BEDRI TAHIRI: ARBËRIA E VOGËL E AZEM GALICËS – BËRTHAMA E SHTETËSISË SË KOSOVËS

Vushtrri, 26. 07. 2014 – Të nderuar të pranishëm! Kёto ditё u mbushën plot 90 vjet nga beteja e fundit e Azem Galicës, e cila në popull njihet me emrin Lufta e Galicёs, ndёrkaq nё literaturё si Epopeja e Arbërisë së Vogël. Pjesёmarrja Juaj është një nder i veçantë për ne dhe për heronjtë, sepse nuk thuhet kot: Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë! Pёr Azem Galicёn dhe Nusen e Maleve (Shotën), deri sot janё shkruar dhjetёra libra biografikё e studimorё, janё thurur shumё kёngё e poezi, janё shkruar shumё tregime e romane, janё bёrё edhe disa drama e filma, por, ende nuk janё thёnё tё gjitha. Andaj, edhe kumtesat tona do tё reflektojnё vetёm dromca nga kjo sofёr e begatё burrnie, trimёrie, besnikёrie e atdhetarie.
Azem Galica u lind më 10 dhjetor 1889. I rritur në një familje me tradita luftarake e atdhetarie, që në fëmijëri u përcaktua në rrugën e lavdisë. I ati, Bejtë Galica, ishte ndër luftëtarët më të njohur të Drenicës, i cili ra heroikisht në betejën e njohur kundër Shemsi Pashёs, më 1907, në mes Rezallës dhe Deviçit.
Gjatë viteve 1910-12 shpërthyen kryengritjet e përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare. Më 5 maj 1912 Hasan Prishtina doli në Drenicë, në kullën e Ahmet Delisë, mbathi opingat dhe dha kushtrimin për një luftë mbarëkombëtare kundër Perandorisë osmane. Edhe trimi 20 vjeçar radhitet në çetat e Drenicës dhe merr pjesë në betejën legjendare të Merdarit. Dhe, pas pak kohёsh, Azem Galica bashkë me dy vëllezërit: Seferin e Zenelin arrestohen dhe dërguan në thellësi të Serbisë, në Zajeqar e në Pozharevc. As prangat e rënda nuk e penguan shpirtin e etur për liri. Në pranverën e hershme të vitit 1915 trimi u gjend në Drenicë.

Kthimi i tij ngjalli shpresat për ditë më të mira. Pa humbur kohë, nёn hijen e Lisit trenjak nё Galicё, formoi çetën luftarake, e cila më vonë do të bëhet NËNA E ÇETAVE. Tashmë Azem Galica në Çetën e tij kreshnike kishte edhe shoqen e jetës e të pushkës, kishte Nusen e Maleve – SHOTË GALICËN. Këta dy bashkëshortë e bashkëluftëtarë u bënë tmerr për armiqtё tanё tё pabesё. Një ditë, kur Azemi mungonte, forca të shumta austriake ia mësyejnë Galicës. Pas një lufte të rreptë, dy vëllezërit e tij, Seferi dhe Zeneli, vritën në malin Gamna.
Betejën më të njohur kundër këtyre pushtuesve e zhvillojnë në Abri, më 6 mars 1917, ku plagoset për vdekje edhe vëllai i tij i vogël, ADEMI. Nuk duhet harruar as aksioni i suksesshëm në Përrua të Keq, kur me pak trima zuri mbi 2000 ushtarë austrohungarezë dhe të gjithë i dorëzoi në Mitrovicë, te komnadanti francez Balshe. Dhe, betejat mё nuk kanё tё ndalur.
Pra, siҫ po shihet, Azem Galica, që nga rinia e hershme u radhit në çetat e lirisë dhe për 12 vjet rresht, bashkë me Nusen e maleve- Shotë Galicën, nuk i lëshuan armët nga dora. Ata zhvilluan mbi gjashtëdhjetë beteja fitimtare kundër pushtuesve mё të mëdhenj perandorakë: Serbisë së Parë (1912- 1915), austro-hungarezëve dhe bullgarëve (1915-1918) dhe Mbretërisë SKS (1918- 1924).
Luftërat e tyre kishin karakter mbarëkombëtar dhe dirigjoheshin nga ideologu i madh, Hasan Prishtina dhe Komiteti i Shkodrës, i cili edhe kishte caktuar Azem Galicёn komandant tё tё gjitha ҫetave ҫlirimtare shqiptare. Se ata punonin me PROGRAM tregon fakti që, gjatë Kryengritjes së madhe të vitit 1919, e cila nisi në Drenicë e përfundoi në Llapushë, ishin të mobilizuar 11 mijë luftëtarë nga të gjitha trevat shqiptare.
Në vitin 1923, Qeveria serbe u detyrua të lëshonte pe karshi luftëtarëve shqiptarë. Kështu u krijua Zona e lirë e Drenicës, që më shumë njihet si ARBËRIA E VOGËL, e cila fillimisht përfshinte të gjitha fshatrat e komunës së atëhershme të Prekazit e më vonë kufizohet vetёm në: Galicë, Lubovec dhe Mikushnicë. Kjo bërthamë shtetërore, për disa vite rrezatoi atdhedashuri mbi të gjitha trojet shqiptare dhe frymëzoi luftërat tona ҫlirimtare.
Në Beograd, atëbotë, reagimet ishin të ashpra. Më 11 tetor 1923, deputeti i Kosovës, Jovan Magovçeviqi, i inatosur tha: ”Zotërinj, unë i kam dy vota: një si deputet i rregullt i Kuvendit Popullor dhe një si deputet i jashtëm i shtetit të Azem Galicës”.
Mirëpo, Serbia dinake, më 15 korrik 1924, ditën e tretë të Bajramit të Vogël, në mënyrë tinëzare, me mbi 12oo veta, ushtarë e xhandarë, rrethojnë këto tri fshatra. Ata me vete kishin marrë edhe shtatë topa, të cilët i vendosën nëpër kodrat përreth…
Beteja qe e përgjakshme dhe zgjati gjithë ditën. Kryetrimi, me ata pak luftëtarë që i kishte aty, sepse shumica kishin vajtur nëpër shtëpitë e tyre për të festuar, arritën t’i çajë të tri rrethimet.
Atë ditë të përgjakshme, nga të dy palët pati shumё tё plagosur e të vrarë. Statistikat e kohёs janё tё ndryshme, por pёr tё vrarё dominojnё shifrat 90 serbë e 83 shqiptarë. Nga tanёt kryesisht ishin pleq, gra e fëmijë (në Galicë 35, në Mikushnicë 23 dhe në Lubovec 24).
Kapedani i plagosur rëndë jetoi deri më 25 korrik 1924. Shokët e tij besnikë dhe e shoqja, Shotë Galica, trupin e tij e varrosen në varrin më të thellë në botë (73 m), në shpellën “Çuku që kërcet”, në malet e Përçevës.
Në krye të Çetës kreshnike u vu Shotë Galica, e cila me ca fëmijë jetimë kaloi në Shqipëri, derisa vdiq në mjerim të plot, më 4 korrik 1927, në Fushë – Krujë. Shteti shqiptar, trimëreshën Shotë Galica, e shpalli Heroinë dhe ia ngriti një Lapidar të mrekullueshëm në Fushë- Krujë dhe një shtatore në Kukës.
Edhe Azem Galicën, Sali Berisha, më 26. I. 1993, me dekretin nr. 435 e dekoroi me “URDHRIN E KLASIT TË PARË”. Njё tjetёr dekoratё iu nda edhe nga Republika e Kosovёs e qё ende nuk ka arritur tek familjarёt.
Hija e tij lëshoi rrënjë të thella në tokën e lashtë dardane. Mësuesi Shaban Jashari u mësonte nxënësve për trimëritë e Azem Galicës. Më mirë se të tjerët amanetin e tij e kuptuan të bijtë, Hamza e Ademi, të cilët një ditë u bënë edhe vetë histori. Komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, në tubimin e madh të mbajtur në Galicë, më 25 korrik 1990, qe betuar se do ta vazhdojë rrugën e Tij, rrugën e madhe drejt lirisë! Fjala e kryetrimit nuk mbeti peng, ajo e bë realitet. Azem Galica u bë UÇK-e, e UÇK-ja u bë Azem Galicë! Para obeliskut të tij në Galicë dhanë betimin shumica e komandantëve dhe luftëtarëve të lirisë. Ai edhe nё kёtё pёrvjetor jubilar reflektoi madhёrishёm, kur Garda ceremoniale e ushtrisё sonё, pёr uniformё pёlqeu rrobat kombёtare tё Azem Galicёs dhe trimave tё tij.
Sot, kapedani pushon në Galicën e tij të dashur, ku, falё Kuvendit Komunal tё Vushtrrisё dhe Dr.Shyqri Haxhёs, ёshtё nё prag tё finalizimit Kulla – Kala dhe Kompleksi Pёrkujtimor “Azem e Shotё Galica”. Megjithatё, ma thotё mendja se këta dy heronj meritojnë më shumë. Veprimtaria e tyre luftarake e atdhetare është unikate. Mirёpo, ende, as sot e kësaj dite, nuk ekziston një lapidar a shtatore e mirëfilltë për këta dy heronj të kombit!!! Aq më keq, e që mendjet e shëndosha nuk mund ta pranojnë dot një gjë të tillë, këta dy bashkëshortë e bashkëluftëtarë, të cilët mezi arriti t’i ndajë vdekja, edhe sot e kësaj dite janë të ndarë!!! Varri i zbrazët i Shotës në Galicë është kenataf i llojit të vet, për të cilin grekët e vjetër do të bënin çmos!!!
Ka kohё qё kёrkesat pёr sjelljen e eshtrave tё Shotёs nё Galicё janё shtruar nё tё gjitha nivelet: familjare, shoqёrore e institucionale, andaj shpresoj se do tё realiziohen. Tekefundit, ky bashkim zemrash, eshtrash e idealesh ka simbolikë edhe më të thellë: Ai është amaneti i Tyre dhe nënkupton RIBASHKIMIN TONË KOMBËTAR!!!
Megjithatё, ҫdo pёrkujtim, edhe ky i sotmi, ka vlerёn e vet, andaj, nё emёr tё Galicёs dhe tё Arbёrisё sё Vogёl tё Azem Galicёs Ju falёnderoj pёr pjesёmarrje e KK, udhёhequr nga z. Bajram Mulaku, e pёrgёzoj pёr kёtё organizim!
Ju falem nderit pёr vёmendje!
– Kumtesё e lexuar nё Vushtrri, mё 23 korrik 2014, nё Akaderminё kushtuar 90 vjetorit tё Epopesё sё Arbёrisё sё Vogёl tё Azem Galicёs.

…………………………..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura