PROF.Asoc.DR.SABIT SYLA: QËNDRIMI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NDAJ DEMONSTRATAVE NË KOSOVË MË 1981 (III)

Prishtinë, 24 mars 2021:
I. 3. Acarimi i marrëdhënieve shqiptaro – jugosllave
Përkrahja e demonstruesve dhe e kërkesës së tyre Kosova Republikë e demaskimi i politikës jugosllave për politikën skllavëruese ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, u prit me zemërim në qarqet jugosllave. Në Jugosllavi, mendohej se Shqipëria do të heshte, duke pasur në konsideratë rrethanat konkrete të zhvillimit të atyre ngjarjeve, që kishin të bënin me vendin dhe rolin e Jugosllavisë në marrëdhëniet me Shqipërinë, mbetjen e saj pa aleat të madh pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën etj. Megjithatë, ngjarjet rrodhën ndryshe. Byroja Politike e Komitetit Qendror dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë mbajtën qëndrim shumë kritikë ndaj Jugosllavisë dhe në veçanti ndaj politikës serbe [46]. Udhëheqja shqiptare jo vetëm që vlerësoi kërkesat e demonstruesve por dënoi pa mëdyshje dhe me vendosmëri qëndrimin e autoriteteve jugosllave ndaj tyre.

Udhëheqja politike jugosllave fillimisht nuk akuzoi Shqipërinë për demonstratat e zhvilluara, nëse mbështetemi në një intervistë në Rilindje me 07 prill 1981, por edhe në një konferencë shtypi, nga Stane Dollanc*. Ky përjashtoi mundësinë që shteti shqiptar të kishte gisht në ngjarjet e zhvilluara. Dollanci përkujtoi deklaratën e mëhershme të Enver Hoxhës, në të cilën pati thënë se, Shqipëria është shumë e interesuar për pavarësinë, ruajtjen e integritetit dhe pacenueshmërinë e kufijve të Jugosllavisë dhe se Shqipëria është e gatshme të luftojë kundër çdokujt që do të rrezikonte pavarësinë e Jugosllavisë. “Ne shpresojmë se Shqipëria edhe më tutje qëndron në këto pozita. Sepse nëse diçka është e qartë atëherë është e qartë se çdo sulm, çdo rrezikim i Jugosllavisë në çfarëdo mënyre do të dëmtonte po ashtu edhe Shqipërinë, pra edhe kjo në Kosovë dëmton interesat e Shqipërisë”, kishte thënë Dollanci duke shtuar se: “Jugosllavia nuk ka marrë kurrfarë note nga Shqipëria as që mund të thotë se prapa kësaj qëndron qeveria shqiptare” [47].
Me 9 prill agjencia jugosllave e lajmeve Tanjug, reagoi ashpër ndaj artikullit, të shkruar me 8 prill në gazetën “Zëri i Popullit” [48], e të emituar nga Radio Tirana, duke e cilësuar atë si sulm flagrant në punët e brendshme të Jugosllavisë, nxitëse të tendencave armiqësore, etj [49]. Sipas organeve jugosllave, ishte Shqipëria ajo që qëndronte mbrapa ngjarjeve në Kosovë, që nxit luftën në Kosovë, për t’i hapur rrugën asaj për t’u bashkuar me Shqipërinë.

Ambasadori i RS të Shqipërisë në Beograd, Sokrat Plaka

Një deshifrim arkivor i ambasadorit, Sokrat Plaka

Llazar Kolishevski, anëtar i Presidencës së RSF të Jugosllavisë, ndër të tjera ishte shprehur: “…Politika e Shqipërisë dhe veprimtaria e saj propagandistike ndaj Kosovës janë një nga burimet e rëndësishme të euforisë nacionaliste… Në materialet e këshillit të përgatitur për Presidencën janë paraqitur mjaft fakte mbi atë se çfarë veprimtarie propagandistike-subversive ka bërë dhe bënë Shqipëria ndaj Jugosllavisë, e veçanërisht ndaj Kosovës. Artikujt më të fundit në gazetën “Zëri i Popullit” tregojnë qartë se prapa çdo gjëje qëndron qeveria shqiptare dhe Partia e Punës së Shqipërisë…” [50]. Dobrivoje Vidiç, po ashtu akuzoi organet zyrtare të Shqipërisë, për punë informative e ideopolitike lidhur me aktivitetin dhe propagandën politike armiqësore që është bërë nga Tirana, ndaj Jugosllavisë [51].
Ndërkohë, më 8 maj 1981, këshilltari i ambasadës së Jugosllavisë në Tiranë, Spasoje Tuniq gjatë bisedës që kishte pasur me Jovan Antonin, në pritjen e dhënë nga ambasada çekosllovake, kishte thënë se: “Autoritetet jugosllave janë të bindura se në Lëvizjen e Kosovës kanë dorë reaksionarët ballistë e zogistë, që janë njëkohësisht edhe armiq të Shqipërisë. Ata, shtoi ai, nuk janë enveristë, për këtë jemi të sigurt, sepse kemi kapur programin e tyre ku del e qartë lidhja që ata kanë me reaksionin” [52].
Sekretariati Federativ për Punë të Jashtme i RSF të Jugosllavisë, përmes një Promemorie i tërhoqi vëmendjen Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë për propagandë dhe aktivitete të tjera nga Shqipëria dhe përfaqësitë e saja diplomatike në lidhje me ngjarjet e kohëve të fundit në Kosovë, që pala jugosllave i çmonte si mbështetje direkte dhe publike të forcave irredentiste, që drejtoheshin kundër integritetit dhe rendit kushtetues të RSF të Jugosllavisë dhe që përfaqësonin akte armiqësore e ndërhyrje të palejueshme në punët e brendshme të saj [53]. Lidhur me këtë çështje, zëvendëssekretari federativ Milorad Peshiq, më 14 maj ftoi ambasadorin shqiptar Sokrat Plaka dhe gjatë bisedës që zhvilluan, i dorëzoi Promemorien e lartpërmendur, duke e porositur që pala shqiptare të vlerësojë me kujdes atë dhe duke i tërhequr vërejtjen edhe gojarisht ambasadorit shqiptar [54].
Sekretari federativ i Punëve të Brendshme, Franjo Hërleviç, po ashtu akuzoi Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ambasadën e saj në Beograd dhe në vende të tjera të botës, si nxitëse të ngjarjeve në Kosovë. [55] Sekretari në fjalë, më 09 qershor 1981 në mbledhjen e Këshillit Federativ të Kuvendit të RSF të Jugosllavisë raportoi mbi gjendjen e sigurisë në Kosovë. Sipas raportit të tij: “Në KSA të Kosovës është zbuluar organizata ilegale irredentiste e njohur me emrin “Lëvizja kombëtare për çlirimin e Kosovës dhe të krahinave të tjera shqiptare”. Kjo organizatë vepron me platformën e Partisë së Punës të Shqipërisë…, një numër i caktuar anëtarësh të “lëvizjes”, janë larguar gjatë viteve në botën e jashtme dhe kanë formuar një organizatë, që mban emrin “Fronti i kuq popullor”…, Në demonstrata dhe në aktivitetet e tjera armiqësore të këtij Fronti, marrin pjesë edhe disa anëtarë të fraksioneve marksiste-leniniste të partive komuniste evropianoperëndimore, të cilët shkojnë herë pas here në Shqipëri, madje qenë të ftuar edhe në kongresin e fundit të Partisë së Punës të Shqipërisë”.
Përveç “lëvizjes” së lartpërmendur, vazhdonte Hërleviç, gjatë viteve 1979, 1980 e 1981 është zbuluar edhe ekzistenca e një organizate ilegale që e quan veten “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi”. Fjala është për një organizatë, e cila ka të njëjtin qëllim, si edhe “lëvizja” e lartpërmendur-bashkimin e të ashtuquajturave krahina shqiptare në Jugosllavi dhe krijimin e një “Shqipërie të madhe”. Sipas tij, ishin identifikuar 137 vetë. Hërleviç, më tej kishte shtuar se: “Faktorët zyrtarë të Shqipërisë, shtypi dhe radiotelevizioni i përkrahin dhe i nxisin irredentistët për aksione të reja armiqësore…” [56].
Ndërkohë, bëri të ditur se 154 vetë presin të dalin në gjyq lidhur me demonstratat e vitit 1981 prej të cilëve 29 janë organizatorë të trazirave dhe njerëz të akuzuar se kanë lidhje me shërbimet e zbulimit të Shqipërisë staliniste fqinjë. Më tej në Kuvend tha se autorë të parullave armiqësore janë 46-vetë e 104 vetë janë për qëndrime publike armiqësore, ndërsa 506 vetë janë ndëshkuar, rreth 1700 janë arrestuar dhe janë marrë në pyetje nga policia mbas demonstratave, ku u vranë nëntë vetë dhe disa dhjetëra u plagosën [57].
Akuza dhe kritika të ashpra, u adresuan ndaj profesorëve nga Tirana që kishin ligjëruar në Fakultetet e Prishtinës gjatë viteve 70-ta, duke ushtruar ndikimet e tyre politike, si të papenguar nga askush. Po ashtu, përdorimi i literaturës së ardhur nga Shqipëria e cila nuk ishte mbikëqyrur më parë, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të ndryshme të të dy vendeve shqiptare, etj.
Në fund të qershorit, gazeta Rilindja e Prishtinës botoi pjesë nga konferenca e shtypit e Milosh Miniçit, sipas Tanjugu-t, duke e titulluar “Shqipëria zhvilloi politikë të dyfishtë ndaj Jugosllavisë” [58]. Ashtu si më parë u dhanë pjesë ku akuzohej Shqipëria si shkaktar i keqësimit të marrëdhënieve, se Shqipëria është përzier në punët e Jugosllavisë, se ka shfaqur pretendime territoriale, se ka sulmuar rendin kushtetues etj.
Më 22 nëntor 1981, në mbledhjen e KQ të LKJ-së, u aprovua Platforma për Kosovën. Në Platformë, krahas çështjeve të ndryshme të trajtuara për Kosovën, vend të veçantë zuri edhe analiza e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave. Shqipëria u akuzua përsëri për ndërhyrje në punët e brendshme të RSF të Jugosllavisë e për pretendimet e saja territorial [59].
Edhe, udhëheqja politike e Kosovës sulmoi ashpër për intriga djallëzore Tiranën [60]. Komiteti Krahinor i Lidhjes Komuniste të Kosovës, në mbledhjen e vet të mbajtur (një ditë para deklaratës së S. Dolancit), me 06 prill [61], ndër të tjera u ndal edhe te veprimtaria dhe ndikimi i shërbimit informativ dhe propagandës së përgjithshme nga RP e Shqipërisë, që kishte ndikim tek nacionalistët e irredentistët në vend, si dhe në grupin e “Frontit të Kuq”. Sipas kësaj mbledhjeje, bindshëm mund të konstatohej që Shqipëria bashkëpunimin e kishte shfrytëzuar për veprimtari subversive e propagandistike e orientuar në nxitjen e nacionalizmit e shovinizmit, shkatërrimin e vëllazërim – bashkimit e nxitjen e irredentizmit… Me koncept të përgjithshëm e parulla që janë shërbyer bartësit e kësaj veprimtarie, “Një komb – një shtet” ata kanë shkruar shumë materiale për gjoja se “për shkëputjen e padrejtë të popullit shqiptar nga shteti amë, për okupimin e Kosovës, për situatën e rëndë ekonomike të popullit shqiptar në RSFJ, për padrejtësitë ekonomike, politike e sociale, e shpeshherë me propagandën e tyre e kanë thirrur popullin që të përgatitet për “momentin e duhur dhe vendimtar”, për bashkimin e Kosovës Shqipërisë, duke theksuar se deri te kjo patjetër duhet me ardh. Ky aktivitet subversiv-propagandistik nga RP e Shqipërisë, vlerësohej se përveç mjeteve të saja të informimit, është zhvilluar nga përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në disa vende perëndimore, nga ambasada e Shqipërisë në Beograd etj.
Në mbledhjen e 99 te Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, të mbajtur me 13 qershor 1981, në fjalën hyrëse lidhur me vlerësimin e situatës politike dhe të sigurisë në krahinë – Ali Shukrija [62], për rolin dhe ndikimin e shtetit shqiptar ndër të tjera kishte thënë: “…Nga ana e Shqipërisë zhvillohet në mënyrë sistematike dhe intensive propagandë armiqësore, përmes shtypit, radios e televizionit, të cilat në Kosovë kanë një shikueshmëri dhe dëgjueshmëri të jashtëzakonshme… Është shumë e intensifikuar propaganda shqiptare sidomos nga përfaqësitë diplomatike në Evropë dhe SHBA e sidomos në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.
Në përgjigje të akuzave nga Beogradi dhe Prishtina, Organi i Komitetit Qendror të PPSH-së theksonte se: “Shqipëria nuk kishte ndërhyrë dhe nuk do të ndërhynte në punët e brendshme të Jugosllavisë”, se nuk kishte bërë kurrë rivendikime territoriale”, se “populli shqiptar nuk ishte për minimin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe se do të luftonte krah për krah me popujt e Jugosllavisë, në qoftë se këta atakoheshin, nga kushdo qoftë” [63].
Lidhur me qëndrimin e Shqipërisë ndaj demonstratave të vitit 1981 dhe qëndrimin ndaj Jugosllavisë, Enver Hoxha shkruan: “Ne nuk kemi gisht në këto demonstrata, ne do t’i mbrojmë vëllezërit tanë kosovarë deri në fund, ne të drejtat e tyre…, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë as më të voglën ndërhyrje nuk bëri në Kosovë, as tanke, as helikopterë, as policë nuk dërgoi, as shtoi kufitarët, as bateri topash nuk nxori në kufijtë e saj dhe as protestë zyrtare nuk bëri, por një artikull të drejtë, të matur dhe të argumentuar politikisht, ideologjikisht e historikisht…, Shqipëria socialiste ka deklaruar se, në qoftë se ndonjë fuqi e huaj agresore prek kufijtë e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, atëherë ajo dhe populli shqiptar do të ngrihen dhe do të luftojnë përkrah popujve të Jugosllavisë” [64].
Sa u përket “të drejtave politike”, ndryshime statusi nga krahina në republikë etj., ato cilësoheshin si çështje të brendshme të popujve të Jugosllavisë, çështje të vetë popullit shqiptar që jeton në trojet e veta në Jugosllavi, i cili në bazë të ligjeve në fuqi, që rrjedhin nga kushtetuta e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ka të drejtë t’i kërkojë. “Republikën e Kosovës, brenda Federatës Jugosllave nuk e kërkuam ne, e kërkoi populli i Kosovës…, Ne vetëm kemi afirmuar se është një e drejtë e popullit shqiptar, që jeton në trojet e veta në Jugosllavi të kërkojë atë që ai mendon se është e drejta e tij brenda ligjeve të Federatës dhe kemi shtuar se për mendimin tonë kjo nuk përbën asnjë krim”[65].

Flet Enver Hoxha në Kongresin e VIII të PPSH-së, 1 nëntor 1981

https://www.youtube.com/watch?v=qfYOegjxiRU

____________________________

Partia e Punës së Shqipërisë, mbështeste unitetin e popujve të Jugosllavisë, por ishte kundër “unitetit” të udhëheqjes jugosllave në kurriz të popullit shqiptar në Jugosllavi [66]. Kjo ishte potencuar edhe nga Enver Hoxha, më 9 maj 1981 [67], i cili shprehte edhe revoltën e tij më 17 prill 1981: “Si mundet populli shqiptar të mos interesohet për vet gjuhën shqipe, për shkollat, liritë dhe të drejtat e tyre, si mos të interesohet ai për vrasjet në masë, për burgosjet e torturat që u bëhen shqiptarëve në Jugosllavi? [68].
Më 26 prill 1981, Hoxha në Ditarin e tij do të theksonte: “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk është për minimin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, se Shqipëria socialiste nuk ka shfaqur kurrë pretendime territoriale…, Ajo e di që ne nuk kemi gisht në ato që ngjanë në Kosovë, se ajo që ngjau atje ishte rezultat i zemërimit të shqiptarëve të shkaktuar nga vetë jugosllavët, ata e dinë se kërkesa për republikë ishte e ligjshme” [69]. Hoxha edhe në raportin që mbajti në Kongresin e VIII të PPSH-së, më 1 nëntor 1981, mbrojti fuqishëm kërkesën për Republikën e Kosovës, si kërkesë të drejtë dhe të ligjshme e cila nuk cenonte ekzistencën e federatës jugosllave [70]. Megjithatë, akuzat e ndërsjella ndërmjet dy vendeve fqinjë, për Kosovën, renduan seriozisht marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave. Akuzat dhe kundër akuzat ndërmjet tyre keqësuan klimën politike e tejkaluan edhe në debate ideologjike rreth ndjekjes së politikave të brendshme dhe të jashtme shtetërore. Pas Plenumit të 10-të, mbajtur në qershor të vitit 1981, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet kulturore, por në fushën e kulturës dhe të arsimit për shqiptarët nën Jugosllavi, ndihma vazhdoi nëpërmjet radios, televizionit, etj [71].
________________________
Fusnotat:
[1] Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë (më tej: AMPJ), viti 1981, dos. 1140/1, f. 230-231. Informacion mujor për muajin prill 1981, nga Ministria e Punëve të Jashtme.
[2] Organ Qendror i Frontit Demokratikë të Shqipërisë.
[3] Ejup Gashi, Bashkimi, 21 mars 1981, Nr. 68, f. 3.
[4] Petrit Skënderi, Bashkimi, 23 mars 1981, Nr. 70 (10 962), f. 3.
[5] AMPJ, viti 1981, dos. 1140/1, f. 230-231. Informacion mujor për muajin prill 1981, nga Ministria e Punëve të Jashtme.
[6] AMPJ, viti 1981, dos. 1154, f. 214-216. Udhëzim nga ministri Nesti Nase, Ambasadës së Shqipërisë në Beograd-Sokrat Plaka, 4 prill 1981.
[7] AMPJ, viti 1981, dos. 1140/1, f. 230-231. Informacion mujor për muajin prill 1981, nga Ministria e Punëve të Jashtme.
[8] Enver Hoxha, Ditar për çështje ndërkombëtare…, nr. 13, f. 370.
[9] Zëri i Popullit, 8 prill 1981, Nr. 55 (10 196), f. 4.
[10] Zëri i Popullit, 23 prill 1981, Nr. 96 (10 209), f. 3.
[11] AMPJ, viti 1981, dos. 1140/1, f. 231-232. Informacion nga Ministria e Punëve të Jashtme për masat që u morën për ndjekjen dhe pasqyrimin e ngjarjeve në Kosovë si dhe për drejtimin e punës së ambasadave.
[12] Arkivi Qendror i Shtetit Shqiptar (më tej: AQSh), Fondi: 14/APOU, viti 1981, dos. 117, f. 40-50. Procesverbal i Mbledhjes së Byrosë Politike, 13 maj 1981.
[13] Po aty, f. 1-39; Zëri i Popullit, 17 maj 1981.
[14] Organ i Komitetit Qendror të PPSH-së.
[15] Zëri i Popullit, 26 maj 1981, Nr. 124 (10 237), f. 4.
[16] Zëri i Popullit, 31 maj 1981, Nr. 129 (10 242), f. 4; Zëri i Popullit, 13 qershor 1981, Nr. 140 (10 253), f. 4.
[17] Zëri i Popullit, 5 qershor 1981, Nr. 133 (10 246), f. 4.
[18] Po aty.
[19] Po aty.
[20] Zëri i Popullit, 7 qershor 1981, Nr. 133 (10 248), f. 4.
[21] Zëri i Popullit, 9 qershor 1981, Nr. 136 (10 249), f. 4.
[22] Zëri i Popullit, 11 qershor 1981, Nr. 138 (10 251), f. 4
[23] Zëri i Popullit, 12 qershor 1981, Nr. 139 (10 252), f. 4.
[24] Zëri i Popullit, 16 qershor 1981, Nr. 142 (10 255), f. 4.
[25] E. Hoxha, Ditar për çështje ndërkombëtare…, nr. 13, f. 455.
[26] AMPJ, viti 1981, dos. 1140/1, f. 130. Relacion, “Qëndrimi i PPSH dhe i RPSH ndaj Jugosllavisë, marrëdhëniet shtetërore dhe ideologjike”.
[27] Sabit Syla, Shteti shqiptar dhe çështja e Kosovës 1939-1981,Prishtinë: “Instituti i Historisë”, 2012, f. 257-258.
[28] E. Hoxha, Ditar për çështje ndërkombëtare…, nr. 13, f. 464.
[29] AQSh , Fondi: 14 /APSTR, viti 1981, dos. 28, f. 195. Informacion, Shtypi grek për artikullin e “Zërit të Popullit”, 11 qershor 1981. “Jugosllavia e sëmura e Ballkanit, nxit armiqësinë shqiptaro-greke”, Përgatiti Agur Begaj, Ambasadori Bashkim Dino.
[30] AQSh, Fondi: 14/APSTR, viti 1981, dos. 28, f. 75-80. Relacion i përgatitur nga Konsullata shqiptare e Stambollit më 8 qershor 1981, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së dhe MPJ, në Tiranë. Konsulli i Përgjithshëm, Ali Ymeri.
[31] AMPJ, viti 1981, dos. 1165, f. 142. Relacion i Ambasadës së Shqipërisë në Austri, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Drejtorisë së Jashtme të KQ të PPSH-së, 18 korrik 1981.
[32] Po aty, f. 200-201. Relacion i Ambasadës se Shqipërisë në Stokholm, dërguar Ministrisë se Punëve të Jashtme-Drejtorisë së Dytë në Tiranë, 20 shtator 1981.
[33] Po aty, f. 134.
[34] Po aty, f. 125.Informacion mbi punën e përfaqësive Algjer-Dar Es Salam lidhur me ngjarjet në Kosovë, Drejtoria e Dytë-Sektori i Afrikës.
[35] AMPJ, viti 1981, dos. 1182, f. 78. Relacion nga Ambasada e Meksikës, “Si kanë ndikuar ngjarjet në Kosovë në marrëdhëniet tona me Meksikën dhe me vendet e tjera te zonës”, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme (Drejtorisë së Dytë), Labo Abazi – Meksikë, 25 shtator 1981.
[36] Po aty, f. 50.
[37] Po aty, f. 52-53.
[38] AMPJ, viti 1981, dos. 1140/1, f. 69-70. Informacion i Drejtorisë IV, 21 qershor 1981, f. 78-79.
[39] Po aty, f. 304. Informacion i Drejtorisë IV, 7 shtator 1981.
[40] AMPJ, viti 1981, dos. 1165, f. 140. Informacion nga Ambasada shqiptare në Buenos Aires, gusht 1981.
[41] Po aty, f. 135. Informacion nga Ambasada shqiptare në Buenos Aires, qershor 1981.
[42] Po aty, f. 121. Radiogram nga Stokholmi nr. 1194, 10 shtator 1981. Drejtoria e II-të, Sektori i Evropës Perëndimore, Tiranë, 14 tetor 1981.
[43] Po aty, f. 202-203. Relacion i Ambasadës së Shqipërisë në Stokholm, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme-Drejtorisë së Dytë në Tiranë, 20 shtator 1981.
[44] AMPJ, viti 1981, dos. 1202, f. 4-7. Në emër të Shoqatës së Miqësisë Danimarkë-Shqipëri, Ole Mielsen, Kopenhagë, 28 prill 1981.
[45] AMPJ, viti 1981, dos. 1218, f. 7. Spanja, aa-Kosova 1981.
[46] Sabit Syla, Shteti shqiptar dhe çështja e Kosovës 1939–1981, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2012, f. 356.
* Politikan komunist jugosllav nga Sllovenia, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të presidentit Josip Broz Titos dhe një prej njerëzve më me ndikim në politikën federale jugosllave në vitet 1970 dhe 1980. Sekretari Federal i Punëve të Brendshme nga 1982-84 dhe anëtar i Kryesisë së Jugosllavisë ne vitet 1984-89.
[47] “Asgje s’mund te na zmbrapse prej detyrave kryesore”, Rilindja, 7 prill 1981, f. 3.
[48] “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë?”, Zëri i Popullit, 8 prill 1981, Nr. 55 (10 196), f. 4.
[49] AMPJ, viti 1981, dos. 1151, f. 261-263. Sulm flagrant i “Zerit te Popullit”.
[50] “Tanjug”, 29 prill 1981.
[51] “Tanjug”, 7 maj 1981.
[52] AMPJ, viti 1981, dos. 987, f. 63-66. Informacion lidhur me bisedën e bërë midis Jovan Antonit dhe këshilltarit të ambasadës se Jugosllavisë Spasoje Tuniq, 8 maj 1981.
[53] Po aty, f. 53-58. Promemorie, RSP e Jugosllavisë, Sekretariati Federativ për Punët e Jashtme, Beograd 14 maj 1981.
[54] S. Syla, Shteti shqiptar dhe çështja e Kosovës.., f. 299.
[55] Po aty, f. 300.
[56] AMPJ, viti 1981, dos. 991, f. 12-26. ATSH, Lajme të Jashtme, 10 qershor 1981.
[57] Po aty, f. 17;34.
[58] Rilindja, 26 qershor 1981.
[59] Lefter Nasi, Aspekte të shtypjes kombëtare e politike të shqiptarëve në Kosovë (1981-1986), Tiranë: “Dardania”, 1995, f. 44-47.
[60] N. Malcolm, Kosova një histori e shkurtër…, f. 350.
[61] ASHAK, F. Kryesia e KK të LKK-së, kutia 701, Ocena politicko-bezbednosnog stanja u pokraini, Prishtinë aprill 1981.
[62] ASHAK, F. KK i LKK-s-, d.Predsednishtvo PK SKK, (Strogo poverlivo) ,,Magnetofonski snimak sa 99 sednice Predsednishtva Pokrainskog Komiteta Saveza Komuniste Kosova, odrzhano 13 juna 1981. (Diskusije uçesnika nisu autorizovane), Prishtinë, 13. Juna 1981. God. Fjala e Ali Shukriut, anëtarë i Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, Fjalë hyrëse, në mbledhjen e 99 të Kryesisë të KK. të LKK, Prishtinë, më 13 qershor 1981.
[63] E. Hoxha, Ditar për çështje ndërkombëtare…, nr. 13, f. 382; 490.
[64] Po aty, f. 398-399.
[65] Po aty, f. 389-390; 433-434.
[66] “Kërkesa për t’i njohur Kosovës statusin e republikës është e drejtë”, Zëri i Popullit, 17 maj 1981, f. 2-4.
[67] E. Hoxha, Ditar për çështje ndërkombëtare…, nr. 13, f. 446-47.
[68] Po aty, f. 388; 390.
[69] Po aty, f. 412.
[70] Enver Hoxha. Nga “Raporti në Kongresin e 8-të të PPSH”, K. Prifti e të tjerë,E vërteta mbi Kosovën…, f.616-623.
[71] E. Hoxha, Ditar për çështje ndërkombëtare…, nr. 13, f. 541.

– FUND –

Ilustrimet © Pashtriku.org

___________________________

PROF.Asoc.DR.SABIT SYLA: QËNDRIMI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NDAJ DEMONSTRATAVE NË KOSOVË MË 1981 (I)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11044
***
PROF.Asoc.DR.SABIT SYLA: QËNDRIMI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NDAJ DEMONSTRATAVE NË KOSOVË MË 1981 (II)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11053
***
PROF.Asoc.DR.SABIT SYLA: QËNDRIMI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NDAJ DEMONSTRATAVE NË KOSOVË MË 1981 (III)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11057

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura