DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (EMËRIMI I SYLEJMAN SELIMIT – KOMANDANT I PËRGJITHSHËM I UÇK’së DHE AKUZAT NDAJ DEMAÇIT PËR PUÇ E TRADHËTI!) (8)

Pashtriku, 5 mars 2019:
Ishte apo jo Demaçi për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën?

Organizimin e një konference ndërkombëtare për Kosovën Adem Demaçi e shihte të pashmangshme, por jo në ato momente kohore kur UÇK-ja porsa pat arritur t’i afrohej barazimit në vlera ushtarake me ushtrinë serbe në aspektin ushtarak dhe politik; jo në ato momente kur ishim në pragun e vendosjes së luftës në Kosovë nën udhëheqjen e një qeverie gjithëpërfshirëse e zgjedhur prej popullit, e cila do të delte nga Asamblea Qytetare, ku të gjitha forcat politike në Kosovë do t’i ngrinin programet e tyre politike deri në fund të luftës; jo në atë kohë kur, përmes kësaj ngjarje të madhe politike, Asamblesë, do të hidheshin bazat e një uniteti shqiptar të panjohur kurrë më parë, qysh prej Lidhjes së Prizërenit.
Marrëveshjet për bisedime ndërkombëtare zakonisht i kërkon në rrugë diplomatike pala që e sheh se së shpejti do të jetë humbëse. Gjë që UÇK-ja nuk ishte në ato pozita. Prandaj Demaçi nuk kish pse të pranonte atë lloj marrëveshje të ngutëshme, në paragrafët e së cilës Kosovës i ndalohej të negocionte për 10 kushte që ishin në dëm absolut të saj. “Nuk ka kompromis mbi parimet dhe interest kombëtare”, shprehej me zë të lartë dikur Presidenti Xhon Kenedi. Mbetja e Kosovës nën Serbi dhe shkrirja e UÇK-së, përveç të tjerave, binin ndesh me interesat kombëtare, aq më shumë në ato momente kur UÇK-ja ishte në avantazh të gjithanshëm.
Midis dobishmërisë së asaj konference dhe të drejtës për t’i kundërshruar ato 10 kushte, gjendej madhësia e fajit midis Drejtorisë Politike dhe Adem Demaçit. Kjo madhësi e pamatshme dypalëshe e fajit përbënte antagonizmin midis Demaçit dhe Dr.P, të cilat deri në atë moment ishin një palë. Dhe ky antagonizëm u duk qartë kur Drejtoria Politike pranoi në mënyrë të befasishme 10 kushtet e panegocueshme dhe shkuarjen e tyre në Rambuje, kur të tjera projekte politike ishin vënë në rrugën e zgjidhjes, në marrëveshjen midis UÇK-së dhe forcave politike në Kosovë, sikundër e theksuam më lartë.
Ajo këmbëngulje e Demaçit tregoi se për atë dhe UÇK-në çështja kryesore, javën e parë të Shkurtit 1999, nuk ishte armiku, por problemi i brendshëm: udhëheqja gjithëpërfshirëse e luftës çlirimtare.
Për këtë të drejtë të Demaçit bindemi edhe po t’i referohemi vetëm debatit që ai bën me Veton Surroin, pasqyruar tek libri “Liria dhe joliria”, ku vihet re se Demaçi e ka pas më se të qartë se, luftën guerile (partizane) ai nuk e shihte thjesht në pikpamjen e veprimeve luftarake. Ai ishte i bindur se aksionet luftarake të UÇK-së, që ai kërkonte të intensifikoheshin, nuk ishin çelësi për mposhtjen me forcë të gjithë forcave ushtarake të Serbisë përmes betejave ushtarake, por ishin pjesë e një përpjekjeje politike në disa drejtime, të cilat duhej të ecnin në mënyrë paralele, për ta bindur Serbinë se luftrat guerile (partizane) nuk mposhten kurrë, e cila të detyrohej më në fund të tërhiqej nga Kosova. “Eshtë e pamundur që një forcë e jashtme të mundi një lëvizje guerile në vendin e vet”1), argumenton analisti amerikan i luftrave lokale në këto tre dekadat e fundit, historiani Xhorxh Fridman. Në rast se njëra prej atyre të dyjave do të ndalonte së funksionuari, (aksionet luftarake apo politike), ose do të ecte më shumë se tjetra, (sikundër ishte rasti i vendimit të Dr.P), do të krijoheshin vështirësi serioze, sikundër edhe u krijuan; pse jo edhe dështim, pasi edhe gjatë kohës që zhvilloheshin bisedimet në Rambuje, nga UÇK-ja u përsërit strategjia e luftës mbrojtëse, njëjtë si në verën e vitit 1998.
Mbledhja e Asamblesë Kombëtare në mes të luftës, do të ishte ecje paralel e aksioneve luftarake dhe ngritja e strukturave politike të pushtetit të ardhshëm, gjë që do të forconte besimin në popull, se e ardhmja e Kosovës do të ishte liria dhe demokracia liberale. Vetëm ashtu i jepej shpresë popullit. Kjo ishte politika e Demaçit, e cila është edhe qëllimi i vetë politikës. Madje, me shkëmbimin e robërve të luftës, më 13 Janar 1999, UÇK-ja, duke u bërë sunduese absolute e situatës politike dhe ushtarake në Kosovë, tregonte se ajo nuk kish për t’u dobësuar, por, përkundrazi, do t’i rritej edhe më shumë autoriteti, si dhe do të kishte edhe mbështetjen de fakto të të gjithë spektrit politik në Kosovë.
Këtë gjë e patën vënë re edhe analistët anglezë James Pettifer dhe Miranda Vickers, që e kanë ndjekur nga afër atë luftë, të cilët shprehin të kundërtën e asaj që shprehen Jakup Krasniqi e Ramë Buja, duke thënë: “Nga fundi i vitit 1998 dhe fillimi i vitit 1999, ishte bërë një hap i madh përpara në drejtim të aftësisë dhe organizimit të UÇK-së. Sipas komandantëve të UÇK-së, pikërisht në këto momente, kur ajo ishte shndërruar në një forcë koherente dhe shumë të suksesshme, po u kërkohej të ndërprisnin luftimet dhe të çarmatoseshin… Nuk vihej në dyshim, se UÇK-ja në Janar dhe Shkurt 1999 ishte duke fituar gjithnjë e më shumë hapësira në Kosovën Qëndrore dhe Perëndimore”2).
Në ato kushte UÇK-ja do t’i përgjigjej asaj situate të krijuar me shtimin edhe më tej të numurit të luftëtarëve të saj, krahas presionit ushtarak ndaj Serbisë dhe atyre segmenteve të faktorit ndërkombëtar, që e shihnim me skepticizëm luftën tonë çlirimtare dhe objektivat që ajo synonte të realizonte. Vetëm pas mbledhjes së Asamblesë Qytetare, sipas Adem Demaçit, mund të bisedohej për të shkuar në një konferencë ndërkombëtare. Ndërprerje e këtij procesi shqiptar ishte një dramë e madhe si për UÇK-në edhe për Demaçin.

Për fat të keq, ngjarjet rodhën ndryshe. Duke u abandonuar Asmableja Kombëtare, praktikisht goditej drejtpërsëdrejti UÇK-ja. Pse e themi këtë? Sepse vetëm “Lufta ndërton strukturat e reja që do të jenë institucionet e para të paqes”3), thotë pacifisti dhe shkrimtari i njohur frances Zhan Pol Sartri. E megjithatë, në këto kushte e për këto arsye që parashtruam, Adem Demaçi u përpoq të shpëtohej çfarë mund të shpëtohej. Ai propozoi që të bëhej një hap prapa: të zgjatej dhënia e përgjigjes për Konferencën Ndërkombëtare të Paqes në Paris (Rambuje), derisa të mblidhej Asambleja Qytetare; të riorganizohej UÇK-ja për të përballuar ofensivën e mundshme serbe; të bëhej ç’është e mundur që t’i imponohej Serbisë të kalonte forcat e saj në mbrojtje si rjedhojë e sulmeve të shpeshta të UÇK-së dhe, më në fund, kur serbët do të ishin në gjendje për kundërsulme ndaj UÇK-së, kjo jo vetëm që do të ishte e aftë ta përballonte armikun, pasi serbëve u duhej një kohë e gjatë që të arrinin në atë stad, por atëherë do të duhej të delte në skenë konferenca ndërkombëtare.
Në këtë mënyrë, natyrisht që do të zgjatej lufta. Kjo do të ishte edhe pika më e dobët për Serbinë, të cilën e pat konstatuar edhe “Zëri Amerikës”, i cili, në analizën e bërë në datën 15 Janar 1999 deklaronte: “Serbia është dobësuar ekonomikisht dhe nuk ka burimet e duhura; një luftë afatgjatë për Serbinë është barazi me një katastrofë të paevitueshme”4). Po këtë gjë raportonte nga Beogradi, në 2 Shkurt 1999, gazetari amerikan Steven Erlanger: “Tani vendi është më i varfër se kurrë”5) Prandaj themi se në këto kushte që ndodhej Serbia, strategjia e Demaçit do të rezultonte e suksesshme, pasi do të ishte Serbia ajo që do të kërkonte bisedimet, si palë që shkonte drejt humbjes së luftës. Si rjedhojë, Kosova do të kish këto përfitime: UÇK-ja do të mbetej ushtria e rregullt e Kosovës; LDK-ja nuk do të merrte më pushtetin dhe, qysh në zgjedhjet e para, forcat progresiste politike përkrahëse të luftës së armatosur do të merrnin pushtetin dhe s’do të ndodhte e kundërta, sikundër ndodhi.
Derisa Adem Demaçi shkoi në Shkup dhe e pranoi ta merrte dhe ta studjonte projekt-marrëveshjen e Rambujesë, shihet qartë që ai ishte për një mbledhje ndërkombëtare. Por, të pranosh, nuk do të thotë të pajtohesh. Që të pajtohej, ai kërkonte një zgjidhje të arsyeshme: mosçarmatosjen e UÇK-së dhe vetëvendosjen e Kosovës, të cilën ai e kish të qartë që arrihej vetëm me këtë rrugë. Gjithashtu, ai nuk ishte për një pavarësi që të dhurohej nga duart e Evropës dhe më pas të shfrytëzohej për qëllimet e ruajtjes së ekuilibrave në Ballkan, por për një pavarësi të vërtetë me të drejtën e vetëvendosjes.
Duke qenë se Shtabi i Përgjithshëm e pranoi vendimin e Drejtorisë Politike, strategjia e Demaçit dështoi. Dështimi i Demaçit ishte dështim edhe për UÇK-në; rrjedhimisht dështim edhe për Kosovën. Për të mos ndodhur ai dështim, ai menjëherë, porsa delegacioni kosovar mbriti në Paris, organizoi në Shtabin e Përgjithshëm, në Abri të Drenicës, zgjedhjen dhe emërimin e Komandantit të ri të atij shtabi, Sylejman Selimin, (deri në atë kohë komandant i Zonës së Parë Operative), në vend të Azem Sylës, që pat shkuar në Rambuje 6). Madje, Demaçit në atë mbledhje iu dhanë edhe të gjitha kompetencat për Udhëheqjen Politike të UÇK-së, si Komisari i saj Politik.
Për vendimet e dala nga ajo mbledhje në Abri, kundërshtarët e akuzuan menjëherë Demaçin se paskish bërë puç! A ishte i tillë veprimi që ai inicoi?
Na vjen keq që një shkrimtar i përmasave botërore si Ismail Kadare të shprehet nga Kafe “Saint-Claude”, Paris, pranë statujës së Dideroit, duke thënë: “Adem Demaçi ka bërë një farë puçi në Kosovë, e ka shpallë të pavlefshëm mandatin e delegacionit dhe paska kërcënuar vërtetë ta shpallë tradhëtar po të nënshkruajë. Mungesa e papërgjegjësisë e këtij njeriu është ulëritëse. S’është më fjala për lajthitje, është fjala për një krim. Çdo trill të këtij njeriu Kosova e paguan me gjak, me tortura e me foshnja të vrara… Sikur të mos e njohja do të dyshoja për tradhëti”7). Dhe këtë akuzë tepër të rëndë e bën Kadareja, ai që i ka njohur mirë vuajtjet dhe idealin e Heroit Demaçi, duke e quajtur tradhëti vendosmërinë e tij për të arritur në Pavarësinë e Kosovës me të drejtën e Vetëvendosjes dhe jo që ajo të kthehej prapa, në Autonomi. Adem Demaçi nuk vuajti nëpër burgjet e Serbisë për t’u bërë “puçe” ca nxënësve të tij mosmirënjohës e karrieristë, dhe këtë duhej ta kish parasysh zoti Kadare para se të shpehej në atë mënyrë.
Nëse Kadareja do ta shihte me qetësi se cilët ishin ata përfaqësues të UÇK-së që shkuan në Paris, do ta kuptonte se Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbeti pa komandim unik ushtarak e politik, pasi u largua e gjithë Drejtoria Politike, anëtarët e së cilës përbënin edhe shumicën e Shtabit të Përgjithshëm. Ai që kryente detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Bislim Zyrapi, nuk ishte i emëruar, por i komanduar prej atyre që u nisën për në Konferencë. Me këtë rast vlen të theksohet se Bislim Zyrapi, edhe pse ishte ngarkuar të kryente detyrën e Shefit të Shtabit, (prej Qershorit 1998), ky fakt nuk ishte bërë publik; atë e dinin vetëm njerëzit pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantët e zonave, por jo masa e gjithë luftëtarëve dhe e popullit. Bislim Zyrapi është bërë publik në detyrën e Shefit të Shtabit në fund të muajit Mars 1999, përmes një interviste të botuar në gazetat “Ushtria” dhe “Shekulli” të Tiranës, nga autori i këtij libri. Madje, kur anëtarët e Drejtorisë Politike e lexuan këtë intervistë shtrëmbëruan buzët, sepse ata kishin planifikuar të emëronin në këtë detyrë Agim Çekun, i cili erdhi me shumë vonesë, në gjysmën e dytë të muajit Prill, një muaj pasi NATO kish filluar bombardimet me aviacion; ai erdhi në një kohë kur nuk kish mbetur asnjë shqiptar që të ishte skeptik për mundësinë e fitores së luftës sonë (!)
Komandimi i Kolonel Bislim Zyrapit 8) në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, automatikisht e pati bërë atë edhe zevendës Komandant të Përgjithshëm. Mirëpo, me largimin e Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së për në Paris, Azem Sylës, (edhe pse nuk njihej si i tillë as nga shumica e komandantëve të zonave), nuk kemi asnjë vendim apo urdhër nga Azem Syla, apo vendim të Dr.P ose të Shtabit të Përgjigjthshëm të UÇK-së që zotit Bislim Zyrapi t’i transferoheshin edhe kompetencat e Komandantit të Përgjithshëm, deri në kthimin e drejtuesve të lartë të UÇK-së nga Parisi. Në çdo kushtetutë theksohet se çdo kryeministër e ministër, në zbatim të kompetencave të tij nga zevendësit e tij, nxjerr urdhëra e udhëzime edhe në kohë paqe e jo më në kohë lufte.
Por, edhe sikur të ishte lëshuar një urdhër i tillë që Kolonelit Bislim Zyrapi i transferoheshin kompetencat e Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, ajo nuk mund të lejohej, pasi në këtë rast zotit Bislim i jepeshin tre funksione: shef i Shtabit të Përgjithshëm, zevendës-Komandant i Përgjithshëm dhe Komandant i Përgjithshëm. Vetë Ali, e vetë Kadi! Prandaj “pjesëmarrësit e këtij takimi (në Abri) kuvënduan lidhur me çështjen se UÇK-ja ka dy zevendës të Komandantit të Përgjithshëm –Jakup Krasniqin dhe Sokol Bashotën- por asnjë Komandant të Përgjithshëm”9), ndërkohë që Sokol Bashota pat dhënë dorëheqje nga ajo detyrë 10), ndërsa zoti Jakup kish shkuar në Rambuje. Të gjitha këto e bënin të domosdoshme emërimin e një Komandanti të Përgjithshëm. Prandaj nuk mund të quhet puç.
Këtë analizë nuk e sjellim thjeshtë e vetëm për të saktësuar disa vogëlsira, por në mënyrë të veçantë për të theksuar se largimi i anëtarëve të Dr.P dhe të SHP nga drejtimi i luftës dhe nisja e tyre me nxitimi për në Paris, mund ta kish çuar UÇK-në edhe në qorrsokak ose në aventurizëm, po të mos ishte ai veprim i Demaçit.
Nëse Azem Syla do të kish lëshuar një urdhër, ku të përcaktohej personi që i transferoheshin kompetencat e tij si Komandant i Përgjithshëm gjatë kohës që ai do të ndodhej në Francë, atëherë po, ai veprim i Adem Demaçit do të quhej thjeshtë një puç ushtarak.
Mirëpo, na rezulton se nuk është Adem Demaçi ai që t’i jetë imponuar SHP për të zgjedhur komandantin e ri të UÇK-së, por, përkundrazi, është nisma e asaj pjese të mbetur të SHP dhe e komandantëve të zonave operative. Dhe këtë gjë na e dëshmon komandanti i Zonës së Pestë Operative, Rrustem Mustafa: “Para Sylejman Selimit nuk ka pasur komandant të UÇK-së. Nëse ka ekzistuar ai, nuk ka mundur të jetë ilegal për komandantët e zonave. Ka fjalë që ka qenë dikush, por nuk ka mundur të jetë ilegal… Ideja për emërimin e komandantit ka dalë aty. Ne kemi dashur të kontribuojmë për të mirën dhe ta forcojmë delegacionin shqiptar në Rambuje, për të bërë me dije se ata e kanë komandantin e vet dhe duhet të vijnë këtu për t’u konsultuar dhe se nuk janë ata që mund të vendosin për fatin e Kosovës… Unë pata propozuar Bislim Zyrapin, kurse Ramush Haradinaj Sylejman Selimin. Pas diskutimeve që kemi bërë në atë kohë, kemi ardhur në përfundimin se Sylejman Selimi duhet të jetë komandant i UÇK-së. Ai e ka pas votën e të gjithë neve dhe ky vendim është përcjellë me të shtëna nga të gjithë ne. Kjo menjëherë, përmes telefonit, i është komunikuar delegacionit në Rambuje”11).
“Frikën se mos ky emërim do të tingëllonte si puç, nuk e kemi pasur, – vijon të na e plotësoi më tej këtë dëshmi, komandanti i Zonës së Tretë Operative, Ramush Haradinaj, – sepse nuk kemi ndryshuar asgjë. Vetëm jemi munduar të përsosemi në organizim, që kemi menduar se është e drejta e jonë dhe natyrisht se për këtë nuk i kemi kërkuar leje askujt”12).
Pavarësisht se mbledhja në Abri të Drenicës, ku u zgjodh Sylejman Selimi Komandant i Përgjithshëm, në pamje të parë mundet që dikujt t’i japi përshtypjen e një veprimi të gabuar, edhe pse i pa-paramenduar, përsëri, për ta quajtur puç duhej, më së paku që, një pjesë e strukturës së brendshme të arrinte të merrte nën kontroll udhëheqjen e të gjithë piramidës drejtuese të UÇK-së dhe ta zevendësonte atë, duke mohuar komplet lidershipin e parë. Gjë që “nuk kemi ndryshuar asgjë”, sikundër pohon Ramush Haradinaj.
Në rastin tonë, ky i ashtuquajturi puç, nuk ndodhi. Madje, dimë se menjëherë pas emërimit të Sylejman Selimit Komandant të Përgjithshëm, ai Shtab i dërgon telegram delegacionit në Rambuje, ku thuhej: “SHP i UÇK-së ka bindjen se delegacioni i Kosovës në Rambuje për asnjë moment nuk do ta harrojë gjakun e bijve dhe bijave më të mira të popullit tonë”13), gjë që tregon se nuk mohohej lidershipi politik i luftës që pat shkuar në Rambuje. Në kriteret klasike të një puçi dihet nga përvoja që struktura e re e lidershipit të luftës mohon strukturën që zevendëson, e akuzon atë deri për tradhëti dhe ndryshon vijën e deriatëhershme politiko-ushtarake. Në rastin e UÇK-së, me largpamësinë e tij, Adem Demaçi vijonte të komunikonte me drejtorin e Dr.P, Hashim Thaçin, madje edhe u takua e shkëmbeu mendime me të, në Lubjanë, më 19 Shkurt, në prezencën edhe të Hetem Ramadanit 14) gjë që tregon se Thaçi e kish pranuar emërimin e para një jave të Sylejman Selimit Komandant të Përgjithshëm dhe të Adem Demaçit Komisar të Përgjithshëm. Gjithashtu, Demaçi nuk i ndryshoi aspak objektivat politikë e ushtarakë të UÇK-së, përkundrazi, kërkonte t’i thellonte edhe më shumë ato. Për këtë mjafton të lexohet deklarata Politike e SHP të UÇK, nr. 31, datë 19 Shkurt 1999, ose letra e zotit Demaçi e datës 12 Shkurt dërguar delegacionit në Rambuje 15).
Nëse për anëtarët e delegacionit të UÇK-së në Rambuje ky veprim i Adem Demaçit do të konsiderohej puç ushtarak, ata, me kthimin në Kosovë, në pauzën ndërmjetëse të të dy raundeve të asaj konference, (25 Shkurt-14 Mars 1999), do të ishin munduar t’i anullonin të gjithë vendimet e marra në Abri; por, përkundrazi, nuk e diskutuan fare, si në Shtabin e Përgjithshëm ashtu edhe me komandantët e zonave operative dhe të brigadave. Ky fakt është një argument më shumë, që tregon se ata e kishin pranuar mbledhjen në Abri si një akt të domosdoshëm për UÇK-në. Por, me sjelljet e tyre gjatë atyre ditëve të kthimit të përkohshëm, (të cilën do ta trajtojmë më poshtë), ata plotësuan kuadrin e realizimit të një skenari, sipas të cilit, akuza kundër zotit Adem Demaçi ishte formë presioni politik që ai të detyrohej të jepte dorëheqjen nga funksioni i Komisarit të Përgjithshëm Politik i UÇK-së.
Mund të supozohet që këtë akt ndaj Adem Demaçit, ata e kanë ndërmarrë ngaqë e kanë kuptuar që nënshkrimi i tyre në Rambuje mund të mos kishte vlerë juridike, pasi nuk ishin më ata përfaqësuesit politikë të UÇK-së, por ishte Adem Demaçi, i zgjedhur nga Shtabi i Përgjithshëm, Komisar i Përgjithshëm Politik i UÇK-së.
Ardhja në Kosovë në këto kushte e anëtarëve të Drejtorisë Politike, mbase edhe me nxitje nga jashtë, kuptohet se kishte dy synime: ose të detyrohej Adem Demaçi të shkonte së bashku me ta në Rambuje e të nëshkruante çfarë t’i servirej, ose të detyrohej të jepte dorëheqjen. Vetëm dorëheqja e Demaçit e bënte të vlefshëm nënshkrimin e tyre në Rambuje.
Përcaktimi që doli në atë kohë se gjoja delegatët e UÇK-së u kthyen në Kosovë për t’u konsultuar me komandantët e Zonave Operative dhe me anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, përfshi natyrisht edhe Adem Demaçin, ishte praktikisht “bërthama” e një përzënie fyese që iu bë atij, dhe jo konsulta. E themi këtë gjë, pasi nuk kemi mbledhje të SHP dhe të komandantëve të zonave operative, por takime një nga një e veças të secilit prej tyre dhe këto takime u bënë pasi Demaçi e kish bërë publike dorëheqjen e tij.
Sa më shumë kohë që kalon prej atyre momenteve historike, në të cilat u ndodh UÇK-ja dhe Shtabi drejtues i saj, aq më shumë konturohen pozicionet e njerëzve pjesëmarrës në ato ngjarje, të drejta a të gabura qofshin, ku spikat në mënyrë të vaçantë personaliteti i Adem Demaçit. Ai e kishte treguar me gjithë jetën e tij dhe e tregoi edhe në këtë rast se ishte i lidhur shpirtërisht me nënën Kosovë dhe nuk i interesonin gradat e postet. Dorëheqja e tij nga drejtimi politik i UÇK-së është një veprim qytetar, nga i cili kanë çfarë të mësojnë shumë drejtuesit që, me apo pa merita të spikatura apo rutinore, qoftë edhe si pasojë e zhvillimeve të paparashikuara, kanë ardhur apo kanë kapur një pozicion drejtuesi të lartë në forcat politike apo në organet shteterore, në kushtet e Kosovës së pasluftës.
Po ashtu, me ato vendime që u morën në mbledhje, në Abri, për zgjedhjen e S. Selimit e Demaçit, u dakorduan edhe Shef i Shtabit të Përgjithshëm, Bislim Zyrapi, si dhe Inspektori i Përgjithshëm i atij shtabi, Rexhep Selimi, gjë që e bën nonsens atë akuzë të Kadaresë.
Nëse do të ishte puç ushtarak, më vonë, kur z. Demaçi pat dhënë dorëheqjen dhe delegacioni i UÇK-së ishte kthyer në Kosovë pasi e kish nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë, të paktën do të ishte shkarkuar Sylejman Selimi nga funksioni i Komandantit të Përgjithshëm, gjë që nuk ndodhi, por, përkundrazi, është po ky që drejtoi luftën deri në fund të Prillit 1999, pasi miratoi edhe operacionin më të rëndësishëm të asaj lufte çlirimtare, Operacionin “Shigjeta”, 45 ditë pas angazhimit të NATO-s në atë luftë.
Sot, kur kanë kaluar mbi 15 vjet nga ajo ngjarje bindemi akoma më shumë që Adem Demaçi, së bashku me komandantët e zonave dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapin, ka kryer një veprim taktik shumë efikas e të zgjuar, i diktuar nga kushtet e krijuara pas largimit të udhëheqjes politike të UÇK-së dhe komandantit të saj, Azem Sylës, (pavarësisht se i panjohur publikisht), ku patën mbetur vetëm Bislim Zyrapi, Lahe Brahimi dhe Rexhep Selimi.
Që të përmbushte kushtet e një puçi klasik ushtarak, përveç deklarimit se nuk do t’i njihte më ish antarët e Drejtorisë Politike dhe të komandantit të SHP, Adem Demaçit do t’i duhej të deklaronte se nuk e njihte aspak Konferencën e Rambujesë. Ndërsa ai, jo vetëm që nuk bëri ndonjë deklaratë të tillë, jo vetëm që nuk e shpërbëri piramidën komanduese të UÇK-së, por është po kjo strukturë ushtarake që mbajti bashkveprimin me aviacionin e NATO-s dhe që drejtuan luftimet tokësore gjatë 78 ditëve të angazhimit të saj.
Për të gjitha këto arsye, mbledhja në Abri nuk mund të pranohet se ishte një “puç”, por përkundrazi, kishte si synim të vetëm: UÇK-ja të mos ngelej pa drejtuesin kryesor ushtarak; sepse nuk dihej sesa do të zgjasnin bisedimet dhe, në këtë rast, Serbia mund ta shfrytëzonte momentin për një mësymje të përgjithshme me ushtrinë e saj, siç veproi në fund të muajit Korrik 1998. Në një situatë të tillë, kush do ta drejtonte luftën? Asnjë ushtri nuk mund të luftojë e të fitojë pa një komandim unik. Dhe këtë bindje Demaçi e ka patur qysh atë ditë që organizoi mbledhjen në Abri. Gjë që e pat theksuar ndihmësi i Demaçit, zoti Albin Kurti, para mediave, në 8 Shkurt 1999: “Adem Demaçi është dakort për të shkuar delegacioni i UÇK-së në Rambuje. Ndërkaq, mosshkuarja e tij në Rambuje ka pasur për qëllim ballafaqimin e drejtpërdrejtë të palëve që bëjnë luftën në Kosovë” 16).
Njëkohësisht me atë veprim Adem Demaçi i bënte presion BE-së, dhe sidomos shteteve nismëtare të Konferencës, që të gjenin një zgjidhje sa më të drejtë e sidomos humane për Kosovën, populli i së cilës po ballafaqohej çdo ditë me vepra genocidi.
VIJON…
______________
1) George Friedman “America’s Secret Wars”, USA, 2007, f. 307
2) James Pettifer & Miranda Vickers: “Çështja sh`qiptare”, Tiranë-New York, 2007, f.325-326
3) Franc Fanoni “Të mallkuarit e botës”, Prishtinë, 1984, f. 20, (Sartri, autor i parathënies)
4) Fehmi Baftiu “Kosova krizë ndërkombëtare”, f. 295
5) The New York Times, 2 Shkurt 1999, marrë prej Hajrudin S. Muja “Lufta e Kosovës në shtypin amerikan”, Prishtinë, 2012, f. 214
6) Në atë mbledhje morrën pjesë gjithë komandantët e zonave operative, të cilët në atë mbledhje pranohen edhe antarë të Shtabit të Përgjithshëm: Ramush Haradinaj, Rrustem Mustafa, Rrahman Rama, Ekrem Rexha, Sylejman Selimi, Ahmet Isufi, si dhe i ngarkuari me detyrën e Shefit të Sh.P, Bislim Zyrapi dhe antari i Sh.P. Rexhep Selimi.( Shih Shkëlzen Gashi: “Demaçi”, f. 162)
7) Ismail Kadare: “Ra ky mort e u pamë”, Onufri, 1999, f.29
8) Bislim Zyrapi vinte nga lufta në Bosnjë, ku gjatë asaj lufte kish mbritur deri Komandant Divizioni, me gradën Kolonel. Gjatë gjithë periudhës së luftës në Kosovë, në UÇK nuk ishin vendosur gradat ushtarake, edhe pse në Maj të vitit 1999 u përgatit projekt-regulloria për gradat ushtarake, por që nuk u vu në zbatim.
9) Shkëlzen Gashi “Adem Demaçi, biografi”, f. 162
10) Jakup Krasniqi, “Kthesa e madhe”, f. 183
11) Safet Zejnullahu “Lufta për Kosovën”, vepër e cituar, f. 94
12) Bardh Hamzaj “Rrëfime për luftën dhe lirinë”, Prishtinë, 1999, f. 140
13) Arkivi RKL, v.1, f. 279-280, datë 14 Shkurt 1999
14) Shkëlzen Gashi, “Demaçi-biografi”, f.163
15) Fehmi Baftiu: “Kosova krizë ndërkombëtare”, f.329 dhe 336
16) Fehmi Baftiu: “Kosova krizë ndërkombëtare”, f. 325

======================
SHTOJCË E PASHTRIKUT
MARDHYL MAHMUTI: “ZGJEDHJA E SYLEJMAN SELIMIT PËR KOMANDANT TË PËRGJITHSHËM TË UÒªK-së ËSHTË PUÒª NDAJ DREJTORISË POLITIKE TË UÒªK-së NGA ADEM DEMAÒªI…”
Me rastin e emërimit të Sylejman Selimit, Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Òªlirimtare të Kosovës (më 24 shkurt 1999) në fshatin Abri të Drenicës, ku ishte i pranishëm edhe Adem Demaçi, Lëvizja Popullore e Kosovës – Dega Jashtë Vendit i dërgon një letër përshëndetëse SHP të UÒªK-së dhe Komandantit të Përgjithshëm Sylejman Selimit. Në letër ndër të tjera thuhet: “Emërimi i ushtarakut të lartë Sylejman Selimi, në detyrën e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Òªlirimtare të Kosovës, është një ndër aktet dëshmuese të rritjes së mëtejshme të nivelit ushtarak të ushtrisë sonë, dhe momenti i rëndësishëm në strukturimin e saj. Po ashtu, Lëvizja Popullore e Kosovës përshëndet vendimin për caktimin e ushtarakut Sami Lushtaku në detyrën e rëndësishme të Komandantit të Zonës Operative të Drenicës.” (Burimi: Sejdi Gega dhe Fazli Veliu: “LPK – NË VAZHDËN E PËRPJEKJEVE PËR BASHKIM – THEMELUESE E UÒªK-së”, PJESA III, Arbëria Design Tetovë 2008, faqe 351)
Lexo faksimilin e librit:

***
Për emrimin e ish’Komandantit të ZO të Drenicës, Sylejman Selimi për Komandant të Përgjithshëm të UÒªK-së është diskutuar edhe në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Popullore të Kosovës – Dega Jashtë Vendit, të mbajtur më 27 shkurt 1999 në Bazel të Zvicrës.
***
“Më 27 shkurt 1999, në Bazel të Zvicrës zhvilloi mbledhjen Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës – Dega Jashtë Vendit. U bisedua për situatën politike në Kosovë, për raportet mes Ushtrisë Òªlirimtare të Kosovës dhe Lëvizjes Popullore të Kosovës. Për Konferencën e Rambujesë dhe qëndrimet e LPK-së. Për Komunikatën nr.74 të Shtabit të Përgjithshëm dhe 77 të UÒªK-së, për Fondin “Vendlindja Thërret” dhe vendimi që ka marrë Lëvizja Popullore e Kosovës.
Në këtë mbledhje Bardhyl Mahmuti zgjedhjen e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Òªlirimtare të Kosovës – Sylejman Selimin, do ta cilësojë si puç ndaj Drejtorisë Politike të Ushtrisë Òªlirimtare të Kosovës nga Adem Demaçi, dhe se kjo ka marrë karakter si të IRA-së, siç është propaganduar edhe nga shumë qendra informative evropiane.
Ibrahim Kelmendi, 4-5 anëtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës e kanë degraduar Ushtrinë Òªlirimtare të Kosovës, të cilët nuk kanë qenë nën kontrollin e Lëvizjes Popullore të Kosovës…
Bedri Islami, Lëvizja Popullore e Kosovës nuk ka prishur punë sipas disave, por disa anëtarë të saj që janë veshur nën petkun e Lëvizjes Popullore të Kosovës.
Ramadan Avdiu, nga Mbledhja e 6-të e Përgjithshme ka pasur tendenca që të mos njihet kryesia aktuale e Degës së Lëvizjes Populllore të Kosovës Jashtë Vendit dhe kanë propaganduar se Lëvizja Popullore e Kosovës është ndarë në dyshë.
Sejdi Gega, si përgjegjës financiar i Lëvizjes Popullore të Kosovës – Dega Jashtë Vendit, kërkoi mendimin e Jashar Salihut, si kryetar i Fondit “Vendlindja Thërret” për Komunikatën nr.74 dhe 77, komunikata këto shumë të paqarta për LPK-në, por, në të njejtën kohë edhe për Jashar Salihun si kryetar i Fondit.”
(Burimi: Sejdi Gega dhe Fazli Veliu: “LPK – NË VAZHDËN E PËRPJEKJEVE PËR BASHKIM – THEMELUESE E UÒªK-së”, PJESA III, Arbëria Design Tetovë 2008, faqe 351 – 352.)
Lexo faksimilin e librit:

(Përgatiti: © Pashtriku.org, Sheradin Berisha)
________________
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8459
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (KUNDËRSHTITË DHE PRANIMI I KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8481
***
DILAVER R.GOXHAJ: DRAMA E UÇKsë DHE E ADEM DEMAÇIT (PRAPASKENAT E KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (3)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8488
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (“REFERENDUMI” I PREMTUAR NË RAMBUJE) (4)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8494
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (PSE U ORGANIZUA ME URGJENCË RAMBUJEJA? PËR TA SABOTUAR ASAMBLENË KOMBËTARE TË KOSOVËS!) (5)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8500
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT ( DEMAÇI, RUGOVA DHE QEVERIA BUKOSHI!(6)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8501
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (ADEM DEMÇI – UÇK-ja NUK DO TË KAPITULLOI!) (7)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8502

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura