Tiranë, 26 prill 2018: Kush është Zoti për një besimtar, përveçse pronar i pronarëve, mbret i mbretërve i të gjithë universit ?Është fuqia më madhore. Luigi Fabbri
Në Enciklopedinë filozofike Garzanti 2007 shkruhet: “Me termin Zoti nënkuptojmë qënjen më të lartë, të paisur me fuqi të jashtëzakonshme, që në kultura fetare të ndryshme është emërtuar dhe simbolizuar në mënyra të ndryshme.” (1) Për të pranuar origjinën arbërore të emrit Bindu tek mitet indiane, duhet të zbulojmë si emër (me të njejtën karakteristikë – të bindjes) edhe në besimin e lashtë të Arbërve. Që fjala “bindu” përdorej në gjuhën shqipe me kuptim besimtar (hyjnore/e shënjtë), e pamë tek libri i Shtjefën Gjeçovit (Trashëgime thrako-ilirjane) ndërsa si emër mitik, e gjejmë në traditën e banorëve të lashtë të Gadishullit pellazgjik (ballkanik) tek perëndia ilire BINDI- në shqip, apo BINDUS – sipas shkrimeve latine.
Emri Bindi, ka tërhequr vëmëndjen e shumë gjuhëtarëve. Albanologu Nikoll Gazuli (1895-1946), që me përkushtim mblodhi të folurën e Malësisë së Madhe dhe të trevave të jugut shqipetar, pohon se fjala « bindi » përdorej si sinonim i fjalëve : 1.çudi, mrekulli. 2. send i çuditshëm, i mrekullueshëm. Ishte bindi i tokës: një mrekulli, për bind: mrekullisht. (2) Me misionin e një prifti katolik dhe me një kulturë të gjerë shkencore, për ta saktësuar kuptimin e fjalës “bindi”, ay jep si shëmbull tog-fjalëshin shqip « Bindi i Zotit » të krahasuar me shpjegimin në gjuhën latine: mirabile Dei (Perëndi e mrekullueshme/e mahnitëshme). N.Gazuli në fakt, na tregoi rrugën që duhet ndjekur për të kuptuar emrin “bindu” në përdorimin e tij besimtar, dmth si sinonim i emrit të Zotit, siç e shikojmë qart edhe në të folurën e popullit tonë tek tog-fjalëshat: « Bindi i tokës » (Perëndia e tokës), « Bindi i botës »(Perëndia e botës) etj. Me të drejtë e vëren këtë barazim edhe R.Ushaku , i cili pohon se: « Semantizmi i emrit „bind“ në gjuhën shqipe i ngërthen kuptimet e mrekullisë, çudisë, admirimit, mahnitjes, por edhe të habisë, drojes, frikës, shëmtisë, veti këto hyjnore… »(3)
Por ishte një befasi e papritur, kur në librin e Guido Guidi Guerreres (Magia della piramide. Le tecniche rituali tra magia e scenza) zbulojmë se në Egjiptin e lashtë, jo vetëm është përdorur fjala « bindu », por edhe në kuptimin e saj besimtar si « forcë hyjnore »: «Shkencëtarët ndoshta rastësisht e kanë emërtuar me emrin « atom », atë pjesëz të vogël, e megjithatë shumë të madhërishme, të cilën egjiptianët e emërtonin «bindu» (…) dhe si mund të mos mendojmë për atë fuqi shkatrimtare, si për mirë dhe për keq, të kësaj bërthame të jashtzakonshme të energjisë, që mëndja jonë të kapërcejë pa u luhatur, përtej kufijve të pranueshme njerëzore duke folur në njëfarë mënyre me gjuhën e mistereve të të mbinatyrshmes ! ». (4) Në gjuhën angleze, në fushën e fizikës bërthamore, vijon të përdoret tog-fjalëshi « Bind-ing energy ».
Studiuesja Fatbardha Demi
Studiuesit pohojnë se perënditë ilire, simbolet dhe “detyrat”e tyre janë bërë të njohura kryesisht nga objektet arkeologjike të kultit, shkrimet helene dhe të periudhës romake. Në trevat e banuara nga fiset e Japodëve, në altaret e sakrificave është gjetur emri i kësaj perëndie, veçmas apo i bashkangjitur me emrin e perëndisë së detit të romakëve “Bindus-Neptunus”. Bashkangjitja e emrave të perendive, nuk është një dukuri e panjohur në mitologjinë e popujve, mjafton të sjellim listën e gjatë të banorëve hyjnorë të Olimpit me koresponduesit e tyre romak : Ares-Marte, Artemide-Diana, Atena-Minerva, Efesto-Vulcane, Era-Giunione, Ermes-Mercurio , Poseidone-Nettuno, etj.
Ky paralelizëm i perëndive tek popujt e hapësirave të ndryshme gjeografike, buronte nga fakti se, shumë fise të Gadishullit Apenin (italik) ishin të një etnije me fiset e Gadishullit Pellazgjik apo të ardhur prej tij. Shqipetari i vjetër – pohon Dr.J. G. Hahn – nuk ishte vetëm moshatar dhe fqinj i romakut të vjetër dhe i helenit, por edhe farefis me ta. (5) Mbrapa lindjes së Romës si “qëndra e Botës”, pohon studiuesi Giovanni Feo (Misteri Etruschi), faktor themelor ka qënë qytetrimi etrusk me teknikat e tij të përparuara dhe të shumanëshme , artin, gjuhën, besimin, metalurgjinë, sundimin ushtarako-tregëtar të detit, dhe misterin e tokës që lidhej me kultin egjeo-lindor të femrës. (6) Nuk është rastësi, që emri « Alba » i qytetit Alba Julias (Rumani), ku janë gjetur shkrime me emrin Bindi (Bindo-Neptwo-Sacrvm), gjatë periudhës romake emërtohej Apulum, sipas perëndisë së bubullimave dhe vetëtimave të etruskëve – Apulu, (7) fakt që dëshmon se, banorët autokton dhe elita ushtarake e romakëve, kishin përkatësi të njëjtë etnike.
Në studimet historike mbi lashtësinë, jo rallë herë vërehet se, mungesa e dokumenteve shkrimore dhe e njohurive mbi historinë / gjuhësinë / besimin etj. të Shqipetaro-Arbërve, bëhet shkak për përfundime pa asnjë bazë shkencore në këto fusha. Shëmbull është rasti i studiuesit Daniel Dzino (Bindus-Neptunus: Hybridity, acculturation and power in the hinterland of roman Dalmatia.) Autori vë në dukje se shkrimet mbi altarë në lokalitetin e Privilica-Golubic (Bihac/Bosnjë-Hercegovina) mbi perëndinë Bindus-Neptunus nuk janë para – romake, por të shekullit të 3-të, dhe vendosja e emrit autokton-Bindu- krahas emrit Neptun, nuk tregon se popullsia vëndëse ka patur një perëndi të detit,por është një huazim i elitës së tyre, të perëndisë së pushtuesve romak. Si përfundim pohon se : “Hamëndsimet dhe spekulimet nganjëherë shkonin shumë larg, madje duke imagjinuar dhe sajuar lidhje, mes perëndisë Bindus dhe mitologjisë shqiptare (…) Për fat të mirë nuk është nevoja t’ia rikujtojmë vetes se emërtimi “Illyrians” është një ndërtim i hershëm modern, i mbivendosur mbi një emërtim të lashtë të popujve të ndryshëm, që nuk pajtoheshin me ndjenjën e bashkimit, përpara pushtimeve romake”. (8)
Për një historian të lashtësisë të kohës së internetit, është e pafalshme të bëj përfundime, pa patur njohuri të sakta shkencore apo, siç thotë populli ynë : “pa ngrënë bukë në sofrën” e atij për të cilin flet. Johan G. von Hahn në veprën e tij (Studime Shqipetare) prek pikërisht faktin e « ndikimit » mbi botkuptimin e shqipetarëve: «Kjo dispozitë shpirtërore e shqipetarëve, falë së cilës ai merr gjënë e trashëguar me një këmbëngulje të madhe dhe nuk pranon këtu asnjë ndikim të huaj, del në dritën e saj të vërtetë, atëherë kur kemi parasysh se një pjesë e madhe e popullsisë, bile mund të themi lulja e saj, kohën më të mirë të jetës e kalon në kurbet dhe pavarsisht nga kjo, qytetrimi i huaj nuk mund ta zhduk çfarë ai ka sjellë me vete nga atdheu ». (9) Kur shqipetarët janë aq të lidhur me traditën e tyre jashtë vëndit në shk.19-të, si e paskan ndryshuar atë, brënda krahinës dhe fshatit të tyre të lindjes, gjatë shek.3-të ?
Faik Konica, duke ju referuar studiuesit gjerman M.Flus, jep një mendim shkencor mbi përdorimin e emrit Bindi-Neptun në trevat e Ilirisë : “Pak gjë dihet për fenë ilire para pushtimit romak. Megjithatë është i sigurt një fakt qëndror, që ajo nuk ndryshonte thelbësisht nga feja e romakëve, sepse, ndërsa në viset e tjera të Perandorisë kishte fërkime të vazhdueshme për shkaqe fetare ndërmjet ngadhnjimtarëve dhe kombësive të huaja të pushtuara, në viset ilire nuk kishte asgjë të tillë. Hyjnitë vëndëse ilire, ndonëse me emra të tjerë, u korrespondonin perëndive romake dhe shpejt pas pushtimit ngriheshin altarë për hyjnitë, pavarsisht nga emri i vjetër ose i ri”. (10) Për rrjedhojë, ndërsa në veri tek dardano-ilirët, për perëndinë e detit lexojmë – « Bindus-Neptunus », tek romakët e gjejmë në formën – « Nettunus-Poseidone ».(11)
Përsa i përket pyetjes nëse kishin apo jo Dardano-Ilirët një perëndi të detit, mjaftonte të shihej harta gjeografike e trevave të këtyre fiseve për të vërejtur lumenjtë dhe burimet e shumta ujore, në brëndësi të vëndit dhe një vijë e gjatë bregdetare në perëndim. Për shfrytëzimin e kësaj pasurie natyrore Nicholas Hammondit (Historia e Maqedonisë, Oxford, 1972) pohon : « Vijat e komunikimit rrugor e detar, i jepnin rëndësi të madhe Shqipërisë qëndrore në mënyrë të veçantë limaneve të gjirit të Vlorës, të Durrësit dhe të lumit Drin. Mandej, kishte edhe një rrugë tjetër që, duke u nisur nga limani i Drinit, nëpër Kukës e Prizren, arrinte në Metuhi e në Kosovë, ku kishte miniera bakri që prej periudhës eneolitike. Si pasojë, kishte më shumë mallra të importuara në Shqipëri se sa në Maqedoni. Dhe për këtë arsye, nga pikpamja ekonomike e asaj kohe, Shqipëria ishte një vënd i pasur. (12) Për të patur mbrojtje në këtë veprimtari jetësore, lutjet dhe flijimet për perëndinë luftarake të ujrave dhe të detit Bindu, tek këto fise zinin një vënd qëndror.
Është e vërtetë që nuk kemi ndonjë pasqyrim të kësaj perëndie në objektet arkeologjike të Gadishullit ilirik, por kjo nuk dëshmon se nuk ka ekzisuar. Një nga arsyet mund të jetë, se miti i tij i përket periudhës kohore shumë të herëshme, krahasuar me Neptunin romak dhe Posejdonin e Olimpit. Siç dihet, paraqitja e perëndive në art me pamje njerëzore, ka filluar shumë më vonë. Por, rëndësia e “barazimit” të perëndive në shkrimet e autorëve dhe objektet e kultit (në rastin tonë Bindi-Neptuni), kur mungojnë të dhënat shkrimore, na japin dëshmi të rëndësishme për simbolet e tij dhe besimin e fiseve që e kanë adhuruar.
Harku prej robe mbi kokën e Neptunit dhe tre dhëmbëshi (fig1poshtë) janë përdorur nga artistët e lashtë, për të treguar se romakët, që i luteshin kësaj perëndie, i përkisnin besimit HËNOR, sikurse dardano-ilirët dhe iperioto (epirioto)-helenët e Dodonës.
a-Triumfi i Neptunit. Mozaik Hadrumète (Sousse) mezi i shk.3 pK. Muzeu arkeologjik-Tunizi. b- gravurë e një vepre arkeologjike etruske, e cila riprodhon mitin e panjohur të një perëndeshe shumë të lashtë, të paisur me “syrin hyjnor”. c- sfinksi që zbukuron murin e Pallatit të Dariusit , Persepolis.(13)
Gravura që shikojmë (fig.2 lartë), i përket mitologjisë etruske, për të cilën nuk ka asnjë dokument të shkruar. Mjeti i vetëm shprehës i miteve dhe i besimit, në lashtësi kanë shërbyer varret, altarët, tempujt, mozaikët, skulpturat etj. që shikoheshin nga populli dhe tregimet që përcilleshin gojarisht. Mendimi besimtar i lashtësisë edhe sot është pëgjithësisht i pakuptueshëm apo i keq-interpretuar (një dukuri që vihet re në Fjalorët e simboleve, mitet apo në shpjegimin e figurave mbi objektet arkeologjike).
Për të kuptuar mitin që shpreh (fig.2), do të vërejmë një figurë historike në formën e sfinksit (fig.3), atë të mbretit Dario i I-rë i Persisë ( 550 pK – 486 pK). Artisti i lashtë, ka përdorur kombinimin e gjallesave të botës shtazore, për të përjetësuar idenë se : ky mbret ka qënë një sundimtar i fuqishëm ushtarak (trupi i luanit shpreh forcën e pushtetit) dhe gëzonte të drejtën e përfaqësuesit dhe ndërmjetësit të Zotit (krahët e shqiponjës). Çdo nënshtetas duhet të kuptonte se figura dhe pushteti i tij janë hyjnore e për rrjedhojë të shënjta. Të gjitha skulpturat e besimit pellazg, që janë të paisura me krahët e shqiponjës, i përkasin një periudhe kohore shumë të lashtë. Neptuni romak dhe as Posejdoni helen, në pamjet që njohim, nuk kanë krahë shqiponje, fakt që dëshmon se miti i tyre është më i vonshëm se ay i Etruskëve apo Tuskëve apo Toskëve në shqip, të cilët kishin perëndi të detit- Nettunus.(14)
Në të njëjtën mënyrë shprehet miti parahistorik i një mbretëreshe të hyjnizuar(fig.2),e paraqitur si sunduese e detit dhe e tokës (këmbët e saj si të kuajve të Neptunit, shpata në dorë), në rolin e kryepriftëreshës-orakull(krahët e shqiponjës të paisur me “syrin hyjnor” të Krijuesit). Sot, figurat gjysëm femër/peshk emërtohen “sirena”, nisur nga pershtatja e mëvonshme në mite, si në veprën e Homerit “Odissea”(libri 12).(15) Shpata që mban në dorë është dëshmi e natyrës së saj sunduese dhe dënuese, në dy botë : atë ujore dhe tokësore. Këto cilësi i shpreh edhe Perëndia e ujrave Bindu: me emrin e tij, me flijimet që i bëheshin nga fise të cilat zbuluan dhe përsosën përpunimin e mineraleve (prodhues të armëve dhe veglave të punës) që lanë emër në lashtësi si lundërtarë dhe luftëtarë të zotë, duke e shtrirë sundimin mbi hapësira të pamata detare dhe tokësore.
Perëndia e ujrave në mitologjinë e Dardano-Ilirëve
Bindi është njohur si perëndia kryesore e fiseve ilire të Japodëve, të cilët i ngrinin altarë me dedikime (Bindo-Neptuno-Sacrum). Në altarin afër burimit të lumit Privilica, në afërsi të Bihaçit në Bosnjë janë gjetur sasi të mëdha brirësh të dhive të flijuara gjatë riteve për nder të tij. (16)
Arkeologu i njohur Hasan Ceka, (sikurse edhe studiues të tjerë shqipetarë) na tërheq vëmëndjen për rastet, kur lexojmë emrat e banorëve të trevave pellazge në gjuhë të huaj. “Fiset e kumtuara nga burimet latine, në më të shumtën e rasteve janë nxjerrë nga veprat më të lashta greke, kështu që format e arritura tek ne, kanë rrezik të jenë larguar shumë a pak, nga shqiptimi origjinal ilir ». (17) Studiuesi vë në dukje se emërtimet e fiseve autoktone, duhen shqyrtuar duke u bazuar në dukurit e gjuhës së tyre, rrugë që kishte ndjekur edhe Johan G. Hahn : «Fisi i vjetër i ilirëve të veriut, Japodët që përmënd Straboni dhe Japydët për të cilët shkruajnë Ptolemeu dhe Plini, na duken sikur tingëllojnë njësoj me « lap », sepse « l » para « j »zhduket në gjuhën shqipe ; Për këtë ndryshim kemi shumë shëmbuj, shih Gram. §3 Nr24». Ky emër, vijon Hahni, përsëritet tek « lapgulapët », të cilët gjinden në fushën e Kosovës dhe na kujton « galabesët » e Dardanisë së Vjetër të cilët, siç duket, kanë banuar në ato vise. »(18) Pra mund të themi se emërtimi origjinal i fiseve pellazge të Japodëve, ka qënë « lap-odët » ose « labët ».
Edhe sot nga shqipfolësit përdoret « lap/lab » për banorët e krahinës së Labërisë. Këto të dhëna gjuhësore,siç do ta shikojmë edhe më poshtë, vërtetojnë autoktoninë arbërore të perëndisë Bindi.
Ndër të parët që e ka bërë të njohur perëndinë ilire Bindu, ka qënë arkeologu austriak Karl Patsch (1895-1945) sipas të cilit, Ilirët kishin një Zot të veçantë që quhej Bindus për krojet, përrenjtë dhe lumenjtë. Gjuhëtari dhe poeti shquar, që ushtronte detyrën e priftit- Ndre Mjeda (1866 – 1937), gjithashtu e përmënd se, si zot të ujërave në traditën shipetare është adhuruar hyjnia Bind. (19)
Autorë të vëndeve të tjera ballkanike kanë sjellë dëshmi më të zgjeruara për këtë perëndi. Ata nuk kanë mundur ta trajtojnë kuptimin gjuhësor të emrit, por janë thelluar mbi natyrën para-romake dhe autoktone të hyjnisë, fiset që e kanë adhuruar dhe vënd-ndodhjen e altarëve ku janë ushtruar ritet e saj. Në studimin e tij (Bindus-Neptunus and Ianus Geminus ,at Alburnus Maior (Dacia) Sorin Nemeti, pohon se altarë të perëndisë Bindi janë zbuluar në krahinën Alba të Transilvanisë (Rumani) ku ndodheshin minierat dhe vëndbanimet e minatorëve të hershëm (lat.Alburnus Maior). Në galeritë e minierave ata kanë lënë emrat e tyre, mbi bazën e të cilave studiuesit kanë mundur të përkatojnë se cilave fise u përkisnin këta emigrantë (Delmatae, Pirustae, Baridustae , Maniatae ,Sardeates, Ansi…). Pranë një altari kushtuar perëndisë Bindus – Neptunus, pranë qytetit Privilica në krahinën malore Bihac, ndodhej edhe një figurë e gdhëndur kalorësi i cili në njërën dorë mbante një tredhëmbësh dhe në tjetrën delfinin. Sipas autorit perëndia e ujrave Bindu nuk është e huazuar, por e banorëve autokton. Edhe në jug-perëndim të krahinës së Panonisë janë gjëndur gjurmë të ushtrimit të kultit të Neptunit (Bindu), si perëndi të ujrave rrjedhëse dhe të lumenjve. Në mitologjinë e herëshme romake, Neptuni paraqitej si perëndi e ujrave të lumenjve dhe jo si perëndi e detit dhe e marinarëve, kjo , thekson autori, e bën të kuptueshme se përse u pranua emri Bindus nga romakët për Neptunin.(20) Me qënëse, siç vihet në dukje nga Hahni, Livi (XLV,30) shkruante se Peonia (Paionia) e atëhershme ishte një krahinë e Dardanisë (21), rrjedh përfundimi se Bindu ka qënë edhe perëndi e fiseve të famshme të mitollogjisë së lashtë – Dardanëve.
Edhe studiuesi Nikole ÃÅupiica vëren se: « Fjala Bindus nuk është as latine dhe as greke dhe nuk paraqitet si emër apo epitet në panteonin latin apo grek (…) dhe pranë altarëve janë gjetur shumë kocka të dhive , dëshmi e qartë se kjo kafshë i flijohej perëndisë Bindu ». (22)
Arkeologu kroat Sineva KukoÃÂ (The cult of Bindo Neptune) duke studiuar kultin kryesor të japodëve, të dokumentuara në periudhën Romake të rajonit Bihac (Privilica) veçanrisht të domethënies simbolike të kafshëve të flijuara (dhisë/cjapit), pohon se Bindi i Japodëve është sundues i ujrave si dhe i zjarrit në ujë, për rrjedhojë ay është lëvizësi kryesor i cikleve të mëdha, të domosdoshme për shoqërinë. (23)
Edhe perëndia e zjarrit-Agni, të cilit i kushtoheshin ritet e Bindit në besimin hinduist (Indi), lidhej me ujin. Në Rig-Vedën (filozofinë besimtare të vedizmit) përmëndet shpesh se Agni ka lindur nga uji ose banon në ujë. (24) Studiuesit e vedizmit pohojnë se Agni ka tiparet e një hyjnije ujore. (25)
Në Enciklopedinë Danteske të emrave (Franco Cardini – Enciclopedia Dantesca, 1970), përmëndet së emri Bindi është shumë i përhapur në Firencën e viteve 1200-1300,krahas atij Lapi, që më vonë e hasim edhe si mbiemër.(26) Po si u gjëndën në Firence emrat/mbiemrat Bindi dhe Lapi ?
Duhet të rikujtojmë së ky qytet ndodhet në zonën e banuar nga fiset Etruske dhe zakonisht, fiset kur emigronin nga vëndi i tyre, shkonin në ato zona, ku gjenin banorë me përkatësi të njëjtë etnike, siç e dëshmon edhe emri i malit Albani pranë qytetit.
Siç u përmënd edhe më lart, emri origjinal i fiseve Japode, ka qënë Lapodët ose Labët. Sot « labët/lapët » emërtohen banorët e Labërisë, Shqipërisë së jugut (Toskërisë). Arkeologu Hasan Ceka na zbulon se, këtë emërtim e mbante edhe një krahinë në Iliri:« Livi i quan banorët e krahinës Labeates. Me këtë emër hyri ky fis edhe në historiografinë moderne, jo vetëm tonën (…) Po të zhveshim legjendën nga prapashtesa e huaj do të na dilte se krahina quhej Labia, pra banorët e saj nuk duhet t’i thërrasim më “labeatë” as “libeatë” por “labianë” ose thjesht “labë”. (27)
Në Fjalorin e Gaffiot, Félix (1934) Dictionnaire Illustré Latin-Français) përcaktohet : Labeates-një fis i Ilirisë me kryeqytet Shkodrën. (28) Pra nuk është çudi qe emërtimet e fiseve arbërore dhe të perëndive të tyre të ndodhen edhe tek banorët e qyteteve dhe krahinave të Gadishullit italik.
Për sa më sipër, në mitin e fiseve pellazge dhe atij të vedizmit në Azinë e largët, gjënden pika të shumta të përbashkëta si : Emri Bind(u/i) në mit, lidhja me ujin dhe zjarrin e sakrificave, kafshët e njëjta të flijimit (dhia/cjapi), lidhja në ritet e Zotit/Bindu me shqiponjën, miti i «syrit hyjnor» dhe të simboleve njëjta të Krijuesit/Bindu (kryqi, pika, spirali etj), ushtrimi i bësimit Hënor, si dhe trashëgimi si emër/mbiemër – Bindi, tek popullsia e tyre.
Në objektet arkeologjike të Muzeut në Durrës shikojmë simbolin Bindu/Zoti dhe të shqiponjës si përfaqësuese e tij në tokë.
a-Kryqi në ball, simbol parahistorik i Krijuesit,shk 3. b- Figurë shumë e rrallë e shqiponjës në gur-varr, që tregon se i vdekuri duhej të ishte nga shtresa e lartë, sa të shoqërohej drejt botës së përtejme nga vetë ndërmjetësi i Zotit. Mumjet e faraonëve në piramida, mbështilleshin me figurën e shqiponjës. c-Një mbretëreshë/priftëreshë me « veshjen » e shqiponjës gjatë një riti vajtimi dhe përcjellje drejt botës hyjnore. Në lashtësi me veshjen e shqiponjës në objektet arkeologjike është paraqitur vetëm mbreti/kryeprift.
Këto përputhje nuk janë të rastësishme, por dëshmojnë përhapjen e besimit dhe mitollogjisë së bashkësive fisnore më të fuqishme ushtarake të parahistorisë, Pellazgëve-atllantidë, të paisur me nivelin më të lartë qytëtrimi se sa fiset e tjera të Euro-Afro-Azisë e më gjërë. Përgjithësisht në shkencën historike dhe atë gjuhësore është pranuar se ndikimi më i hershëm i lashtësisë, e ka patur kahjen « nga lindja në perëndim » me të ashtuquajturat fiset « indo-europiane » ose shkurtimisht fiset Aria. Me qënësë ky është një problem , që akoma nuk ka gjetur një trajtim të plotë shkencor,do të mjaftohemi të vëmë në dukje disa fakte për tezën tonë :
• Studimet, deri në ditët e sotme mbi vedizmin, pranojnë se është një qytetrim i sjellë në Indinë e lashtë nga një popull që ka zbritur nga zonat e larta të Iranit, mbas rënies së qytetit të Mohenjo daro dhe Harappa.(29) Pra nuk është një besim i banorëve autokton të Azisë së largët.
• Qytetrimi i Europës arkaike (Gadishulli pellazgjik) ka qënë shumë më i zhvilluar se ay i fiseve të Sumerëve të Azisë së afërt. Sipas arkeologes M.Gimbutas shkrimi i gjetur në zonën dardano-ilire (kultura Vinka) ishte 2000 vjet më i hershëm se ay i Sumerëve dhe i qytetrimit Elamik të Iranit të lashtë. (30)
• Emri Bindu dhe miti i “syrit hyjnor” kanë kuptim gjuhësor vetëm në gjuhën pellazgo-shqipe.
• Idea e Krijuesit, tek pellazgët ka qënë në hapësirën qiellore, që është ideja më e lashtë mbi të, ndërsa tek besimi vedist dhe pasuesi i tij- budizmi, e shikonin hyjnoren brënda qënies njerëzore. Kur lindi Buda deklaroi se ishte “ Qënja e vetme e adhuruar në Qiell dhe në Tokë”. (31)
• Historia, besimi, gjuha dhe objektet arkeologjike deshmojnë se vala e pushtimeve më të herëshme në historinë e Euro-Azisë ka qënë: Perëndim → Lindje dhe jo e kundërta.
Si përfundim
Koha jashtëzakonisht e gjatë e zhvillimit historik të besimit dhe e shoqërisë njerëzore (dhe arsyet e tjera), e ka bërë të vështirë njohjen e panoramës së parahistorisë. Siç shprehet Mircea Eliade: “Asnjë traditë besimtare nuk përcillet pafundësisht pa pësuar ndryshime, si rrjedhojë e krijimeve të reja shpirtërore (besimtare-shën im), të huazimeve, ndërfutjeve (…) të nisur siç duket që nga parahistoria”. (32) Por, shkencat e ndërlidhura të gjuhësisë, besimit, arkeologjisë etj., të kohëve moderne kanë faktuar se: ”Fatmirësisht për njeriun, e kaluara nuk vdes kurrë plotësisht (…) Kuptimi i thellë i një rrënje gjuhësore, mund të ngërthejë ngandonjëherë, një mendim apo zakon të lashtë; Idetë u shndruan dhe kujtimet u venitën; por fjalët mbetën dëshimtare të pandryshueshme të besimeve që u zhdukën”. (33). Drejtësinë e këtij përfundimi të Fuestel de Coulanges (Qyteti antik) e dëshmoi edhe “odisea” nëpër tre kontinente e emrit pellazgo-arbëror Bindu dhe i mitit të “syrit hyjnor”.
Të parët, në Historinë e mitologjisë botërore, e kanë shprehur këtë dukuri Rilindasit tanë si Naim Frashëri, kur pohonte në mënyrë figurative, se Pellazgo-Arbërit “ishin baballarë dhe të perëndive”, domethënë krijuesit e miteve të para. Ky zbulim shkencor i Rilindasve, i bazuar mbi studimet e shumta të arbëreshëve të Italisë, vijoi edhe nga studiuesit e më vonshëm si Shtjefën Gjeçovi, i cili në veprën e tij (Trashëgime thrako-ilirjane) shkruante :“Mb’ato krahina, kahë xu fill lumnija e jonë, lumnija e Pellazgjve; e t’u ngjiem (duke u ngjitur-shën im) ndër ato gomille rrënimesh të Ndivënëses së Dodonës, kah filluenë e u përhapnë besimet e para”. (34)
Sot, studimet Albanologjike përmbajnë vepra të shumta të autorëve modern, shqipetar dhe të huaj, të cilët vijojnë rrugën novatore të Rilindasve në trajtimin e parahistorisë, sidomos të zhvillimit të mendimit besimtar botërore, ku veçojmë studimin madhor të Petro Zhejit “Shqipja dhe Sanskritishtja”. Në këtë fushë, problem mbetet të përcaktohet se: Cilët, nga fiset e shumta pellazgjike të Gadishullit tonë ishin ”krijuesit” e teollogjisë në parahistori, pararendëses së besimeve që njihen sot?
Fatbardha Demi ([email protected])
Tiranë, 25. 04. 2018
____________________
FATBARDHA DEMI: BINDU! – EMRI QË I DHANË ARBËRIT – PERËNDISË (I)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=7349
***
FATBARDHA DEMI: BINDU! – EMRI QË I DHANË ARBËRIT – PERËNDISË (II)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=7350