FATON MEHMETAJ: ROLI DHE PËRGJEGJËSITË E ‘DREJTORISË SË GJASHTË’ (DREJTORISË PËR VRASJE) TË SHËRBIMIT SEKRET SERB NË DREJTIM TË KOSOVËS (I)

(Prishtinë, 13. 01. 2013) – Problemet e Serbisë ndaj Kosovës, që vazhdojnë të jenë temë aktuale në skenën politike, të sigurisë dhe në aspektin diplomatik, po manifestohen me kërcënime të vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës. Në fakt këto kërcënime, shantazhe, sabotime, diversione e forma tjera të luftës speciale nuk janë vetëm kërcënime të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, por janë kërcënime edhe ndaj paqes dhe sigurisë në nivel rajonal e ndërkombëtar. Siç dihet, përgjegjës për sigurinë në Kosovë është KFOR’i – NATO dhe elementë të tjerë të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare, prandaj nëse vazhdon gjendja e tillë e presioneve dhe e kërcënimeve të Serbisë ndaj Kosovës, acarimi i gjendjes mund të merr përmasa më të mëdha.
Raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë edhe më tutje e kanë karakterin e konfliktit ndërshtetëror. Serbia vazhdon ta kërcënojë Kosovën me skemën e vjetër, nëpërmjet të cilës po i bën presion rajonit dhe skemës së re të sigurisë në përgjithësi. Edhe pse disa ekspertë të fushës së sigurisë (ndërkombëtarë, por edhe vendorë), kërcënimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës i konsiderojnë kërcënime të profilit të ulët të sigurisë, në terren gjendja është shumë më serioze. Serbia i ka vënë në dispozicion të gjithë mekanizmat për ta shantazhuar dhe dekoncentruar gjendjen në Kosovë. Për këtë arsye duhet të bëhen presione të mëdha nga bashkësia ndërkombëtare tek Serbia që ta detyrojnë atë të heqë dorë nga politika luftënxitëse e destabilizuese në raport me shtetin e pavarur të Kosovës dhe me shqiptarët në Kosovën Lindore (Luginën e Preshevës).

Shefat e Sigurimit Serb (1991 – 2008)

Deri më tani Serbia e ka shfrytëzuar në mënyrë të përkryer krizën e mandateve të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, sepse misioni ndërkombëtar i UNMIK-ut e më pas ai i EULEX-it, edhe pse të deklaruar për “neutralitet” politik, e kanë mbajtur haptazi anën e Serbisë. Madje, UNMIK-u shtypi në të gjitha pozicionet vullnetin e popullit duke u shndërruar në një autoritet kolonial, gjë që prodhoi revoltën e vitit 2004, që e solli vdekjen klinike të tij. Po ashtu edhe EULEX-i ka ardhur në Kosovë pa mandat të qartë, për vet faktin se Bashkimi Europian (BE) nuk ka qëndrim unik ndaj shtetit të Kosovës, ngase pesë shtete anëtare të BE-së (Spanja, Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania) nuk na kanë njohur ende si shtet. Në fakt, me politikën që po e ndjekë, Serbia është pengmbajtëse e integrimeve europiane të Ballkanit Perëndimor, duke ia ekspozuar poshtërimit vet Bashkimin Europian, në rast të tejzgjatjes ose të dështimit të këtij integrimi. 
Për realizimin e këtyre qëllimeve, e në veçanti për realizimin e projekteve serbomëdha ndaj Kosovës, Serbia i ka vënë në dispozicion të gjithë mekanizmat e saj. Në realizimin e këtyre qëllimeve Rusia konsiderohet sponsorizues i destabilitetit në Kosovë, në ish-shtetet e ish-Jugosllavisë dhe në Ballkan, duke e mbajtur anën e Serbisë me çdo kusht, duke tentuar të ketë një rikthim të ndikimit rus në rajon. Për t’i arritur qëllimet dhe për ta mbajtur gjendjen në tension të vazhdueshëm pos disa sektorëve të MUP-it, KOS-it, sektorit të shërbimit sekret, që vepron në kuadër të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, BIA-s, xhandarmërisë e segmenteve të tjera, Serbia e vuri në veprim edhe “Drejtorinë për Vrasje”, të ashtuquajturën “Drejtoria e Gjashtë” e Shërbimit sekret serb. Sipas një raporti hetues të BIA-s (për nevoja të prokurorisë) thuhet se kjo drejtori e ka mbyllur aktivitetin e saj në vitin 2001, mirëpo ky konstatim formal i shërbimit sekret serb, duhet të shikohet dhe të konstatohet nga prizma të tjerë të vërtetësisë nëse është mbyllur me të vërtetë, apo vazhdon punën me dukje tjetër.
Në vitin 1999, në kuadër të Qendrës së Sigurimit Shtetëror serb në Beograd, ishte formuar edhe një njësit i veçantë për likuidime, ekzistenca e të cilit u bë publike vetëm një dekadë më vonë. Në përfundim të mandatit të regjimit të Millosheviqit, Qendra e Sigurimit Shtetëror në Beograd, në mënyrë të jashtëligjshme e themeloi Drejtorinë e Gjashtë (Šesto Odeljenje Centra DB u Beogradu), e njohur si “Drejtoria për Vrasje” (Odeljenje DB za ubistva), nën përkujdesjen e të cilës, rezulton të jenë kryer krime monstruoze, vrasje politike dhe ekzekutime enigmatike të kundërshtarëve politikë në Serbi, por edhe jashtë saj.

Ratko Romiq, kryeshef i “Drejtorisë së Gjashtë” (Šesto Odeljenje – DB u Beogradu)

Siç bëhet e ditur, “Drejtoria e Gjashtë” apo ”Drejtoria për Vrasje” është formuar më 22 nëntor 1999, me vendim të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, në kohën kur kryeshef i Sigurimit Shtetëror serb ishte Radomir Markoviq, menjëherë pasi ishte bërë publike përfshirja e Sigurimit Shtetëror në vrasjen e katër aktivistëve-funksionarëve të Partisë SPO të Drashkoviqit (Veselin Boshkoviq, Zvonko Osmajliq, Dragan Vushuroviq e Vuçko Rakoçeviq), në magjistralen e Ibrit, më 3 tetor 1999, dhe se ka vepruar deri më 27 shkurt 2001, kur është nënshkruar vendimi për shpërbërjen e saj (!).
Veprimtaria e “Drejtorisë për Vrasje” e Sigurimit Shtetëror serb është trajtuar në një raport tepër sekret të BIA-s (Agjencisë Informative dhe të Sigurisë së Serbisë), të datës 4 prill 2011, të përgatitur për zyrën e prokurorit në rastin gjyqësor kundër Millan Radonjiqit, shefit të Sigurimit Shtetëror serb në Beograd, Ratko Romiqit, kryeshef i “Drejtorisë së Gjashtë” dhe Stevan Bashtës, shef i Drejtorisë së Tretë (kundër ekstremizmit) të Sigurimit Shtetëror Serb, të akuzuar për përgatitjen e atentatit kundër Vuk Drashkoviqit në Budvë, më 15 qershor 2000.
Ndonëse kjo drejtori për vrasje ishte formuar jashtë të gjitha rregullave dhe procedurave standarde ligjore dhe nuk kishte asnjë përshkrim të fushëveprimtarisë apo detyrave, në raportin e BIA-s lidhur me veprimtarinë e “Drejtorisë së Gjashtë”, të përgatitur dhjetë vjet më vonë për nevoja të gjyqit, thuhet se detyra e kësaj drejtorie ishte “për përgatitje dhe realizim teknik” (“za pripremu i tehničku realizaciju”), duke shtuar se terme të tilla nuk janë përdorur normalisht në Sigurimin Shtetëror serb (DB). Duke cituar një deklaratë të shkurtër të kryeshefit të “Drejtorisë së Gjashtë”, Ratko Romiq, thuhet se kjo drejtori është formuar “për kryerjen e shërbimeve të fshehta dhe aktiviteteve operative jashtë vendit” (“za vođenje obaveštajno-operativnih aktivnosti u inostranstvu”).
Sipas medieve serbe, del se kjo drejtori është krijuar nga vetë kreu politik serb. “Drejtoria për Vrasje” është konsideruar si një lloj policie politike e Sllobodan Millosheviqit, i cili e ka mbajtur pushtetin me dhunë në Serbi dhe në ish-Jugosllavi, nëpërmjet dhunës, shantazhit, terrorit dhe luftërave që i ka zhvilluar në hapësirat e ish-Jugosllavisë, duke bërë krime, masakra, gjenocid e zhdukje masive të popujve joserbë në këto hapësira.
Në këtë kontekst duhet vënë në dukje se “Drejtoria e Gjashtë” (“Drejtoria për Vrasje”) ishte e ngarkuar edhe me detyra të veçanta politike në “ribërjen e kombit” në Serbi dhe në mbajtjen gjallë dhe në pushtet të Sllobodan Millosheviqit dhe të kreut mafioz që aso kohe e udhëhiqte shtetin e Serbisë.
Struktura e kësaj drejtorie ishte plotësuar me profesionistë dhe kriminelë të rryer, të cilët ishin veshur me petkun e sigurimit shtetëror të Serbisë dhe mbështeteshin nga strukturat më të larta politike të kohës. Ky njësit kishte kryer disa nga krimet më monstruoze ndaj personaliteteve të rëndësishme në Serbi.
Krahas vrasjeve politike dhe likuidimeve misterioze, ekipet e kësaj drejtorie njëkohësisht thuhet të jenë marrë me zhdukjen e dëshmive dhe të dëshmitarëve të krimeve të luftës në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë, pra edhe në Kosovë.
Ndonëse e ashtuquajtura “Drejtoria e Gjashtë” për shkaqe konspirative përbëhej vetëm nga pesëmbëdhjetë persona:
1. Ratko Romiq – kryeshef, i dënuar për pjesëmarrje në atentatin kundër Drashkoviqit;
2. Millan Nikoliq, i ngarkuar me punë teknike, tash i punësuar në Telenor;
3. Millutin Ateleviq, i ardhur në “Drejtorinë e Gjashtë” nga Njësia për Operacione Speciale JSO (Jedinice za Specijalne Operacije), tash i sistemuar në Departamentin për Siguri në kabinetin e Daçiqit;
4. Dejan Filipoviq, pjesëtar i Xhandarmërisë;
5. Dejan Careviq, para sistemimit në “Drejtorinë për Vrasje” kishte punuar si avokat, tash është shef i kabinetit të ministrit të Mrejtësisë në qeverinë Daçiq;
6. Radosllav Srgjan Babiq, i ardhur nga JSO në “Drejtorinë e Gjashtë”, tash në Zhandarmërinë e Serbisë, kandidat për shef të Inteligjencës;
7. Sllavisha Arsiq, po ashtu kishte ardhur nga njësitë e JSO-së në “Drejtorinë e Gjashtë”, tash me detyra në Xhandarmërinë e Serbisë;
8. Zhivojin Joviçiq, shofer i Millan Radonjiqit, kryeshef i sigurimit shtetëror serb;
9. Branisllav Duniq,
10. Dragosllav Todoroviq, i ardhur nga JSO, tash në polici;
11. Zhelko Mandiq, i ardhur nga JSO, tash me detyra në MUP-in serb;
12. Dushan Kupreshanin,
13. Zoran Matarkiq, nuk janë dhënë shënime shtesë për punën dhe pozicionin e tyre sot…
Shumica prej pjesëtarëve të “Drejtorisë për Vrasje” sot kanë pozita të larta në qeverinë Daçiq, në polici, xhandarmëri dhe në institucionet qendrore të Serbisë.

Goran Petroviqi, kryeshefi i parë i Sigurimit Serb, i emëruar në janarin e vitit 2001.

“Drejtoria për Vrasje” kishte fuqi të jashtëzakonshme dhe të drejtë që të angazhonte në operacionet e saj çdo pjesëtar aktiv të Shërbimit Shtetëror serb, e në veçanti pjesëtarët e Njësisë për Operacione Speciale (JSO). Deri më tani janë ndriçuar vetëm disa vrasje të kundërshtarëve të Millosheviqit, që i ka kryer ky njësit brenda Serbisë, por nuk është trajtuar profili i vrasjeve të tilla nëse kanë ndodhur në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Vojvodinë, Maqedoni, Kosovë e në Mal të Zi. Po ashtu nuk është trajtuar profili i vrasjeve të tilla nëse kanë ndodhur edhe në shtetet e perëndimit. Në Serbi është tentuar që të mbyllet kapitulli i këtij dikasteri të pashembullt të vrasjeve, duke thënë se dëshmitë për punën e “Drejtorisë së Gjashtë” janë zhdukur, dhe se askush nuk di ose nuk do të flasë për to. Madje as Goran Petroviqi, kryeshefi i parë i Sigurimit Shtetëror Serb, i emëruar në janarin e vitit 2001, pas ndryshimeve të tetorit të vitit 2000, kur në Serbi kishte një (pseudo) tranzicion kah demokracia.
VEPRIMTARIA KRIMINALE E “DREJTORISË SË GJASHTË”
Në raportin e përmendur të BIA-s, të hartuar rreth punës dhe veprimtarisë së “Drejtorisë së Gjashtë” të sigurimit sekret serb thuhet se me Njësitë për Operacione Speciale JSO (Jedinice za Specijalne Operacije) të Drejtorisë së Gjashtë, kanë qenë të ngarkuar Radosllav Srgjan Babiq (43) vjeç dhe Dragosllav Todoroviq (38). Në qendrën e Sigurimit Shtetëror (DB), në Beograd përveç të lartpërmendurve nga radhët e JSO-së janë transferuar edhe pesë pjesëtarë të JSO-së, prej të cilëve Zhivojin Joviçeviq (53) ka qenë shofer i Millan Radonjiqit, shef i qendrës në Beograd. Sipas raportit të BIA-s, në strukturën e Drejtorisë së Gjashtë ishin paraparë vetëm kryeshefi, zëvendësi, sekretari administrativ-teknik, katër pjesëtarë me kualifikim superior për përgatitje dhe realizim teknik dhe tetë pjesëtarë me përgatitje të lartë profesionale për përgatitje dhe realizim teknik. Deri vonë nga raportet zyrtare, dihej vetëm për tre veta: kryeshefin Romiq dhe dy pjesëtarë të JSO-së. Në një deklaratë të mëvonshme të kryeshefit të Drejtorisë së Gjashtë, Ratko Romiq, të dhënë për nevoja të gjyqit, thuhet se ky njësit ishte formuar për të “zhvilluar aktivitete zbuluese-operative në botën e jashtme”.
Duke pasur parasysh se kryeshefi i “Drejtorisë për Vrasje” të Sigurimit shtetëror serb, Ratko Romiq (49), është i akuzuar edhe për vrasjen e gazetarit Sllavko Çuruvija gjatë kohës së luftës (11 prill 1999), pra para themelimit zyrtar të kësaj drejtorie, dhe se vrasjet politike me të njëjtat karakteristika kanë vazhduar edhe para por edhe më vonë në Serbi, por edhe në shtetet tjera të ish-Jugosllavisë, vështirë të besohet se aktiviteti i “Drejtorisë për Vrasje” të ketë pushuar në fundshkurtin e vitit 2001, apo se aktiviteti i saj të jetë kufizuar vetëm brenda territorit të Serbisë.
Duhet përmendur se pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, më 9 qershor 1999, përkatësisht pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe tërheqjes së forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe nga Kosova, megjithatë pjesa dërmuese e Brigadës 125 të Motorizuar të ushtrisë jugosllave (UJ), e cila gjatë luftës në Kosovë komandohej nga gjenerali Dragan Zhivanoviq, ka mbetur me detyra speciale në Kosovë, për të vazhduar me realizimin e objektivave të shërbimeve sekrete serbe. Pjesëtarët e kësaj brigade të mbetur prapa në Kosovë ishin urdhëruar t’i heqin gradat dhe uniformat ushtarake dhe të familjarizohen me ambientin, të kërkojnë ndihmën e KFOR-it dhe të ankohen sa më shumë tek strukturat ndërkombëtare për pasiguri dhe për mjedis të pasigurt për t’i krijuar vetes rehati dhe komoditet për veprim.

Gjenerali Dragan Zhivanoviq, komandant i Brigadës 125 të Motorizuar të UJ’së,

gjatë luftës në Kosovë 1998 – 1999.

Pjesëtarët e mbetur prapa në Kosovë të Brigadës 125 të Motorizuar të UJ-së, urdhrat për veprime diversive i kanë marrë fillimisht nga komandanti i kësaj brigade Dragan Zhivanoviqi. Nga pjesëtarët e kësaj brigade u formuan një varg organizatash ilegale, u kryen në vazhdimësi akte dhe veprime që ia zbehnin imazhin Kosovës në arenën ndërkombëtare. Por këto grupe vazhdimisht tentuan dhe vazhdojnë të tentojnë ta destabilizojnë gjendjen në Kosovë në mënyrë të organizuar. Njëkohësisht duhet përmendur se kanë qenë të urdhëruar të bëjnë kidnapime të caktuara të përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare e të qytetarëve të Kosovës, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës. Kidnapime të tilla të paligjshme po ndodhin edhe sot e kësaj dite nga xhandarmëria serbe, ku në disa raste në pikë të ditës janë kidnapuar qytetarë serbë dhe u janë dorëzuar organeve të drejtësisë në Serbi, gjë që është shkelje e rëndë e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. 
Për realizimin dhe kryerjen e veprimtarisë të saj, “Drejtoria e Gjashtë” e Sigurimit shtetëror serb, siç u tha më lartë, i ka pasur në dispozicion edhe pjesëtarët e njësisë për operacione speciale JSO të inkorporuar në OSA (të ashtuquajturën “Ushtria Çlirimtare Serbe”), të cilat është e dokumentuar se kanë kryer një varg vrasjesh dhe aktesh tjera terroriste në Kosovë jo vetëm gjatë kohës së luftës, por edhe pas luftës. Pra, veç tjerësh, “Drejtorisë së Gjashtë” i kanë bërë shërbime edhe disa pjesëtarë të JSO-së, në krye me Millorad Ulemekun – Legijan, i cili më vonë është burgosur dhe dënuar në Serbi, për organizimin e vrasjes së kryeministrit serb Zoran Gjingjiq, me pretekst se ka bashkëpunuar me perëndimin në dëm të interesave të Serbisë. Tashmë është e ditur publike se që nga viti 1999 e deri më 2003, JSO – Njësia për Operacione Speciale (JSO), si njësi ekzekutive e RDB-së, e cila udhëhiqej nga Millorad Ulemek – Legija, ishte i vetmi institucion serb që nuk i kishte shkëputur marrëdhëniet me Kosovën.

Millorad Ulemek – Legija, Shef i Njësisë për Operacione Speciale (JSO),

si njësi ekzekutive e RDB-së.

Millorad Ulemek (i njohur edhe me mbiemrin Llukoviq), i takonte stafit më të ngushtë të Millosheviqit dhe linjave më të besueshme të tij. Në luftën e Bosnjës, të Kroacisë dhe të Kosovës njihet me emrin Legija, ish-komandant i njësisë së tmerrshme “Beretat e Kuqe”, ku ishin mbledhur kriminelët më të dëshmuar në luftë nga të gjitha njësitë policore, ushtarake e paraushtarake serbe, të cilët kanë kryer masakrat më të tmerrshme mbi popullsinë civile. 
Pra, me veprimtarinë e “Drejtorisë së Gjashtë” ndërlidhen njësitet e JSO-së dhe të forcave speciale policore PJP (Posebne Jedinice Policije), që ishin njësite të RDB-së, të cilat kryen masakra të tmerrshme në Kosovë, përfshirë edhe masakrën në Likoshan e Qirez, masakrën kundër Familjes Jashari në Prekaz, masakrën në Reçak, në Lybeniq, në Mejë e Korenicë, etj. Faktikisht, Njësia për Operacione Speciale JSO gjatë luftës në Kosovë (1998-1999) e la tërësisht kazermën e vet “13 maj” në Beograd për të luftuar në Kosovë, duke pasur bashkëpunim të ngushtë me “Tigrat” e Arkanit, “Belli Orlovi” (“Skyfterët e Bardhë”) të Sheshelit, me të ashtuquajturat njësi të rregullta të MUP-it e të Ushtrisë Jugosllave.

……………………………….
Shikoni: Pukovnik Legija-Super Tigrovi,JSO

Këto njësi pothuajse të gjitha operacionet kriminale që janë kryer në Kosovë i kanë të përbashkëta. Një pjesë prej tyre kur mbaroi lufta i deshën uniformat dhe vazhduan me detyra të reja në Kosovë, duke u bërë pjesë e organizatave ilegale serbe dhe grupeve të mafies e të krimit të organizuar. Për të gjitha këto makinacione që po i bën Serbia në Kosovë është në dijeni BE-ja, është në dijeni KFOR-i, EULEX-i, opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar, mirëpo deri më tani nuk janë ndërmarrë hapa konkretë për ta stopuar këtë gjendje. Rrjedhimisht, UNMIK-u nuk pati as mandat, as kapacitet e as vullnet, që ta përgatitë Kosovën për statusin e saj të ri në pajtim me vullnetin e popullit. Këtë nuk po e bën as EULEX-i, i cili që në fillim ishte mision i dështuar, i cili rrjedhimisht ishte përqendruar për ta shkatërruar dhe shantazhuar ish-strukturën e UÇK-së, pa u interesuar mirëfilli për misionin e vet në Kosovë. Në trazirat e dhunshme të serbëve në veri të Kosovës, me ç’rast ata sërish i dogjën pikat doganore të Jarinës, EULEX-i u turpërua. Në këtë rast policët e EULEX-it ikën në panik. Kjo ngjarje ishte e përafërt me turpin që përjetuan ushtarët e UMPROFOR-it në Bosnjë, kur terroristët serbë i lidhën ushtarët e këtij misioni për shtylla telefoni, për ura e vende të dukshme për t’i degraduar si mision.
ORGANIZIMI MAFIOZ DHE KRIMINAL NË SERBI
Pas gjithë kësaj në Mitrovicë dhe në vende të tjera strukturat ultranacionaliste serbe, pra humbësit, po kërkojnë fitore pas kapitullimit, por në Kosovë kjo nuk do të ndodhë kurrë! Tashmë është dekonspiruar dhe konsumuar projekti i Beogradit, i cili për çështje kamuflimi, përdorë një retorikë të paqes, por në esencë synimi mbetet i njëjtë – aneksimi i Kosovës ose copëtimi i një territori sa më të madh të saj, ashtu siç bënë në Bosnjë me krijimin e të ashtuquajturës Republikë Serbe, nëpërmjet të cilës defunksionalizuan shtetin e Bosnjë dhe Hercegovinës. Nëse dikush e dëshiron këtë nuk ia do të mirën Serbisë as Kosovës, sepse luftërat dhe gjakderdhjet për territore do të vazhdojnë në dimensione të tjera. Kosova Lindore, Sanxhaku dhe Vojvodina do të jenë vatrat e reja të trazuara. Kosova Lindore dhe Sanxhaku janë territore shqiptare të mbetura nën administrimin e Serbisë, të cilat nuk janë fare të kënaqura me trajtimin që ua bën Serbia. Këto vende dhe Vojvodina ka kohë që nuk janë pajtuar me regjimin serb. Ka kohë që këto territore kërkojnë autonomi të brendshme dhe shkëputje. Duhet përmendur se pjesëtarët e “Drejtorisë së Gjashtë” kanë vepruar edhe në Sanxhak, Kosovën Lindore, Vojvodinë, etj. Këto struktura i kanë shantazhuar, iu kanë bërë presion dhe i kanë mbajtur nën mbikëqyrje të gjithë ata që janë përpjekur të organizojnë pavarësimin e këtyre vendeve nga Serbia.
Legija ishte njëri ndër kapotë e “Klanit të Zemunit”, të cilët në shumicën e rasteve i merrnin urdhrat nga një organizatë sekrete, e cila e kishte futur nën mbikëqyrjen e vet këtë strukturë që përbënin fuqi në Serbi dhe në të gjitha ish-republikat e ish-Jugosllavisë. “Drejtoria e Gjashtë” e Sigurimit Shtetëror serb, mbante lidhje me kreun e “Beretave të Kuqe” dhe me “Klanin e Zemunit”, nëpërmjet të cilit i grumbullonin të ardhurat të gjitha grupet mafioze që ndërlidheshin me stafin e besueshëm të Millosheviqit. Organizimi mafioz dhe kriminal i “Klanit të Zemunit” kishte tubuar rreth vetes pothuajse të gjitha strukturat e pakënaqura me pushtetin e kohës në Serbi, që nga mbarimi i luftërave në rajonin e krizës në territorin e ish-Jugosllavisë. Ky grup u forcua aq shumë saqë në disa raste e sfidoi edhe pushtetin serb. Këto grupe në fakt ishin fuqia e Millosheviqit. Pas një pune të koncentruar operative “Klani i Zemunit” shtrihet në gjithë rajonin e ish- Jugosllavisë ku më shumë e ku më pak. Ky klan në Kosovë edhe më tutje ka një përbërje të fortë veçanërisht në pjesën veriore të Mitrovicës, në Graçanicë, Fushë-Kosovë, etj.
Ky klan në bashkëveprim edhe me një varg organizatash ilegale serbe, që veprojnë në të gjitha hapësirat e ish-Jugosllavisë, për një kohë të shkurtër arritën që t’i vrasin dhe t’i asgjësojnë pothuajse të gjithë dëshmitarët e mundshëm që mund të dëshmonin në Tribunalin e Hagës kundër Millosheviqit dhe të tjerëve dhe që mund t’i zbulonin sekretet e thella të luftës në territoret e ish-Jugosllavisë.
Këto grupe e kishin vënë nën kontroll edhe Njësinë për Operacione Speciale (JSO), e cila ishte shpërndarë në grupe të vogla, të cilat përfaqësonin njësinë e policisë sekrete, duke mbajtur lidhje të ngushta me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me Shërbimet Sekrete të Serbisë.
Pjesëtarët e “Drejtorisë së Gjashtë”, dyshohen për një varg vrasjesh politike në Serbi, me theks të veçantë, për vrasjet e kryera kah fundi i mandatit pushtetar të Millosheviqit. Kjo Drejtori ishte formuar jashtë të gjitha rregullave dhe procedurave standarde ligjore. Kishte fuqi të jashtëzakonshme dhe të drejtë të angazhonte çdo pjesëtar aktiv të Sigurimit Shtetëror e posaçërisht të Njësisë për Operacione Speciale (JSO). Viktima të kësaj “Drejtorie”, veç tjerësh, kanë qenë duke filluar nga kreu politik, ekonomik, i drejtësisë, por edhe nga vet radhët e shërbimit sekret serb. Brenda kohës sa thuhet se ka vepruar zyrtarisht “Drejtoria e Gjashtë” është kidnapuar dhe ekzekutuar ish-presidenti serb, Ivan Stamboliq (25 maj 2000), është vrarë Pavle Bullatoviqi, ministër i Mbrojtjes i ish-RFJ-së; është vrarë drejtori i JAT-it Zhika Petroviq; gjykatësi Nebojsha Simeunoviq; ish-pjesëtari i JSO-së Lluka Pejoviq, për të cilin dyshohet se ka qenë vrasësi i gazetarit Sllavko Çuruvija (dëshmitar i mundshëm në procese gjyqësore) dhe shumë vrasje të tjera, të kryera për qërimin e hesapeve mes klaneve mafioze e politike në Serbi.
Pas kryerjes së disa aksioneve të suksesshme pjesëtarët e “Drejtorisë së Gjashtë” janë pajisur me dokumente zyrtare të identifikimit nëpërmjet rrugëve tepër sekrete. Për të gjitha veprimet që i ka ndërmarrë “Drejtoria e Gjashtë” ka qenë në dijeni shefi i atëhershëm i Sigurimit Shtetëror (DB), Rade Markoviqi, nëpërmjet të cilit janë koordinuar shumica e veprimeve të kësaj Drejtorie, pasi që kjo “drejtori e vrasjeve” ka kryer operacione speciale në kuadër të Shërbimit shtetëror sekret serb. Këtë e kanë vërtetuar më vonë edhe burime brenda kësaj drejtorie. Fotografitë e shtëpisë së Vuk Drashkoviqit dhe dëshmitë e tjera të nevojshme për të përgatitur atentatin ndaj tij (të dështuar), i kishin përgatitur pjesëtarët e “Beretave të Kuqe”, disa prej të cilëve si Branko Berçeku, Leonida Milivojeviqi dhe Nenad Iliqi, për këtë janë dënuar nga “Gjykata Speciale” e Serbisë.
“Drejtoria e Gjashtë” për realizimin e objektivave të veta në Kosovë, i ka shfrytëzuar strukturat e bashkëpunëtorëve, të cilët zyrtarisht kanë qenë pjesëtarë të qeverisë së Sllobodan Millosheviqit në Kosovë, që kanë punuar në departamente të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe resorin e sigurimit shtetëror dhe atë ushtarak. Një pjesë e tyre e kanë ruajtur kontinuitetin e veprimit me shërbimet sekrete serbe (veçanërisht me ato ushtarake) edhe sot e kësaj dite.
Në qoftë se u referohemi regjistrave të asaj kohe të qeverisë së Millosheviqit, del se pjesa dërmuese e tyre janë pjesë e institucioneve të sigurisë dhe resorëve të tjerë në institucionet e Kosovës pas vitit 2000 e këndej. Në qoftë se i besohet një dosjeje që e kishte hartuar ish-administrata e UNMIK-ut në vitin 2008, lidhur me praninë e shërbimeve sekrete serbe në Kosovë, del se deri në atë vit (por të paktën edhe deri në vitin 2010), MPB-ja (MUP-i) e Serbisë në Kosovë kishte dhjetë zyra që vepronin ilegalisht. Sipas atij raporti, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP), xhandarmëria dhe BIA zhvillojnë aktivitet të përditshëm në Kosovë, aktiviteti i të cilave është përcjellë deri në vitin 2010 edhe nga mediet, shoqëria civile, e nga monitorues të tjerë. Raporti i UNMIK-ut, pos këtyre, paraqet edhe aktivitetin e gjashtë ministrive të Serbisë: asaj të arsimit; të shëndetësisë; të punës dhe mirëqenies sociale; të kulturës; të administratës publike dhe të të ashtuquajturës “ministri për Kosovë e Metohi”, të cilat sipas raportit rezultonte t’i kenë mbi 161 zyra veprimi në Kosovë, duke mos i përjashtuar rastet e dyshimit që edhe Ministria e Mbrojtjes e Serbisë t’i ketë zyrat e veta në Kosovë. Me pak modifikime dhe kamuflime, ndoshta duke e thjeshtuar personelin për shkak të kufizimeve buxhetore, ekziston dyshimi i bazuar se ky sistem organizativ diku më shumë e diku më pak është aktual edhe sot e kësaj dite.

Rade Markoviqi, Shef i Sigurimit Shtetëror të Serbisë (1998 – 2001).

Nëpërmjet rrjetit të sipërpërmendur, që nga viti 2009 e deri më sot, 33 mijë shqiptarë të Kosovës, janë pajisur me pasaporta serbe, edhe përkundër faktit se ata nuk përfitojnë nga liberalizimi i vizave sikur qytetarët e Serbisë. Bashkë me pasaportat ata kanë marrë edhe shtetësinë e Serbisë. Nëse u referohemi deklarimeve të deputetes nga radhët e pakicës serbe (Vesna Mikiq), të bëra në Kuvendin e Kosovës (mars 2012) lidhur me këtë çështje, nuk është i vogël as numri i zyrtarëve të institucioneve së Republikës së Kosovës, që janë të pajisur me dokumente të Serbisë. Dyshtetësia është e lejueshme dhe nuk ka problem lidhur me këtë, por në anën tjetër, minoritarët serbë dhe qytetarët e Serbisë shumë pak disponojnë me dokumentet e Republikës së Kosovës.
VIJON…

……………………………………………………….

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KTYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura