Shkup, 13. 07. 2013 – Autori austriak që merret me studimin e historisë së shqiptarëve dhe i cili bëri bum me veprë e tij mbi Skënderbeun, i cilësuar si shpesh kontraverz dhe i sulmuar e kritikuar nga kolegët e tij shqiptarë, Oliver Jens Schmitt vazhdon të sfidojë me veprat e tija, por edhe me guximin e tij intelektual. Dy veprat e tij më të fundit janë dëshmi për këtë, « Shqiptarët një histori mes Lindjes dhe Perëndimit » si dhe « Kosova një histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike ». Përmes një përshkrimi që për mua është shumë sfidues dhe i guximshëm, autori në veprën e tij të pari fillon me elaborimin e tezës së historianit kroat Millan fon Shufflaj, i cili në çerekun e parë të shek. 20 zhvilloi tezën sipas së cilës shqiptarët përbëjnë « monadën e Ballkanit », ngase në historinë e tyre vjen e bashkohet në miniaturë krejt historia e Ballkanit, që nga lashtësia, me elementet e veta të vjetra ballkanike, greke, romake, sllave dhe osmane, krishterizmi katolik dhe ortodoks, islami sunit dhe ai dervish, thjesht vijnë e mblidhen të gjitha këtu. Sipas Schmittit Shufflaj skicon edhe tezën e simbiozës serbo shqiptare të dëshmuara mirë nga burimet, e sidomos ato mesjetare.
Sipas Shmittit i pari dijetar perëndimor që ka ngritur teori mbi prejardhjen shqiptare dhe gjuhën e tyre është Gottfried Wilhelm Leibniz. Sipas tij historia shqiptare deri në shek. 19 është domen i interesimit të dijetarëve gjerman, ndoshta mbase edhe përqasja e Shmittit për të studiuar historinë tonë vërteton këtë. Shmitt poashtu përmend edhe Jakob Philipp Fallmerayerin, historian dhe publicist gjerman, i cili para 150 vjetësh ka studiuar çështjet themelore të historisë shqiptare.
Në periudhën antike emri ALBAN sipas Shmittit del vetëm 1 herë në përmendjen e një qyteti Albanopolis dhe një malësie (greq. Albanoros). Në burimet e dokumenteve, shqiptarët shfaqen së pari herë në shek.11, ndërsa si grup që veprojnë së bashku ata shfaqen në shek. 14 kur emigrojnë në Greqi. Në të njëjtën kohë Shmitt shprehet se shqiptarët nuk janë « popull kulture » ngase nuk kanë pasur kurrë bashkim politik.
Schmitt poashtu shpjegon se ndërrimi i emrit nga « arbër » në « shqiptar », ndodhi në vitin 1700, ndërsa e njëjta sipas tij është veçanti europiane. Nocioni shqiptar sipas tij vjen nga shqipja, shqiptoj, flas qartë. Sipas Schmittit shqiptarët edhe pse ishin me përbërje të ndryshme fetare përsëri përkrahnin njëri tjetërin. Shembull për këtë është Pashko Vasa, i cili edhe pse ishte katolik, funksionar i lartë në Perandorinë Osmane qysh më 1879 skiconte programin hapësinor të Lëvizjes së Re kombëtare shqiptare. Emri Albania rishfaqet sipas Schmitit në shek. 11 si emërtim i një grupi etnik, albanoi ose arvanitaj, ndërsa më vonë rreth vitit 1100 edhe si emër vendi nga greqishtja Arbanon, pak më vonë në latinisht si Albanum dhe serbisht si Raban (emër i popullatës arbanas), ndërsa në « Les chansons des Roland » (Këngët e Rolandit) shqiptarët na shfaqen si « Albeigne ». Fakte interesante më tutje na jep Schmitt. Ai thekson se klerikët katolik shqiptarë e emërtonin Kosovën që në atë kohë qartazi bashkëbanohej nga shqiptarë, deri në shek. 17 pra, si « Serbi ». Ky fakt me të vërtetë më shokoi.
Sipas Schmittit ata që më së shumti janë marrë me gjuhën shqipe janë gjermanë. Kësisoj, themelues i albanologjisë është Johann Georg von Hahn, konzull austriak në Janinën epirote dhe në Siros të Detit Egje. Teza e vijimësisë iliro shqiptare e cila sipas Schmitt është e vjetër, në formë të përpunuar u paraqit së pari më 1778 nga dijetari suedez Johann Thunmann, mësimdhënës në Halle, ndërsa në shek. 19 ajo tezë hyri në diskutimin e përfaqësuesve të kombëtarizmit shqiptar në shek. 19. Sipas Schmitt ekzistojnë tre teza për prejardhjen e shqipes : 1. Që shqipja vjen nga ilirishtja që përfaqësohet prej historianit Georg Stadtmuller, i cili qysh më 1942 përpunoi tezën « e trevës së Matit ».2. teza e dytë është ajo që shqipja ka prejardhjen nga trakishtja, me përfaqësuesin më të njohur historianin nga Friburgu, Gottfried Schramm, i cili argumentoi se populli dak i besëve u kristianizua në Antikitetin e vjetër si dhe se kishte pasur një gjuhë të vetme kishtare. Sipas Thunman shumë pak gjë ka mbetur prej ilirishtes, andaj është aq e pamundur ta rindërtosh atë. Sipas tij ka tregues për vijimësinë iliro shqiptare, po dëshmi nuk mund të sillen. Për të spekuluese janë edhe devijimet nga trakishtja.
Schmitt duke vënë në theks kritik (vlerësues) edhe luftërat e Skëndërbeut sjell fakte interesante. Sipas tij në luftërat e Skëndërbeut ndodhi humbje popullsie mes 2/3 dhe ¾ të banorëve. Në zonën e sundimit të tij numri i fshatrave kishte rënë nga 178 (më 1431) në 90 (më 1467), ndërsa numri i vatrave familjare nga 2029 në 407.
Kur arrihet te rregullimi i kodeve zakonore, Schmitt tregon se shqiptarët përdornin Kanunet si formë të rregullimit të marrëdhënieve njerëzore. Kësisoj Shqipëria e Mesme Veriore përdorte « Kanunin e Lekë Dugagjinit , Shqipëria e Mesme « Kanunin e Skënderbeut », në Malësi të Madhe në Veri përdorej Kanuni i Malësisë së Madhe dhe Kanuni i Papazhulit (Labërisë) në Shqipërinë Jugperëndimore. Këto të dhëna Schmitt i merr nga Shtjefën Gjeçovi, i vrarë nga serbët më 1929. Por sipas Shmitt shqiptarët përmes Kanunit, respektivisht tek dispozitat e gjakmarrjes dhe hakmarrjes, humbnin shumë. Sipas Shchmitt, i cili përdor të dhënat e baronit hungarez Nopcsa Franz, si njeri i parë që regjistroi statistikisht pasojat e Kanunit, sidomos përmasat e gjakmarrjes. Kësisoj në Prusi nëse më 1914 në 100 000 banorë ndodhnin 1.9 vrasje, në Bavari 2.7, në Serbi 18, në Shqipëri të Veriut 60. Ndërsa vetëm në hapësirat e Shkodrës më 1863 kërcënoheshin 2000 burra.
Kësisoj Schmitt përpos këtyre argumenteve tejet të vlefshme që lexuesi mund t`i lexojë ofron edhe të dhëna të tjera që janë tejet të rëndësishme ndoshta për historiografinë shqiptare. Sipas tij arvanitasit ortodoks, që do të kryeministronin me Greqinë : Kiço Xhavella, Jorgos Kunturiotis, Antonios Kriezis, heroina e deteve Bubulina, luftuan kundër osmanëve për Greqinë, ndërsa në anën tjetër kemi shqiptarët në poste të lartë të Perandorisë Osmane. Është një fakt tejet interesant apo jo.
Mandej duke analizuar fenomenin e diskursit mbizotërues tek shqiptarët, term ky të cilin e përdor edhe Nathalie Clayer, studieuse e famshme franceze e njohur me librin e saj « Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë, diskurs ky që flet për atë që servohet nga Rilindja Shqiptare, tregon që termi Rilindje, është i marrë nga italianët të cilët kishin të njëjtin përfytyrim (Risorgimento) ose tek bullgarët (Văraždane), ndërsa argumenton se Rilindja shqiptare në fakt nuk ishte asgjë tjetër përpos Lindje, duke përdorur figurat mitizuese të të kaluarës.
Libri i cili është i strukturuar mjaft mirë dhe ofron radhitje taksative të argumenteve, i dedikuar për secilin dashamirë të leximit, në fund përfundon me një mesazh tejet interesant nga autori. Ai është se në çerekshekullin e fundit shoqëritë shqiptare, (pra në shumës shoqëritë e jo shoqërinë,) janë hapur mjaft dhe janë lidhur ngushtë njëra me tjetrën transterritorialisht më shumë se asnjëherë. Pra autori zhvillimin ndarasi të shoqërive shqiptare, për shkak të faktorëve historik, e sheh jo s një pengesë për bashkim, po përkundrazi, e sheh si një persistencë dhe vokacion të theksuar nga vet shqiptarët për bashkim kombëtar.
Ndërsa tek libri tjetër « Kosova një histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike » autori sikur përdor një stil pak më neutral ndaj çështjes së Kosovës, mirëpo në fakt ai nuk mbështetet edhe aq në nxjerrje të fakteve dhe në përdorim të tyre. Ai e ngushton dhe e redukton aq shumë problemin e Kosovës. Shkojmë me radhë.
Kësisoj fillimthi ai nxjerr në pah konceptet konkurruese të historisë shqiptare dhe serbe përmes figurave të interpretimit, edhe atë : 1. autoktonia- grupi im është që moti banor këtu, 2. Prioriteti kohor –grupi im ka qenë së pari këtu, 3. Vazhdimësia e banimit- grupi im ka banuar përherë në këtë territor, 4. Epërsia kulturore- përkatësisht rasti serb, 5. Misioni i civilizimit- grupi im ka vlerë më të madhe kulturore dhe civilizuese nga tjetri, që llogaritet si barbar. Duke shkoqitur në kontinuitet etapat e ndryshme historike, ku herë njëra palë sundon mbi të tjerat e herë tjetra, autori tregon se varësisht nga interpretimet e ndryshme mund të arrihet në konstatime që në Kosovë herë shqiptarët e herë serbët kanë sunduar njëri me tjetrin, po asnjëherë nuk kanë bashkëjetuar si duhet. Krejt në fund mesazhi i tij, varësisht nga qasja dhe interpretimi i tij, me të cilin mund të mos pajtohem, është se historiani nuk ka të drejtë të bëjë parashikime për të ardhmen, ai vetëm mund të konstatojë dhe vlerësojë dukuritë e së kaluarës. Ndërsa aksioma e diplomacisë që duhet patur nga secili është se : fajtor nuk është ai që e thotë gënjeshtrën, por ai që e beson.
E nëse pretendohet se Schmitt mund të ketë plasuar gënjeshtra, ashtu si shprehen disa, le të mos i besojmë ato, po halli im është se çka nëse ato janë të vërteta ???
(Autori është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist i rregullt)