PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË – MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE (V)

Pashtriku, 25 Maj 2020: “Ne kishim komunikim dhe raporte të mira me udhëheqjen shqiptare. Te libri “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”, kam botuar tri letra të miat dërguar në emër të organizatës sonë, udhëheqjes shqiptare, të cilat janë mirëpritur, duke kthyer përgjigje nëpërmjet të kontakteve të drejtpërdrejta. Në njërën prej tyre, pos tjerash, thuhet: “Dashurinë tonë për Shqipërinë, ne komunistët e Kosovës e kemi dashuri ndaj Atdheut tonë të pandashëm, pjesë e të cilit është edhe Kosova … Ne do të veprojmë vazhdimisht e pa u lodhur për frymëzimin, edukimin, mobilizimin e organizimin e klasës punëtore të shtypur e të shfrytëzuar në Kosovë, fshatarësisë sonë të varfër, inteligjencës patriotike dhe revolucionare, rinisë e grave trimëresha, në luftë për çlirim kombëtar e shoqëror dhe për bashkim me Shqipërinë socialiste. Por, në rast të ndonjë sulmi eventual agresiv ushtarak mbi Shqipërinë, nga do që të vijë ai, Grupi ynë do të marrë të gjitha masat për organizimin e forcave nga masat popullore që të sulen si dikur Isa Boletini e Bacë Bajrami me shokë, në mbrojtjen e Atdheut tonë të dashur, përkrah vëllezërve e motrave tona në Shqipëri. Grupi ynë do të luftojë edhe përpjekjet e armiqve tanë që nga Kosova ta dëmtojnë Shqipërinë.“
Shqipëria gjithmonë ishte në mbrojtjen tonë
Tirana e ka përkrahur Lëvizjen Kombëtare të Kosovës
Pashtriku: Edhe sot mund të lexohen shkrime, se gjoja Kushtetutën e vitit 1974, Kosovës ia “dhuroi” Tito. Madje, politikanët dhe akademikët serbë, vazhdojnë të mbrojnë qëndrimin se Titua atë e bëri me qëllim për ta dobësuar pozicionin kushtueses të Serbisë…? Çfarë mendonit Ju, Kushtetuta e vitit 1974 e Kosovës vërtet ishte “dhuratë” e Titos, kroatëve, sllovenëve, apo?
Hajrizi:
Jugosllavia e Titos ishte vasale e shteteve dhe institucioneve ndërkombëtare që e mbanin me ndihma dhe me kredi afatgjata. Ato diktonin edhe qëndrimet politike që duhej të mbante brenda dhe jashtë J.B. Tito. Reforma kushtetuese në Jugosllavi nuk do të ndodhte pa presionin ndërkombëtar dhe të brendshëm. Shqiptarëve nën Jugosllavi nuk u ka dhuruar kush asgjë. Ato pak të drejta i kanë fituar me përpjekje, sakrifica e gjak. Gjendja në Kosovë, sa vinte e bëhej më shpërthyese. Viti 1968 ishte sprova e parë e hapur. Ekuilibristi Tito, detyrohej ndonjëherë t’u jepte dacka edhe serbëve e kroatëve, por shqiptarët i shtypte dhe shfrytëzonte pa asnjë mëshirë. Sipas koniunkturave dhe rreziqeve që paraqisnin shqiptarët për vetë Jugosllavinë, ai përdorte në Kosovë herë kërbaçin herë kulaçin, si mjete të mbajtjes nën zapt të një populli të tërë. Tito merrte dhurata me të djathtë e me të majtë, por nuk jepte, përveç atyre mandarinave që ua shpërndante fëmijëve në Brione, nëntorëve të AVNOJ-it.

Pashtriku: Si është vlerësuar, kontributi i shtetit shqiptar, nëpërmjet të bashkëpunimit akademik, kulturor, artistik, midis Tiranës dhe Prishtinës. Duhet pranuar se, ajo periudhë ishte kapitull i ndritur në shqiptarizimin e Kosovës?
Hajrizi:
Është vlerësuar shumë lart, si kujdesi i nënës për të bijën. Shteti shqiptar nuk ishte ndonjë fuqi botërore, prandaj nuk mund të prisnim të pamundurën prej tij, por Kosova dhe viset tjera shqiptare nën Jugosllavi janë ndjerë me shpinë të sigurt, të bindur se nuk janë vetëm e jetimë, se dikush i mbron e do t’i mbështesë në luftën e tyre. Vetë ekzistenca e shtetit amë i ka inkurajuar e motivuar në aspiratat e tyre shqiptarët e robëruar, u ka dhënë shpresë, besim e forcë qëndrese. Akademikë, profesorë, shkrimtarë, artistë e këngëtarë nga Shqipëria, bashkë me literaturën që sillej nga andej dhe emisionet radiotelevizive, përbënin kontribut të madh e të pazëvendësueshëm për zgjimin shqiptar këndej kufirit, për emancipimin kombëtar dhe ngritjen e ndërgjegjes së lirisë, edukimin patriotik dhe mobilizimin, sidomos të rinisë, për të drejtën legjitime e historike të viseve të pushtuara shqiptare.
Pashtriku: Cili ishte roli i Shqipërisë në përkrahjen e Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, kishit komunikim me Tiranën zyrtare, dhe për çfarë platforme politike angazhohej udhëheqja e shtetit shqiptar?
Hajrizi: Shqipëria e dalë nga LDB, e sfilitur dhe e varfër, e vendosur nga Jalta në bllokun socialist dhe e izoluar, e përballur me kufizimet e Kartës së Atlantikut e aleatëve të luftës, me fuqinë e saj ekonomike, politike, diplomatike dhe ushtarake e me pozitën ndërkombëtare si dhe me problemet e brendshme e të jashtme, pastaj me pretendimet territoriale të fqinjëve e të rrezikimit të pavarësisë e sovranitetit kombëtar, nuk mund të bënte shumë për Kosovën.
Tirana zyrtare u përmbahej parimeve të raporteve midis shteteve, siç ishte mospërzierja në punët e brendshme të tjetrit, kështu që bënte kujdes të mos akuzohej në plan ndërkombëtar për organizimin e rezistencës së shqiptarëve në Jugosllavi. Në këtë kuptim, përfaqësuesit zyrtarë të Shqipërisë nuk nguteshin me udhëzime e rekomandime, pa u bindur në seriozitetin e organizimit çlirimtar të kosovarëve. Do pasur parasysh edhe faktin që UDB dërgonte agjentët e saj shqiptarë nëpër përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë dhe në Tiranë me mision spiunazhi dhe provokimi, madje edhe formonte organizata fantome “patriotike” me qëllim që të mblidhte në to atdhetarë të vërtetë dhe t’i arrestonte e dënonte me burgim të gjatë.
Organizata jonë kishte raporte të mira me Shqipërinë, por në hetuesi, ndonëse nën shtrëngim mizor, që e kam përjetuar edhe vetë, nuk doli asnjë fjalë për kontaktet dhe këto raporte. Nuk besoj të ketë folur ndokush tjetër, sepse me “fakte” do të ktheheshin përsëri te unë. Për më tepër, vetëm 2-3 vetë ishin në dijeni të këtyre raporteve, prandaj ishte më i sigurt sekreti. Sidoqoftë ne ishim gati me jetë ta ruanim interesin e Shqipërisë. Jam po ashtu i bindur se organizata jonë nuk është dekonspiruar nga Tirana, pavarësisht se në krye të diplomacisë shqiptare atëherë, njëfarë Nesti Nase, paskësh qenë shumë i dyshimtë dhe i mbrapsht.
Nëpërmjet të marrëdhënieve të jashtme dhe diplomacisë, mjeteve të komunikimit të brendshëm e të jashtëm, nëpërmjet të politikës, të shkencës e të artit, Shqipëria ka qenë zëdhënëse dhe mbrojtëse e të drejtave legjitime të shqiptarëve nën Jugosllavi. Me politikën e saj kundrejt Kosovës më 1981, ndonëse parimore, Shqipëria rrezikohej deri në ndërhyrje ushtarake nga jashtë në territorin e saj, por nuk trembej, duke shprehur gatishmërinë që zjarrit t’i përgjigjej me zjarr.
Tirana zyrtare e ka mbështetur Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Kosovë e gjetkë, pa ia diktuar asaj programin. Ata janë pajtuar plotësisht dhe e kanë mbështetur programin tonë maksimum për çlirimin e Kosovës e viseve tjera shqiptare të aneksuara nga Serbia e Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë, por edhe programin minimum për Republikën e Kosovës, si një fazë e ndërmjetme drejt bashkimit kombëtar. Hapja e arkivave shqiptare i jep mundësi studimeve të reja mbi
raportet Shqipëri-Kosovë.
Tri letra të dërguara nga OMLK
Pashtriku: Në vitet ‘70-të, komunikimi i pjesëtarëve, prijësve të OMLK, me përfaqësues të Republikës Popullo
re Socialiste të Shqipërisë ishte intensifikuar, prandaj po ndjehej një përparim dhe përafrim…?
Hajrizi: Po, ne kishim komunikim dhe raporte të mira me udhëheqjen shqiptare. Te libri “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”, kam botuar tri letra të miat dërguar në emër të organizatës sonë, udhëheqjes shqiptare, të cilat janë mirëpritur, duke kthyer përgjigje nëpërmjet të kontakteve të drejtpërdrejta. Në njërën prej tyre, pos tjerash, thuhet: “Dashurinë tonë për Shqipërinë, ne komunistët e Kosovës e kemi dashuri ndaj Atdheut tonë të pandashëm, pjesë e të cilit është edhe Kosova … Ne do të veprojmë vazhdimisht e pa u lodhur për frymëzimin, edukimin, mobilizimin e organizimin e klasës punëtore të shtypur e të shfrytëzuar në Kosovë, fshatarësisë sonë të varfër, inteligjencës patriotike dhe revolucionare, rinisë e grave trimëresha, në luftë për çlirim kombëtar e shoqëror dhe për bashkim me Shqipërinë socialiste. Por, në rast të ndonjë sulmi eventual agresiv ushtarak mbi Shqipërinë, nga do që të vijë ai, Grupi ynë do të marrë të gjitha masat për organizimin e forcave nga masat popullore që të sulen si dikur Isa Boletini e Bacë Bajrami me shokë, në mbrojtjen e Atdheut tonë të dashur, përkrah vëllezërve e motrave tona në Shqipëri. Grupi ynë do të luftojë edhe përpjekjet e armiqve tanë që nga Kosova ta dëmtojnë Shqipërinë.“
Pashtriku: Shteti jugosllav, edhe përmes agjenturave të tija, pse jo, në bashkëpunim edhe me shërbime të shteteve të tjera, vazhdimisht ka zhvilluar aktivitet subversiv përbrenda Shqipërisë. Dihet ndërsa, edhe roli i Grupeve diversante, të cilat kishin hyrë në Shqipëri me qëllim ta rrëzonin Qeverinë shqiptare. Ju, sigurisht, në letrën tuaj, dërguar udhëheqjes së shtetit shqiptar, keni pasur parasysh veprimet, aksionet e armiqve jugosllav, dhe të tjerë kundër Shqipërisë…?
Hajrizi:
Nga gjithë kufijtë me shtetet fqinje, Shqipëria rrezikohej më shumë nga ai me Jugosllavinë. Në një botim të viteve shtatëdhjetë (“Fronti i heshtur”, botuar në Tiranë), thuhej se në periudhën e pas LDB, nga gjithë provokacionet kufitare, diversive e agjenturore kundër Shqipërisë, mbi 60 për qind ishin nga Jugosllavia. Madje, ky shtet tradicionalisht armiqësor ndaj Shqipërisë, kishte pretendime të hynte aty ushtarakisht, apo mund të lejonte kalimin nëpër territorin e saj të forcave tjera drejt Shqipërisë. Ne mendonim se çdo forcë pushtuese kundër Shqipërisë mëmë që do të kalonte nëpër viset shqiptare nën pushtimin jugosllav, duhej më parë të rezistohej nga shqiptarët e këtej kufirit.
– VIJON –
________________________
PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË – MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ÒªËSHTJES KOMBËTARE (IV)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10064

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura