DR.MOIKOM ZEQO: DY PROFILE TË HISTORISË – ANASTASI I DURRËSIT DHE ERAZMI I ROTERDAMIT

Tiranë, 26 shtator 2017:
1.ANASTASI I DURRËSIT, SHORTI I PERANDORIT
Në 9 prill 491 vdiq në Konstandinopojë perandori i Bizantit, Zenon. Ky perandor kishte bërë përpjekjet e pafundme për të shmangur kërcënimin e gotëve nga kufijtë perëndimorë të perandorisë.
Dinak, inteligjent por dhe gjithmonë i pabesë, kishte arritur, më shumë sesa t’i fitonte betejat me gotët, të bënte marrëveshje me krerët e fiseve të tyre t’i mashtronte, t’i përçante, t’i sulmonte dhe t’i braktiste.
Por deri në ditën e fundit të jetës Zenoni nuk kishte mundur të qetësonte dhe të shmangte herezinë e frytshme të monofyzëve.
Kjo herezi, në kundërshti me herezinë më të hershme të arianizmit, që e konsideronte Krishtin vetëm një njeri të veçantë, profet të Zotit, por jo të barabartë me Zotin, thoshte se Ati dhe i Biri janë e njëjta gjë, e njëjta natyrë hyjnore dhe ajo që disa teologë të përshpirtshëm thonin për natyrën e dytë njerëzore të Krishtit ishte ose thjesht një metaforë, ose një aventurë tokësore e shfaqjes së Zotit përkohësisht mes botës mëkatare, të kalueshme ndryshme nga mjedisi i tij hyjnor, i amëshueshëm, madje i paperceptueshëm.
Monofyzët ishin kudo; në aristokracinë e lartë perandorake, në të gjitha hierarkitë e kishave, në Konstandinopojë, në Iliri, në Aleksandri, në ishujt e Azisë së Vogël.
Zelli për hyjnoren i bënte ata të kultivonin gjithçka, rrjedhimisht të përbuznin dhe të sfidonin çdo gjë njerëzore.
Zenoni së bashku me patriarkun Akaci bënë përpjekje që ta zbusnin këtë herezi të papërmbajtshme. Por herezia nuk pyeste as për pushtetin e perandorit.

– Anastasi i Durrësit –

Zenoni vdiq dhe mbeti perandoresha Ariadna, një grua inteligjente ende e bukur, e lodhur nga trysnitë dhe debatet teologjike. Shpirti i saj kërkonte një paqe utopike.

Sipas ligjit ajo kishte të drejtë të zgjidhte një bashkëshort të ri që do të ishte perandori i Bizantit.
Pak kohë mbas vdekjes së të shoqit perandoresha urdhëroi të mblidheshin në sallën me mermer të kaltër dhe gri figurat më me emër të Konstandinopojës, pikërisht më të zgjedhurit, që të mundte të përcaktonte dhe të shpallte bashkëshortin.
Ishte një mëngjes prilli plot dritë. Frynin erërat e Bosforit.
Megjithëse ishte mëngjes brenda sallës ishin ndezur shandanët e mëdhenj prej ari me qirinj ceremonialë afro tri metra të lartë.
Qirinjtë kundërmonin një aromë ekzotike të ëmbël por të rëndë.
Në sallë ishin 99 burra të moshave të ndryshme me rrobat e tyre të shkëlqyera plot stema dhe simbole heraldike.
Të gjithë mëtonin dhe kishin shpresë, ishin të urtë dhe të sjellshëm, krejt e kundërta e skenës homerike plot grindje dhe vrazhdësi, arrogancë dhe egërsi të mëtuesve të Penelopës, së cilës i thonin se Odiseu kishte vdekur përgjithmonë. Dihet se Odiseu nuk kishte vdekur, u kthye dhe i masakroi mëtuesit.
E kundërta e kësaj situate ishte tani.
Midis burrave plot ëndrra ishte dhe një 60-vjeçar, Anastas Flavio, i cili kishte lindur në qytetin e largët të Epidamnit, në brigjet e Adriatikut, njihej si njeri i drejtë dhe i pakorruptueshëm, qe fetar i thellë dhe kishte arritur në rangun e senatorit perandorak.
Kur kishte marrë lajmin për t’u paraqitur përpara perandoreshës, Anastasi qe shqetësuar.
-Është një formalitet, – mendoi i brengosur. Le ta dëgjoi Zoti lutjen time të sinqertë, – i tha vetes. Se unë tani kam njohur dhe shijuar gjithçka, kërkoj prehje dhe meditim, nuk më takon mua të bëhem perandor. Është kaq e thjeshtë, i kapërceva të 60-at. Tani konsiderohem plak, i pafuqishëm. Tani më shkon më tepër roli i një asketi të shenjtë dhe aspak roli i një perandori. O zot, – u lut përsëri Anastasi, -largoma dhe shpëtomë nga shorti që nuk më përket dhe që nuk e dëshiroj. Dëgjoma lutjen Zot. Mos më braktis Zot. Zot, unë të takoj ty. Perandoria i takon një tjetri, jo mua. Në mjedisin e burrave vërtet Anastasi dukej më plaku. Ai nuk kishte krehur as flokët dhe as mjekrën e thinjur në mënyrë që pamja e tij të dukej më tepër e mplakur seç ishte. O Zot, dëgjoma lutjen. Jam i bindur që do ta dëgjosh lutjen time. Jam i sinqertë, e them me gjitha shpirt. Ti e di o Zot që unë nuk kam asnjë pretendim. Më mjafton kjo që kam arritur, s’dua gjë tjetër. Më beko, o Zot!
Kur u shfaq perandoresha Ariadna heshtja sikur u shumëfishua.
S’pipëtinte asgjë. Ariadna i kishte kaluat të 55-at. Qe një grua jo shumë e gjatë, kishte filluar të shëndoshej shumë por fytyra e saj krenare ruante ende hirin e saj vajzëror.
Autoritare dhe e rreptë, ajo dukej se nuk kishte asnjë dyshim për vendimin që do të merrte.
Në dorën e djathtë ajo mbante një kurorë prej ari me rubin të kuq, simbolin e përzgjedhjes.
Ajo filloi të lëvizte midis burrave që qëndronin të ngrirë si të ngurosur.
Ecte ngadalë por të gjithëve iu dukej sikur ecte jo në dyshemenë plot mozaikë të Vllahernës, por në hapësira shekujsh mistikë të perandorisë.
Ajo u afrua tek Anastasi që shikonte me sytë përdhe, qëndroi pak, pastaj perandoresha pa e parë fare në sy Anastasin e dërrmuar, gati të mjerë dhe të pafuqishëm, tha me zërin e saj si zëri i vetë Zotit “Mbretëro Anastas!” dhe i vuri mbi flokët e shpupuritur kurorën fatale.
Anastasi u bind. Lutjen e tij Zoti e kishte dëgjuar krejt ndryshe.
Nuk mund t’i shmangej shortit.
Anastasi si perandor tregoi në energji të jashtëzakonshme.
Ai kishte një prirje të pashembullt për të rregulluar financat e perandorisë duke bërë që ekonomia të lulëzonte sikur ndonjëherë.
Qe kursimtar dhe puritan i madh. Ai ndaloi luftimet me shtazë, festat e stërgjatura të natës, mbylli shtëpitë publike, e luftoi shthurjen tradicionale të shtetasve të tij.
Nuk dihen marrëdhëniet e perandorit Anasats me perandoreshën që i bëri këtë nder. Mundet që ata të kenë jetuar të veçuar, perandoresha hoqi dorë nga pushteti ashtu si nga një rrobë e çmuar, që e kishte dashur shumë por që e mbylli përfundimisht në gardërobë.
Perandori Anastas u përball me telashet, me sulmet e barbarëve në kufijtë e perandorisë, e fuqizoi thesarin perandorak për të mbetur në analet e Bizantit si perandori që e bëri arkën e shtetit më të pasurën e të gjitha kohërave.
Mbas vdekjes së perandoreshës Anastasi nuk u martua. Ndryshe nga perandorët e tjerë, ai nuk kishte pasion për femra, jetonte krejtësisht i vetëm, kishte eliminuar çdo luks dhe kënaqësi të tepruar të jetës.
Ai ndërmori ndërtime të mëdha kudo në perandori, qytetit të tij të lindjes, Epidamnit, i bëri një kështjellë me mure dhe kulla të larta të një bukurie marramendëse.
Kaq të gjerë qenë muret e kësaj kështjelle sa kronistët thonë se mbi to mund të ecnin lirisht katër kalorës përkrah njëri tjetrit.
Anastasi ndërtoi në Epidamn edhe një hipodrom ku zhvilloheshin garat e kuajve. Në fëmijëri ai i kishte dashur shumë kuajt, ai mendonte se garat paqësore qenë më të rëndësishme sesa përdorimi çnjerëzor i kuajve në vijat plot vdekje të betejave.
Anastasi mbretëroi mbi 20 vjet. Por ai krijoi një shqetësim të tmerrshëm që e urryen për vdekje në rrethin perandorak.
Ndryshe nga ç’mendohej, që Anastasi do të vazhdonte hullinë e Zenonit për ta kundërshtuar dhe zbutur herezinë e monofyzëve, Anastasi qe vetë monofyz i zjarrtë.
Atë e kishin parë shumë herë që i veshur me rroba të varfra si një prift i thjeshtë të shkonte dhe të bënte litanira në altarin e katedrales së Shën Sofisë, duke e vënë në pozitë të vështirë vetë patriarkun e madh, i cili në këtë rast e dinte se kishte përpara vetes jo thjesht një fetar të rëndomtë të perandorisë, por vetë perandorin e pakundërshtueshëm dhe absolut.
Gjatë mbretërimit të Anastasit figura e Krishtit në ikona dhe në afreske u ravizua në formën e një kryeëngjëlli madhështor si kryesundues i botës dhe universit, kurse skenat ungjillore të pagëzimit të Krishtit, të pagjumësisë së tij në Malin e Ullinjve, kryqëzimin e tij në Golgota, formën e Shpirtit të Shenjtë si një pëllumb i bardhë, madje dhe vetë fytyrën e e Atit artistët i shmangnin duke krijuar kështu një monografi monofyze, si për të harruar faktin se Krishti ishte rrahur nga ushtarët romakë, ishte fyer dhe poshtëruar nga priftërinjtë e Sinedridit, qe tradhtuar pabesisht nga Juda, qe mohuar tri herë nga Pjetri, kishte ndjerë etje në çastin e kryqëzimit dhe kishte thënë fjalët tronditëse “Eloi, Eloi, lama sabakthani?”. Domethënë “Zoti im, Zoti im pse më braktise?”.
Anastasi arsyetonte thjesht. Jezu Krishti qe hyjnor në të gjitha kuptimet e përjetësisë, historitë dhe detajet që e bënin të ngjashëm atë me vdekëtarët nuk kanë shumë rëndësi, janë anekdotike dhe të papërfillshme. Pse duhet të kishin njerëzit kuriozitet për to? Aq më tepër teologët dinakë dhe ambiciozë, kaq ngatërrestarë dhe kokëfortë?
Por kishte të tjerë që nuk mendonin fare kështu.
Në nëntor të viti 512 plasën trazira të mëdha në kryeqytet që zgjatën tri ditë. Ato përkraheshin nga gjeneralët dhe figurat e aristokracisë që ishin kundër Anastasit por dhe nga patriarku Eufemiu, i cili i urrente monofyzët.
Atëherë perandori Anastas vajti në lozhën perandorake të hipodromit ku e shihnin sytë e 30 mijë rebelëve kundër tij.
Ata ulërinin dhe shanin.
Anastasi, i vetëm përballë tyre, foli me një zë të vendosur dhe bindës. Ai hoqi nga koka kurorën e perandorit dhe tha se ishte gati t’ia dorëzonte një tjetri barrën e tmerrshme të pushtetit.
Ky gjest habitërisht i shtangu rebelët.
Ra heshtja dhe në mënyrë të pashpjegueshme dhe gati mistike rebelët u shpërndanë.
Kur i kaloi të tetëdhjetat, Anastasi i përpiktë në llogaritjet, ishte njohës i madh i matematikës dhe gjeometrisë, e kuptoi se koha e tij kishte mbaruar. Kishte shterur përgjithmonë.
Tani ishte ai që duhej të vendoste se kush do të bëhej perandori i ardhshëm.
Anastasi kishte tri nipër nga e motra e tij.
Të tri kishin lindur në qytetin Epidamn, ku motra qe martuar me dukën e këtij qyteti. Anastasi i donte shumë nipërit, natyrat e tyre të pastra dhe naive.
Duke qenë bestyt në thelbin e tij, i ftoi të tri nipërit për drekë dhe për secilin përgatiti nga një shtrojë për të pushuar pas ngrënies.
Nën njërin nga tri jastëkët futi një pusullë ku kishte shkruar me dorën e tij fjalën regnum. Kush do të mbështeste kokën në atë jastëk ku fshihej shorti i paimagjinueshëm ai do të trashëgonte fronin.
Dreka e nipërve shkoi e gëzuar si asnjëherë. Pastaj tri nipërit deshën të pushonin.
Dy nga nipërit, të lidhur ndoshta nga një ndjenjë e tepruar me njëri tjetrin, u shtrinë bashkë në një shtrojë dhe vunë kokën në një jastëk.
Nipi i tretë qëndroi në shtrojën dhe jastëkun e tij.
Shorti qe nën jastëkun ku s’kishte asnjëri.
Anastasi i drithëruar ra në gjunjë, ngriti duart dhe iu lut Zotit.
-Zot, Zoti im, ki mëshirë për mua. T’u luta dikur, më dhe shortin e perandorit që nuk e desha, dëgjomë tani, Zoti im, dëgjomë deri në fund. Tri nipërit e mi iu shmangën shortit tim për ta. Unë nuk mund të gënjej dhe as ta manipuloj këtë short. E di që qe dëshira jote e lartë që të ndodhte kështu o Zot. O Zot, vetëm ti e di se ç’bën, ne vdekëtarët nuk e dimë. Përveç këtyre nipërve që unë besoja, nuk kam askënd tjetër që ta besoj. Shorti të takon ty o Zot, jo mua. Unë vetëm mund të lutem ty. Je ti që vendos. Dëgjoma lutjen o Zot, më në fund, po torturohem dhe nuk qetësi. Zot, Zoti im, le të bëhet perandor ai që do të shkelte i pari në dhomën perandorake të nesërmen në mëngjes. Zot, Zoti im, u bëftë vullneti yt, jo vullneti im! Të lutem Zot, më dëgjo! Jam i pafuqishëm. Nuk mund të vendos dot unë. Shorti i perandorit të ardhshëm është në duart e tua. Është vetëm vullneti yt i shenjtë.
Të nesërmen në mëngjes në dhomën perandorake hyri Justini, komandanti i rojave. Anastasi uli kokën: ishte shorti i Zotit.
Justini ishte një 65-vjeçar, i lindur në një familje fshatare të humbur në Iliri, analfabet dhe i pagdhendur. E shoqja, Lupicina, kishte një prejardhje edhe më të ulët: ish-skllave, dikur kishte qenë dhe konkubinë e një ish-guvernatori të provincës, të cilit ia bleu Justini
Justini e adhuronte si askush gruan e tij. Ata qenë çifti më i paparashikueshëm dhe më i përputhshëm në botë si natyra.

– Justiniani i Madh –

Justini kishte ngjitur shkallët e hierarkisë ushtarake dhe qe bërë komandant i gardës për shkak të fuqisë së madhe fizike dhe dinakërisë së pagabueshme fshatare.
Kur Anastasi mbylli sytë atë e zëvendësoi Justini.
Ky perandor nuk dinte të hidhte as firmën e tij. Nënshkruante duke e lëvizur penën sipas germave të ravizuara dhe të prera në një karton paraprakisht. Por ai kishte fuqinë ushtarake pas vetes.
Ky paradoks nuk duhet mitizuar.
Ai kishte një nip të quajtur Justinian, i cili ndërkohë ishte student dhe kishte treguar një zell të paparë për të përvetësuar dituritë, palcën dhe hollësitë e qytetërimeve dhe të kulturave.
Pikërisht ky ishte perandori që do të vinte pas Justinit dhe do të quhej Justiniani i Madh, një nga emrat më të mëdhenj të historisë botërore.
Fatet e njerëzve dhe fatet e perandorëve ndoshta nuk kanë ndonjë ndryshim të madh midis tyre.
Duar të padukshme dhe vullnete të pakapshme janë ato që përcaktojnë shortin.
Shorti lëviz, krijon variante të ndryshme jetësh, pasurohet koleksioni i rrëfenjave, historia lëviz në mënyrë ciklike, kalojnë shekujt, ngrihen dhe rrëzohen perandoritë, por arketipi i shortit mbetet i përjetshëm, sepse shorti vetë nuk ka emër, por vendos mbi emrat, i ndriçon ose i errëson emrat dhe i bën kinse të rëndësishme këto emra sepse në fund të fundit të gjithë emrat nuk janë aq të rëndësishëm sa duken, ose sesa pretendojnë që të jenë.
ERAZMI I ROTERDAMIT DHE HARRIMI
Një karrocë e tërhequr nga dy kuaj, me një karrocier mbi pupë, doli nga qyteti i Bazelit në mëngjesin e vitit 1508.
Ishte mëngjes herët dhe rruga kalldrëmore qe plot mjegull, trajtat e së cilës lëviznin si mijëra fantazma të buta, por aspak kërcënuese.
Brenda në karrocë qëndronte një burrë 70-vjeçar, i dobësuar, që mbante në kokë një kapele të madhe të purpurt.
Fytyra e këtij burri pa mjekër dukej e stërplakur dhe gati e bardhë.
Balli i madh seç kishte një lloj fosforeshence, në fytyrë spikasnin vetëm sytë tepër të gjallë dhe të zinj, si sytë e një fëmije.
Ky burrë ishte i famshmi Erazmi i Roterdamit.
Ai po largohej nga qyteti i Bazelit, ku kishte ndenjur gjatë, po kërkonte të shkonte në një vend diku, pa e ditur as emrin e qytetit, të shkonte pikërisht në nj hapësirë ku të kishte mundësi të jetonte në një shtëpi të thjeshtë, larg famës së tij, përtej telasheve që kishte sjellë kjo famë e madhërishme por dhe e bezdisshme.
Ai shkoi në qytetin Fleiburg, por qëndroi shumë pak aty.
Pastaj në një tjetër qytet të quajtur Braband. Në këtë të fundit duka i qytetit e kishte vendosur në një pallat plot përkujdesje dhe dashuri. Por Erazmi tashmë dëgjonte zëra të tjerë. I shihte njerëzit, adhuruesit e tij të panumërt, shihte gjestet e tyre por nuk ua dëgjonte zërat. Erazmi nuk gjente dot prehje dhe qetësi.
Urdhëron përsëri t’i bënin gati karrocën e udhëtimit. Ndjente një të ftohtë të çuditshëm në gjymtyrë. I dukej se po i akullzohej truri. I gdhinte netët pafjetur.
Qe dobësuar aq shumë sa nuk e mbanin këmbët.
U kthye përsëri në Bazel në pallatin e mikut të tij, Frobenit.
Aty në një dhomë të rehatshme, me një bibliotekë plot libra ku ishin dhe librat e tij, rrinte i shtrirë në një shtrat baldakin. Oxhaku i dhomës qe përherë plot zjarr. Erazmi kishte gjithmonë ftohtë dhe dridhej.
Në mes të dhomës ishte tryeza e shkrimit. Mbi të letrat e bardha, shishja e bojës dhe pena. Por Erazmi tani kishte frikë t’i shikonte ato
Gjatë gjithë jetës kishte shkruar kaq shumë. Në tërë Evropën ai mbahej si njeriu më i ditur që kishte ardhur ndonjëherë mbi Tokë. Kishte botuar libra në greqisht dhe në latinisht, dy gjuhët e vdekura që ai i njihte më mirë se gjuhët e gjalla. Erazmi nuk dinte ç’të bënte më. Nuk kishte më as entuziazëm.
-Çdo entuziazëm është forcë e ambicies, – mendonte ai. Vdekja është fundi i çdo lloj ambicieje. Hynin e dilnin njerëz për ta përshëndetur dhe për ta lavdëruar. Por ky ishte thjesht një ritual. Kryevepra e Erazmit “Lavdërimi i Marrëzisë” ishte ndoshta libri më shpotitës i të gjitha shekujve.
Të jesh njerëzor do të thotë të jesh edhe i marrë – kjo qe dhe substanca e librit.
Të tëra përsiatjet, alegoritë ishin fluturake, dialektika e shpirtit qe gjithmonë një paradoks i lëvizshëm, shpërthyes, që s’merr fund kurrë.
Ky libër e kishte zhbërë tërë mesjetën, e kishte bërë errësirën e paditurisë konvencionale por dhe kishte ngjallur shpresa utopike.
Dëbora e dimrit të Bazelit kishte mbuluar pullazet e shtëpive, katedraleve.
Papritur një mëngjes posta i solli një letër.
Letrën e kishte nënshkruar një njeri i panjohur, një farë François Rabelais.
Ai shkruante në letër këto fjalë në latinisht “salve itaque etiam atque etiam, pater amantissime, pater decusque patriae, literarum assertor, veritatis propugnator invictissime”, që do të thonin “gjithë ç’jam dhe sa vlej, e kam pasur vetëm nga ty, dhe po të mos e pohoja këtë do të isha krijesa më mosmirënjohëse e të gjitha kohërave”.
Këto fjalë i sollën një farë këndellje Erazmit.
Gati u përmend si nga një letargji.
Madje u ul për të shkruar për të vijuar me komentin e veprave të Origjenit, të njërit nga etërit më erudit të kishës.
Për çudi i erdhi një letër nga Papa i Romës, ku i propozonte kapelën e kardinalit. Por Erazmi e refuzoi këtë ofertë. Papa kishte arsye ta bënte këtë.
Armiku më i madh i Romës qe antipapa Martin Luteri, revolucionari fshatar gjerman, i cili përfaqësonte teologjinë e protestantizmit duke e shkatërruar si arkaike teologjinë katolike. Martin Luteri e njihte mirë Erazmin. Autori i “Lavdërimi i Marrëzisë” e kishte bërë kriticizmin ndaj kishës feudale mesjetare si askush.
Por Erazmi nuk pranoi të bëhej aleat dhe përkrahës publik i Luterit ndaj Luteri, i inatosur, kryeneç dhe i pamëshirshëm shkruante për miqtë “ju urdhëroj, me urdhrin e Zotit, që të jeni armiqtë e Erazmit dhe të mos i hapni librat e tij. Do të shkruaj kundër tij edhe sikur ta di se nga kjo gjë do të vdes, me penë dua ta vras Satanain”.

– Erazmi i Roterdamit –

I bindur në lirinë e pakushtëzuar, Erazmi nuk kërkonte të ishte pjesë e asnjë partie fetare. Për të liria qe gjithçka. Ai kishte luftuar për të qenë vetvetja, për të mos qenë si të tjerët, por tani po i afronte vdekja, trupi i qe sfilitur nga vuajtjet, pulsi i zemrës i regëtinte në mënyrë të çrregullt, gjithçka rreth tij qe bërë e pakuptueshme. Fliste por nuk dëgjonte as zërin e vet.
Në Bazel ai kishte shumë miq të përkushtuar.
Ata vinin të bënin dialogë më Erazmin, i cili u përgjigjej kuturu, gjë që i jepte një shkëlqim të çuditshëm dhe krejt të ri kuptimit të fjalëve të tij.
Ai të kujtonte Jobin biblik që bisedonte me të tjerët për kotësinë e jetës dhe brishtësinë e njeriut.
Si dijetar i pakrahasueshëm, Erazmi bëri një risi të vërtetë në leximin si duhet dhe të shqiptimit korrekt të tingujve të greqishtes së vjetër. Këtë filologët e quajnë “leximi erazmik”.
Por gjuha e tij e përditshmërisë në të gjitha vendet e Europës ku ai kishte shkuar, vende me gjuhë të ndryshme, qe kryesisht latinishtja. Ai botoi dhe shumë libra në latinisht.
Ai besonte se latinishtja do të ishte gjuha e së ardhmes. Sipas tij dallimet midis popujve dhe qytetërimeve qenë kalimtare, përvetësimi i latinishtes si gjuhë botërore do të krijonte njerëzimin e ri të humanizuar si kulturë, si histori dhe kuptimshmëri.
Në rrethet e dijetarëve Erazmin e mbanin si Mesia i latinitetit ku filologjia do të ishte më e rëndësishme sesa politika, ku shprehjet latine do të zëvendësonin me qartësi të pashembullt tërë shprehjet vulgare dhe provinciale të sundimtarëve dhe të njerëzve të tjerë, duke bërë kështu një ripërtëritje të botës.
Madje latiniteti do të zëvendësonte tërë akrobacitë teologjike dhe çdo gjë në botë mund të kthehej në një harmoni të paracaktuar dhe të saktë, ashtu siç është vetë sintaksa e bekuar e latinishtes.
Por 30 ditë para se të mbyllte sytë Erazmin e zuri një krizë e astmës dhe gati u asfiksua nga mosmarrja frymë.
Pastaj kriza e liroi dhe ra në gjumë.
Kur u zgjua nga gjumi kishte ndodhur diçka fatale dhe e pandreqshme më
Ky njeri e kishte harruar përgjithmonë latinishten.
Ai e kishte harruar gjuhën e dashur intelektuale, të cilën e kishte përfaqësuar mrekullisht. E ndjeu se kishte ndodhur një rrënim i madh brenda qenies së tij.
S’ishin gjë rrënimet e mbretërive të mëdha të Babilonisë, të Egjiptit, të Romës, të Bizantit përpara rrënimit të vetëdijes së Erazmit.
Ç’forcë kozmike ose demoniake kishte bërë që me anë të astmës së nëmur atij t’i zhdukej nga truri latinishtja?
A nuk ishte trupi i Erazmit banesa më e epërme, më e stolisur e shpirtit të latinishtes?
Pse e kishte braktisur ky shpirt magjik, shpirti i mendimit dhe artit, i retorikës dhe i poezisë, i historisë dhe filozofisë, shpirti shprehjeve lakonike të lirisë qenien e mendimtarit të patjetërsueshëm, pa një të dytë. Ç’kishte ndodhur kështu? Pse duhej të ndodhte kështu?
A ishte ky kumt i Providencës?
A ishte një mençuri apo një marrëzi?
Tragjedia e heshtur në mendimet e Erazmit para vdekjes nuk mund të tregohet.
Madje as nuk mund të imagjinohet. Ajo ishte një tragjedi sekrete, kundërthënëse, absolutisht e vërtetë dhe e përcaktuar të zhduket, të harrohet. Përfundimisht.
30 ditë u përpëlit pa folur në shtratin e vdekjes Erazmi i Roterdamit.
U stërmundua, zgurdulloi sytë, lëvizi gjymtyrët, klithi plot ankth. Thuhet (disa nga dëshmitarët e kundërshtojnë njëri tjetrin për këtë) se në akthin instinktiv të paravdekjes buzët e tij të ngrira kinse nxorën papritur tinguj të mësuar në fëmijërinë e largët “Lieve God”, në dialektin flamand të Holandës, ku ai kishte lindur, në gjuhën që e kishte harruar qysh kur, që s’e kishte përdorur kurrë gjatë jetës.
Edhe një frymëmarrje pas këtyre fjalëve misterioze dhe të befasishme si tërmetet apokaliptikë dhe pastaj mbi Erazmin e Roterdamit ra ajo, e pushtetshmja, e pakrahasueshmja, gjëja më e bekuar dhe më e pamundur për njerëzimin, domethënë ra paqja.
Paqja, gjuha e së cilës është më universale dhe ndoshta më pak e vështirë dhe më pak e pakuptueshme sesa greqishtja dhe latinishtja erazmike.

– Arkeologu Moikom Zeqo –

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura