BREGU I PAVDEKЁSISЁ DHE GUXIMTARЁT

Bregu i Diellit – bregu i pavdekësisë

Me sy të zinj
si kokrra ulliri,
me vetulla
krah dallëndyshe,
me shpatulla luani,
me fjalën mjaltë,
me besën kala,
me hapin vetëtimë —

ndritën tokën e qiellin
në Prishtinë.

Me orë të tëra luftuan
me ushtri e polici,
hijena të natës
që donin me na lënë
emër shuar
në Dardani e Iliridë.

Nëntor qëndrese,
nëntor krenarie —

Afrim Zhitia
e Fahri Fazliu,
përjetësisht
simbol heroizmi dhe lirie –
rrufe mbi armiq.

Arif Ejupi
Gjenevë, 3 mars 2026

***

Idealist e guximtar

Nata e ushqeu me gjak rinor,

dita e rriti si sokol.

Nga Orllani e në Prishtinë,

disa herë, nëpër shi e dëborë,

fusha e male këmbë i kaloi.

Edhe pse bënte acar e stuhi,

numëronte çdo varr të djemve të rinj,

të vrarë nga policët

dhe ushtarët e armikut.

Betohej në Flamurin e Arbërit

dhe në fjalën e burrave

të Kongresit të Manastirit,

se do të jetë krahu i djathtë

i Zahir Pajazitit.

Më 4 shtator 1994,

te diga e Liqenit të Batllavës,

shtinë ashtu siç godet rrufeja

mbi policët, xhelatë

dhe satrapë të armikut,

që terrorizonin Llapin e Gallapin.

Isak Shabani,

me guxim luani e zemrën kala,

asnjëherë nuk u ndal,

derisa, befas, u kap

nga xhandarët dhe zagarët e armikut.

Në burgun famëkeq të Sremit.

e torturuan

dhe e lanë në gjak.

Por vetes i kishte vënë kusht:

të vdiste

e të mos jetonte me nofkën

“tradhtar”

apo “i shitur te armiku”.

Edhe pse i lidhur

këmbë e duar,

si Prometeu në pranga,

mbijetoi Masakrën e Dubravës.

Në çdo bisedë

me familjarë, shokë e miq,

thotë:

“Zoti më bekoi

dhe më shpëtoi,

që të rrëfej netët e ferrit

që përjetuam nga egërsirat e Serbisë,

të cilat dalldiseshin

e entuziazmoheshin

kur shihnin lumenj

të përzier me gjakun tonë.”

Isak Shabani,

i rritur me ajrin e pastër

të maleve të Gallapit,

qysh i ri kujtonte

pranverën e përgjakshme

të vitit 1981.

Fare mirë e dinte

se qëllimi i armikut ishte

të vriste e të shkatërronte,

pastaj nga vatrat tona

të na dëbonte,

si dikur nga Sanxhaku i Nishit.

Me djemtë skifterë

të Gallapit e Llapit,

dha betimin

se, për së gjalli,

nuk do ta pranonte robërinë.

Krijuan njësi treshe e katërshe,

që dalëngadalë u shndërruan

në Ushtrinë e lavdishme

Çlirimtare të Kosovës.

Ditën që i rrokën armët,

të gjithë u betuan

se do të vdisnin në rezistencë,

ashtu siç ranë

në Bregun e Diellit, në Prishtinë,

Afrim Zhitia

e Fahri Fazliu.

ARIF EJUPI

Gjenevë, 27 korrik 2026

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura