ARBEN MEKSI, NJË PROFIL I KARIKATURISTIT TË MADH VLONJAT
Nga Prof.Dr.Albert HABAZAJ
Karikaturisti Arben Meksi merr çmimin ndërkombëtar
Iku i bukur dhe faqebardhë Tetori i Letërsisë dhe Arteve për Vlorën e kulturës dhe qytetit bregdetar i hap derën e bujari nëntorit, që më i bukur vjen, krenar e faqendritur. Ndihet shumë mirë e bekuara e lënduar, E Bukura e Dheut, Vlora jonë, kjo kartolinë mesdhetare, tek merr vesh se biri i saj, arkitekt Arben Meksi merr çmim ndërkombëtar në veprimtarinë e mrekullueshme, në ekspozitën e madhe ndëkombëtare të Artit Pamor, e cila zhvillohet një herë në dy vjet dhe, për vitin 2026, fati i ra Korçës të presë mysafirë mjeshtre e mjeshtra të ngjyrave nga e gjithë bota. Ja lajmi që na bën të lumtur:

Nga data 31 Tetor deri më 2 Nëntor 2026, në qytetin e Korçës u zhvillua Bienalja e Karikaturës Botërore “Niko Nikolla”, e organizuar nga Albania Ekselence.
Në këtë konkurs morën pjesë rreth 1000 karikaturistë nga 63 vende të botës, të cilët konkurruan për dy temat e këtij konkursi. Tema e parë: “Engjëj dhe djaj”, dhe tema e dytë: Portreti i Bujar Kapexhiut.
Karikaturisti Arben Meksi fitoi çmimin e dytë në këtë Bienale për temën “Engjëj dhe djaj”.
Karikatura e tij u vlerësua jo vetëm për humorin dhe filozofinë që përcillte, por edhe për paraqitjen dhe trajtimin artistik të veprës.
Ceremonia e dorëzimit të çmimeve u zhvillua në sallën e galerisë së arteve të qytetit të Korçës. Morën pjesë personalitete të artit dhe të kulturës së vendit tonë, si dhe karikaturistë të huaj pjesëmarrës në këtë konkurs, nga Belgjika, Italia, Portugalia, Bullgaria dhe Kosova.
Në ditën e parë të hapjes së këtij konkursi, karikaturisti vlonjat përuroi një ekspozitë personale me 30 karikatura të papublikuara për herë të parë.
Edhe pse në vendin tonë kanë mbetur pak karikaturistë, me çmimet që ata po marrin po e ngrejnë këtë gjini të artit në nivele botërore.
Për Arben Meksin ky është çmimi i dytë ndërkombëtar brenda këtij viti, pas atij të muajit qershor në Poloni.
Një profil të karikaturistit vlonjat Arben Meksi
Arktitekti shquar vlonjat është edhe një artist që ka arritur të përfaqësojë artin shqiptar të karikaturës në konkurse ndërkombëtare dhe të marrë vlerësime të rëndësishme.
Ajo që më duket veçanërisht interesante te krijimtaria e tij është ndërthurja e dy formimeve artistike: arkitekturës dhe karikaturës. Kjo ndërthurje i jep rëndësi kompozimit, simbolikës dhe ndërtimit të idesë vizuale.
1. Kush është Arben Meksi?
Gjithë bota e artit dhe intelektualët e njohin mirë këtë arkitekt dhe karikaturist nga Vlora. Meksi ka një karrierë të gjatë në arkitekturë, me rreth 40 vjet përvojë të raportuar në një shkrim të mëvonshëm të vitit 2024. Ai ka punuar si projektues dhe pedagog i projektimit arkitektonik në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin e Vlorës.
Interesi i tij për karikaturën nisi që në moshë të vogël, i nxitur edhe nga leximi i gazetave dhe revistës satirike “Hosteni”. Kontakti me artin figurativ të Vlorës dhe me piktorët e saj ndikoi në formimin e ndjeshmërisë së tij artistike.
2. Disa nga çmimet dhe vlerësimet ndërkombëtare
Meksi ka marrë pjesë në konkurse të rëndësishme ndërkombëtare. Ndër vlerësimet që dokumentohen në shtyp janë:
Qipro, 2018: Çmim special në konkursin botëror të karikaturës, me një punim kushtuar paqes. Në të paraqiten ullinjtë e prerë dhe një pëllumb që shpëton simbolin e paqes.
Kanada, 2023: Çmimi i Ekselencës në konkursin ndërkombëtar për temën “Liria e shtypit në botë”. Në garë morën pjesë artistë nga 62 vende, me 470 karikatura.
Kroaci, 2024: Medalja e bronztë, çmimi i tretë, në konkursin “Letërsia në karikaturë”, në Zagreb.
Bienalja “Niko Nikolla”, 2024: Medalja e argjendtë, çmimi i dytë, për karikaturën kushtuar të rinjve të lidhur pas ekraneve të botës digjitale.
Këto çmime dëshmojnë se krijimtaria e tij nuk kufizohet te humori i çastit, por synon të trajtojë probleme shoqërore, kulturore dhe universale.
3. Disa vepra që meritojnë vëmendje: “Bashkëjetesë dhe identitet” – dy personazhe të njohur të qytetërimeve të ndryshme, Don Kishoti dhe Nastradin Hoxha, ngrenë gotat në shenjë miqësie. Një metaforë për bashkëjetesën dhe respektimin e identitetit të tjetrit. Kjo vepër u vlerësua në Zagreb më 2024.
“Karikatura për botën digjitale” – të rinjtë paraqiten të lidhur pas ekraneve, duke rrezikuar të humbasin aftësinë për të qeshur, për të qarë dhe për të përjetuar jetën drejtpërdrejt. Vepra mori medaljen e argjendtë në Bienalen “Niko Nikolla” më 2024.
“Karikatura për paqen” – Pema e ullirit dhe pëllumbi shndërrohen në simbole të qëndresës së paqes përballë shkatërrimit. Një ide e përpunuar përmes simbolikës dhe metaforës.

4. Veçori të gjuhës së tij artistike
Duke u mbështetur te veprat e përshkruara dhe vlerësimet e publikuara, mund të evidentojmë disa tipare:
Metafora: objekti dhe personazhi përdoren për të shprehur ide më të gjera.
Satira shoqërore: kritika ndaj dukurive të kohës është një element i rëndësishëm.
Simbolika: paqja, identiteti, liria dhe teknologjia trajtohen përmes figurave të kuptueshme.
Kompozimi: formimi arkitektonik i autorit përbën një pikë interesante për t’u studiuar në raport me organizimin e hapësirës dhe figurave në karikaturë.
Arben Meksi është një emër që meriton më shumë vëmendje
Karikaturisti Arben Meksi është një emër që meriton më shumë vëmendje në studimet e artit pamor shqiptar. Karikatura e mirë nuk është thjesht vizatim që shkakton të qeshura; ajo është një formë e përqendruar e mendimit kritik, ku një figurë e vetme mund të shprehë atë që një tekst i gjatë nuk arrin ta thotë.
Do të ishte me interes edhe një studim më i gjerë mbi vendin e tij në traditën e karikaturës shqiptare, në raport me mjeshtra të shquar si Bujar Kapexhiu dhe Agim Sulaj dhe meriton vëmendje, sidomos nga këndvështrimi i kritikës dhe studimit të artit.
Arben Meksi dhe Agim Sulaj
Unë, me modestinë dhe dashamirësinë për profilet e spikatur të dyshes së famshme vlonjate do të veçoja një element: Arben Meksi dhe Agim Sulaj e kanë kapërcyer kufirin e humorit grafik dhe e kanë kthyer karikaturën në një gjuhë artistike me përmasa universale.
Megjithatë, secili ka individualitetin e vet:
Arben Meksi shquhet për simbolikën, metaforën, lojën intelektuale dhe trajtimin e problemeve të shoqërisë bashkëkohore.
Agim Sulaj shquhet për forcën shprehëse të figurës, realizmin, ironinë therëse dhe temat me karakter human e social. Ai ka fituar vlerësime të shumta në konkurse ndërkombëtare.

Ndoshta do të ishte me shumë interes një studim krahasues me titull: “Arben Meksi dhe Agim Sulaj – dy individualitete artistike në majat e karikaturës shqiptare dhe në hapësirën ndërkombëtare”. Një punim të tillë nuk mund ta ndërmarrim ne, dashamirësit e artit, por specialistët e profilizuar, të mirëfilltë të fushës. Ndjejmë nevojën të kemi njohuri mbi shqyrtime të formimin dhe rrugëtimin artistik të dy artistëve të mëdhenj, tematikën dhe filozofinë e krijimtarisë së tyre, veçoritë e gjuhës figurative, çmimet dhe përfaqësimin ndërkombëtar sipas kriterit kronologjik dhe tematik, madje në hollësi, si dhe kontributin e tyre në zhvillimin e karikaturës shqiptare. Etj., etj.
Mendoj se është një temë që meriton të trajtohet seriozisht, jo vetëm si vlerësim për dy artistët, por edhe si një kontribut në kritikën e artit shqiptar.
Meritojnë shumë vëmendje, se janë krenari kulturore për Shqipërinë e më gjerë, por patjetër puna e tyre jep edhe një ndihmesë e madhe për studiuesit, edhe si një kontribut në kritikën e artit shqiptar.
Arben Meksi dhe Agim Sulaj janë shembuj të artistëve që e kapërcejnë përmasën kombëtare dhe komunikojnë me botën përmes gjuhës universale të artit.
Ata na kujtojnë se Shqipëria nuk përfaqësohet në botë vetëm përmes letërsisë, muzikës dhe historisë, por edhe përmes arteve pamore, satirës dhe karikaturës.
Do të dëshiroja të theksoja edhe një mendim: Një karikaturist i madh nuk vizaton vetëm atë që sheh syri, por zbulon atë që shoqëria shpesh nuk dëshiron ta shohë.
Mendoj se këta dy artistë meritojnë:
Monografi dhe studime kritike për krijimtarinë e tyre.
Ekspozita retrospektive në Shqipëri.
Përfshirje në tekstet e historisë së artit shqiptar.
Dokumentim të çmimeve dhe arritjeve të tyre ndërkombëtare.
Dhe një gjë tjetër: vlerat kulturore nuk duhet t’i zbulojmë vetëm kur marrin çmime jashtë vendit. Duhet t’i njohim, t’i studiojmë dhe t’i vlerësojmë edhe në shtëpinë tonë.Krenaria për artistët tanë duhet të shoqërohet me kujtesë dhe mirënjohje kulturore.
Arben Meksi dhe Bujar Kapexhiu
Ndërsa me Bujar Kapexhiun është tjetër komunikim. Kam vërejtur diçka të çuditshme tek Meksi në karikaturën për Kapexhiun
Me 3 viza jep figurën. Apo jo?! Dhe gjykoj se kjo është një vëmendje që prek një element shumë interesant të artit të karikaturës: ekonominë e vijës grafike.
Nëse Arben Meksi ka arritur të japë portretin e Bujar Kapexhiut vetëm me tri viza, atëherë kemi të bëjmë me një ushtrim të veçantë mjeshtërie.
Tri viza, në dukje të thjeshta, mund të përmbledhin:
– tiparin dallues të fytyrës;
– karakterin dhe shprehjen;
– identitetin e personazhit.

Kjo lidhet me atë që në artin grafik mund ta quajmë sintezë figurative: heqja e çdo detaji të panevojshëm dhe ruajtja e atyre shenjave që e bëjnë figurën të dallueshme. Kjo punë këkron një vështrim analituik konkret, vijë pas vije. Para se të merren specialistët me të, le t’ja lëmë vëzhgimit dhe shijeve të lexuesve të këtij shkrimi dhe shikuesve të karikaturës së Benit për Kapexhiun, të cilët mund të shohim nëse këto tri viza janë thjesht një portretizim i shkathët, apo vërtet një demonstrim i vërtetë i mjeshtërisë së karikaturistit. Me dëshirën e mirë se bëmë një vëzhgim sado të thjeshtë me vlerë kritike, unë po shpreh vetëm mendimin tim për këtë punim:
Bujar Kapexhiu: drita e kariturës shqiptare, (me pak viza jepet e gjithë figura). Kjo është mjeshtëria e karikaturistit më të shquar shqiptar, me shumë çmime ndërkombëtare.
Të lumtë Arben Meksi!