Durrës, 22 dhjetor 2019: Që “Samiti i Tiranës”, i të mbrapshtit vit 2019, është një punë e pistë, këtë kushdo e kupton dhe e di. E di Ed Rama dhe s’e dimë pse po e bën, e di A.Vuçiqi dhe e bën me qëllime të qelbët, e di Zaevi dhe merr pjesë në të mbase për të gërryer ndonjë gjë në interes të vet dhe të pjesës sllave të shtetit të vet. Edhe M.Gjukanoviqi doemos e di, por ai të gjitha punët i bën me dinakëri, duke u paraqitur si më babaxhani i këtij nënqielli.
Që ky “samit” luajderësh të këtij gadishulli është një punë e pistë, e dinë edhe ata shqiptarë që e shajnë Enver Hoxhën pse, gjatë Luftës së Dytë dhe në 4 vitet e parë mbas asaj lufte, qe lidhur me jugosllavët dhe nuk e shajnë Ahmet Zogun pse shkoi në Beograd për të lypur para dhe njerëz, që të rrëzonte Fan Nolin. E dinë edhe ata që shajnë Enver Hoxhën për lidhjet e tija me jugosllavët dhe, kur iknin prej sundimit të Enver Hoxhës, prindët e tyre ose ata vetë, u dorëzoheshin pikërisht jugosllavëvet.
E, me gjithë këto e shumë të tjera si këto, H.Thaçi duhej të kish ardhur në Tiranë. E para, ai duhej të kish ardhur në Tiranë, qoftë edhe thjesht për t’i bërë A.Viçiqit zyrtarisht vetëm një pyetje: Shtetasit e Republikës së Kosovës, tregtarët e Republikës së Kosovës, shoferët e kamionëvet të Republikës së Kosovës, politikanët e Republikës së Kosovës, mërgimtarët e Republikës së Kosovës, turistët e Republikës së Kosovës, me ç’pasaportë do të hyjnë në Republikën e Sërbisë? Kjo do të ishte një pyetje e gjatë. Por mund t’ia bënte po këtë pyeje fare të shkurtër: Me ç’pasaporta do të udhëtonin shtetasit e Republikës së Kosovës nëpër Republikën e Sërbisë? Me fjalë të tjera, a e njeh Sërbia shtetin shqiptar që quhet Republika e Kosovës, apo kërkon të kapërcejë sipër këtij shteti dhe të mbërrijë në Shkodër dhe në Durrës?
Mbas kësaj pyetjeje dhe mbasi të merrej e qartë përgjigjja prej gojës buzënjtur të A.Vuçiqit, H.Thaçi duhej ta kish të gatshëm një varg pyetjesh të tjera: Shtetasit sërbë, të cilët kanë djegur shtëpi, kanë përdhunuar gratë e vajzat tona, kanë vrarë shqiptarë të Republikës së Kosovës e që shqiptarët e mbetur gjallë i njohin me fytyrë e me emër e mbiemër, a do të hyjnë lirshëm, shengenshëm, në Republikën e Kosovës?
Në këtë pikë, H.Thaçi do të duhej të shtonte: Ed Rama po na thotë ta harrojmë të kaluarën. Por, a mund të harrohet një e tillë e kaluar, thejsht për një lëvizje të lirë shengençe dhe për një tregti “pa pengesa”? Ed Rama po na thotë të harrojmë të shkuarën, në mënyrë që domatet e Myzeqesë të mund të shiten lirshëm në Beograd. Por, a është gjë e bukur, a është e durueshme, a është e harrueshme, që, një sërb i Beogradit të kafshojë domatet tona të Myzeqesë në të njëjtën mënyrë siç ka kafshuar para 20 vitesh cicat e nusevet dhe vajzavet tona nëpër Republikën e Kosovës?
Këto pyetje duhej t’i bënte H.Thaçi në atë lloj “simiti” të luajderëvet të gadishullit tonë dhe do të dilte i nderuar. Do të duartrokitej ai, në vend që shqiptarët të hapnin veshët edhe sytë, pale ç’po na thotë ky A.Vuçiqi, jo për Reçakun, Hoçën e Prekazin, por për një “grand” me para të Sërbisë, dhënë dhuratë atyre që e kanë ftuar.
Por H.Thaçi nuk qe kaq i mençur. Madje, nuk po dimë, mos ai nuk erdhi në Tiranë, që, tërthorazi, t’i jepte të drejtë A.Vuçiqit për ta përfaqësuar në atë “simit” edhe Kosmetin?! Sepse, kur një shtet nuk i dërgon përfaqësuesit e vet në tubime të këtillë të pamoralshëm, siç po i organizojnë Rama e Viçiqi, duke tërhequr aty edhe Zaevin çun të mirë, vetëvetiu u mbetet të tjerëvet për të tallur prapanicën në adresë të atij që mungon.
A e patë si u tallën me Republikën e Kosovës, duke thënë: S’po e kuptojmë pse nuk erdhi Kosova?!
Dhe, përfundimisht, ne nuk po dimë: Duke mos marrë pjesë H.Thaçi në këtë lloj “simiti”, a ia la vullnetarisht A.Vuçiqit në dorë fatin e “Kosmetit”, apo… qe i detyruar?!
Gjokë Dabaj. Durrës – 22 dhjetor 2019
Postime të Lidhura
DEFORMIMI I HISTORISË!
DEFORMIMI I HISTORISË! Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 2 nëntor 2021 Historia është si një lum i madh, që…
ISMAIL GASHI – SLLOVIA: DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË TREVEN E LYPJANIT
Lypjan, 4 Prill 2020: Në 39-vjetorin e Demonstratave të 1981 Demonstratat e vitit 1981, si lavë vullkani përfshinë…
ENIS VELIU: SALI BERISHA ME ‘MAFINË’ SERBE, KUNDËR KOSOVËS!
(Prishtinë, 16. 04. 2012) – Për më shumë se një vit, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka bllokuar…
ELIFE PODVORICA JASHARI: PROFESORESHA SHUKRIE 50 VJETORIN E LINDJES E FESTON ME DËSHMORËT E KOMBIT! URIME DITËLINJA PROFESORESHË!
Prishtinë, 7 prill 2018: Këtyre ditëve ishte edhe një bashkëatdhetare jona për vizitë në vendlindjen e saj, ashtu…