë Fuqive të Mëdha një memorandum, me të cilin kërkonin që Shqiptarët të trajtoheshin ashtu siç ishin, si një komb më vete dhe që ato të hiqnin dorë nga politika e copëtimit të tokave shqiptare. Në fund të misionit, ata arritën t’i bindin shefat e diplomacive të tyre që të mos nguteshin në zbatimin e Protokollit 13.
Gjatë dimrit të 1879-1880, forcat e armatosura të Lidhjes e mbrojtën me sukses Plavën dhe Gucinë duke u shkaktuar ushtrive malazeze, që u orvatën t’i merrnin me forcë, disfatë të rëndë në Nevshov e Velikë (dhjetor 1879) dhe pastaj në Velikë dhe Pepiç (janar 1880).
Me shpresë se do ta lehtësonin zbatimin e Traktatit të Berlinit, Fuqitë e Mëdha vendosën në fillim të muajit prill 1880 që ta korrigjonin atë duke i dhanë Malit të Zi, Hotin dhe Grudën, në vend të Plavës dhe Gucisë. Por, Lidhja nuk u tërhoq, përkundrazi vendosi t’i mbronte me çdo sakrificë të dy këto qytete shqiptare.
Më 22 prill 1880, forcat ushtarake të Lidhjes në betejën e Rrazhanicës i thyen përsëri forcat malazeze, të cilat u orvatën ta pushtonin Hotin dhe Grudën. Pak ditë më vonë, më 26 qershor 1880, Fuqitë e Mëdha vendosën që në vend të Hotit dhe Grudës, Malit të Zi t’i lëshohet qyteti i Ulqinit dhe rrethin e tij me popullsi kryeisht shqiptare. Këtë radhë, për ta detyruar Portën e Lartë, që zbatonte me çdo kusht vendimet e tyre, Fuqitë e Mëdha dërguan për shantazh flotën e tyre luftarake në ujërat e Ulqinit. Në këto rrethana, qeveria osmane vendosi të shtypte rezistencën shqiptare. Pas përpjekjes me armë, që pati me forcat e Lidhjes Shqiptare, ushtria osmane hyri më në fund në Ulqin dhe më 26 nëntor 1880, ia dorëzoi qytetin Malit të Zi.
Lëshimet e Portës së Lartë në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë, i dhanë një hov të madh lëvizjes për autonomi për krijimin e Vilajetit shqiptar, si hap i parë për fitoren më vonë të pavarësisë së plotë. Lëvizja për autonomi, e cila e kishte shoqëruar qysh në fillim të luftës për tërësinë territoriale të Shqipërisë kishte shënuar një ngritje të re, sidomos në Kuvendin e Dytë të Frashërit (qershor 1880). Një hap i ri u bë në këtë drejtim me vendimet historike të Kuvendit të Gjirokastrës, që hartoi një program më të plotë për autonominë (24.07.1880). Në vijim, Kuvendi i Jashtëzakonshëm u mblodh në Prizren, në fund të 1880 e Shpalli Komitetin Qendror “Kuvernë e përdorme”. Repartet ushtarake të saj shtinë në dorë Shkupin (4 janar), Mitrovicën (15 janar) dhe Prishtinën më 18 janar 1881. Nëpunësit turq u dëbuan nga të gjitha qendrat ku u vendos pushteti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
E tronditur nga kjo veprimtari kombëtare e Lidhjes së Prizrenit, Perandoria Osmane i dha urdhër Dervish Pashës që me një ushtri të armatosur mirë ta shtyp atë. Më 25 mars 1881, me forca të shumta, ai e pushtoi me tradhti Shkupin dhe anëtarët e Komitetit të Lidhjes së qytetit i internoi. Pas betejave të përgjakshme në Slivovë dhe në Shtinjë, ushtria osmane hyri në Prizren dhe me pushtimin e Gjakovës shtiu nën kontrollin e vet të gjitha qytetet e tjera të Kosovës e të tërë vendit. Mijëra veta kaluan nëpër gjyqet ushtarake në Prizren dhe në Janinë (ndër ta edhe Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, etj.) dhe po aq u internuan me gjithë familjet në Anadoll.
Koncepti i përpunuar nga Lidhja e Prizrenit për shtetin kombëtar, përbën pikën më të lartë në zhvillimin e mendimit politik të Rilindjes gjatë shek. të XIX dhe shënon gjithashtu përpjekjen e parë të shqiptarëve për të zgjidhur çështjen kombëtare qysh në vitet e Krizës Lindore të viteve 1875-1881, në një kohë me popujt e tjerë të Ballkanit, në kuadrin e ndryshimeve që Fuqitë e Mëdha bënë atëherë në hartën politike të këtij Gadishulli.
I parashtruar qysh në vendimet e para të Lidhjes, koncepti i saj për zgjidhjen e çështjes shqiptarë duke themeluar një shtet kombëtar dhe autonom që pësoi evolucionin e vet, duke marrë një kuptim më të gjerë dhe një formë më të përcaktuar. Kërkesa e një vilajeti apo province të bashkuar, me një autonomi administrative, që u formulua si formë e parë e organizimit të shtetit shqiptar në vendimet e Kuvendit themelues të Prizrenit, në qershor të 1878 mori përmbajtje më të plotë në aktet që Lidhja i nxori pas këtij Kuvendi. Në dy memorandumet që i dërgoi Portës së Lartë, njëri i miratuar në Janinë (më 24 korrik 1878), e tjetri në Prizren (po në korrik të atij viti) dhe me një projekt për reforma në Shqipëri, Lidhja kërkoi nga Stambolli që të merrte masa sa më të ngutshme për bashkimin e vilajeteve shqiptare në një të vetëm ,,për të mbledhur e për ta bashkuar në një trup të vetëm gjithë Shqipërinë”. Ndërsa në rezolutën e miratuar në Kuvendin e përfaqësuesve të të gjitha viseve të Shqipërisë, të mbledhur në Dibër, më 8 nëntor të 1878, u përcaktua në mënyrë më të plotë programi autonomist i Lidhjes Shqiptare.
Shqipëria e bashkuar, si një vilajet i vetëm, do të kishte një status ndërkombëtar edhe pse të kufizuar, do të ishte autonome brenda territorit të vet, por e varur në marrëdhëniet me jashtë, që do të mbeteshin si më parë në kompetenca të Portës së Lartë. Megjithëse, nën sovranitetin e sulltanitShqipëria do të gëzonte një autonomi të gjerë administrative – shtetërore, të gjitha atributet e një organizimi shtetëror, të një shteti kombëtar shqiptar.
Krerët e Lidhjes e shikonin shtetin autonom, jo vetëm si një zgjidhje që mund të pranohej më lehtë nga Qeveria Osmane dhe Fuqitë e Mëdha, që nuk ishin të prirura të përkrahnin shkëputjen e plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, por edhe si një periudhë trazitore (kalimtare) drejtë pavarësisë dhe shkëputjes së plotë të Shqipërisë nga kjo perandori. Nëpër këtë rrugë patën kaluar edhe Rumania (e ndarë më parë në dy provinca autonome), Serbia, Mali i Zi, Bullgaria ose edhe Egjipti në Afrikë, të cilët në fillim fituan statusin e autonomisë, të shteteve vasale nën sovranitetin e Sulltanit, për të kaluar më pas në shpalljen e pavarësisë së plotë.
Lidhja formuloi edhe zgjidhjen praktike të problemit, parashtroi në aktet e saj konceptin e territorit të shtetit autonom shqiptar, në kufijtë e të cilit parashikohej të përfshiheshin trojet shqiptare që njiheshin me emrin e përbashkët Shqipëri, që atëherë ishin ndarë nga ana administrative në katër vilajete, në atë të Janinës, Manastirit, Shkodrës dhe të Kosovës. Në këto vilajete, pranë shqiptarëve që përbënin shumicën dërmuese dhe jetonin në to në mënyrë komplakte, kishte edhe popullsi të tjera sllave, greke, etj., të cilat banonin kryesisht në zonat e tyre periferike. Të nisur nga ky fakt, krerët e Lidhjes kërkuan që në përcaktimin e përkatësisë së tyre kombëtare të merrej elementi që përbënte shumicën, duke u siguruar pakicave të drejtën e tyre në bazë të normave ndërkombëtare.
Veprimtaria e Lidhjes së Prizrenit për të bashkuar shqiptarët dhe territoret e tyre në një shtet të vetëm, siç kishin bërë edhe kombet e tjera të Ballkanit dhe të Europës, nuk përbën ndonjë argument për t’iu atribuuar udhëheqësve të saj prirje shoviniste, shqiptaromëdha, sikurse kanë bërë e vazhdon të bëjë edhe sot historiografia e disa vendeve fqinje. Jo për shkak të ndonjë ekskluziviteti ndërkombëtar, por për hir të kushteve në të cilat i vendosi historia, “shqiptarët, sikurse shprehej atëherë Abdyl Frashëri, një nga udhëheqësit kryesor të Lidhjes, nuk kishin ushqyer atëherë aspirate pushtuese ndaj popujve të tjerë”.
Në aktet e Lidhjes dhe në ato të të gjithë periudhës të Rilindjes, Shqipëria përmendej si një njësi administrative dhe etnike e përcaktuar qartë, si atdheu i shqiptarëve, i banuar historikisht e pa ndërprerje prej tyre, por në asnjë nga këto akte nuk zihej në gojë emri ,,Shqipëria e Madhe”, i cili është një trill qëllimkeq i propagandës së qarqeve politike të shteteve fqinje, që u hodh në qarkullim në fundin e shek. XIX, për t’ia kundërvënë synimeve të natyrshme e të ligjshme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për formimin e një shteti të bashkuar shqiptar. Togfjalëshi ,,Shqipëria e Madhe”, që po dëgjohet më shpesh edhe në ditët tona në qarqet diplomatike e në media, e që për fat të keq artikulohet edhe nga personalitete zyrtare evropiane që janë miq të shqiptarëve, dhe jo vetëm nga këta, por edhe nga disa shqiptarë, e ka prejardhjen e tij jo te shqiptarët, por nga qarqet politike të atyre shteteve ballkanike që kanë sot në kufijtë e tyre territore me popullsi shqiptare. Këto qarqe, ashtu si pararendësit e tyre në kohën e Lidhjes së Prizrenit, e shihnin me smirë e shqetësim të pajustifikuar procesin e emancipimit kombëtar të shqiptarëve në Ballkan, e në radhë të parë çlirimin e Kosovës nga robëria serbe, si dhe pavarësinë e saj, që u arrit në vitin 2008, me mbështetjen e SHBA-së e të Bashkësisë Evropiane, prirjet e gjithë shqiptarëve për t’u afruar në mënyrë të gjithanshme si pjesëtarë të të njëjtit komb, për të hyrë në rrugën e përparimit e për t’u integruar, së bashku me popujt e tjerë të Ballkanit, në Evropën e Bashkuar.
Koncepti i Lidhjes së Prizrenit për Shqipërinë, si atdheu i përbashkët i shqiptarëve, i një popullsie që fliste të njëjtën gjuhë, pavarësisht nga dallimet fetare dhe ndarjet administrative në katër vilajetet, ishte një koncept i drejtë shkencor. Mbi një parim të tillë, të njësisë së gjuhës së popullsisë e të territoreve të saj, qenë ngritur edhe shtetet kombëtare në Evropë e në Ballkan. Në mendimin politik e në praktikën e të gjitha vendeve të Evropës është pranuar se kufijtë e vërtetë natyrorë janë ata që përcaktohen nga gjuha dhe simpatia e përbashkët.
Lidhja ndërmori atëherë edhe hapa konkret për të vënë në jetë kërkesën e shndërrimit të Shqipërisë në një shtet të bashkuar autonom. Shpallja në Prizren, në janar të vitit 1881 e Qeverisë së Përkohshme, të drejtuar nga Kryetari i Lidhjes, personaliteti i shquar kosovar Ymer Prizreni, shënoi pikën më të lartë në luftë për formimin e shtetit kombëtar në periudhën e Lidhjes së Prizrenit.
Pra, deri në fund të vitit 1880, Porta e Lartë nuk i kishte përfillur kërkesat e Lidhjes për autonomi. Për më tepër, mareshali Dervish Pasha, pas dorëzimit të Ulqinit, malazezëve, më 26 nëntor 1880, u sul me egërsi kundër organeve të Lidhjes në Vilajetin e Shkodrës, si dhe filluan përgatitjet për të shtypur Lidhjen Shqiptare në mbar vendin. Në një thirrje të sulltanit drejtuar shqiptarëve, të gjithë ata që kërkonin autonomi cilësoheshin si armiq të rrezikshëm të Perandorisë Osmane.
Dorëzimi i Ulqinit dhe masat e reja osmane shkaktuan një pakënaqësi të madhe në Shqipëri dhe i acaruan në kulm marrëdhëniet e shqiptarëve me sunduesit osmanë. Qysh në dhjetor të vitit 1880, në Kosovë filluan veprimet e armatosura kundër administratës osmane. Atdhetarët menduan se tani kishte ardhur çasti i përshtatshëm për ta vënë në jetë Programin për autonomi. Në këto rrethana, ata organizuan aty nga mesi i muajit janar 1881 në Prizren një kuvend të jashtëzakonshëm të Lidhjes Shqiptare. Në të morën pjesë vetëm përkrahësit e autonomisë. Kuvendi përjashtoi nga organet drejtuese të Lidhjes kundërshtarët e autonomisë dhe Komitetin Kombëtar e shpalli qeveri të parakohshme, kryesuar nga Ymer Prizrenit (kryetar), Shuaip Spahiu (nënkryetar), Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, etj. Qeveria e Përkohshme e Prizrenit organizoi menjëherë forcat e rregullta ushtarake dhe ngriti administratën e re shqiptare në viset që po çliroheshin. Repartet e qeverisë shqiptare, të komanduara nga Sulejman Vokshi dhe të përkrahura nga populli, gjatë muajit janar 1881 e çliruan gjithë Kosovën, si dhe Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Ohrin dhe qytete të tjera.
Udhëheqësit e Lidhjes e vlerësuan kërkesën e autonomisë së Shqipërisë dhe të shkëputjes së saj në të ardhmen nga Perandoria Osmane, si “një e drejtë e popullit shqiptar për të hyrë në gjirin e familjes së madhe evropiane, së cilës i përkiste nga raca dhe gjinia”. Në peticionin e saj të fundit, dërguar ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Stamboll, më 15 prill 1881, kur ushtritë osmane të Dervish Pashës po shtypnin Lëvizjen Shqiptare, Lidhja duke këmbëngulur në kërkesën e autonomisë, theksonte se kjo e drejtë i takonte Shqipërisë, si një vend evropian. Meqë Shqipëria ndodhet në Evropë, theksohej në këtë akt, ishte e nevojshme që të hynte në të qytetërimi evropian, që ajo të merrte pjesë në çdo lloj përparimi. Siç theksonin konsujt e huaj, në këtë peticion shprehej synimi i Lidhjes për të ngritur në Shqipëri një administratë të tillë autonome, që të ishte e aftë të përhapte të gjitha sistemet përparimtare dhe qytetëruese të kontinentit evropian, në të cilin bënte pjesë.
Megjithëse u shtyp, vepra që la Lidhja e Prizrenit, kreu në rrafshin kombëtar dhe në atë ndërkombëtar, si një faktor vendimtar në luftën për mbrojtjen e tërësisë së Atdheut dhe për formimin e një shteti shqiptar, ruan vlerën e vet, jo vetëm në planin historik–shkencor, por edhe në atë politik kombëtar. Vepra e saj ka hyrë në ndërgjegjen e kombit shqiptar si një ngjarje gjithnjë e gjallë dhe e freskët, që u kujton shqiptarëve të kaluarën dhe përbën njëherazi një udhërrëfyes, një pikë referimi për të tashmen e të ardhmen e tyre.
Evokimi i këtyre përpjekjeve heroike të popullit tonë, na mbush zemrat me krenari të ligjshme dhe me respekt për ata që në këto kushte të vështira luftuan për çështjen kombëtare, që ka qenë, është dhe do të jetë kurdoherë e shtrenjtë për popullin tonë. Për ne, janë plot kuptim, frymëzuese dhe aktuale, fjalët plot optimizëm dhe besim në forcat e popullit që shprehu Abdyl Frashëri, kur ju drejtua armiqve të popullit shqiptar: ,,Puna juaj me Traktatin e Berlinit mbaroi, puna jonë si shqiptarë nga kjo ditë fillon”.
Shqiponja që nisi fluturimin e saj ato ditë të stuhishme në Prizren, nuk u ndal më kurrë. Vepra e Lidhjes së Prizrenit u plotësua më 28 Nëntor 1912 në Vlorë – me gjithë atentatet e komplotet, luftën grabitqare që kurdisi kundër popullit tonë, një botë e tërë armiqsh, të cilët më 1913 vazhduan e plotësuan veprën e filluar me Traktatin e Shën Stefanit dhe Kongresin e Berlinit, me copëtimin e pashoq të trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Si në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kalemxhinj, politikanë e shkencëtarë të rremë vazhduan e vazhdojnë të derdhin rrëke boje për t’i imponuar popullit, kombit shqiptar ide për ta nxirë historinë e tij, brenda saj dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Megjithëse u shtyp, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka rëndësi të madhe dhe zë një vend të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Ajo është organizata e parë patriotike që mori përsipër ta zbatonte Programin madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, çlirimin e atdheut dhe formimin e shtetit kombëtar; ajo ishte e para organizatë që grumbulloi në gjirin e vet të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga përkatësia fetare, krahinore dhe shoqërore; e para organizatë që kombinoi për interesa kombëtare lëvizjen e armatosur me aksionin diplomatik dhe me veprimtarinë kulturore; e para organizatë patriotike që shkriu në një front të vetëm qëndresën kundër Fuqive të Mëdha, Perandorisë Osmane dhe monarkive fqinje për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për ta realizuar autonominë e Shqipërisë. Dhe, si e tillë, ajo ushtroi një ndikim të thellë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të dhjetëvjeçarëve të mëvonshëm e deri në ditët tona.
Pra, Lidhja e Prizrenit, me veprimtarinë e saj të shumanshme, provoi botërisht jo vetëm ekzistencën e kombit shqiptar, të cilën e patën mohuar në atë kohë, por edhe se, ai ishte liridashës, përparimdashës dhe i vendosur për t’i mbrojtur të drejtat e tij dhe për ta krijuar shtetin kombëtar. Në saje të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, çështja shqiptare hyri në arenën e diplomacisë ndërkombëtare si një nga çështjet e mprehta të Ballkanit që kërkonte zgjidhje.
Zoti e bekoftë popullin shqiptar ndër shekuj!
Strugë, 10 qershor 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura