NDJENJA ËSHTË ART I VARGUT POETIK
Demir Reshiti “MIK ME DIELLIN”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “ZEF SEREMBE”, Prishtinë 2012, faqe 74. ISBN ISBN 978-9951-547-27-7
HYRJE
Poezia është një nga mundësitë më të fuqishme të shpirtit njerëzor, ku shprehet ndjenja si art i vargut lirik. Në këtë kuptim, vëllimi me poezi “Mik me diellin”, i Demir Reshitit, është një vëllim poetik në funksion të vlerës artistike. Ai është një nga poetët që me përkushtim i qaset poezisë. Përmbledhja poetike “Mik me diellin”, e botuar në Prishtinë më vitin 2012 nga Shtëpia Botuese “Zef Serembe”, pasqyron botën e brendshme të poetit, dhe si art iu ka bërë mënyrë letrare për të komunikuar me realitetin. Libri ndahet në katër cikle poetike: “Kujtim i këputur”, “I them ‘Jo’ mëshirës”, “Psherëtimë” dhe “Rojtari i ëndrrave”.
Cikli i parë: “KUJTIM I KËPUTUR”
Cikli i parë, përbëhet nga poezitë me përjetim emocional, ku përjetimi ka tipar njerëzor. Në këtë cikël, ndeshim një retrospektivë mbi të kaluarën. Kujtimi është ajo forca që e lidh poetin me dhimbjet. Poezia “Më fal Kosovë” është përfaqësuese tematike e kësaj dhimbjeje, ku shprehet dashuria për atdheun, dhe përgjegjësia personale karshi tij. Këtu Kosova paraqitet si vend i sakrificës, i vuajtjeve dhe i përjetimeve të rënda historike. Poeti shkruan:
“Me ujin e pavdekshëm ia lava sytë jetës
E shkova ta pres pranverën ndër male
Me mallin për ty u nisa me të gdhirë
Që ujkun e zi ta godas në ballë”
Faqe 7.
Këto vargje shprehin dëshirën për ta mbrojtur atdheun duke u përballur me të keqen. Ujku i zi është një simbol i kërcënimit, i dhunës dhe i rrezikut, ndërsa dashuria për Kosovën është një lidhje e thellë dhe e betonuar në memorien e tij. Në fund të poezisë shpreht edhe ndjenja e pendesës: “Më fal Kosovë/ Nëse s’kam bërë sa duhet për ty”, (po aty, faqe 7). Në vargjet e fundit shprehet një ndërgjegje e përjetuar, pasi poetit nuk i duket e mjaftueshme ato që janë bërë për atdheun. Dhe ajo që spikatë vlerën morale, është e dhëna se poeti nuk e paraqet veten si “hero i përsosur”, ai ëdhtë vetëm një njeri që e përjeton thellë dashurinë për Kosovën, prandaj ai kërkon më shumë punë se sa fjalë. Po ashtu, një tjetër poezi me vlerë është “Mik me diellin”, nga e cila është titulluar vëllimi poetik. Në të, dielli shfaqet si shok i poetit, sidomos kur ai mund të ketë qenë në një gjendje të vështirë shpirtërore. Ai shkruan: “Loti i shpirtit m’u lag nga thatësia/ Mbështetur pas grilave të harresës/ Kokën e shtrydhur nga bindjet e mia/ Terri ma shtyn përtej vdekjes”, ndërsa në vargjet e fundit ka shtuar: “Shok kam bërë diellin, një rreze të tij/ Më tregon mëngjeset s’më le të vuajë”. Dielli këtu bëhet një simbol i ngushëllimit dhe i shpresës sidomos kur poeti ndihet si një i mbyllur pas “grilave të harresës”.
Në poezinë “Kujtim i këputur”, gjejmë një përjetim që mund të ndërlidhet me ndonjë moment trishtimi, prandaj “Si zog i trembur/ Iki nga vdekja” dhe “Nëse ndihem i pikëlluar/ S’mund t’i fajësoj yjet”, (po aty f.9). Këto vargje edhe pse janë të shkurtra, zogu simbolizon brishtësinë e njeriut dhe dëshirën për liri. Poezi të realizuara janë: “I përulem kujtesës”, e cila trajton individin që kthehet për të gjetur veten. Në poezinë “Unë i burgosuri që ma kanë prerë gjuhën”, është e shprehur një revoltë e hapur, në anën tjetër heshtja i bëhet pjesë e jetës. Brenda cikit, është poezia “Më gërryen malli”, në të cilën mungesa përshkruhet si një dhimbje: “Gjithçka po vdes ngadalë në mua/ Aty ku dikur ishte ajo”, (faqe 13). Poezi të tjera janë: “Sa herë na ndodh…”, “Nata”, “Këtë natë qiriri s’po ndez”, dhe poezia “Lërmë”, në të cilën dashuria paraqitet si një përjetim emocional, kurse poezitë: “Më fal Kosovë”, “Mik me diellin”, “Më gërryen malli” dhe “Kujtim i këputur” janë disa nga vlerat që tregojnë përkushtimin e autorit ndaj vlerës poetike.
Cikli i dytë: “I THEM ‘JO’ MËSHIRËS”
Cikli i dytë, “I them ‘Jo’ mëshirës”, përmban poezi me mesazhe për të mos u dorëzuar përballë vështirësive. Në këtë cikël, poeti Demir Reshiti, shfaqet si një njeri që e përjeton edhe dhimbjen nga tjetri. Andaj mesazhi poetik i tij është “të mos e lejojë mëshirën e të tjerëve ta përcaktojë fatin tonë”. Poezia “Babi me kë po flet”, ka një motiv që përshkohet nga dhimbja e poetit-baba i cili bisedon me vajzën e tij përmes vargjeve poetike. Në vargjet:
“BABI ME KË PO FLET
I heshtur mbyt qetësinë e natës
Lagështia më ka hyrë në shpirt
Në palcë jehona e dhimbjes
E unë prapë rri i heshtur gur
Një flakë e zbehtë qiriri ma shprish vetminë
Abetarja më prek në sup e thotë
Babi me kë po flet
I them fli e qetë bija ime
Po flas me vete me ty
Po flas me poezi ”
Faqe 23.
Në tre vargjet e fundit shfaqet një lidhje e veçantë mes babait, fëmijës dhe poezisë. Poezia e Demir Reshitit, bëhet mënyrë e bisedës, kur mungesa e një personi të dashur e bën këtë bisedë interesante. Edhe poezia “Zymtësi e natës” paraqet një atmosferë mjaftë të errët. Poeti shkruan: “Borë bie/ E foshnja e padjallëzuar/ Shkrehet në vaj”, (faqe 24). Këto vargje krijojnë një përshtypje të fuqishme poetike. Bora lidhet me bardhësinë dhe paqen, ndërsa vajtimi i foshnjës shpreh dhimbjen e një bote që nuk është e sigurt, duke e bërë motivin universal, pasi këso dhimbjesh përjetohen kudo në botë.
Poezia “Po shkruaj diçka sonte kot…” është një lirikë që lidhet me aktin e krijimit. “Po shkruaj diçka sonte kot/ Që kot kjo diçka të mos jetë”, (faqe 28). Ky motiv është shumë interesant, sepse kur poeti mendon se po shkruan kot, muza e shkrimit ndërlidhet me mesazhin si kontradiktë e rëndësishme, prandaj poeti shkruan kot, që kjo gjë të mos jet kot. Shumë bukur!
Edhe poezitë: “Kalorës i ëndrrave të bardha”, “Kaq shumë…”, “A më kupton ti mua”, “Mërgimtari”, “Plisi”, “Udhëkryq”, “Mbrëmë”, e ndonjë tjetër e shprehin intensitetin e ndjenjave dhe të pritjeve (se do të bëhet mirë!), që duket se nuk kanë marrë fund. Ndërsa poezitë “Gjëmë lirie” dhe “Nëna mijëvjeçare” e zgjerojnë ciklin drejt temave kombëtare dhe historike, kurse titulli i ciklit lidhet drejtpërdrejt me poezinë “I them ‘jo’ mëshirës”. Në këtë të fundit, poeti paraqitet i sigurt dhe nuk rrëmbehet nga dhimbja, por e sfidon atë, duke mos u dorëzuar para asnjë sfide. Me një fjalë, cikli “I them ‘Jo’ mëshirës”, na tregonë se poezitë e Demir Reshitit lidhen me përditshmërinë e një shoqërie.
Cikli i tretë: “PSHERËTIMË”
Cikli i tretë, “Psherëtimë”, është një ndjenjë tjetër që nuk shprehet plotësisht as me vargun poetik. Vargjet si një frymëmarrje e dhimbjes dhe përjetimit në fokus kanë njeriun. Poezia “Shpirti i poetit”, kushtuar Tahir Deskut, është mënyrë e veçantë për përkujtimin e poetit. Në vargjet: “Në kthjelltësinë e vesës së mëngjesit/ Në shkëlqimin e diellit majëmaleve/ Në butësinë e krahëve të fluturës lozonjare”, (faqe 39).
Dhe:
“Në rreshtat e një dorëshkrimi të papërfunduar
Në gurgullimën e ujit të ftohtë
– te Kroni i Mbretit
Aty e takova shpirtin e poetit”
Po aty, faqe 39.
Në këto vargje është shfaqur ideja se poeti vazhdon të jetojë në kujtimet e poetëve. Vdekja nuk e shuan poetin as praninë e tij, sepse vepra dhe ndikimi i saj e mban të gjallë edhe poetin Tahir Desku. Ndërsa në poezinë, “Na solle dhembje në shpirt, poet”, kushtuar shkrimtarit për fëmijë Rifat Kukajt, poeti Demir Reshiti, ka shprehur dhimbjen për humbjen e mikut poet. Vargjet: “Na solle dhembje në shpirt, poet/ Pse ike e le përgjysmë ëndrrën”, (faqe 40), tregojnë se vdekja e shkrimtarit është humbje e madhe për botën letrare. Ëndrra e papërfunduar dhe përzgjedhja e Ulqin për vendekje mund të lidhën me qetësinë dhe prehjen e tij, atje.
“Zgjodhe të vdesësh në Ulqin, poet!
Ndoshta atje ike ta gjeje qetësinë
Le në zemrat e njerëzve këngën, poet
Në shpirtrat e fëmijëve le pavdekësinë”
Po aty, faqe 40.
Reflektime të tjera mbi gjendjen e brendshme të poetit, janë shkrirë nëpër vargjet e poezive: “Psherëtimë”, “Ngushëllimi s’më ngroh”, “Shekulli i ri”, “Këngë të dhimbjes krenare”, “Unë poeti”, “Koha jo gjithmonë shëruaka plagë”, “Nuk jam kalimtar i rastit”, “Jam unë” dhe poezia “Emrin do ta ketë Shpresë”, e cila e ka shndërruar shpresën e njeriut në kohë lufte, simbolikë të jetës dhe të vazhdimësisë edhe në rrethana të vështira. Më mirë këtë e thotë vargu i fundit i poezisë, në të cilën emri i fëmijës bëhet mesazh i shpresës, si mendim poetik dhe si vazhdimësi e jetës, “Emrin do ta ketë SHPRESË”. *(Shpresë ia lamë emrin mbesës së Isak Bytyçit nga Shkoza e Malishevës, baba i 20 fëmijëve, që lindi në Kukës gjatë luftës), ka sqaruar vet poeti, në fund të kësaj poezie.
Cikli “Psherëtimë” është një reflektim i humbjeve në kohë lufte. Dhe një, dhimbje për poetët që kanë lënë gjurmë në jetën e tij, duke treguar se dhimbja dhe shpresa gjithmonë mund të bashkëjetojnë.
Cikli i katërt: “ROJTARI I ËNDRRAVE”
Cikli i katërt, “Rojtari i ëndrrave”, është më i përqendruar te dashuria dhe marrëdhëniet njerëzore. Pikërisht në poezinë “Do të doja…” ai dëshiron të shikojë me sytë e saj, të mendojë me mendimin e saj dhe të bëhet një burim drite në jetën e saj.
Vargjet: “Do të doja të isha diell/ Të të ngroh me zjarrin e dashurisë”, (faqe 53), lidhen me simbolikën e titullit të librit. Dielli nëpër këto poezi është dritë natyrore, dhe një shprehje e dashurisë për të qenë pranë dikujt.
Edhe poezitë “Syjeshilja ime Di Di”, “Ti je këtu”, “Nën rrezet e argjendta të hënës zhdukemi”, “Shpirt i virgjëruar”, “Jam rojtari i ëndrrës sate”, “Ku je sonte?” etj. Kanë ndjenjë të theksuar të motivit të dashurisë. Ky motiv pasqyrohet në mënyrë mjaftë të veçantë te poezia “Përrallë dashurie”, ku rrëfet historia e një vajze dhe e një engjëlli të cilët “Jetuan (veç) tri ditë/ për t’u dashur gjithë jetën”, (faqe 65). Në vargun e kësaj poezie Demir Reshiti, përveç që shpreh një dashuri të thellë, ai dëshiron për të ndryshuar fundin e një historie të dhimbshme. Edhe poezia “Ike”, ka një përfundim magjik: “Ike bashkë me këngën/ Me vete more vargun tim”, (faqe 66). Këto vargje tregojnë se largimi i çdo personi të dashur është edhe një humbje e një pjese të botës së poetit.
Cikli “Rojtari i ëndrrave” e zhvendos motivin te dashuria, pa të cilën nuk mund të mendohet bota njerëzore, dhe në anën tjetër motivi i dashurisë është njëri nga burimet më të rëndësishme të frymëzimit poetik.
PËRFUNDIM
Përmbledhja poetike “Mik me diellin” i Demir Reshitit shpreh përjetimet e njeriut dhe të intelektualit, që e shoqërojnë gjatë jetës. Dhe një nga veçoritë më të rëndësishme të kësaj përmbledhjeje është përdorimi i simboleve si: dielli, nata, bora, lumi, zogu, qiriri dhe ëndrra, që kanë krijuar një lidhje koherente në mes cikleve. Me pak fjalë, poezia e Demir Reshitit është e sinqertë, si vet jeta e tij, kurse mesazhi poetik “Mik me diellin” tregon se poezia është një mënyrë e bukut për të shprehur atë që nuk mund të thuhet me shumë fjalë. Prandaj, “Mik me diellin” këshillon se pavarësisht kohëve të vështira, njeriu duhet të kërkojë diellin dhe të ketë besim te e ardhmja. Në këtë kuptim, titulli i librit përmbledh gjithë filozofinë poetike të Demir Reshitit. Pra vëllimi me poezi “Mik me diellin” i Demir Reshitit, do të mbetet dëshmia më e saktë e përjetimeve njerëzore, me shpresë, se përtej çdo dhimbjeje, mund të ekzistojë një mundësi për të gjetur një rreze drite për ta ndërtuar paqen.
Më 05.11.2026
Shefqet DIBRANI