KMDLNJ VUÇIQIT: SILLE SHKOPIN RRETH TERRORIZMIT TUAJ DHE TË SERBISË!

Reagim i KMDLNj – së:

KMDLNJ VUÇIQIT: SILLE SHKOPIN RRETH TERRORIZMIT TUAJ DHE TË SERBISË!

Pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti emëroi Nenad Rashiqin minister në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, në vend të Goran Rakiq, i dorëhequr me kërkesë të Aleksandar Vuçiqit e që Rakiqi ishte kryetar i Listes Serbe, kryetari i Serbisë drejtoi një sërë kërcënimesh, mallkimesh, cilësimesh, fyerjesh dhe shantazheve kundër Rashiqit dhe Rada Trajkoviqit, ish – deputete e Kuvendit të Kosovës ndërkaq që kryeministrin e Kosovës e quajti terroristë, në kundërshtim me faktet e mirënjohura dhe në kundërshtim edhe me standardet minimale njerëzore dhe morale. Aleksandar Vuçiq, si ish – ministër për Informim i kohës së Millosheviqit e luante rolin e Gebelsit në luftë propagandistike kundër shqiptarëve, kroatëve, boshnjakëve dhe të tjerëve që, fillimisht në mënyrë paqësore e kundërshtonin hegjemoninë serbe ndërsa, më vonë këtë terrorizëm të Serbisë e kundërshtuan edhe me luftë. Rezultatet e kësaj lufte dihen, mbi 200.000 civilë të vrarë në ish – Jugosllavi, dhjetëra mijëra femra të dhunuara, mbi 50 % shtëpi, banesa, objekte ekonomike, kulturore, arsimore, fetare dhe të tjera të shkatërruara madje edhe ato që ishin nën mbrojtje të UNESC-os. Me miliona dhunshëm të deportuar dhe të shpërngulur me qëllim të spastrimit etnik. Me vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë krimi në Srebrenicë ishte dëshmuar si gjenocid ku Serbia fajësohet për mospengim të këtij gjenocidi ndonëse kishte mundësi ta bënte këtë. Me mijëra varreza masive, të zbuluara dhe të pazbuluara. Me mijëra persona që ende konsiderohen si të zhdukur. Serbia ishte burimi, përmbajtja, promotori dhe ekzekutuesi i krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në hapësirat e ish – Jugosllavisë që e filluan në Slloveni për të vazhduar pastaj në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Luginë të Preshevës. Për këto krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Gebelsi i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në vend se të përballet me përgjegjësi penale u avancua në kryeminister të Serbisë dhe tash në kryetar të Serbisë. Nga këto pozita të forta shtetërore dikton në mënyrë  destabilizuese zhvillimet politike në Mal të Zi duke mirëmbajtur një tensionim të përhershëm të situatës, në Bosnje dhe Hercegovinë përmes Republika Srpska dhe në Kosovë përme Listes Serbe. U rreshtua haptasi në krahë të shkelësve më të mëdhenj të të drejtave të njeriut siç jan Putin, Lukashenko dhe Orban, pa u sanksionuar me asgjë nga BE dhe SHBA –të.

Që nga përfundimi i luftës, me të gjitha mjetet duke instrumentalizuar serbët e Kosovës dhe duke kërcënuar me mospërkrahje ekonomike sikur edhe me jetë përmes strukturave të organizuara kriminale në veri të Kosovës, ka krijuar një sistem paralel në përpjekje që këtë ta përligj përmes Asociacionit të komunave serbe në Kosovë. Tërë kohën kanë lëshuar targa ilegale të cilat edhe sot janë në fuqi për të detyruar serbët e punësuar në veri të Kosovës të lëshojnë të gjitha institucionet dhe duke e kushtëzuar kthimin e tyre me formimin e Asociacionit. Realisht, po të kishte vullnet politikë dhe struktura përkatëse me integritet profesional dhe guxim, Aleksandar Vuçiq dhe të tjerët do të duhej të akuzoheshin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë, mbi 12.000 civilë të vrarë, mbi 1600 të zhdukur, 20.000 femra të dhunuara si krime lufte, mbi 200.000 shtëpi, banesa, objekte kulturore, fetare, ekonomike dhe arsimore të rrënuara, për vjedhje të kadastrës dhe artefakteve, vjedhje të kursimeve pensionale dhe kursimeve në banka, për dëbim të, së paku 850.000 shqiptarëve dhe joserbëve, për vrasje të 11 shqiptarëve dhe dëbim të dhunshëm të mbi 13.000 shqiptarëve nga Mitrovica në shkurt të vitit 2000 dhe të tjera. Faktet janë përtej të mjaftueshmes për ta akuzuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit, terrorizëm shtetëror dhe gjenocid. Gjykata pastaj, në bazë të dëshmive do ta bënte klasifikimin e veprave kriminale.

Nenad Rashiq, Sllobodan Petroviq  dhe serbë të tjerë që u bënë pjesë e institucioneve të Kosovës, ishin zëri i vërtetë i serbëve të Kosovës deri sa Serbia, me përkrahjen e disa politikanëve kosovarë si dhe të ndërkombëtarëve legalizuan një Listë Serbe të formuar nga Aleksandar Vuçiq dhe BIA e Serbisë për të eliminuar serbët autoktonë duke kërcënuar votuesit, duke i rrahur kandidatët e tyre dhe duke trukuar rezultatet e zgjedhjeve. Se kend do ta emërojë kryeministri i Kosovës ministër është e drejtë ekskluzive e kryeministrit për çka nuk ka nevojë t’i jepë përgjegjësi e as llogari askujt aq më pak një shteti që mbanë, përkundër fajeve të shumta, qëndrim aq armiqësor dhe me të gjitha mjetet përpiqet ta destabilizojë Kosovën. Nëse Lista Serbe nuk pajtohet me emërimin e Nenad Rashiqit për minister ka mundësi ligjore t’i drejtohet gjykatave të rregullta dhe Gjykatës Kushtetuese e jo që të kërkojë këtë nga Aleksandar Vuçiq.

Në cilësimin e Vuçiqit për kryeministrin Kurti, si terrorist është dashur të reagojnë të gjitha institucionet e vendit, opozita dhe mbetjet nga shoqëria civile. Është një sfidë e madhe  për edhe moralistët më amatorë e lëre më ata që kanë reputacion në këtë fushë, që edhe të diskutojnë për këtë cilësim të Vuçiqit ndaj kryeministrit të Kosovës e lëre më të pranojnë këtë duke e patur shumë të qartë të kaluarën terroriste të Aleksandar Vuçiqit dhe të kaluarën rezistuese ndaj terrorizmit shtetëror të Serbisë, kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti që ishte edhe peng – rob lufte në burgjet e Serbisë!

2.12.2022  Prishtinë – Shërbimi për Informim i KMDLNJ-së

Total
1
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura