Fundprill, 2022 Berlin
“MOMENTI I VERDUNIT”
(Mbi gjasën e një anologjie)
Nga Rexhep Kasumaj
1.
Dimër i acartë në Francën lindore. Viti 1916, tashmë i largët. Por i arkivuar përjetë në kujtesën historike.
Ashtu si shpeshherë në aventurën e marrëzisë njerëzore, në Sheshin e fortifikuar Verdun, për 271 ditë rresht dy ushtri të mëdha qëndrojnë ballas në llogore. Rreth 700 mijë ushtarë, shumica e tyre, mbi 300 mijë të vrarë, shënojnë betejë-plojën më të përgjakur në kronikat e luftës së parë botërore.
Sfondi ishte i mugët. Lëvizje të befta rrihnin t’i thyenin krahët armiqëve. Ndërsa Franca kishte me vete Rusinë, britët iu bashkuan Antantës pse Gjermania me aleatë do t’shkelte në kalim tokën belge të garantuar prej tyre.
Pastaj, mars i vitit 1918, në Brest-Litowsk, prijësi i revolucionit sovjetik Lenin arrin paqe me austro-hungarezë e gjermanë, por, për çudi, do të vijojë tutje luftën kundër tyre. Teoricieni i internacionalizmit proletar a solidarsisë së popujve Lenin, do i nënshtrohej, ashtu, ligësisht “vozhdit” imperial Lenin.
Dhe, sa simbolike, një muaj më herët, po aty, firmoset separatisht e njohura “Paqe e bukës” me Ukrajinën. Gjermanë, austrohungarezë, turko-osmanë e bullgarë do të furnizoheshin me drithë (një milionë tonë grurë…) e dhjetra lloje ushqimesh tjera. Kjo “paqe e bukës” do t’i jepte fund luftës në krahun lindor të Europës.
Do të evokoja Verdunin, këtë fragment të errtë historie, për të parë mundësinë e një fundi të ngjashëm. Gjasën e një analogjie të vështirë.
Ndoshta ka ndodhur dhe në fushëluftë e kohë të tjera. Një betejë mbase mund të mbyllet ndonjëherë pa ngadhjimtarë e të mundur. Ja, në Verdun gjermanët nuk mposhtën dot mbrojtësit e qytetit, atdhetarët francezë. Por as të dytët nuk i’a dolën të çajnë rrethimin, t’i shpartallojnë trupat sulmëtare e t’u jepnin arratinë me bisht ndër këmbë.
Ky epilog, kur të dyja palët, këputur e sfilitur, thjeshtë lënë luftën, më pas zuri të quhej simbolikisht
“momenti i Verdunit”!
Tani a mund të ketë një moment të dytë Verduni në Ukrainë? Nato bën një “luftë përfaqësimi”, domethënë prapa Ukrajinës kundër Rusisë…Ndaj, a do të shpjente kjo mbështetje armësh (së fundmi gjermane) për Kijevin, në lodhjen, sosjen e resurseve të luftës së agresorit e, pra, në Verdun të ri? Dhe i tillë, në mbarimin pa fitimtarë e të humbur klasikë? Në paqen e luftës dhe atë bukës”?
Dijetarë luftërash pohojë këtë pandehmë.
Veçse realiteti, sidomos me zotërit e Kremlinit, shket përherë jashtë kufijëve të racios apo fsheh prorë thikën e pabesisë…
Putin nuk guxon të fitojë, por as të humbasë! Megjithatë tirani do të priret e bie në njërën prej tyre.
E besoj të parën, sigurisht!
2.
Europa mbrohet sërish në Londër e Uashington. E rithem këtë prapë e bindshmërisht. Herën e parë kundër nacizmit gjerman e, tash së dyti, kundër nacizmit rus.
Ndërkohë që europianë të tjerë janë inertë ose të vegjël, Bundestagu gjerman bëri një akt rezistence: miratoi dërgimin e armëve të rënda në Ukrajinë. Veç tjerash pjesë e pakos do jenë tankset Gepard. Të rrezikshme akoma, por jashtë përdorimit për Bundeswehrin tash disa vjet. Përse jo brezin e mëpasmë Leopard ose, madje, të mnershmet tankse Marder?
Ekspertë që justifikonin pozicionin ngurrimtar të kancelarit thoshin të mos kenë ukrajinasit dijen e mjaftë teknologjike për Marderët e stërholluar e vdekjeprurës!
Kancelari Scholz kishte formuluar qysh në fill një qëndrim abstenimi të shurdhër. Një anashkqyrje imorale. Dhe vijon t’a ngrejë atë në shkallë doktrine. Thotë në një mënyrë, gati, mistike: këtu udhëheq unë! Dhe këtë Un-nin e tij përpiqet t’a arnojë me fjalë të frikshme mbi Apokalipsen. Po i dhamë armë të rënda Ukrainës, Marderë e arsenal tjetër të sofistikuar, pohon ai rëndshëm, do të plasë Lufta e tretë botërore.
Si? Vërtetë?
Armë të rënda liferojnë britët, amerikanët, holandezët, polakët e baltët dhe kjo nuk qenka shkas, një casus belli, i Luftës së re botërore!
Athua vetëm armët gjermane paskan këtë potencial, këtë fitil shpërthimi?
Apo, mbase, të jetë ky justifikim njëlloj shfajsimi për abstinencën ngulmëtare si detyrim traktativ ndaj Rusisë?
Në fakt, është taktikë e pritjes dhe një shpresë e hollë që lufta të përfundojë shpejt. E kancelari të shpëtojë nga trysnia dhe zvetnimi i dinjitetit të tij. Dhe atdheut që përfaqëson.
Megjithatë, më shumë se cilatdo, Selenski kërkon paprerë armët e rënda, tankset gjermane Marder…
Por ato s’vijnë e s’vijnë…
3.
Sa bajate do të bëhej ndër vite floskula përverse “integrim i Ballkanit perëndimor” në Europën komunitare.
Poshtë syprinës e pas krahëve ishte gjeopolitika e rikthyer që vrujonte. Dhe ballkanësit, tek ndiqnin kurse integrimi për shtetin juridik dhe shoqërinë e hapur, prisnin afate dhe stinë të reja.
Por mbeteshin pranë portës, në shi e vetmi!
Tani nga Londra, sërish andej, vjen një ide krijuese. Ofensive.
Motet e pritjes e zhgënjimit për integrim politik do të shmangen pak. Në vend të tyre ka behur në Mot i ri: armatosja e Ballkanit. Zonës së tij të kërcënuar. Jo me refren të lodhur idesh, por me armët e fuqishme të Natos. Dhe integrimi de facto ushtarak, do i rrëmbejë përparësinë integrimit të shantazhuar institucional.
Britania sheh më larg e guxon më shumë. Një truall i lirë që, qysh nga lashtësia romake, nuk do t’a shkelte këmbë e huaj. Ndaj, me traditë lirie e mendimi politik, ndjen dhimbjen dhe paravëren rrezikun e afërt të armiqëve. Dhe, natyrisht, kultura e Perandorisë planetare, i jep tagër e kujtesë, zotësi e inteligjencë për të kapur Orën e historisë!
4.
Kisha shkruar se fatkeqësitë mund të kenë në ikje dhe ogur të mirë. Si kaltërimi i qiellit pas stuhisë…
Simetria, kjo skile kujdestare, trëmb serish serbët.
Kremlini përzjen kartat. Fillimisht do të hidhej paralelja përligjëse e Kosovës me Krimenë, për t’a reviduar më pas duke përjashtuar Veriun nga esenca e saj.
E tani, Putin, në bisedë me sekretarin gjeneral të Okb-së Guteres, do të rivënte në tryezë argumentin e simetrisë. Kosova (me apo pa Veriun?) qenkësh një rast identik me rajonet Luhansk e Donbas të Ukrainës.
Interesat strategjikë peshojnë tani gjithçka.
Teoria “sui generis” e fuqive perëndimore, aq efektive e shpëtimtare për çlirimin e Kosovës, mund të kthehet njëj dite kundër saj vetë.
Kurse simetria, logjika e saj, do të nënkuptonte ridefinim të interesave strategjikë perëndimorë. Amerikanë, në radhë të parë. E kjo, tutje, do të çonte në njohjen e deklaruar a të heshtur të pushtimeve ruse në këmbim të njohjes së Moskës për Kosovën.
Ndryshe, ngurosja e “sui generisit”, e pra, një mungesë e lëvizjes, fleksibilitetit dhe riformatimit interesor amerikan e atllantik përgjithsisht, do t’mund të ngrínte e ndalonte Kosovën në gjysmëudhën e lirisë!