Pashtriku.org, 27. 08. 2013 – Doli në qarkullim këto ditë libri: Demografia e Viseve Shqiptare në Greqinë e Veriut (Maqedoninë greke dhe Trakia greke) e historianit Arben P. Llalla. Pas një pune disa vjeçare studiuesi Arben Llalla ka sjell të dhëna për demografinë e fshatrave shqiptare në Greqinë e Veriut. Në vitin 1913, kur edhe filloj shpërngulja e madhe e shqiptarëve që jetonin në Greqinë e sotme ka patur rreth 90 vendbanime shqiptare me etnitë e tjera. Sot nga të dhënat që na ofron libri dalin se në rreth 42 fshatra flitet ende gjuha shqipe. Autori më shumë në këto të dhëna është mbështetur në statistikat që janë bërë nga të huajt nga viti 1840 e deri më sot. Për nga lloji, libri ‘Demografia e Viseve Shqiptar në Greqinë e Veriut’ është i pari që botohet nga një autor shqiptar. Në fund të librit Arben Llalla sjell tabelat me emra të vjeër të fshatrave si dhe emrat e sotëm edhe dy harta Etnografike, duke ja lehtësuar lexuesve se për cilat vise bëhet fjalë, ku kanë jetuar dhe jetojnë shqiptarët ende në Greqi. Libri shoqërohet edhe me shumë fotografi nga jeta e shqiptarëve në këto vendbanime. Autori vetë i ka shkelur shumicën e fshatrave për të cilat shkruan para disa viteve. Libri flet vetëm për fshatrat që janë rreth kufirit të Greqisë me pjesën juglindje të Shqipërisë, Maqedoninë, Bullgarinë dhe Turqinë.
Me kët rast po shkëpusim një pjesë nga ky libër:
“Qëllimi ynë kryesor është që të njohim demografinë e fshatrave shqiptar në Maqedoninë e Egjeut dhe të Trakisë greke, duke përjashtuar fshatrat shqiptar në krahinën e Çamërisë dhe në ato vendbanime ku banojnë arvanitasit. Në këtë libër do të sjellim të dhëna shkencore në bazë të statistikave të udhërrëfyesve të huaj të shek. XIX dhe XX, për banorët, etnitetin dhe besimin fetarë të fshatrave ku shqiptarët kanë jetuar dhe jetojnë me popullsitë e tjera. Një pjesë të këtyre qyteteve dhe fshatrave i kam vizituar gjatë viteve 1991-2004, kur kam jetuar në Greqi. Kam takuar grekë me origjinë shqiptare me të cilët kuvendoja shqip. Prej tyre, mësova shumë gjëra interesante rreth jetës, këngëve, traditave dhe riteve të ndryshme që bëjnë të ruhen vlerat shpirtërore të një populli.
Në përfundim kam nxjerr se deri në vitin 1913 në Greqinë e Veriut flitej gjuha shqipe në 59 vendbanime, të cilat 22 ishin në prefekturën e Kosturit, 23 ne prefekturën e Follorinës, 5 në prefekturën e Dhramës, 3 në Ksanthi etj. Gjatë luftërave Ballkanike dhe e luftës së Parë Botërore popullsia shqiptare në Greqinë e Veriut u gjend përball shumë zjarreve dhe pjesa më e madhe u detyruar të emigrojë me dhunë për në Turqi, një pjesë e vogël në Shqipëri dhe ata që mundët të paguanin shuma në të holla ushtarëve grek mbetën brenda territorit të shtetit grek që dalëngadalë do të asimiloheshin ndër vite.
Sot, pas 100 vitesh, pra më 2013 në Greqinë e Veriut gjuha shqipe flitet në 42 fshatra, prej të cilat 7 ndodhen në prefekturën e Follorinës, 19 ndodhen në prefekturën e Evros, 3 në Selanik, 5 në Serres, 4 në Ksanthi, etj.
Lexuesi në këtë libër do gjejë tabelat me të dhëna shkencore për emrat e fshatrave si janë quajtur deri në vitin 1928, emrat e rinj, numrin e banorëve sot si dhe një hartë Etnografike ku ndodheshin dhe ndodhen sot fshatrat ku është folur dhe flitet ende gjuha shqipe.
Kohën që jam marrë për të shkruar këtë libër ka qenë shumë e vështirë për mua duke pasur parasysh vendin dhe vitet ku jetojmë. Megjithatë edhe në kushte të vështira mendoj se kam sjellë për lexuesit një libër që do t’u shërbejë për të njohur demografinë e fshatrave shqiptar në Maqedoninë e Egjeut dhe Trakinë greke. Shpeshherë këtyre fshatrave përveç se u janë ndërruar emrat, disa herë ju ndërrohen edhe kufijtë bashkiak apo komunal. Besoj se këto ndërrime të shpeshta janë bërë për të çorientuar studiuesit që merren me studime rreth demografisë së fshatrave në Greqi, por edhe banorët që në thellësi të shpirtit të tyre ndihen me kombësi jo-greke, të mos jenë të grupuar në masë të madhe. Jam munduar të jem sa më objektiv për të thënë dhe mbrojtur të vërtetën e këtyre fshatrave dhe banorëve të tyre, atë të vërtetë që të gjithë ne dëshirojmë ta dëgjojmë, ta shohim e ta prekim, por e vërteta rrallë herë pranohet ashtu siç është sepse ajo mund të na duket e hidhur dhe të kundërshtojë interesat tona të ngushta kalimtare. Për të nxjerr nga pluhuri i harresës disa fakte, disa të dhëna që na bëjnë të mësojmë ku kanë jetuar dhe jetojnë njerëzit që në venat e tyre kanë gjak shqiptari, po ç’ka se për interesa ekonomike dhe nga presionet e ndryshme janë deklaruar prej shumë vitesh qytetar të një kombësie tjetër. E ardhmja nuk e dimë se çfarë befasish na ofron…”