Solothurn, 14. 02. 2015 – Më shumë se gjashtë muaj, për të ashtuquajturin ngërç politik, është folur e përfolur, analizuar, parashikuar, gjykuar e paragjykuar nga analistë, gazetashkrues, përfaqësues të partive të ndryshme politike, që shumica syresh as që kanë lidhje me politikëbërje, apo me analiza të mirëfillta të rrjedhave dhe rrethanave ekonomike dhe politike në Kosovë, në mënyrë të hollësishme dhe të gjithanëshme, pas zgjedhjeve shumë të lavdëruara nga vendorët, aty këtu edhe nga vëshguesit ndërkombëtar, si demokratike dhe me standarde europiane etj. Pasi që, asnjë parti politike s`kishte numrin e mjaftueshëm të deputetëve për ta bërë qeverinë, filluan bisedime hapur e fshehurazi, kush me cilin mund të bëjë koalicion (ortakllëk) për të formuar qeverinë e ,,mrekullive”!
U bënë afrime e përafrime, u shkruan e u nënshkruan marrëveshje të ,,historishme”, u bënë betime e premtime për lakmuesit e pushtetit, u ndanë poste e pozita; kush u kënaq , kush u zhgënye, dhe pa fund pehlivanllëqe, që vetëm në vendin e pazot, siç është Kosova, mund të ndodhin e të shiten. Propagandohej paturpësisht, se ky bashkim i(pa)natyrshëm bëhej për të mirën që i mungonte vendit dhe për ta dërguar në opozitë PDK-në dhe kryeministrin Hashim Thaçi, për ,siç thuhej, qeverisje të keqe. Një kohë, gjersa heshtën ambasadat, askush ,,s’pranonte” të bashkohet me PDK-në, e aq më pak të qeverisë me Hashim Thaçin. Ky i fundit, sipas ,,matematikës politike 2+2 = 6″, vazhdonte të trumbetojë, se PDK-ja është fituese dhe vetëm ajo ka të drejtë ta formoj qeverinë, ndonëse s`kishte as për së afërmi numrin e deputetëve që ëndërronte!
Për të shkuar më tej ironia, ata që bllokuan për gjashtë muaj rresht Kuvendin dhe s’lanë gur pa lëvizur për të arritur tek qëllimi, sot kërkojnë nga opozita të bisedohet në Kuvend e jo të ,,shtrohen” në rrugë kërkesat – tashmë të njohura në tërë Kosovën. Fatkeqësisht, gjithnjë duke shfrytëzuar mosmarrëveshjet e bllokut të (pa)natyrshëm politik të ashtuquajtur LVAN, thyerjen dhe prishjen e marrëveshjes së tij me vendimin e njëanshëm edhe të Gykatës Kushte- tuese, dhe pas shumë bisedimeve me ndërmjetësimin e presidentes Jahjaga, arritën qëllimin e tyre. U bashkuan me LDK-në, kryetari i së cilës z. Mustafa, vazhdimisht, si para, gjatë dhe pas zgjedhjeve thoshte se: kurrë me PDK-në s`do të bëjmë bashkim për të formuar qeverinë. Por ja që, pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2014 ndodhi e kundërta!..
Në fillimin e muajt të tretë, të vjeshtës së vitit 2014, pata shkruar një shkrim me titull: KOSOVËN E KA KAPUR PARALIZA POLITIKE(DAMLLA) E JO NGËRçI POLITIK nga i cili shkrim, sa për dëshmi, po shkëpus vetëm disa rrjeshta në vijim:
„…Fjala ngërç-i, ka kuptimin e tkurtjes së menjëhershme të një muskuli ose të një grup-muskujsh, që shoqërohet me dhembje të forta: si zakonisht ngërçi në këmbë apo edhe në pjesë tjera te trupit. Por që nuk zgjatin më shumë se disa sekonda apo minuta. Është e papër- ballueshme, zgjatja e ngërçit me orë, ditë, javë apo muaj!..
Kosovën, sipas politikës ditore, të politikuajve vendor e ka kapur ngërçi politikë qe pesë muaj, dhe ende po mbijeton…! Në të vërtetë e ka kapur Paraliza politike qe 15 vjetë e spo e lëshon !? „
Gara e aktorëve të politikës për pushtet!
Më gjerësisht lexoni: ABAS FEJZUALLHI: KOSOVËN E KA KAPUR PARALIZA POLITKE (DAMLLA) JO NGËRÇI POLITKË – https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=3291
Nga disa dashamirë që i kam, pata një vërejtje shumë miqësore lidhur me shkrimin, që veç tjerash thoshin: Bacë, paraliza nuk të lëshon e ngërçi është kalues, të lëshon, bile dihet që të lëshon shpejtë, përndryshe të vret…! Për vërejtjet e tyre me qëllimin më të mirë që patën, në kuptimin teorik dhe mendor, i falënderoj sinqerisht.
Praktika po e vërteton të kundërtën dhe po përputhet me thënien time, lidhur me para- lizën politike, bazuar në zhvillimin e të gjitha ngjarjeve dhe rrjedhave shoqëroro, politike dhe ekonomike në vend, që nga viti 2000 e në veçanti nga viti 2008 e deri në muajn e dytë të vitit 2015, po dëshmohet se: s`paska pasur ngërç politikë, por ka pasur dhe ka paralizë politke, e cila qëllimisht ka penguar zhvillimin e mirëfillt ekonomik të vendit, jetësimin e shtetformimit demokratik, ku drejtësia dhe ligjet zbatohen për të gjithë qytetarët njësoj.
Shkaktarët e paralizës politike janë të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit e tyre që kanë qenë në pushtet, e në udhëheqje të qeverisë në veçanti, të cilat me shumë sukses kanë zhvilluar krimin e organizuar ekonomik dhe politik, për interesat e tyre fitimprurëse, përmes keqpërdorimeve (korrupsionit) që ka përfshirë të gjitha nivelet e institucioneve vendore, si një sëmundje e keqe-kanceroze apo lëngjyrë e shëmtuar…
Dëshmitë në vijim vërtetojnë diagnozën e paralizës politke që e ka përfshi Kosovën hallemadhe, me gjenerimin edhe të shumë sëmurjeve tjera të këçija si:
Lakmija për pozitë dhe pushtet!
Lakmija për pasuri, përmes keqpërdorimeve, në emër të shetetit, pushtetit dhe imunitetit!
Në emër, të luftës!
Në emër, të përkrahjes së ndërkombëtarëve!
Në emër, të Kushtetutës, të Ligjit dhe të Drejtësisë!
Në emër, të votave të fituara!
Në emër, të popullit!
Në mër, të tenderit!
Në emër, të privatizimeve!
Në emër, të punësimit!
Në emër, të premtimeve dhe mashtrimeve …!
E, populli si dhuratë nga qeverisja e pushttetarëve dhe qeveria pati këto përfitime:
Papunësinë
Zhgënjimin
Skamjen, mjerimin, trishtimin, terrin dhe tmerrin
Humbjen e shpresës për të ardhmen më të mirë
Shkopin e lypsit në dorë
Ikja masovike nga atdheu, ku sytë këmbët..!
Kështu që, Kosovën hallemadhe e kanë përfshirë sëmundje shumë të rrezikshme, dhe shkaktarët dhe fajtorët kanë emër e mbiemër. Është edhe më rrezik të pritet shërim prej tyre…Të tillët edhe po deshën të bëjnë ndonjë shërim në këtë drejtim, e që s’u besohet, e kanë të kotë, sepse sëmundja që përhapën ata vet, tanimë ka marrë përmasa jo epidemike por pandemike, dhe si pasojë kemi tragjedinë e murtajës IKJA NGA KOSOVA… Një thënie popullore thotë: “…merr në thua sivjet, rrëzohesh në mot “.