Prishtinë, 14 tetor 2020: Çfarë më kishte thënë babai?
Për Nexhmije Hoxhën, gruan e Enver Hoxhës, për herë të parë kisha dëgjuar nga im atë, Rexhep Zogaj, i cili në vitet e shtatëdhjeta dhe deri në pranverë të vitit 1981, në cilësi të Drejtorit të përgjithshëm të shtëpisë botuese “Rilindja”, në vazhdimësi qëndronte për vizita dhe marrëveshje bashkëpunimi në Shqipëri. Në rrethin e ngushtë të familjes sonë, disa herë kisha pasur rastin të dëgjoja rrëfimet e tij për Shqipërinë, Enver Hoxhën, pra, edhe për Nexhmije Hoxhën. Kur fliste për Nexhmijen, im atë, veçonte se ajo ishte një grua e zonja, inteligjente, me kulturë të thellë intelektuale, me kontribut në fushën e kulturës dhe përgjithësisht në jetën shoqërore të kohës. Natyrisht, edhe unë, si një djalosh i moshës së studimeve, e kisha krijuar një përshtypje të parë, për gruan e Enver Hoxhës, sepse, statusi i saj i bashkëshortësisë e determinonte mendimin tonë për të, por edhe fakti se ajo ishte, drejtore e Institutit përkatës.
Vonë, shumë vonë, në vizitën time të parë në Shqipëri, më 1992, në një nga takimet e mia me mikun tim, Kujtim Hysenaj, ambasadori i fundit i Shqipërisë socialiste në Jugosllavi e kujtoj fare mirë, dhe me shumë besnikëri një dialog të drejtpërdrejt me të në Durrës, derisa më foli për kontributin e Nexmije Hoxhës në proceset shoqërore, kulturore dhe ato politike të kohës. Ato pikëpamje të ambasadorit, Kujtim Hysenaj, më plotësonin tablonë e kujtimeve, perceptimeve dhe përshtypjeve të im atë, i cili, theksonte se, Nexhmije Hoxha ishte një personalitet me ndikim dhe se, para së gjithash, atë, duhej parë edhe si një grua intelektuale, ambicioze dhe shumë e vendosur në veprimet e saja shtetërore, kombëtare në të mirë të Shqipërisë, çështjes shqiptare. Kuptohet, në ato vitet e shtatëdhjeta, edhe pse, si kryeredaktor i gazetës së studentëve, “Bota e re” (1976/1979) kisha plane ta vizitoja Shqipërinë, nuk e mendoja se, një ditë, Nexhmije Hoxhën do ta takoja edhe unë.
Gjithsesi, më kishin bërë përshtypje rrëfimet, përshtypjet, imazhet dhe atdhedashuria e babait tim për Shqipërinë, personalitetin e Enver Hoxhës, bashkëpunëtorëve të tij, pra edhe mendimet e tij për Nexhmijen. Për ato vite, ato kohëra, kur po lulëzonte bashkëpunimi, jo vetëm kulturor, shkencor midis kombit tonë të ndarë, Shqipërisë dhe Kosovës për të gjithë popullin e Kosovës, i madh e i vogël, Shqipëria ishte vendi, shteti të cilin e donim, i cili na jepte shpirt e shpresë, se edhe ne e kemi Atdheun tonë, se edhe ne e kemi Nënën tonë e cila, kujdesej për ne, që ishim në robëri, në sundimin serbo/jugosllav. Vetëm me atë moral, me atë vendosmëri e qëndresë të popullit të Kosovës, të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, pra, edhe me përkrahjen shpirtërore të Shqipërisë, ne ia dolëm, nën udhëheqjen e UÇK-së, t’i bënim ballë armikut më të përbetuar të kombit tonë shqiptar, serbëve!
Koncertet e grupeve artistike, që vinin nga Shqipëria, ligjëratat e profesorëve nga Tirana, vizita e shkrimtarëve, e Kadaresë po krijonin një atmosferë të re, shumë të veçantë nga aspekti kombëtar. Në vitet e 70-ta po ndodhte zgjimi i Kosovës dhe i mbarë popullit shqiptar në ish Jugosllavi. Veprat e Enver Hoxhës, së bashku me literaturën në gjuhën shqipe, ishin bërë stoli e zakonshme në ambientet e familjeve tona anë e mbanë Kosovës, përcjellja e Televizionit shqiptar, dëgjimi i pllakave të gramafonit me këngë shqipe, filmat, sidomos për fëmijë, sikur, Gjeneral gramafoni, Beni ecën vet e shumë ngjarje të tjera, që, popullit të Kosovës i dhanë zemër, shpirt dhe forcim të atdhedashurisë. Ne, populli i Kosovës, në ato vite po përjetonim renesancë të fuqishme në kuptimin, jo vetëm kulturor, por, para së gjithash kombëtar. E përcillnim Radio Tiranën, i shihnim programet e Televizionit Shqiptar, po aq sa edhe Televizionin e Prishtinës. Shënimi i përbashkët i 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1978) në Kosovë dhe Shqipëri ishte një ngjarje madhore për kombin tonë. Më 1978, aso kohe në cilësi të kryeredaktorit të gazetës së studentëve, “Bota e Re”, kisha marrë ftesë nga ambasada e Shqipërisë në Beograd, për të marrë pjesë në festimin, shënimin e Ditës së Flamurit.
Për herë të parë në Shqipëri kisha shkuar në nëntor të vitit 1992. Ndoshta, edhe për arsye se në Kosovë po përballeshim me aparthejdin serb/jugosllav, gjatë qëndrimit dy javor në Tiranë ngela i magjepsur. Unë, sikur edhe shumë shqiptarë të Kosovës, nuk kisha shkuar për të parë arritjet materiale, ekonomike, por kisha shkuar për ta mbushur shpirtin me liri, për ta prekur lirinë në Shqipërinë, që aq shumë e kishim ëndërruar dhe dashur. Nuk bëhej fjalë për reflektime ideologjike, siç propagandonte aso kohe regjimi serb/jugosllav. Ne e donim Shqipërinë si shtet amë, Atdhe i përbashkët i shqiptarëve dhe jo për kurrfarë ideologji apo model të socializmit. Në këtë kuptim, janë gënjeshtra edhe spekulimet, sikur shteti shqiptar po përpiqej që, përmes propagandës, rinisë së Kosovës t’ia impononte modelin e socializmit apo të ideologjisë së PPSH-së. Pra, kishte vite, që po gjurmoja pas historisë kombëtare, veçmas historisë së anatemuar, prandaj, që në atë vizitë, kisha shprehur dëshirën të takoja edhe ish udhëheqës të shtetit shqiptarë, të periudhës së komunizmit. Ndër ta, kisha dëshirë të takoja zonjën Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alinë. Shumë shpejtë do ta kuptoja se, për arsye të ditura, ndryshimit të sistemit, as që bëhej fjalë për t’i takuar ata të dy, përveç se, mu dha rasti ta takoja dhe bashkëbisedoja një natë nëntori me Fadil Paqramin!
Prof.dr.Agim Zogaj në shtëpinë e Nexhmije Hoxhës, Tiranë – 15 shtator 2015
Më 1996, sërish isha në Tiranë, kësaj radhe në shoqëri me Qazim Bllacën, ish anëtari i Kryesisë së Lidhjes së Dytë të Prizrenit, ministër në Qeverinë e Rexhep Mitrovicës mik i familjes sonë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, meqë edhe isha në gjurmime historike, sërish mu shfaq, madje shumë fuqishëm dëshira për ta takuar dhe bashkëbiseduar me Nexhmije Hoxhën. Ishin vitet, kur intensivisht po punoja dhe po gjurmoja në temën time të disertacionit, Marrëdhëniet shqiptaro – jugosllave 1945-1948. Duke u përpjekur për të gjetur rrugët më të sigurta të takimit me zonjën Nexhmije Hoxha, vendosa ta takoja një të afërmin tim, i cili shërbente në Zyrën e Republikës së Kosovës në Tiranë. Një mbrëmje nëntori, u takuam në një restorant në kryeqytetin shqiptar. E prisja, përkrahjen e tij dhe ndihmën që të më siguronte takimin me Nexhmije Hoxhën. Menjëherë, me ta dëgjuar interesimin dhe kërkesën time, ai mu përgjigje se, kjo punë nuk bëhet, në radhë të parë për shkaqe sigurie, sepse sipas tij, gjithçka është në mbikëqyrjen e sigurimit të vendosur nga demokratët në pushtet. Madje, për një moment, kur, sërish insistova, sepse nuk po e kuptoja për se, është rrezik ta takoje Nexhmije Hoxhën, ai më shikoi dhe më pyeti: “A mendon të kthehesh në Kosovë…”?!
Si në vitin 1992, as në vitin 1996, nuk mundja ta zhvilloja takimin dhe bisedën me Nexhmije Hoxhën, edhe për arsye se, ajo, që nga viti 1991 – 1997 ishte e burgosur.
Duke pritur përgjigjen e Nexhmije Hoxhës
Në mendjen time, më erdhën shumë mendime për atë që ne e quajmë, hakmarrje politike e çka tjetër. Në vete u mendova: vallë, këtë e quajnë regjim demokratik, këta janë demokratët e rinj shqiptarë? Zhgënjimi, dëshpërimi ishte shumë i madh, sepse dëshira ime për të marrë kujtimet e Nexhmije Hoxhës po tretej! Sikur më ishte fikur shpresa e atij çasti, një kohë e paqenë. Dëshpërim dhe vetmi. Vërtet, udhërrëfyes i vullnetit tim, ishte detyra ime prej gjurmuesit të historisë më të re kombëtare, dhe se, fare nuk kishte të bënte me ndonjë nostalgji ideologjike e çka tjetër, që mund t’i përshkruhej dëshirës, kërkesës sime.
Në gjurmimet e mia studimore për librin tim, Kosova: Të vërtetat e fshehura sërish, më ishte shfaqur dëshira e madhe, kësaj here më reale për ta takuar dhe bashkëbiseduar me Nexhmije Hoxhën, të venë , siç e cilësonte literatura perëndimore të Enver Hoxhës. Fillimisht, çështjen e kisha biseduar me një personalitet eminent nga historia e jonë kombëtare, udhëheqës i lartë i UÇK-së, ish pjesëtar dhe drejtues i Grupeve ilegale. I pëlqeu ideja ime dhe më premtoi se, meqë kishte komunikime me familjen Hoxha, do të mendohej, për të më dalë në përkrahje. Ditët javët kalonin, unë prisja, ndërkohë që, më kishte thënë se, ndoshta edhe ai vetë do të vinte më takim. Dëshira e tij dhe gatishmëria që edhe ai të jetë së bashku në takim, për mua ishte edhe më shpresëdhënëse. Edhe kjo përpjekje dështoi, sepse, ndërkohë, asnjëherë nuk mora përgjigje të prerë. Prandaj, duke kërkuar zgjidhje, çështjen e bashkëbisedova me një ish koleg të studimeve, i cili, thjeshtë u entuziazmua. Një i afërm i tij ishte me detyrë shtetërore në Tiranë, e dija, se po të donte do të mund të më siguronte lidhjen me Nexhmije Hoxhën, familjen Hoxha. Isha i bindur, se, në rast se ai do të ishte i gatshëm ta përkrahte interesimin tim, për të, edhe sot jam i bindur se, ajo çështje ishte fare e lehtë. Fjala ishte vetëm të na vente në kontakt, dhe asgjë më tepër. Deri atëherë, nuk kisha asnjë informacion në lidhje me vendbanimin e zonjës së nderuar, Hoxha. Meqë, përgjigja e mikut tim, e përcjellë nga shoku, miku i tij në Tiranë, ishte negative, mendova se, në lidhje me këtë mision tim gjurmues, gjithçka, një herë e përgjithmonë, mori fund! Në atë natë të ngrysur, veten e ndjeja plotësisht të braktisur, edhe pse, dëshiroja të gjurmoja një të kaluar të largët, një histori e cila vështir se mund të kuptohej krejtësisht e mundur apo edhe krejtësisht fitimtare… Megjithatë, e parandieja se, bashkëbiseduesja, të cilën e kërkoja, ishte e vendosur të mos e braktiste atë histori…
Ditët po kalonin, sërish e kisha rimarrë veten dhe, duke u menduar, duke kërkuar ide, plane, rrugë zgjidhje për të vënë kontakt me bashkëbiseduesen time të radhës mu kujtua një personalitet i kauzës sonë kombëtare, veprimtar, udhëheqës i lëvizjeve të caktuara të demonstratave dhe grupeve ilegale atdhetare në Kosovë. E kisha informatën se, ai kishte lidhje me familjen Hoxha, madje raporte mjaft të besueshme me Ilirin, djalin e madh të Enver Hoxhës. E thirra për takim, në kabinetin tim në fakultet. Erdhi një pasdite të vonë vjeshte të vitit 2014. I shpjegova, hapur dhe me argumente objektivin e studimit tim, të librit, që aso kohe, dhe madje edhe sot kishte titull pune. E kuptoi sinqeritetin e një gjurmuesi, kishte besim të plotë tek unë, sepse,nga viti 1990 kishim bashkëpunuar. Kishte qenë pjesë e grupeve të thella ilegale, i burgosur i vitit 1981, dikur kishte punuar me tim atë, në “Rilindje”. Mbajti qëndrim korrekt, ma dha fjalën se, meqë po më mirëkuptonte, në emër të historisë kombëtare, ndriçimit të fshehtave të saj, do të bënte gjithçka që ishte në mundësinë tij. Unë, po i kërkoja vetëm, mundësinë e kontaktit, në cilën do mënyrë me Nexhmijen, dhe asgjë më tepër. Kaluan ditë, kaluan javë, më në fund, i nderuari mik, erdhi dhe më takoi në fakultet me lajme të mira. Nuk ma dha numrin e telefonit kontaktues të Nexhmije Hoxhës, por, adresën elektronike të saj, me shpjegimin se, gjithçka është në rregull dhe mund t’i shkruaja lidhur me idenë time. U gëzova pa masë, por, atë lajm, e mbaja vetëm për veten time!
Më në fund, shumë i menduar dhe me shumë emocione të trazuara, i shkrova emailin e parë, duke i bërë me dije, në detaje objektivin tim studimor dhe rëndësinë që, intervista shkencore, hulumtuese me Nexhmijen do ta kishte për përmbajtjen e librit tim. Meqë, kishte pranuar ta kontaktoja, pra, të filloja bashkëbisedim, e prisja një përgjigje pozitive. Në emalin e parë shpjegues, i kisha radhitur shumë fakte, argumente deri te mendimi se, Kosova e meriton një bisedë, intervistë në hulumtim etj. Nuk vonoi dhe erdhi emalin i parë i saj. Përgjigja ishte e prerë, negative, me shpjegimin se, çfarë kishte pasur për të thënë e kishte thënë në librat e saj dhe në shumë intervista. U trazova shpirtërisht, sa që, një natë pranverore, e thirra nga Prizreni time bijë dhe i diktova drejtpërdrejt përmbajtjen e një e-maili për shoqen Nexhmije Hoxha. Përmbajtja e atij e-maili shprehte zemrat dhe dëshpërim, thjeshtë, e kisha diktuar nën presion të jashtëzakonshëm të përgjigjes negative. Nexhmije Hoxhes, nuk po i thyhej zemra, as, kur i përmendja se, me sa lumturi i përcillnim shfaqjet muzikore të Grupeve artistike të ardhura nga Shqipëria në Kosovë, madje, as të dhënën se, ime motër e vogël e kishte emrin sikur e bija e vetme e Nexhmije dhe Enver Hoxhës, Pranvera, e kështu me radhë…! Kuptohet, e kisha përshtypjen se, gjithçka po tretej pa shpresë, por, megjithatë nuk dorëzohesha. Frikë dhe shpresë, në të njëjtën kohë.
Megjithatë, pas disa dite, ndoshta javëve, kisha vendosur sërish t’i shkruaja, por kësaj radhe, duke mos i kërkuar as takim, as intervistë, as bashkëpunim në emër të brezave të ardhshëm shqiptarë. I shkruaja, për tema, krejt të lira, për zhvillime aktuale, ndonjë libër historie, ndonjë punim timin së bashku me biografinë akademike etj. Ajo, për lumturinë time, filloi të kthente përgjigje, madje, i përcillte të fala edhe familjes sime, disa nga emrat e të cilëve i mbante mend. E vlerësoja atë komunikim dhe, vetes i kisha dhënë për obligim që, në komunikim me te të isha sa më i qytetëruar, edukuar, më së paku imponues, zemërthyer, kryengritës, ose, person që mund të hidhërohesha lehtë! Ky stil i imi i komunikimit, sikur i kishte pëlqyer të nderuarës Nexhmije, prandaj ne po vazhdonim të komunikonim, sikur të ishim njohur me vite. Formulimet e emailave të saj ishin plot edukatë, të shkruar rrjedhshëm, për shumë çka bindës, edhe atëherë kur, ndonjë fragment nga përmbajtja e tyre nuk më pëlqente. Më, intervistën shkencore me të, nuk e përmendja fare.
Pas një kohe, ndoshta muajve të tërë të komunikimit tonë, dhe, pasi ma dha edhe numrin e telefonit kontaktues të saj, unë vendosa që, t’i kërkoja të më pranonte në një takim kurtuazie, miqësor në Tiranë. Për gëzimin tim, ajo u përgjigj pozitivisht, ndaj menjëherë fillova ta mendoja edhe datën e udhëtimit tim në Tiranë. Ishte shenjë se, po bënim përparim drejt realizimit të intervistës për librin tim të ardhshëm. I vetmi person, të cilit i tregoja për komunikimet me Nexhmije Hoxhën ishte ime shoqe. Me te u pajtuam që, për këtë të mos e kuptonte asnjë person tjetër, qoftë nga familja jonë, pra, as tre fëmijët tanë.
– VIJON –
_______________
PROF.DR.AGIM ZOGAJ: BASHKËBISEDIM ME NEXHMIJE HOXHËN – NË SHQIPËRI ME ATDHETARIN, QAZIM BLLACA (I)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10643
***
PROF.DR.AGIM ZOGAJ: BASHKËBISEDIM ME NEXHMIJE HOXHËN – NGREHINA E VETMISË DHE E HARRESËS (II)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10649