Vlorë, 6 mars 2020:
PËRNJOHJE
Ky lloj kalendari është, në vetvete, një minisistem, jo thjesht i ndarjes së kohës, për vite, muaj dhe ditë, (pse jo dhe orë, apo kushte meteorologjike) për ngjarje e personazhe, që, në një trajtë apo tjetër formë, bënë epokë identiteti, me vizion integrimi, atje ku ndiheshin mirë e në troje të tyre, të parët tanë, gjyshërit tanë, në kontinentin europian të gjenezës; se s’kishin ku të ndiheshin më mirë e më natyrshëm, në origjinalitetin e tyre antik. Kronologjikisht, kalendari i Njëzetës nis me datën 28 Nëntor, ditën kombëtarisht të shenjtëruar nga Plaku i Bardhë i Flamurit dhe viganët liberatorë të Pavarësisë së Shqipërisë me trimat e mendimit dhe veprimit atdhetar. 28 nëntori 1912 është starti logjik, jo vetëm kohor i finales historike të festës së madhe çlirimtare të së premtes së 3 shtatorit 1920. 28 nëntori dhe të gjitha datat në vijim janë piketat e dukshme të asaj kohe tubullirash dhe stuhie, që janë pashkëputmërisht të lidhura me 3 Shtatorin. Është pranuar nga historia, se Lufta e Vlorës quhet kombëtare, jo vetëm për shkak të pjesëmarrjes së gjerë nga Vlora e krahinat e saj, që mbajtën peshën kryesore me Tepelenën, por edhe me përkrahjen e ndjeshme në forca luftëtarësh vullnetarë dhe ndihma në armatime, veshmbathje dhe ushqime nga Gjirokastra, Mallakastra, Saranda, Skrapari, Berati, Kolonja, Korça, Përmeti, Fieri, Lushnja, Elbasani, Kavaja, Kruja, nga krahina e Çamërisë, nga shqiptarët në mërgim për atdhe përvëluar, sidomos ata të Shoqërisë “Vatra” në Amerikë, që dërguan Bandën muzikore së bashku me trupat vullnetare. “Banda” e shoqërisë, drejtohej nga muzikanti atdhetar Thoma Nasi, i cili kompozoi himnin e Luftës së Vlorës “Vlora-Vlora” me tekst të poetit të shquar vlonjat Ali Asllani.
Një rol të dukshëm patën edhe bashkësitë fetare në këtë luftë, ku spikati Babai i Teqesë së Tepelenës Ahmet Turhani. Ndikimi i klerikëve për besimtarët e të katër besimeve religjionale qe shumë pozitiv. Brezat, krahas Baba Ahmetit, kujtojnë me nderim edhe Baba Xhafer Përmetin, Don Mark Vasën, At Shtjefën Gjeçovin, myftiun Osman Muka, etj.
Nderimi për italianin kundër pushtimit Xhovani Valencia, me origjinë arbëreshe, ardhur me forcat ushtarake si magazinier i trupave të pushtimit në depot e tyre në Panaja, i cili u dorëzoi magazinat forcave vullnetare shqiptare, është detyrë e përhershme e shqiptarëve në breza. Vlerësimi për kontributin e pashlyeshëm të vllehëve, që e morën rrezikun në sy, duke kaluar Vjosën me karvanët për Luftën është, po aq, detyrë e përhershme e shqiptarëve në breza. Vërtet që Vlora, Tepelena e Himara mbajtën peshën kryesore të Luftës, vërtet që Berati, Mallakastra, Skrapari ishin mbështetësit më të parë në forca, armatim, mjete luftarake, veshje e ushqim, por solidariteti vëllazëror i shpirtit atdhetar e bëri dhe Shkodërloken po aq labe sa vlonjatët, himariotët e tepelenasit.
Lufta e Vlorës quhet kombëtare sidomos për ndikimin e fuqishëm e frymëzimtar me jehonën kombëtare e ndëkombëtare që bëri në Luftën e Koplikut dhe Luftën e Dibrës. Me përgjegjësinë e fjalës së shkruar, pohojmë se me të drejtë, 28 Nëntori është quajtur Dita e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, ndërsa 3 Shtatori – Pavarësia konkrete e Shqipërisë.
Ky mikrokalendar merr për bazë ecurinë dhe rrjedhimet, jo më periodike të natyrës, por faktike, kushtëzuar nga optika globale e pesë deri gjashtë të mëdhenjve të këtij planeti, populluar me njerëz, dhe, patjetër ka në fokus udhëtimin prometejano – sizifik të frymëtarëve tanë me ndriçim, për krijimin e portretit të komunitetit shqiptar si komb, si shtet. Ja piketat datësore të Epopesë së Njëzetës, të cilat jo vetëm studiuesit, por sidomos të rinjtë, shkollarët duhet t’i dinë dhe t’i nderojnë, sepse nderojnë kujtesën historike kombëtare, vetë kombin tonë.
DATAT KRYESORE NË RRJEDHËN E VITEVE 1912-1920:
1912, 28 Nëntor – Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë;
29 nëntor – Ismail Qemal Vlora u zgjodh kryetar i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare;
29 nëntor – Trupat serbe pushtuan Elbasanin dhe Durrësin;
20 dhjetor – Ushtritë greke pushtuan Korçën;
1913, 22 mars – Konferenca e Ambasadorëve caktoi në vija të përgjithshme kufijtë veriorë dhe lindorë të Shqipërisë;
22 prill – Esat Toptani i dorëzoi Malit të Zi Shkodrën;
8 maj – Marrëveshja e fshehtë midis Austro – Hungarisë dhe Italisë që parashikonte mundësinë e pushtimit të Shqipërisë prej tyre duke e ndarë më dysh;
29 korrik – Konferenca e Ambasadorëve e Londrës njohu pavarësinë e Shqipërisë nën kontrollin dhe garancinë e Fuqive të Mëdha;
11 gusht – Konferenca e Ambasadorëve caktoi në vija të përgjithshme kufirin jugor të Shqipërisë;
1914, 22 janar – Qeveria e I. Qemalit u detyrua të jepte dorëheqjen;
20 – 27 shkurt – Serbia e Mali i Zi nxorrën ligje për kolonizimin e Kosovës;
2 mars – U shpall me nxitjen e Athinës “autonomia e Vorio – Epirit”;
7 mars – Princ V. VID mbërriti në Durrës;
4 gusht – Filloi Lufta e Parë Botërore;
3 shtator – V. Vidi u largua nga Shqipëria;
27 tetor – Qeveria greke shpalli zyrtarisht pushtimin e Shqipërisë së Jugut;
30 tetor – Italia pushtoi Sazanin;
25 dhjetor – Italia pushtoi Vlorën;
1915, 26 prill – U nënshkrua Traktati i Fshehtë i Londrës;
2 qershor – Ushtria serbe filloi agresionin në Shqipërinë e Mesme;
27 qershor – Ushtria malazeze pushtoi Shkodrën;
1916, janar – Ushtritë austro – hungareze hynë në Shqipërinë e Veriut;
shtator – tetor – Ushtritë italiane pushtuan Gjirokastrën, Sarandën dhe Përmetin;
tetor – Ushtritë franceze pushtuan Korçën;
1917, 3 gusht – Ushtria italiane pushtoi Çamërinë;
1918, janar – U. Uillson shpalli 14 pika te tij, të cilat, përveç të tjerave, denoncuan
edhe Traktatin e Fshehtë të Londrës;
1 maj – U themelua Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”;
Tetor – Hynë në Kosovë trupat franceze dhe serbe;
Tetor – Në Kosovë u rivendos pushteti i Serbisë;
11 nëntor – Përfundoi Lufta e Parë Botërore;
28 nëntor – U zhvillua në Vlorë një protestë antiimperialiste;
1919, 18 janar – U hap Konferenca e Paqes në Paris;
29 korrik – Marrëveshja Tittoni – Venizelos;
20 gusht – Marrëveshja kapitulluese midis qeverisë së Durrësit dhe qeverisë
Italiane;
28 nëntor – U zhvilluan manifetime intiimperialiste në mbarë vendin, veçanërisht në Vlorë;
9 dhjetor – Memorandumi i SHBA – së, Anglisë dhe Francës që cenonte tërësinë tokësore të Shqipërisë;
1920, janar – U shpërndanë ftesat për thirrjen e Kongresit të Lushnjës;
13 janar – U bë kompromisi i Fuqive të Mëdha në Konferencën e Paqes për copëtimin e Shqipërisë;
21 janar – U hap Kongresi i Lushnjës. Punimet nisën më 28 janar – 31janar;
11 shkurt – U vendos në Tiranë qeveria që doli nga Kongresi i Lushnjës. Tirana u bë kryeqytet i Shqipërisë;
11 mars – Shkodra u bashkua me qeverinë e Tiranës;
Prill – U formua në Vlorë Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”;
26 maj – Korça u bashkua me qeverinë e Tiranës;
28 maj – U nënshkrua protokolli shqiptaro – grek i Kapshticës;
29 maj – U mbajt Kuvendi i Barçallasë (Dukat, Vlorë);
3 qershor – Ultimatumi i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, drejtuar komandës së ushtrive italiane në Vlorë;
5 qershor – Filloi Lufta e Vlorës;
6 qershor – U asgjësuan disa përqëndrime trupash italiane në Vlorë;
11 qershor – Filluan luftimet për çlirimin e qytetit të Vlorës;
12 qershor – U zhvilluan në qytete të Italisë manifestime kundër luftës imperialiste në Vlorë;
13 qershor – Avni Rustemi vrau në Paris Esat pashë Toptanin;
21 qershor – U dorëzua garnizoni italian i Tepelenës;
27 korrik
– Filluan luftimet kundër ndërhyrjes së armatosur jugosllave në Koplik [- 14 shkurt 1921];
2 gusht – U nënshkrua Protokolli shqiptaro – italian, me të cilin Italia njohu pavarësinë dhe tërësinë territoriale të shtetit shqiptar;
14 gusht – Filloi lufta kundër pushtuesve jugosllavë në Peshkopi (Lufta e Dibrës, 1920);
17 gusht – Forcat Shqiptare hyjnë në qytetin e çliruar të Vlorës;
3 shtator – U festua fitorja e Luftës Kombëtare të Vlorës dhe largimi i pushtuesve italainë nga Shqipëria;
17 dhjetor – Shqipëria u pranua anëtare e Lidhjes së Kombeve.
*) Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA, autor i monografisë “Lufta e Vlorës, Historia në Epikën historike”, bot.1, Tiranë, Neraida, 2016