KUDUSI LAMA:UÇK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (XIII)

Pashtriku, 17 shtator 2020: Raporti i Dick Martyt dhe Gjykata Speciale për ‘krimet e luftës’ së UÇK-së
Për të qenë i drejtpërdrejtë, me raportin që diktoj krijimin e një gjykate speciale dhe tentimin për ta njollosur historinë më të re të Kosovës, do të merremi imtësisht. Dhe këtë me dy qëllime, së pari, për ta komentuar për çdo paragraf dhe, së dyti, që ta njohin të gjithë lexuesit.

Që në titullimin e këtij raporti është e kuptueshme keqdashja dhe bindja në vërtetësinë e tij, pavarësisht se është një raport informues. Ky raport është titulluar “Trajtimi çnjerëzor i personave dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”. Vetëm duke iu referuar këtij titulli unë, po ta kisha të drejtën e referimit logjik, do ta kisha quajtur të paligjshëm raportin dhe autorin e tij, jo ta lejoja ndërmarrjen e hapave të tillë, sa të krijohet një gjykatë speciale për të hetuar ata që çliruan vendin e tyre, me akuza të paracaktuara dhe të parafabrikuara, që konsiderohen aq të vërteta sa nuk kanë nevojë të hetohen më tej, veçse të dënohen të gjithë luftëtarët.
Në vijim raporti thekson: “Sipas informacioneve të mbledhura, tregues të shumtë konkretë dhe konvergues konfirmojnë se disa serbë, si dhe disa kosovarë shqiptarë janë mbajtur rob në vende të fshehta burgimi që ishin nën kontrollin e UÇK-së në veri të Shqipërisë, dhe u janë nënshtruar trajtimeve çnjerëzore e poshtëruese, për t’u zhdukur më pas përfundimisht. Tregues të shumtë me sa duket vërtetojnë se, në periudhën fill pas përfundimit të konfliktit të armatosur, përpara se forcat ndërkombëtare të merrnin në dorë kontrollin e rajonit dhe të vendosnin rendin e ligjshmërinë, organe të trupit u janë marrë disa robërve në një klinikë në territorin shqiptar, pranë Fushë-Krujës, për t’u transportuar më pas jashtë shtetit për qëllime transplantimi. Edhe pse disa prova konkrete ka pasur edhe më përpara për ekzistencën e trafikimeve të tilla qysh në fillim të dhjetëvjeçarit, autoritetet ndërkombëtare që ushtronin pushtetin në rajon nuk e panë të nevojshme që të bënin një shqyrtim të thelluar të këtyre rrethanave, apo e bënë atë në mënyrë jo të plotë e sipërfaqësore”.

Që në fillim zotëri Marty duket se tregon, që në raportin e tij do të sjellë diçka,të cilën të tjerët nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë. Dhe për çudi fillimisht bën një akuzë të rëndë për shtetin shqiptar, pasi jep idenë që ky shtet nuk e paska kontrolluar hapësirën e vet, sepse brenda tij mund të krijoheshin vende burgimi të fshehta. Një gjë e tillë nuk është aspak e vërtetë, pasi unë kam qenë aty dhe di mirë gjithë veprimtaritë që janë kryer e njëkohësisht aty kanë qenë gjithë shërbimet e botës dhe gjithë mediat e botës. Jam krejt i sigurt se në atë kohë, po të ishte ajo pasiguri që pretendon zotëri Marty, nuk do të guxonin në qëndronin gazetarët nga e gjithë bota, të cilët kanë pasqyruar me saktësi gjithçka.
Nëse shkohet me mendimin se luftëtarët e UÇK-së kanë qenë jashtë kontrollit përsëri gabohet. Ata kanë qenë shumë të organizuar dhe me një disiplinë të fortë.
Zotëri Marty shprehet: “në periudhën fill pas përfundimit të konfliktit të armatosur, përpara se forcat ndërkombëtare të merrnin në dorë kontrollin e rajonit dhe të vendosnin rendin e ligjshmërinë, organe të trupit u janë marrë disa robërve në një klinikë në territorin shqiptar, pranë Fushë-Krujës, për t’u transportuar më pas jashtë shtetit për qëllime transplantimi”. Po ku e mësoi ky zotëri se forcat ndërkombëtare kanë marrë kontroll në shtetin shqiptar? A vërtetë e beson këtë? Në Shqipëri ka pasur rend, qetësi dhe siguri, sepse në të kundërt do të ishte bërë batërdia me 1 milion njerëz të shpërngulur nga Kosova prej forcave fashiste të Serbisë së Milosheviqit që ky zotëri i shërben, të cilët jetuan për një periudhë të vështirë, por pa u ndodhur asgjë. Më habitin ata që i kanë thënë atij hetuesi se në Shqipëri kanë kontrolluar forcat ndërkombëtare, pasi për atë e kuptoj se një gjë të tillë e shkruan me dëshirë, vetëm të arsyetojë veprën e tij akuzuese, pasi këtë detyrë i kanë vënë padronët serb. A ndoshta ia kanë shkruar krejt raportin dhe ai vetëm e ka deklaruar atë.
Organizatat ndërkombëtare të vendosura në Kosovë u prirën drejt një qasjeje politike pragmatiste, duke menduar se duhej doemos favorizuar stabiliteti afatshkurtër, dhe duke sakrifikuar kështu disa parime të rëndësishme të drejtësisë. Ka qenë i pamjaftueshëm hetimi për lidhjen e anëtarëve të UÇK-së me krime lufte të kryera kundër popullsisë serbe dhe kosovarëve shqiptarë. Ekipi i prokurorëve dhe hetuesve ndërkombëtarë në gjirin e misionit të EULEX-it, ngarkuar për të ndjekur pretendimet për trajtime çnjerëzore, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me një trafikim të mundshëm organesh, ka bërë përparime, konkretisht ka provuar ekzistencën e vendeve të fshehta të burgimit të UÇK-së në veri të Shqipërisë, ku thuhet se janë kryer trajtime çnjerëzore, madje edhe vrasje.
Çudi që një organizim ndërkombëtar me UNMIK-un, EULEX-in dhe KFOR-in, që ne shqiptarët i kemi konsideruar dhe i konsiderojmë organizata shumë të fuqishme, vjen një zotëri i gjithëditur dhe konstaton se nuk kanë punuar mirë. Duhet patjetër të vinte ai e të “ndriçonte” gjendjen pas një dhjetëvjeçari. Por ajo që më krijon një befasi është fakti se në këtë raport këtyre organizatave u jepet hapësirë kontrolli edhe në Shqipëri, pasi gjithçka sipas autorit të raportit ka ndodhur në veri të Shqipërisë. Në fakt këto organizata kanë bashkëpunim me Shqipërinë, por nuk e kanë nën kontroll atë.
Duhet goditur, pa kurrfarë kompromisi, mosndëshkimi i autorëve të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut. Fakti që këto shkelje janë kryer në kuadrin e një konflikti të dhunshëm, nuk mund të përligjë kurrë heqjen dorë nga ndjekja penale e autorëve të akteve të tilla. Nuk mundet dhe nuk duhet të ekzistojë një drejtësi për fitimtarët dhe një tjetër drejtësi për të mundurit.
Më vjen mirë që në këtë raport (kuptohet për interesat e autorit) pranohet se Serbia është e mundur dhe UÇK-ja është fitimtare në këtë luftë, pasi deri tani shumëkush përfshi edhe Serbinë janë përpjekur ta zbehin këtë fitore. Por, zotëria raportues është i shqetësuar se qenka përdorur një standard drejtësie ndryshe për humbësit dhe ndryshe për fitimtarët e luftës. Ama, që këta fitimtarët nuk kanë qenë në pozita të barabarta gjatë luftës me humbësit, këtë ai nuk donë ta marrë në konsideratë. Që ata humbësit kanë masakruar një popull të tërë ditën për diell duke vrarë mbi 12 mijë civilë të të gjitha moshave dhe duke shpërngulur 75 për qind të popullsisë e duke zhdukur mbi 2 mijë shqiptarë, kjo nuk i bën përshtypje fare.
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetet e tjera ndihmuese duhet t’i përcaktojnë EULEX-it një objektiv të qartë dhe t’i japin mbështetjen e nevojshme politike për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar, me qëllim që drejtësia të vihet në vend, pa u prirë kurrsesi nga ndonjë përfitim politik. Shqipëria dhe administrata kosovare duhet të bashkëpunojnë pa rezervë për hetimet e sotme dhe ato në të ardhmen.
Paragrafë të përgjithshëm si ky më sipër mund të përdoren për të gjitha shtetet e botës, pasi gjithkund ka probleme si në Kosovë. Por shkruesi i raportit nuk shqetësohet për këtë. Shqetësimi i tij qëndron që të ndërtohet një mundësi gjuetie shtrigash kundër ish luftëtarëve të UÇK-së. Direktiva e tij është shumë domethënëse, pasi ai bën paralajmërimin e gjithkujt që mund e do të mbështesë ish luftëtarët e UÇK-së se veprimet bëhen për përfitime politike. Realisht është shumë i thellë në këto instrumentime, po pse edhe kërcënues, këtë nuk arrij ta kuptoj.
Në rezolutën që është bashkë shoqërues i raportit është theksuar se “Asambleja Parlamentare u njoh me mjaft shqetësim me njoftimet e ish Kryeprokurores pranë Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (GJPNIJ), e cila pretendoi se gjatë konfliktit në Kosovë ishin kryer krime të rënda, përfshirë trafikim organesh njerëzore, krime që deri më sot kanë mbetur të pandëshkuara dhe nuk kanë qenë objekt i asnjë hetimi serioz”. Gjë që le të kuptohet që në fillim, se në gjithë dokumentet e këtij raporti flitet sikur hetimi ka përfunduar, gjithçka është vërtetuar dhe tani duhet vetëm të lëvizin policët për të arrestuar fajtorët. Është vërtetë e çuditshme se si mund të punohen e pranohen në organe të larta politike dokumente të tilla. Dhe në vijim të bindjes shkruhet: “Gjithnjë sipas ish Kryeprokurores, këto akte ishin kryer nga anëtarë të milicive të “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” (UÇK) ndaj shtetasve serbë mbetur në vend në fund të konfliktit të armatosur dhe tê cilët ishin zënë robër”.
Mua më krijon mjegull edhe një praktikë që ndiqet në përpilimin e këtij raporti dhe të dokumenteve shoqëruese, sepse thuhet: ”Sipas informatave të mbledhura nga Asambleja dhe sipas hetimeve penale në proces, shumë tregues konkretë e konvergues konfirmojnë që disa serbë, si dhe disa kosovarë shqiptarë janë mbajtur robër në vende të fshehta burgimi të kontrolluara nga UÇK-së në veri të Shqipërisë dhe i janë nënshtruar trajtimeve çnjerëzore e poshtëruese, deri sa më në fund u zhdukën”. Po kush ishin këta njerëz, nga ishin, si quheshin, ku e kanë familjen, me çfarë pune janë marrë, cilët janë ata që i njohin? Për këto nuk thuhet asgjë, thuajse flitet për veprime imagjinare për të trembur fëmijët.
Megjithatë bën përshtypje se në rezolutë thuhet: “Gjatë fazës vendimtare të konfliktit të armatosur, NATO-ja ndërhyri me anë goditjesh ajrore, ndërkohë që operacionet tokësore drejtoheshin nga UÇK-ja, aleate faktike e forcave ndërkombëtare. Pas largimit të autoriteteve serbe, aktorët ndërkombëtarë të ngarkuar me sigurinë në Kosovë u mbështetën gjerësisht tek forcat politike në pushtet në Kosovë, të dala kryesisht nga kuadro të UÇK-së”. Gjë që mbështetet në të vërtetën. Por brenda vetë dokumentit ka kontradiktë, pasi këta luftëtarë të UÇK-së, ose janë kriminelë që kanë zhdukur njerëz, ose janë luftëtarë që mbajtën peshën tokësore të operacioneve luftarake të NATO-s nga ajri.
Në pikën 10 të rezolutës në fjalë thuhet: “Organizatat ndërkombëtare të vendosura në Kosovë u prirën drejt një qasjeje politike pragmatiste, duke menduar se duhej doemos favorizuar stabiliteti afatshkurtër, dhe duke sakrifikuar kështu parime të rëndësishme të drejtësisë. Për një kohë të gjatë, pak u bë për t’u dhënë përgjigje sinjalizimeve që implikonin anëtarë të UÇK-së në krime kundër popullsisë serbe si dhe kundër Kosovarësh shqiptarë. Në fakt, menjëherë pas përfundimit të konfliktit, kur UÇK-ja kishte praktikisht e vetme kontrollin në terren, u kryen shumë larje hesapesh midis tarafesh të ndryshme dhe ndaj atyre që konsideroheshin, pa asnjë formë procesi gjyqësor, si tradhtarë, sepse dyshoheshin se kishin bashkëpunuar më parë me autoritetet serbe në vend”. Duket sikur shqetësimi është thjeshtë pse UÇK-ja e kishte kontrollin e Kosovës pas përfundimit të luftës dhe pikërisht për këtë kjo periudhë duhet të konsiderohet periudhë kriminale. Po pse kush dëshironin shkruesit e rezolutës ta kishte kontrollin?
Dhe në vijim lexoni se sa keqdashës është shkruesi i kësaj rezolute: “Emocioni që ngjallën në rrafsh botëror krimet e llahtarshme të bëra nga forcat serbe krijoi një atmosferë të tillë, që mund të vihej re edhe në qëndrimin e disa instancave ndërkombëtare, duke u mbështetur në mendësinë se disa konsideroheshin doemos si xhelatë, dhe të tjerët si viktima, pra pashmangshmërisht të pafajshëm. Realiteti është më i nuancuar e kompleks”. A e kuptojnë lexuesit poshtërsinë e shkruesit me tendencën për të barazuar shqiptarët e masakruar me serbët masakrues?
***
Nuk bëhet drejtësia si dëshiron një shkrues raportesh

Dhe megjithëse me gjuhë gjarpri, shkruesi detyrohet edhe këtu të deklarojë se kush ishin fitimtarët dhe kush ishin humbësit e luftës. Për këtë shprehet: “Nuk mund dhe nuk duhet të ekzistojë një drejtësi për fituesit dhe një tjetër drejtësi për të mundurit. Në çdo konflikt, tërë kriminelët duhet të ndiqen penalisht dhe të cilësohen përgjegjës për aktet e tyre të paligjshme, cilido qoftë kampi të cilit i përkasin dhe pavarësisht nga roli politik që kryejnë”. Plotësisht dakord jam edhe unë që çdo kriminelë pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare apo grupin luftarak të cilit i përket duhet të ndëshkohet me rreptësinë më të madhe të mundshme. Por gjithnjë përballë fakteve, jo përballë shpifjeve. Nuk bëhet drejtësia si dëshiron një shkrues raportesh, por si paraqitet gjendja e fakteve në terren. E terrenin përsëri kjo rezolutë e përcakton kështu: “Çështja më e mprehtë dhe më delikate, nga pikëpamja humanitare, është ajo që ka të bëjë me personat e zhdukur. Nga mbi 6 000 dosjet e personave të zhdukur të çelura nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, rreth 1 400 persona janë gjetur të gjallë dhe 2 500 kufoma janë arritur të zbulohen e të identifikohen. Është fjala në shumicën e tyre për viktima kosovare shqiptare të gjetura në varret masive të zbuluara në rajonet që janë nën kontroll serb dhe në Kosovë”. Si qenka e mundur të zbulohen të zhdukurit në Serbi e nga serbët, të cilët i kanë zhdukur dhe fshehur me organizim shtetëror, me mjete shtetërore, me polici e ushtri, me gjithë mundësitë për t’i dërguar sa më larg deri në Danub e për t’i groposur sa më thellë. Ndërsa nuk arrihet të gjendet asgjë nga pretendimi për të zhdukurit nga UÇK-ja, që për të zhdukur një njeri do të duhej përdorur kazma e lopata se mjete të tjera nuk ka pasur. Do të duhej marrë në shpinë me barelë se as automjete për transport nuk ka pasur. Dhe megjithatë nuk gjendet asgjë, por shkruhet se megjithatë luftëtarët e UÇK-së janë kriminelë. Absurditet naiv.
Rezoluta që shoqëron këtë raport, e cila kuptohet, që siç shihet dhe e theksuam edhe më lartë, është përpiluar po nga e njëjta dorë, përmban elementë që unë pajtohem me ta, pasi duket se janë të drejta. Por në vazhdim tërheqin vëmendjen disa pika të saj, për të cilat nuk mund të kalohet pa reaguar.
Në pikën 2, duke pretenduar të vërtetojë të pa vërtetueshmen, duke iu referuar Karla Del Pontes, thotë: “… këto akte ishin kryer nga anëtarë të milicive të “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” (UÇK) ndaj shtetasve serbë mbetur në vend në fund të konfliktit të armatosur dhe të cilët ishin zënë robër”. Unë pyes, gjithkënd që ka jetuar në atë kohë në Kosovë dhe në Shqipëri; a ka pasur baza të UÇK-së në Shqipëri pas datës 22 qershor, kur është konfirmuar largimi i ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova? Një përgjigje e tillë në këtë pyetje është përgjigja me e qartë për pavërtetësinë e pretendimit. Le të dalë dikush para meje dhe të thotë se ka pasur baza të UÇK-së në Shqipëri pas datës 22 qershor 1999. Sepse një gjë e tillë nuk ka ekzistuar. Ai terren ka qenë nën kontrollin tim se kam qenë komandant i asaj zone. Dhe kam qenë një komandant që vërtetë komandant.
Njëkohësisht, unë me cilësinë e komandantit të zonës, pas datës 13 qershor, kur kam përcjellë për në Kosovë forcat gjermane të KFOR-it, jam detyruar të ve të gjitha forcat ushtarake të divizionit me qendër në Kukës, që të kontrollojnë gjithë zonën prej bjeshkës së Kallabakut e deri në tre kufijtë me Malin e Zi, për të mbledhur armatim e municione, nëse kishin mbetur prej luftëtarëve në rrugët e kalimit të tyre për në front dhe në vendqëndrimet e tyre. Dhe së dyti, për të evidencuar edhe njëherë me saktësi rajonet e minuara në kufi prej forcave serbe gjatë luftës. Raportimi për zbatimin e këtyre detyrave më është bërë me datën 28 qershor 1999 nga personat përgjegjës. Si ka mundësi që efektivat e kuadrove oficerë dhe të ushtarëve të divizionit që drejtoja, megjithëse shkelën me këmbë çdo pëllëmbë vend, nuk u ballafaquan me asnjë pamje të tillë dhe duhet të zbulohen 12 vjet më vonë, prej dikujt që nuk di as se ku është ky rajon?
Pa folur që prej atij momenti në gjithë hapësirën e vijës kufitare kanë vepruar forca speciale xheniere dhe ekspert ndërkombëtarë për pastrimin e terrenit nga minat serbe, sepse u bënë shkak i qindra aksidenteve e vdekjeve të kalimtarëve luftëtarë në kohën e luftës apo të rastit pas përfundimit të luftës. Edhe ata megjithëse ishin vëzhgues të imtë të çdo vendi të strehimit, apo të rrugëkalimit nuk vërejtën asgjë të dyshimtë të këtyre pretendimeve.
Në pikën 3, pretendohet se pasi janë mbledhur informata të shumta, (kuptohet në kuadër të hamendësimeve), është “gjetur” më në fund se “këto akte ishin kryer nga anëtarë të milicive të “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” (UÇK) ndaj shtetasve serbë mbetur në vend në fund të konfliktit të armatosur dhe tê cilët ishin zënë robër”. Për këtë në radhë të parë duhet thënë se Policia Ushtarake e UÇK-së ka qenë në numër shumë e kufizuar dhe nuk ka pasur kohë të merret me gjëra të tilla, sepse kishte detyra mjaft të dendura me shoqërimin e kolonave që shkonin çdo ditë drejt frontit; me furnizimin materialo-teknik e me armatim municion të fronteve, që kishin nevoja të vijueshme, për faktin se furnizimi bëhej me kafshë, pasi rrugët i kontrollonte ushtria dhe policia serbe, ashtu edhe mjetet e transportit e magazinat i kishin ata. Pa folur që duhej shumë kujdes në kalimin e kufirit midis Shqipërisë e Kosovës sepse ushtria serbe kishte bërë minime masive në kufi, e për këtë ishte e fokusuar më së shumti policia ushtarake e UÇK-së. Se kur kanë pasur kohë tjetër ata që të merren me trajtime burgjesh, këtë nuk arrij ta kuptoj, megjithëse gjithnjë kam qenë në detyrë dhe mendoj se e kam kontrolluar mirë zonën time të përgjegjësisë, jo vetëm me informacione për edhe duke qenë vazhdimisht vetë në lëvizje, duke parë me sy, duke prekur me dorë e duke shkelur me këmbë çdo pëllëmbë vendi të zonës dhe të vijave të fronteve e të bazave të furnizimit dhe të trajnimit të luftëtarëve.
Ndërsa në pikën 4, thuhet: “… në periudhën menjëherë pas përfundimit të konfliktit të armatosur, para se forcat ndërkombëtare të merrnin me të vërtetë në dorë kontrollin e rajonit dhe të vendosnin njëfarë rendi e ligjshmërie, robërve të zënë duhet t’u jenë marrë organet në një klinikë të ndodhur në territorin shqiptar, pranë Fushë-Krujës, për t’u transportuar më pas jashtë shtetit për qëllime transplantimi”. Ky deklarim mendoj se është plotësisht abuziv dhe mashtrues, pasi pas përfundimit të luftës, nga djemtë e vashat luftëtarë të UÇK-së nuk ka pasur asnjë në Shqipëri, pasi të gjithë vrapuan drejt vendit të tyre dhe u angazhuan për të kontribuar për stabilizimin e jetës në vend, pikërisht që të mos kishte asnjë problem me vendosjen e të kthyerve në vatrat e tyre, pasi të gjitha sakrificat për këtë ishin bërë. Së dyti, forcat ndërkombëtare sipas marrëveshjeve të nënshkruara me shtetin shqiptar është e vërtetë që kanë kaluar nëpër Shqipëri, por nuk kanë pasur asnjë detyrë e të drejtë të marrin në kontroll mbi territorin e Republikës së Shqipërisë. Shteti shqiptar do të ishte me shumë vend, për shprehje të tilla të kërkonte llogari prej autorit dhe Këshillit të Evropës që e ka pranuar këtë deklarim të papërgjegjshëm dhe denigrues për shtetin, pasi kuptohet me mendësi të tilla Evropa ka që në vitin 1992 që e zvarrit Shqipërinë në rrugën për anëtarësim, pasi duhen trajtuar shqiptarët në mënyrën si trajtohen në këtë raport. Dhe jam i sigurt se Evropa meqenëse ka këto mendime për Shqipërinë as që ka për ta pranuar ndonjëherë ndoshta edhe për 30 vjet të ardhshme, megjithëse Shqipëria është i pari shtet i dalë nga diktatura në vitet ’90, që ka bërë kërkesë për t’u anëtarësuar në vitin 1992.
Po kështu në pikën 5, bëhet një lidhje shumë e pa bazë, kur deklarohet: “Ky aktivitet kriminal, që u zhvillua duke përfituar nga kaosi që sundonte në rajon dhe me nismën e disa drejtuesve të milicive të UÇK-së të lidhur me krimin e organizuar, ka vazhduar, ndonëse në forma të tjera, gjer në ditët tona, siç e vërteton një hetim që po kryen Misioni i Bashkimit Evropian për Shtetin Juridik në Kosovë (EULEX) lidhur me klinikën “Medicus” në Prishtinë”. Nuk mund të pranohet se në Shqipëri dhe në Kosovë ka pasur kaos, që edhi dhe e zbuloi zotëri Marty. Askush nuk ka shkruar deri sot në këtë mënyrë. Dua të them se as gjatë luftës nuk ka pasur kaos, se po të ishte ashtu do të kishte ndodhur një e keqe e madhe kur ishin 1.5 milion njerëz të shpërngulur nga shtëpitë e tyre prej pushtuesit serb. Ky kaos mendoj se ekziston vetëm në kokën e zotëri Martyt, i cili me çdo mënyrë përpiqet të denigrojë jo vetëm njerëzit, por edhe gjithë hapësirën shqiptare.
Ndërsa për sa iu përket lidhjeve të luftës me klinikën “Medicus” në Prishtinë, nuk e kuptoj se si mund të krijohet një lidhje e tillë. Ajo klinikë ka qenë legale, e kanë ditur të gjithë, nëse ka bërë punë të paligjshme le të jepet llogari prej të gjithë atyre që kanë lidhje interesash me të, por të mendohet e të deklarohen lidhje të saj me periudhën e Luftës Çlirimtare më duket një dashakeqësi e paramenduar prej hartuesit të raportit.
Njëkohësisht vërej se zotëri Marty në deklaratën që ka paraqitur sipas raportit të tij në emër të Këshillit të Evropës, e ka bërë të vërtetë, që disa prej drejtuesve të milicive të UÇK-së janë të lidhur me krimin e organizuar, sikur të hante bukë me djathë – themi ne shqiptarët. Po pse more zotëri bëni deklarime që zakonisht bëhen pasi të marrë vendim gjykata? Ju nuk besoj se jeni edhe politikan, edhe hetues, edhe prokuror, edhe gjykatës; besoj se ju kishit për detyrë të bënit një hetim politik, por pa fuqinë e prokurorit e të gjykatësit.
Le të lexojmë pikën 8, të kësaj deklarate: “GJPNIJ, që kish nisur të bënte një shqyrtim të parë në vend për të zbuluar praninë e gjurmëve të një trafiku të mundshëm organesh, i braktisi hetimet. Elementët e provës të zbuluara në Rripe të Shqipërisë janë shkatërruar dhe rrjedhimisht, nuk mund të shfrytëzohen për analiza të mëtejshme. Kështu, asnjë hetimi nuk i është shkuar më tej për një çështje të konsideruar megjithatë aq serioze sa ish Kryeprokurorja e GJPNIJ-së e pa të arsyeshme të bënte publike në librin e saj”. Pse zotëri bëheni kaq qesharak, kur bëni një deklaratë të tillë? Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës Karla Del Ponte ishte aq e fuqishme, sa kur ishte çështja e mbrojtjes së serbëve dhe Serbisë mori Sllobodan Millosheviqin dhe e burgosi në Hagë, si ka mundësi që paska dështuar para një shtëpie fshatari? Kush të beson? Si mund të dështonte Karla Del Ponte, si mund të tërhiqej ajo, si mund të mos bënte të paktën një deklaratë sa ishte në detyrë? Jo zotëri, askush nuk i ha këto kumbulla të tuat se i mpihen dhëmbët. Detyra për të bërë këtë që po bëni u mor me vonesë, pasi ishin kaluar disa faza, pasi siç dukej Serbia mendonte se pas dorëzimit të Millosheviqit do të konsiderohej e larë, por kur kuptoi se duhej dhënë llogari se shqiptarët do të kërkonin gjithçka që u takonte, u thirr nga padronët serb Del Ponte. E meqë ajo ishte në fund të mandatit, u përgatit shpejt e shpejt libri i famshëm i saj, kurse në fushën institucionale misioni i shëmtuar kaloj tek ju, që të shfrytëzonit dritaren e Këshillit të Evropës, siç po e shfrytëzoni.
Në pikën 9 të deklaratës jeni shprehur se: “Gjatë fazës vendimtare të konfliktit të armatosur, NATO-ja ndërhyri me anë goditjesh ajrore, ndërkohë që operacionet tokësore drejtoheshin nga UÇK-ja, aleate faktike e forcave ndërkombëtare. Pas largimit të autoriteteve serbe, aktorët ndërkombëtarë të ngarkuar me sigurinë në Kosovë u mbështetën gjerësisht tek forcat politike në pushtet në Kosovë, të dala kryesisht nga kuadro të UÇK-së”. Me gjithë tendencën tuaj në formulimin e kësaj pike, vlerësoj se kur shpreheni që “NATO-ja ndërhyri me anë goditjesh ajrore, ndërkohë që operacionet tokësore drejtoheshin nga UÇK-ja, aleate faktike e forcave ndërkombëtare”, keni të drejtë. Është e vërtetë që operacionet tokësore ishin përgjegjësi e UÇK-së sepse për këtë qëllim i kishin rrëmbyer armët ata djem e vasha të Kosovës. Prandaj nuk kishin si të mos ishte UÇK-ja aleatja reale e NATO-s. Por kur thoni se “aktorët ndërkombëtarë të ngarkuar me sigurinë në Kosovë u mbështetën gjerësisht tek forcat politike në pushtet në Kosovë, të dala kryesisht nga kuadro të UÇK-së”, mendoj se e keni gabim. Pikërisht këtu qëndron edhe fakti që ju arrini sot të na bëni portretin që përpiqeni të na bëni, sepse aktorët ndërkombëtarë në Kosovë nuk u mbështetën tek potencialet politike dhe ushtarake të dalë nga Lufta Çlirimtare e Kosovës. Po ta kishin bërë këtë nuk do të kishin dështuar në udhëheqjen e Kosovës në këtë periudhë kalimtare. Po ta kishin bërë këtë do të kishin dalë fitimtar ashtu siç doli NATO-ja me operacionet e saj ajrore, kur kishte UÇK-në si ushtri tokësore.
***
Kurrë nuk do të arrihet të njolloset kombi ynë, Kosova ka histori të lavdishme

Aktorët ndërkombëtarë që morën drejtimin në Kosovë u lidhën dhe u mbështetën te të gjitha strukturat dhe individët që kishin bashkëpunuar me Serbinë gjithë jetën. Do të thoni ju që ata nuk ishin në udhëheqje. Atë e kam të qartë se edhe po ta kishin mendimin tuaj, ose të ishit ju vetë nuk e bënit dot, se për lirinë u bë një luftë e madhe. Por të gjithë informatorët dhe bashkëpunëtorët e niveleve vepruese ishin ish-bashkëpunëtorë të Serbisë. Dhe ta dini zotëri, megjithëse edhe sot Serbia deklaron që ka shërbim të fuqishëm informativ në Kosovë, kurrë nuk do të arrihet të njolloset kombi ynë, sepse gjithë historinë e ka të lavdishme.
Në pjesën e dytë të pikës 10 ju shpreheni: “Në fakt, menjëherë pas përfundimit të konfliktit, kur UÇK-ja kishte praktikisht e vetme kontrollin në terren, u kryen shumë larje hesapesh midis tarafesh të ndryshme dhe ndaj atyre që konsideroheshin, pa asnjë formë procesi gjyqësor, si tradhtarë, sepse dyshoheshin se kishin bashkëpunuar më parë me autoritetet serbe në vend”. Më duket se gjithë informacionin e keni marrë prej kundërshqiptarëve dhe e keni ndërtuar me keqdashje, sepse po të kishit marrë informacion të saktë do të ishit informuar se në Kosovë gjatë dhe pas Luftës Çlirimtare nuk ka pasur asnjë element të luftës civile, që realisht duket se e keni pasur shumë me dëshirë ju zotëri Marty dhe serbët që ua kanë servuar raportin tuaj. Në Kosovë dhe në gjithë hapësirën shqiptare jemi krenar se kurrë nuk ka pasur luftë civile me gjithë përpjekjet që janë bërë shpesh në histori për të na futur në lojëra të tilla të rënda. Dhe duhet të dini se ne i njohim luftërat civile të kombeve të tjera gjatë historisë.
Ndërsa sa u përket atyre që kanë bashkëpunuar me Serbinë kundër UÇK-së duhet të jeni të qartë se ka pasur mjaft kohë për t’i likuiduar që në fillim të luftës, siç ndodh gjithnjë gjatë luftërave çlirimtare, në qoftë se do t’i kishin zënë rrugën ose do të ishin vendosur në vijat e fronteve bashkë me serbët përballë luftëtarëve. Kurse kur lufta kishte përfunduar askush nuk është marrë me ta. Sepse tani në liri shqiptarët të lodhur nga lufta nuk kishin më dëshirë të merreshin me këtë kategori. Dhe përgjithësisht Serbia bashkëpunëtorët i ka marrë me vete, ju e dini mirë këtë. Se nuk do të ndodhte ndryshe se ç’ka ndodhur me pushtuesit e vendeve të tjera, apo edhe me pushtuesit që kanë pushtuar territoret shqiptare gjatë historisë.
Në pikën 11, duke u përpjekur të justifikoni veten, ju hidhni gurë kundër UNMIK-ut, se nuk paska punuar mirë dhe se me ardhjen e EULEX-it dhe ardhjen tuaj gjendja ka ndryshuar, por çfarë t’i bësh se u paska mbetur pa zbuluar ajo që doni ju “për krimet e luftës të kryera kundër serbëve e kosovarëve shqiptarë të konsideruar si bashkëpunëtorë apo si pjesëmarrës të fraksioneve kundërshtare. Kjo çështje e fundit përbën një tabu të vërtetë sot e kësaj dite në Kosovë, edhe pse gojë më gojë e me shumë kujdes, të gjithë flasin për një gjë të tillë”. Zotëri, a e dini se luftëtarët e UÇK-së nuk kanë në historinë e luftës së tyre asnjë civil serb, asnjë fëmijë, grua apo plak serb të vrarë gjatë luftës, asnjë shtëpi të djegur dhe asnjë grabitje në shtëpitë e serbëve? Po çfarë paskeni pritur ju, që edhe burrat luftëtar të mos i kishin vrarë në frontet e luftës? Nuk e dini ju se lufta bëhet për të vrarë burra që rreshtohen në formacionet e armikut? A keni marrë vesh ju se UÇK-ja ka lënë në frontet e luftës me ushtrinë dhe policinë serbe rreth 2 mijë dëshmorë? Vërtetë jeni interesant, dhe nuk u vjen çudi me veten për mënyrën se si arsyetoni.
Ndërsa duhet të dini profesionalisht, se fati i kësaj Lufte Çlirimtare ka qenë se nuk pati fraksione, siç do të kishit pasur dëshirë ju. Në atë luftë pati një ushtri që quhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe që e kreu detyrën. Këtë e di edhe NATO-ja që luftoi bashkë me të e që më lartë e keni pranuar edhe ju megjithëse në sensin për keqdashje. Kështu që, në qoftë se ka ndodhur ndonjë vrasje, që mund ta evidentoni ju, gjeni arsyet, por mos e lidhni abuzivisht me luftën duke përdorur terminologji sikur ne këtu jemi një tufë të paditurish dhe habitemi me fuqinë tuaj në të shprehur e në shtrim të problemeve.
Më poshtë në pikën 12, shpreheni “Ekipi i prokurorëve dhe hetuesve ndërkombëtarë në gjirin e misionit të EULEX-it, ngarkuar për të vërtetuar pretendimet lidhur me trajtimet çnjerëzore, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me një trafikim të mundshëm organesh, ka bërë përparime konkretisht për sa i përket provës së ekzistencës së vendeve të fshehta të burgimit të UÇK-së në veri të Shqipërisë ku thuhet se janë kryer trajtime çnjerëzore, madje edhe vrasje. Hetimi, megjithatë, nuk ka gjetur mbështetjen e duhur për bashkëpunim nga ana e autoriteteve shqiptare”. Çudi, që ju paskan penguar autoritetet shqiptare, sepse me sa di unë këto autoritete gjithnjë iu kanë ofruar publikisht gjithë ndihmën e nevojshme që të sqaroheni për çdo pretendim. Asnjëherë nuk kam dëgjuar t’u jenë kundërvënë. Ndërsa unë mendoj se u kanë dhënë aq shumë hapësirë, sa vërtetë nuk duhet ta kishin bërë, përderisa ju jeni aq pak serioz, sa kur nuk gjeni çfarë dëshironi, propagandoni pengesën e autoriteteve shqiptare, për të mos deklaruar dështimin tuaj, pasi jeni duke ecur mbi mashtrimin. Pse në raportin tuaj nuk emërtoni kush iu ka penguar? Apo nuk ka rëndësi, pasi ju konsideroheni i fituar në fushën propagandistike kundërshqiptare dhe kaq iu mjafton. Shqipëria ka pasur autoritete edhe kur zhvillohej lufta, nuk ka qenë tokë e shkretë, që ju ta zbuloni sot zotëri.
Ndërsa në pikën 13, jeni më i drejtpërdrejtë për synimin se ku doni të arrini duke u deklaruar: “Emocioni që ngjallën në rrafsh botëror krimet e llahtarshme të bëra nga forcat serbe krijoi një atmosferë të tillë, që mund të vihej re edhe në qëndrimin e disa instancave ndërkombëtare, duke u mbështetur në mendësinë se disa konsideroheshin doemos si xhelatë, dhe të tjerët si viktima, pra pashmangshmërisht të pafajshëm. Realiteti është më i nuancuar e kompleks”. Pra, keqardhja juaj është se instancat ndërkombëtare qenkan emocionuar nga krimet serbe, duke bërë të mos shihen krimet e viktimës. Unë e kam kuptuar se synimi juaj nuk është tjetër veçse të kriminalizojë pikërisht këtë – viktimën për ta barazuar me kriminelin. Po pse more zotëri ke kaq urrejtje për gjithë ata shqiptarë të vrarë? A e di zotëri se sipas statistikave për një shekull, Serbia ka zhdukur 77 % (për qind) të shqiptarëve në trojet e pushtuara dhe se këto shqiptarë që jetojnë sot janë pasardhës të vetëm 23% (për qind) të tyre? Ulu njëherë dhe vëre gishtin në kokë thonë shqiptarët. Nuk janë emocionuar instancat ndërkombëtare, zotëri, por këto instanca të emocionuara sipas jush, na kanë borxhe të mëdha, pasi kanë pjesën e tyre të fajit për vdekjen e gjithë atyre shqiptarëve ndër kohëra e kanë peshë në ndërgjegjen e tyre.
Realisht serbët dhe Serbia në Kosovë dhe në gjithë trojet e pushtuara shqiptare historikisht kanë kryer rolin dhe funksionin e xhelatit mbi shqiptarët, duke ua marrë jetën si kanë dashur. Lexoni zotëri dialogun e Millosheviqit me Gjeneralin Klark, në takimin e tyre të vitit 1999, në Beograd, në librin e tij “Të bësh luftë moderne”, që të sqarohesh se çfarë kanë bërë dhe kërkonin të bënin serbët mbi shqiptarët.
Prandaj edhe sado dëshirë të keni, nuk keni për t’ia arritur kurrë qëllimit të barasvlerësoni shqiptarët me serbët në rrugën e krimit kundër njerëzimit, sepse serbët janë të njohur botërisht për krimet e tyre. Mos bëni shaka zotëri me terma tragjike.
Pika 15, është vërtetë interesante, pasi aty ju thoni: “Nuk mund dhe nuk duhet të ekzistojë një drejtësi për fituesit dhe një tjetër drejtësi për të mundurit. Në çdo konflikt, tërë kriminelët duhet të ndiqen penalisht dhe të cilësohen përgjegjës për aktet e tyre të paligjshme, cilido qoftë kampi të cilit i përkasin dhe pavarësisht nga roli politik që kryejnë”. Jam plotësisht dakord me ju, për këtë pikë, më gëzon fakti që në këtë rast keni marrë rolin e të mundurit (Serbisë), duke kërkuar që edhe shqiptarët (fitimtarët) të vlerësohen për veprat e tyre njëlloj si serbët.
Po kur do të trajtohen serbët si kriminelë, kur do të japin llogari për gjithë vrasjet që kanë bërë, për të gjitha masakrat, për të gjitha shkatërrimet, për të gjitha shpërnguljet, për gjithë gjenocidin, për gjithë prapësitë që kanë shkaktuar, për të gjitha përdhunimet, për të gjitha djegiet e shtëpive, për gjithë ata operacione zhdukje ndaj shqiptarëve, për të gjithë të zhdukurit, për gjithë fëmijët pa prindër e prindërit pa fëmijë, për të gjithë pensionistët pa pensione, për të gjithë pasurinë e marrë, për gjithë pastrimet etnike e grabitjen me tjetërsim të tokave shqiptare, për të gjitha shpifjet, për të gjitha konfliktet ndërshqiptare që kanë përgatitur, për të gjitha opinionet që kanë përgatitur për opinionin ndërkombëtar për portretin e shqiptarëve etj. Pra, unë jam dakord me ju që të trajtohen njëlloj të gjithë ata që kanë bërë krime, po kur do ta përgatisësh raportin për Serbinë, për ushtrinë e policinë serbe, për kriminelët serb, që të jesh i sigurt janë me mijëra? Bëje edhe këtë, që të pastrosh sadopak, këtë portret që krijove për veten në opinionin mbarëbotëror, duke u munduar të njollosësh portretin e luftëtarëve shqiptar për liri dhe të Ushtrisë së tyre Çlirimtare.
Por unë nuk bindem dot se ju mund të jeni i drejtë në vlerësimin e kriminelit dhe të viktimës, kur lexoj në pikën 16 të kësaj rezolute: “Ndërsa Serbia më në fund arriti të bashkëpunojë, realizimi i gërmimeve në territorin e Kosovës u shfaq shumë më i komplikuar, kurse në territorin shqiptar ka qenë i pamundur, të paktën gjer më sot. Bashkëpunimi me autoritetet kosovare lë për të dëshiruar sidomos për sa u përket kërkimeve për rreth 500 persona zyrtarisht të zhdukur pas përfundimit të konfliktit”.
Së pari, dua t’iu sqaroj se në Kosovë nuk ka pasur një konflikt që mund të ishte zgjidhur edhe me bisedime, por një luftë të armatosur të një populli për liri, kundër të cilit Serbia pushtuese ka përdorur gjithë arsenalin e saj të armëve prej pistoletave e pushkëve, mitralozëve e topave, tankeve e autoblindave, helikopterëve e avionëve gjuajtës – bombardues e deri tek raketat që ka disponuar, pa dalluar se ku lejohet e ku nuk lejohet për të goditur sipas konventave ndërkombëtare. Për këtë mund të shihet edhe plani i përdorimit luftarak të artilerisë në Kosovë, të cilin unë e disponoj në origjinal, që e kanë përgatitur bashkëpunëtorët e tu serb. Të cilin e kam paraqitur në këtë punim më lartë të fotografuar.
Së dyti, ju duket se shpreheni që flitet për vrasje të kryera pas lufte, e realisht nuk kuptohet se si mund të jenë bërë këto vrasje kur nuk kishte luftë.
Së treti, ju përdorni shifrën 500, por nuk vini asnjë emër, adresë e portret të asnjë prej këtyre që juve iu kanë humbur. Ndërsa shqiptarët kanë emrat e mbiemrat, portretet dhe gjeneralitetet, familjet dhe të afërmit, vendbanimet dhe shtëpitë, prindërit dhe fëmijët e mbi 14 mijë të vrarëve e të zhdukurve, dhe ju nuk iu bëjnë fare përshtypje.
Së katërti, ju ankoheni se në Kosovë e Shqipëri iu kanë penguar të gërmoni. Po si u kanë penguar nuk e thoni, pasi nuk dini çfarë të thoni, për vetë faktin se edhe sikur ta gërmoni gjithë tokën shqiptare, nuk do të gjeni varreza masive, siç pretendoni ju, pasi nuk është në zakonin tonë të fshehim varrezat, në traditën tonë njeriu është edhe armik deri në momentin që vdes, prej këtij momenti ai duhet nderuar dhe ne këtë e kemi bërë historikisht dhe e bëjmë. Ne e dimë që për këto çështje Serbia gjithnjë na ngatërron me veten, po ju pse na ngatërroni, a mos edhe ju keni të njëjtën traditë si serbët që të luftoni edhe kundër kufomave?
Së pesti, ju e quani bashkëpunëtore të mirë Serbinë, se ajo paska bashkëpunuar me ju, por për çfarë ka bashkëpunuar? Ne akoma kemi një masë të madhe njerëzish të humbur. A dini ku u ka thënë Serbia se e ka Ukshin Hotin, një personalitet shqiptar me vlera universale, që nuk po kthehet në shtëpi? Ne e duam bashkëpunimin me emra zotëri. A ke dëshirë të rreshtoj të gjithë emrat e të zhdukurve që vazhdojmë t’i presim të na i kthejë Serbia?
Pas këtyre komenteve të rezolutës shoqëruese, le të lexojmë e vlerësojmë raportin e zotëri Dick Martyt, duke nxjerrë konkluzione e duke bërë në fund komentet e nevojshme sqaruese.
Pasi e kemi lexuar me kujdes këtë raport, lind vetvetiu nevoja për ta marrë në analizë pikë për pikë që të kuptojmë më mirë se cili është edhe qëllimi i këtij zotëri Marty-t, që bën këtë raport tepër denigrues dhe keqdashës për kombin shqiptar, për Kosovën e shqiptarët që e banojnë, për Luftën Çlirimtare të Kosovës, për UÇK-në si bartëse krenare e me dinjitet të kësaj lufte, për luftëtarët, invalidët, dëshmorët dhe viktimat e shumta të kësaj lufte, që ishte rrjedhojë e pushtimit nga Serbia dhe domosdoshmërisë së hedhjes së saj jashtë Kosovës me forcën e armëve dhe më gjakun e shumë shqiptarëve.
VIJON…
______________________

KUDUSI LAMA:UÒªK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (XII)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10513

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura