VIOLETA ALLMUÇA: RRËFIMI I DILEMAVE IMAGJINARE NË ZBULIMIN E TË VËRTETËS!

Vjenë, 21 janar 2019: (Shqyrtime letrare mbi romanin “Dimri i shekulllit” i autores Angjelina Marku) Kur shkruan për librin e parë të çdo autori, në kontekstin kohor duhet të ndjekim synimin e veprës letrare, qëllimin e saj, nivelin artistik, refleksin estetik dhe rrëfimin e tekstit. Subjekti i këtij romani është dimensioni jetësor ku një mori personazhesh shkojnë nga e pamundura drejt të mundurës për të zbuluar një realitet të nxjerrë nga historia, mbi një qasje fantazie dhe imagjinate ndërmjet dy botëve, në të cilën evokohet jeta dhe vdekja. Rrëfimi për të gjallët e të vdekurit si një trishtim i përvajshëm i shtyn krijuesit dhe lexuesit e kësaj gjinie krijuese të mendojnë se paqja mes të vdekurve dhe të gjallëve ekziston përjetësisht. Të gjallët komunikojnë me të vdekurit nëpërmjet frymës së shpirtrave. Narracioni i brendshëm mes personazheve të këtij romani na çon në një periudhë fillim lufte botërore rreth dimrit të vitit 1939 me humbje e dhimbje njerëzore të një familje nga një aksident natyror. Njohja e së kaluarës, në takimin me të shkuarën, vjen ndërkohë ku spikat shtresimi i rrëfimit të zërit të gruas si një fenomen i ligjërimit nëpërmjet veprës së tyre. Sistemi i kujtesës njerëzore siç duket në letërsinë e sotme nuk ka limit edhe në një vepër krijuese, me kah, misionin e zbulimit të së vërtetës nëpërmjet fantazisë. Adhuruesit e këtij lloj teksti që shtrihet nga bota e nëntokës ku jetojnë të vdekurit dhe botës së të gjallëve janë shtuar pothuajse në të gjithë botën, ku përveçse janë mirëpritur kanë edhe vlera krijuese. Me kërshërinë e tyre, vepra ose filma të tillë të quajtura “Horror” kanë synim të na zbulojnë brenda një realiteti imagjinar të vërtetën me të cilin njerëzimi ndoshta duhet të besojë edhe hipoteza të kahershme njerëzore si e vetmja qënie që mbetet udhëtar i botës së të gjallëve dhe të vdekurve.

Autorja Marku përmes lëndës dhe diskursit Biblik duke i thirrur edhe elementëve historike na përshkruan edhe në hapësirë qysh nga (betejat me shpata) e deri në vitin 1999 kur gjëmonin bombardimet nga qielli duke zbuluar nëpërmjet simbolikës së shqiponjës, heroit kombëtar, vendlindjen e krijuar nga gjaku i të parëve, Gjakovës, përmes së cilës na çon drejt të vërtetës. Nëna e Paqes kishte zgjedhur Elën personazhin kryesor të romanit si një grua prej mishi dhe gjaku deri në fund të romanit edhe pas një aksidenti të tmerrshëm kur tramvaji në Vjenë u fut në tokë duke hapur një gropë, pse jo një varr, ku fantazia e ndjek autoren të zbulojë botën tjetër në të cilë pushojnë të vdekurit. Dy gra Ela dhe një plakë po shkonin brenda ferrit. Fabula e romanit vijon si një tragjedi. Në një gjendje të supozuar nga autorja “si gjysmë e gjallë” Ela, e cila pret vdekjen ose jetën, besonte se një ditë do të zgjohej. Ajo pa miliona skelete që qëndronin ngujuar aty brenda nëntokës. Ela çuditërisht ishte e gjallë mes tyre dhe e kuptoi, se edhe ato skelete kishin pasur jetën e vdekjen, pra ishin të etur për lirinë. Ngrinin dy gishtat në formë V-je duke kërkuar fitoren. Shumica prej tyre ishin gra. Ajo shpërtheu në emocione frike. Nuk dëshironte t`i besonte halucinacionet. Ngjarjet zhvilloheshin mbi akull, nën qiell, mbi ujë, mbi lumë, mbi det. Barbarët vraponin nga sytë, këmbët. Aty mësoi se kishte edhe ushtri të vdekura. U kujtua se të gjitha ato që dëgjoi e pa aty brenda i kishte dëgjuar edhe mes të gjallëve. Personazhi pra bëhet i vërtetë në ato që thotë. Po ashtu edhe ngjarjet po i kujtoheshin sepse i kishte lexuar në fletët e trashëgimisë ose të historisë së atdheut të saj. Ngjarja vijon në zbulimin e shpirtërores mes të mirës dhe të keqes si në një situatë “Horror” aty ku beteja për jetën sjell një komunikim figurativ fantazmagorik mes Elës dhe të vdekurve. Ky komunikim shtjellohet edhe si një lidhje realitetesh të njëjta me personazhe të strukturuara ndoshta edhe me një botë psiko-sociale të njëjtë. Krijimi i figurave ku shfaqen edhe personazhe të vdekur, por që kanë pasur një jetë njerëzore, e shtyjnë përshkrimin në të njëjtin realitet ku flet jeta, ku ndodhen heronjtë e barbarët, që luten para Shpirtit të Shenjtë për pafajsinë e tyre duke kërkuar tunelin e dritës. Mesa duket Angjelina Marku i përjeton ngjarjet dhe personazhet duke i lidhur me vendlindjen. Metaforizimi i personazheve, situatave dhe figurave në roman siç janë: Trimi “Heroi Kombëtar (Gjergj Kastrioti Skënderbeu) Nora, (Nora e Kelmendit) Artari, (Adem Jashari) Njeriu me shall të kuq, (Ibrahim Rugova), Nëna e mirë, (Nënë Tereza) Engjëllueshet, (Gratë shqiptare që sakrifikohen për lirinë) Bankieri i keq, (Krimineli Millosheviç, vrasësi i shqiptarëve) etj. kthehen në një metaforizim të zbulimit të së vërtetës. Përjetimet mes të mirëve dhe të këqinjve janë një tjetër zbërthim i së bukurës shpirtërore. Fantazia gjithmonë u ka shërbyer krijuesve për të zbuluar në lëndën e saj elementët reale të jetës njerëzore. Pra shumë nga personazhet janë realë; autorja e njeh çdo personazh për të cilin shkruan; autorja e ka lexuar historinë e vërtetë të atdheut të saj; autorja nuk i kërkon personazhet vetëm në imagjinatën artistike; autorja zbulon thelbin ku ka lindur jeta e saj reale, paraardhësit e pasardhësit; autorja e njeh botën e brendshme të personazheve, psikikën e tyre etj. Zëri i grave të gjalla dhe të vdekura i shtyn ato, ta luftojnë vetë me inisiativën e tyre të keqen. Sigurisht këto personazhe i kanë njohur edhe të vdekurit. Edhe të vdekurit janë në shërbim të paqes. Bashkëbisedimi mes tyre është edhe surreal. Ata kanë ëndërruar dhe ëndërrojnë akoma edhe pse bëjnë jetë të vdekurish. Do të jemi në ëndërr thonë të vdekurit. Fantazia vetëm e thellon të vërtetën ashtu si gropa që hap tramvaji Natën e Vitit të ri në Vjenë. A ka rrëfimi i saj në roman edhe elementë të poetikës? Besoj se poezinë e ndihmojnë metaforat për ta sjellë në komunikimin e jashtëm, pra me lexuesin, kurse metaforizimi i prozës zbulon përtej poezisë brendësinë e saj. Ndonjëherë metaforizimi i tepërt ul ritmin e rrëfimit. Ngjarjet mes Vjenës dhe vendlindjes autorja i shpreh nëpërmjet jetësores në momente frymëzuese. Siç ndjen dhembje e krenari për personazhet e vendlindjes lyer me bojë gjaku ashtu ndjen dhembje e krenari për Vjenën. Ka ndodhur që në këtë roman proza e ka zhveshur metaforën duke zbuluar realen, duke i bërë të vdekshmit edhe të pavdekshëm. Ja disa dialogje: Nuk ka nevojë për jetë ai! Nuk ka vdekur kurrë, – Trimi! Ku ka lindur ky njeri që është i pavdekshëm? – Në truallin e Shqiponjave. – Ato e kanë mbajtur të gjallë! Të vdekurit duartrokisnin. Një e gjallë dhe një i vdekur u miqësuan. Luftëtarët e vdekur ringjalleshin, dashuronin dhe nuk urrenin. Takoheshin në atë botë, nëna me të birin, motra me vëllanë. Njeriut për së gjalli i kullonin dhembjet etj.
Gjuha e romanit “Dimri i shekullit” në rrëfimin emocional për jetën dhe vdekjen shfaqet në rrjedha të arrira semantike e gjuhësore, me dialogje metaforike e ndjeshmëri letrare, me një kompozicion artistik të realizuar mirë që ngjall asociacione, duke bërë qysh në veprën e saj të parë artistike një hop drejt narracionit të aktit letrar. Mbyllja e romanit me kthimin e Elës brenda jetësores, një personazh i përshkruar bukur në botën e të gjallëve, vjen për lexuesin si një fillim i mbarë i Angjelina Markut në letërsinë shqipe.
Violeta Allmuça, shkrimtare

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura