QENDRA JUSUF GËRVALLA – UNITETI I SHPËTIMTARËVE DHE HYRJA IME NË ORBITËN – LËVIZJEN E JUSUF GËRVALLËS (17) 

Në 41 vjetorin e vrasjes

QENDRA JUSUF GËRVALLA – UNITETI I SHPËTIMTARËVE DHE HYRJA IME NË ORBITËN – LËVIZJEN E JUSUF GËRVALLËS (17) 

Nga Xhafer Durmishi – Pashtriku, më 23 shkurt 2023

16. UNITETI I SHPËTIMTARËVE

16-1. Që të plotësoi zbrazësinë e krijuar

  Osman Osmani: ”Nga Turqia me vendim të KD të LRSSHJ në redaksinë e „Zërit të Kosovës„ u dërgua Osman Osmani (kuadër i PKMLSHJ) që të plotësoi zbrazësinë e krijuar me vrasjen e Jusuf Gërvallës.” (http://shllapashtica.beepworld.de/pkmlshj.htm, punim me rastin e 25 vjetorit të Pranverës 1981)      

– Abdullah Prapashtica –

16-2. Një kolos i pazëvendësueshëm

 Fjalë të Abdullah Prapashticës, ish-inspektor i UDB-së Serbe 

 “Jusuf Gërvalla ishte një kolos i pazëvendësueshëm i çështjes kombëtare. Prandaj, përpjekja për zëvendësimin e tij ishte një gabim fatal, që i kushtoi shumë shtrenjtë gjithë çështjes kombëtare shqiptare, e veçmas organizatave politike që vepronin në atë kohë!”  (Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, f.150)

16-3. NUK ËSHTË ZHVILLUAR KURRFARË AKTIVITETI

Xhafer Shatri: ”Një parantezë. Në prag të vrasjes tragjike të shokëve tanë Jusufit e Bardhoshit (kanë qenë siç dihet anëtarë të ish Lëvizjes nacionalçlirimtare…) dhe Zeqës (anëtar i ish-Organizatës Marksiste-Leniniste…) janë zhvilluar bisedime për bashkim. Bisedimet kanë qenë të suksesshme dhe sipas të gjitha gjasave natën e vrasjes ka ardhur gjer te bashkimi. Këto organizata kanë vepruar në mërgim sidomos dhe gjithmonë i kanë koordinuar aksionet, janë ndihmuar në mes veti me të madhe, ky është një fakt i padiskutueshëm. Pas rënies së tyre në popull u krijua një indinjim i pakufishëm e mjerisht edhe një huti e palejueshme… Në Kosovë u bënë burgosje të mëdha. Nga të gjitha organizatat u burgosën shumë njerëz, shumë të tjerëve iu deshtë t’ia mësyjnë mërgimit, ndër ta edhe udhëheqësi i PKMLSHJ. Në mërgim janë zhvilluar bisedime në mes tij dhe shokëve të ish LNÇ… ka ardhur te bashkimi, gjegjësisht formimi i LRSHJ, jo LRSSHJ. Përkundër kësaj NUK ËSHTË ZHVILLUAR KURRFARË AKTIVITETI, kjo ka mbetur anonime, çështje e tre-katër njerëzve. Në maj, më 14 e 15 maj janë zhvilluar bisedime edhe me përfaqësues të ish OMLK. Ka ardhur gjer tek bashkimi gjegjësisht formimi i LRSHJ. Për këtë ekzistojnë dokumente. Në bisedime kanë qenë dy përfaqësues të organizatave të mëparshme, si përfaqësues të organizatave të tyre.” (Qarkore interne lidhur me rastin e ish PKMLSHJ; Qershor 1983, shkruar nga Xhafer Shatri, e nënshkruar ‘Redaksia e Zërit të Kosovës’)

16-4. PAS VRASJES SË TYRE KA NDODHUR AJO QË KA NDODHË PAS VRASJES SË ADEM JASHARIT

Agron Bajrami: “Si ju kuptoj, thuani se, nuk u arritur kurrë pas vrasjes së tyre lëvizja ilegale t’i zavendësoj ata të them ashtu kushtimisht në plotësimin e këtyre detyrave të them ashtu nuk ka pasur pas tyre njerëz që kanë mund ta marrin më tutje udhëheqësinë në atë mënyrë sikur ata!?

Xhafer Shatri: “Shiqoni, pas vrasjes së tyre ka ndodhur ajo që ka ndodhë pas vrasjes së Adem Jasharit, me familjen e tij dhe me njerëzit e tij. Autoritetet jugosllave atëherë kanë menduar se vërtetë lëvizjen ilegale e shpartalluan përgjithmonë. Por ndodhi krejtësisht e kundërta sepse ata kishin lënë shokë, ata kishin lënë njerëz, ata kishin lënë një bazë të mirë që njerëzit kudo që ishte, vetëm a e kishte vullnetin e mirë, a e kishte minimumin e aftësisë që mund ta vazhdonte punën dhe për habinë e atyre që i kishin vra ata, demonstratat të cilat ata i kishin filluar me 300-400 njerëz, vrasja e tyre aq shumë i idhnoi njerëzit, aq shumë i mobilizoi njerëzit pastaj sa nuk flitej më për qindra demonstrues por për mijëra  demonstrues, pastaj edhe qëndresa në Kosovë dhe shtypja që i bëhej Kosovës ishte një motiv i madh brenda dhe jashtë për t’iu kundërvënë pushtuesve me të gjitha mjetet e mundshme, dhe ne arritëm pak a shumë ta plotësojmë atë boshllëk, por ai ishte boshllëk kaq i madh sa që ishte shumë vështirë për ne ta kemi  edhe në të ardhmen një treshe të tillë.” (Intervistë dhënë Agron Bajramit, www.koha.net, 27 korrik 2012, Press-ing, program televiziv, minutat 20-24)

17. Hyrja ime në Orbitën-Lëvizjen e Jusuf Gërvallës

 Xhafer Durmishi: “Shkollën fillore e kam mbaruar në fshatin Prilluzhë. Në dy vitet e para mësim më ka dhënë Qerkin Peci. Në këto dy vite, përveç Qerkinit praktikën si mësues e ka bërë Sheremet Saraçi, i cili e ka zëvendësua Qerkinin për dy muaj. Në klasën e tretë dhe të katërt mësuese e kemi pas Hanëmshahe Pasomën. Pas mbarimit të shkollës fillore në fshatin Prilluzhë, me sukses shembullor, d.m.th. pa asnjë katërshe gjatë tetë viteve, regjistrohem pa provim pranues në Qendrën Shkollore Teknike “Nikolla Teslla” në Obiliq. Kjo shkollë nuk ka qenë shkollë komunale por pronë e Kombinatit të Obiliqit, dhe ka pas për detyrë të shkolloj punëtorët e kuadrot e profileve të ndryshme për Kombinatin.

Në shkollën e mesme në Obiliq, shok të ngushtë e kam pas Hakif Krasniqin nga fshati Zhilivodë. Me Hakifin nuk më ka lidhë shumë interesi i lëndëve shkencore në shkollë si kimia, fizika e matematika (për diskutimin e këtyre lëndëve kam pas një rreth krejt tjetër) por interesi ynë i përbashkët ka qenë për gjuhën e letërsinë shqipe dhe leximi i veprave të letërsisë shqipe deri tek ato të realizmit socialist, të botuara në Shqipëri e të cilat na kanë ra në dorë, apo i kemi huazuar në biblioteka.

Hakifi me vëllaun e vetë më të vogël Hasanin dhe nanën kanë jetuar në Zhilivodë. Sa motra më të rritura i ka pas nuk më kujtohet. Por e di se një motër e tij më e madhe, Bedrija ka qenë e martuar me Ismet Saraçin, nga fshati Bivolak. Ismeti ka qenë shok i ngushtë me Sheremetin dhe këta të dy së bashku shokë me Shefqet Jasharin nga Strofci. Përmes shokut tim të shkollës së mesme Hakifit jam njohur me Ismetin dhe rinjohur me Sheremetin (pasi Sheremeti më kishte dhënë dy muaj mësim në dy vitet e para të shkollës fillore). Në fillim të vitit 1978, Ismet Saraçi, pasi më kishte takuar shumë e shumë herë më ka folë për Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi, më ka propozuar të anëtarësohem dhe unë jam pajtuar. Ismeti më ka anëtarësuar në Lëvizje në shtëpinë e tij në Bivolak. Viti 1978 është viti i 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe në këtë vit puna ime si anëtar i Lëvizjes është një pikë ujë në deti në krahasim me punën pothuajse krejtësisht zyrtare për të kujtuar 100 vjetorin e Lidhjes.” Përmes Hakifit jam njohur edhe me Behxhet Krasniqin, i cili përmes meje është anëtarësua në LNÇKVSHJ.”

Çerkin Peci: “I respektuari dëshmor i Kosovës, Jusuf Gërvalla, ndihem krenar që Të kisha prijës në LNÇKVSHJ! Përkujtim atdhetar deri në përjetësi!”

(17 janar 2016 www.facebook.com/jgervalla)

PECI QERKIN; Aktgjykim: “QERKIN PECI, i biri i Hajdarit dhe i Halimes, e gjinisë Haziri, i lindur më 20.04.1944 në fshatin Zhazhë komuna e Mitrovicës së Titos, vendbanimin e ka në Mitrovicën e Titos në lagjën “Tamnik” rruga 8 nr. 30, shqiptar, shtetas i RSFJ, profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, ka të kryer Fakultetin filozofik – grupi i albanologjis, i martuar, babë i 3 fëmijve të mitur, shërbimin ushtarak e ka rregulluar në Nish më 1971, gjindet në EU pranë KK Mitrovicë e Titos, i pa dekoruar, me gjendje të mesme ekonomike, më parë jo i dënuar, kundër tij nuk zbatohet procedura për ndonjë vepër tjetër penale, gjindet në paraburgim prej 05.08.1982,…

Gjykon – Të akuzuarin Qerkin Pecin ME DËNIM BURGIMI në kohë zgjatje prej 3 (tri) vjetësh në të cilën i llogaritet edhe koha e tij e kaluar në paraburgim prej datës 05.08.1982 e tutje deri në plotëfuqishmërin e aktgjykimit….

GJYKATA E QARKUT NË MITROVICË E TITOS

P-nr. 9/83, – më 27.05.1983″

Ty

Ty që vajzën Arbërie e linde për ARBËRINË!

Ty që për këtë Yll-Atdhe – fale dashurinë!

Ty që Kujtimit i belbëzoje për LIRINË!

Ty borxh ndër mote ta kemi PAVDEKËSINË.

Ty që Gëzimin e porosite ,,Kjo Tokë është e jote” !

Të paçim përherë Kurorë Lavdiplote!

Ty të pata besnike me dëshira të zjarrta

Ty në belbëzime të kujtojnë Albani- Norë arta.

Ty që Shkumbinin e rrite duke i kënduar Bacë Bajramit

Ty s’ta harrojmë Porosinë për Dashurinë ndaj Vatanit

Ty që fëmiun e fundit e pagëzove Durim

Ty bashkëluftëtare, të kujtoj me mallëngjim…

Ty që Skënderit* e Aliut*- strehë të ngrohtë iu fale

Ty në mermer të skalita për të larta IDEALE…

Sheremet SARAÇI, 1990

*Skënderi – Xhafer Durmishi dhe * Aliu – Asllan Muharremi (anëtarë të Familjes së Sheremet Saraçit)

Marly (Zvicër) më 20 tetor 2016

Përshëndetje Xhafer,

Sa për informim: Më datë 15 tetor 2016, së bashku me Asllanin jemi takuar me Ismet Saraçin, të cilit në prezencë të Asllanit ia kam dhënë letrën me zarf të mbyllur, pra ashtu si ma ke dërguar përmes postës. I kam bërë disa foto kur ia kam dhënë letrën dhe do t’i dërgoj përmes postës elektronike. Letrën që po ta dërgoi e kam marrë nga Ismeti më datë 17 tetor 2016, të hapur, në të njejtin vend, në një mini-Restorant të një Qendre Tregëtare afër Spitalit në Prishtinë.

Shumë të fala nga unë Shaban Muharremi.

***

Unë ndihem i privilegjuar dhe shumë krenar

I nderuari dhe shumë i respektuari shoku Xhafer,

Më lejoni së pari të të falenderoj përzemërsisht për shënimet dhe fjalët që i pranova nga Ti përmes Shaban Muharremit. I lexova me plotë mall dhe emocione. Më dolën përpara të gjitha ato momente dhe peripeti e sakrifica që i përjetuam së bashku. Siç dihet, takimi im i parë me ty ishte në vjeshtë të vitit 1973, si nxënës i Shkollës së Mesme Teknike ”Nikolla Teslla” në Obiliq. Aty kisha edhe vëllaun e gruas Hakif Krasniqin.

Ishit në vitin e parë. Më foli Hakifi për mbështetjen qoftë materiale qoftë shoqërore që jeni duke ia bërë. Isha kurreshtar që të njoh për së afërmi. Me fjalët e para që i ndërrova me Ty, aty kuptova se keni një shpirt të madh, human dhe keni një vizion të përkushtuar për zgjidhjen e çështjes kombëtare deri në fund. U bëre pjesë e shpirtit tim. Dhe takimet tona filluan të shpeshtohen. Po edhe ato takime ishin shumë të frytshme veç sa u forconin idealet tona. Në vitin 1978 isha i kyçur në Lëvizje, dhe sipas statutit duhej ta zgjeroja anëtarësinë sipas kritereve. Xhaferi nuk i plotësonte kushtet për shkak të moshës së re. Mirëpo unë këmbëngula dhe mora përgjegjësinë, e thirra një ditë në shtëpinë time e njoftova me statutin e Lëvizjes. Kjo ishte në vitin 1978. E pranoi me plotë vullnet dhe pa kurrfarë hezitimi e dha betimin. Kur filluam me disa aktivitete Xhaferi gjithmonë ishte në ballë dhe i kryente me sukses.

Gjatë vitit 1980 Sheremet Saraçit iu dha për detyrë të shkoj në Stamboll për një takim me Sabri Novosellën, në banesën e Tefik Strajës. Për takimet vijuese Sheremeti me Sabriun u morën vesh që të dërgohej Xhafer Durmishi sepse e dëshmoj vehten se ka një pjekuri politike e morale dhe i guximshëm. Në janar të vitit 1981, unë dhe Sheremeti ia ndihmojmë udhëtimin për Stamboll. Mori me vete numrin e telefonit të Tefik Strajës. Takimi ishte i suksesshëm.

Unë ndihem i privilegjuar dhe shumë krenar që e kam pasë fatin ta kem anëtarë të Lëvizjes.

Ismet Saraçi (17 tetor 2016 Prishtinë)

***

18. Miku ynë i përbashkët

Ibrahim Kelmendi: ”Të jam shumë mirënjohës që nuk e pate zhduk atë letër! E pate mundësinë. Jusufi e kishte dërguar si letër rekomandë (të mos ndodhte ta humbisnin postjerët). Pak ditë pas tragjedisë, meqë nuk kam qenë në Bochum, – siç ndodh rëndom me letra rekomandë, – ajo letër është kthye në adresën Tuaj. Atë ditë kur e pranove nga postieri, ju gëzove dhe pate mirësinë të më luteshe për leje që ta hapje e ta lexoje. Po e potencoj edhe njëherë: ke pas mundësinë ta zhdukje, që të mos e kishte mundësinë as Miku ynë i përbashkët, Faridin Tafallari, ta publikonte i pari në librin e tij, meqë Ti ia ke besuar arkivin e Jusufit që ta ruante. Fatmirësisht ishe e mirësjellshme dhe prandaj nuk e pate zhdukur. Të jam mirënjohës deri përtej Dielli, meqë nuk ka asnjë dëshmi më autentike se kjo letër, që dëshmon marrëdhëniet që kishim mes nesh.” (Letër publike Suzana Gërvallës, 21 tetor 2017)

Ibrahim Kelmendi: ”Po të ishte në dorën time, asnjëherë nuk do t’i publikoja letrat e raportimet që Jusufi ia ka dërguar Sabri Novosellës në Turqi.” (FBook tetor 2017)

(VIJON ….)

_______________________

Në 41 vjetorin e vrasjes

QENDRA JUSUF GËRVALLA – GJUHA E SHËMTUAR E IBRAHIM KELMENDIT … (16) 

Nga Xhafer Durmishi – Pashtriku, më 22 shkurt 2023

Total
0
Shares
1 comments
  1. Hello there! Do you know if they make any plugins to assist with SEO?
    I’m trying to get my blog to rank for some targeted keywords but I’m not seeing very good success.
    If you know of any please share. Kudos! You can read similar text here: Najlepszy sklep

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura