Berlin, 26 prill 2018: “Berlini bartë Kippa” ishte parulla e një demonstrimi revolte të qytetarëve berlinezë kundër antisemitizmit, që nxjerrë sërish thonjtë e vet të pelintë nga arkivi i pluhnosur.
Në fakt, gjithçka ngjante pak përtace: a s’ishte numër i vogël – në Berlinin e madh?
Në fakt, dhe për zhvillime tjera të ngjashme, ku përplasen Demosi e Politika, nuk tubohen shumë, impozantshëm më shumë refuzues ndërkëmbjesh a kërkimtarë të drejtash. Madje, më pak se në hemisfera të tjera në Europë. Ndonëse gjermanët duken absolutistë (disi ngjashëm reflekton në “Reichsidee”, Otto von Habsburg) që sikur admirojnë vertikalen e Njëshit, sërish, kjo nuk flet aspak për ndërgjegje të fjetur. Shkakësia, ndërkaq, do gjendet në inercien e viteve të harmonisë sociale të Republikës së Bonit.
Megjithatë, ata dolën udhëve e shesheve të harruar me Kippan, domethënë kapelën a plisin hebraik mbi kokë.
E ndërsa i ndiqja, pamjet e marshit të heshtur më zgjonin, drojshëm, gati të ndaluar një mall. Duke e ndjerë akoma në larginë, më kujtonin “mallin për të pambërritshmem” e poetit Mekuli, titanit zëshquar që jeta nuk do ia shuante kurrë.
Ishte, ndaj, dësh’rimi mjegullor e fatal që dhe në një zonë të vrugët ballkanëse të shihja një kulturë faji të tillë. Natyrisht, jo me Kippa çifute, por me plisat e bardhë shqiptarë mbi krenat e penduar dhe zemrat e trishtuara serbe në Belgrad.
Veçse, megjithë fismërinë, a nuk struket kjo ide ende në shtratin ëndërrtar? Janë marrëdhëniet e shqiptarëve me serbë ose Serbinë plot histori të mugët asimetrike që përligjin pyetjen e sipërbërë. Sepse, në një anë, anën serbe pati doktrinë ekspandimi mbi toka, gjak, robër e vdekje shqiptare dhe mbanë tjetër, në anën shqiptare, varej si fat i vjetër sa bota, pikturë e dhimbjes, varreve dhe poshtërimit serbian.
Pikërisht kjo asimetri tragjike e bën të ndjeshme e, pokaq, të vështirë të drejtën e shpresës që konturohet kështu: do shohim athua shpejt, a kurdo një ditë, këtë relief qytetnie në Belgrad? E bashkë me të, dhe atë mallin e pambërritshëm, si epërsi morale, të poetit idealist?!
E pabesueshme. Ndonjëherë mendoja se kombet njohin vetëm një ndarje: në të fortë e të dobët. Por autorësia e dyfishtë serbiane e urrejtjes: e urrejtjes së vet dhe, si pulsim kauzal, e urrejtjes së tjetrit për ta, më bën dyshimtar. Dhe, jo pa keqardhje, them: ndoshta të gjithë popujt nuk janë njësoj. Thjeshtë, të ndryshme i kanë gjenealogjinë, resurset etike dhe shkollën e definimit të interesave kombëtarë. Ndaj, ashtu si skllavëria e gjatë shprish kujtesën e lirisë ndër disa, dhe krimi i trashëguar si pajë, shndërrohet në kod etnopsikologjik, mënyrë ekzistence tek disa të tjerë. Tek ata ku aderon gjithnjë sot fqinji i turbulluar sllav i Arbërit verior. Kohët vijnë e shkojnë pa lënë asnjë shenjë, asnjë prerje, asnjë prag të ri në kozmosin e tij të errtë. Vetëm linjë drejtvizore negative që përpetuohet vazhdimisht.