ADIL FETAHU: GAZETA “DIELLI” PËR ÇAMËRINË, PARA 98 VJETËVE

Pashtriku.org, 22. 10. 2015: Gazeta “Dielli” është gazetë me stazhin më të gjatë nga të gjitha gazetat e tjera në gjuhën shqipe. Botimi i saj nisi në shkurt të vitit 1909, në Boston. Fillimisht ishte organ i Shoqërisë “Besa-Besë”, e më vonë i Federatës Shqiptare “Vatra”. Botimin e saj e drejtuan personalitete të njohura të penave të afirmuara të letrave shqipe, si: Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Kristo Dako, e shumë të tjerë, deri te Anton Çetta. Editor aktual i gazetës “Dielli” është z.Dalip Greca.
Gazeta “Delli” kishte një program kombëtar, për ta ndihmuar pavarësinë dhe mëkëmbjen e Shqipërisë etnike. Udhëheqësit, aktivistët dhe anëtarët e “Vatrës”, përmes gazetës “Dielli”, dhe në mënyra të ndryshme ndiqnin me shumë kujdes e brengosje se ç’po ndodhte në atdheun e tyre, alarmonin opinionin ndërkombëtar, veçmas atë amerikan, kërkonin ndihmë për ta shpëtuar Shqipërinë nga rreziku që po i kanosej, si para, ashtu edhe pas pavarësisë së Shqipërisë londineze, gjatë luftërave ballkanike, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, kur tërë territori etnik shqiptar ishte nën okupimin e ushtrive të hueja: serbe, greke, malazeze, austrohungareze, franceze, italiane. Të gjitha ishin lëshuar si hijenat mbi trupin e Shqipërisë etnike dhe donin ta coptonin e ta gëlltitnin secili copën më të madhe. Shoqëria (Federata) “Vatra” bëri çmos ta ndihmonte atdheun.

Fan S. Noli në mesin e mërgimtarëve në SHBA.

Shumica e shqiptarëve të sotëm i dinë, dhe sipas rastit citojnë vargjet: “Mbahu nëno, mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë”, por pakkush e dinë të kujt dhe prej kur janë këto vargje. Ishin këto vargjet e Nolit, me të cilat “Vatra” hapi dhe zhvillonte fushatën për shpëtimin e Shqipërisë. Noli, në vitin 1917 e takoi presidentin Wilson, nga i cili kërkoi dhe mori garancion se do ta mbrojë pavarësinë e Shqipërisë (londineze), së cilës i kanosej rreziku i zhbërjes dhe ndarjes midis shteteve fqinje. Po, trojet shqiptare vazhdonin të ishin nën okupimin e shumë shteteve pretendente për copëtimin e tyre. Italia, si një nga fqinjët e përtej detit, kinse kishte rolin e mbrojtësit të Shqipërisë nga okupimi i shteteve tjera, por edhe ajo, në bazë të do marrëveshjeve të fshehta e të hapta, kishte synimet që, nëse Konferenca e Paqes do ta copëtonte Shqipërinë, kjo të merrte Jugun, prej Vlorës me një zonë të gjerë, duke përfshirë edhe Çamërinë. Populli i Çamërisë, që kishte vuajtur aq shumë nga okupimi grek, shpresonte se Italia do ta bashkonte Çamerinë dhe tërë Epirin me shtetin amë – Shqipërinë, dhe kështu do të ndreqej padrejtësia që i kishte bërë Konferenca e Londrës. Por, kur ushtria italiane u tërhoq dhe ia la ato troje Greqisë, çamërit e dinin se çfarë rreziku iu kanosej nga fashizmi grek, gjë që u vërtetua në vitet e mëpastajme. Ja se ç’shkruante gazeta “Dielli”, në numrin e 22 tetorit 1917, për braktisjen e Çamërisë nga ushtria italiane:
“ÇAMËRIA NË ZI
Në numrin e djeshëm patëm lexuar një artikull të marrë nga gazeta “Korriere della Puglie” nën titullin e epër (“Çamëria në Zi”, a.f.), po duke mos ditur se gjer me ç’pikë ishte i vëretë ai lajm aq i hidhur, kishim lanë një shënim ku thoshnim se nuk ka asnjë lajm që të vërtetoheshin mi atë pikë.
Oh! Mjerisht lajmi qenka i vërtetë: z.Beqo Izeti Çami, pas disa letrave që u kanë ardhur atdhetarëve, na lajmëron me hidhërim ikjen e ushtrisë italiane prej viseve të Çamërisë. Nuk mund t’a vajtojmë Çamërinë londore. Çamërinë e bukur… atë diamantin e vyer të Shqipërisë. Kemi shpresë të madhe që Konferenca e Paqes t’a ndreqi gabimin e madh të Konferencës së Londrës dhe ta bashkojë me nënën e saj. Vetëm hidhërohemi me fatkeqësinë e atij populli që të hyjë nën sundimin e një qeverie gjakpirëse (greke,a.f.), gjersa të vijë ora që të gjykohet fati i tyre.
Çamëria është një pjesë e pandarë e Shqipërisë, nuk ka asnjë shenjë ta ndajë nga kombësia shqiptare. Nuk do të ketë asnjë zemër shqiptari që të mos tronditet nga fatkeqësia që po ngjet sot për popullin e ngratë të Çamërisë. Ndofta hidhërimi i këtij lajmi është i pakufishëm, por jo edhe fare dëshprues, se nuk mund t’i humbasim shpresat fare për Çamërinë.

Çamëria është vendi i burrave të dlirë, është vendi ku ka bërë fole shqiponja. Çamëria me bregdetin dhe pasuritë e saj tërhoqi syrin lakmonjës të armikut, se sa ta shikojë Çamërinë të ndarë nga prehëri i saj. Shqiptarët kështu mejtohen se nuk mund të bëhet Shqipëria pa Çamëri. Në është e mundur të rrojë trupi i njeriut pa zemër, aq mund të rrojë edhe Shqipëria pa Çamërinë.
Shqiptarët duke e çmuar këtë pikë do t’u duket më e ëmbël vdekja se sa hidhërimi i një plage të pambyllur. Çamëria s’mund të bëhet Greqi. Çamëria është vendi më i bukur i tërë atij anëdeti. Gjithë valët e Adriatikut atje në baltën e ëmbël të Çamërisë kërkojnë të mbështeten dhe të prehen. Ato valë që njëherë i priste Çamëria me nënqeshjen e saj bujare, sot i pret me sy të lotuar, ku lotët e saj trazohen bashkë me valët e atij deti. Nuk mundet Çamëria të martohet me një burrë nga i cili ndahet nga gjuha e me zakone. Mirë Evropa, e cila nuk ka mundur t’i ketë studiuar ato vise se çfarë kombësie përmbajnë, po Italia që i pa me sytë e saj se me sa nxehtësi i priti Çamëria ushtarët e saj, si mundet t’i lëshojë përsëri ato vise në duart e barbarisë greke? Çfarë mbrojtje tjetër është ajo që do na bëjë Italia: Si thotë z.Dhembeli: “Ah, ato buqeta me lule që u dhanë besalerëve, nuk do të jenë fishkur dhe le t’i hedhin mbi trupat e ftohta të atij populli fatzi”. 
Evropa duhet ta dijë se largohet fare nga e drejta, po t’a lejojë Çamërinë në duart e grekëve. Aleatët nuk do t’i përmbushin zotimet e tyre mbi parimet e të drejtave të kombeve të vegjël po ta dënojnë Çamërinë të ndahet nga mëma e saj. Shqiptarët po ta shikojnë se Konferenca e Paqes përsërit padrejtësitë e vjetra, krijimin e saj do ta quajë vetëm sa për ambiciet politike të shteteve të mëdha dhe do të përpiqen në dëmin e ekuilibrave… Një Shqipëri e coptuar pa zemrën e saj – Çamërinë, pa kryet e saj – Kosovën dhe Jakoven (Gjakoven), s’mund të ketë jetë të gjatë midis fqinjëve të saj lakmonjës. Shqiptarët duke e çmuar këtë gjë, do të thonë: më mirë një orë e me nder, se sa vjete e pa nder. Çamëria është nderi i tyre…”

“Dielli”, Boston, 22 tetor 1917 (Artikull pa emër autori)

___________
Shënim: “Artikullin” e gazetës “Dielli”, për këtë shkrim e mora nga libri i Hajredin Isufit: Çamëria – nëpërmjet kronikave të kohës, 1902-1940; fq.212-214, për ta “ribotua” pikërisht pas 98 vjetëve (22 tetor 1917 – 22 tetor 2015).

============================================

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura