PROF.DR.VEHBI HOTI: SHKATËRRIMI I SHTËPISË – MUZE TË LUIGJ GURAKUQIT – VEPRIM I TURPSHËM

(Pashtriku.org, 31. 07. 2012) – Ndërsa vazhdon të flitet për rishkrimin e historisë, rivlerësimin e figurave historike dhe kontributit të tyre, debati më i fundit është përqendruar rreth figurës së Luigj Gurakuqit dhe njohjes së vlerave të tij në këtë 100-vjetor të Pavarësisë. Prof. Dr. Vehbi Hoti, një ndër njohësit e studiuesit e Luigj Gurakuqit, të cilit i ka kushtuar monografinë “Luigj Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar”, mendon se duhet të bëhet më shumë për këtë gjigand, rilindës, kontributin e të cilit e quan të patjetërsueshëm. Hoti me këtë rast shpreh dhimbje, për shkatërrimin e shtëpisë së Luigj Gurakuqit dhe muzeut që ishte në mjediset e saj. Ka qenë ndër muzetë më të bukura, e më të pasura të Shqipërisë. Një institucion i mbrojtur nga ligji e shteti u lejua të shkatërrohet. Sipas tij, është e domosdoshme ringritja e shtëpisë – muze dhe botimi i veprës së plotë të Gurakuqit.

Kopertina e Libirit 

……………………………………………………

Figura e Luigj Gurakuqit është një amanet i historisë
LILA: Profesor, kush ka qenë Luigj Gurakuqi, personaliteti dhe formimi i tij?
HOTI:
Luigj Gurakuqi (1879-1925) ka qenë një personalitet i fuqishëm e me formim të gjerë, me peshë të madhe në lëvizjen tonë kombëtare, në luftën për pavarësi e liri, për ndërtimin e demokratizimin e shtetit të parë shqiptar, për lëvrimin e gjuhës shqipe, për ngritjen e zhvillimin e shkollës shqipe dhe të sistemit arsimor kombëtar. Ai mori një formim arsimor, shkencor dhe kulturor dhe, që në moshë të re, fitoi një autoritet të padiskutueshëm në lëvizjen patriotike dhe në botën intelektuale shqiptare. Luigj Gurakuqi ishte një figurë poliedrike e madhore. Ishte politikan e diplomat, burrë shteti i shquar, gjuhëtar, poet e prozator, eseist e kritik letrar, pedagog e tekstikolog, ekonomist, orator, përkthyes, njeri i kulturës e i shkencës, i fjalës e i veprimit, i pendës dhe i pushkës. Njihte thellë trashëgiminë kulturore të popullit tonë. Njihte mirë kulturën perëndimore dhe posaçërisht atë italiane, romake e latine. Gurakuqi ishte poliglot. Përveç shqipes, zotëronte në mënyrë të shkëlqyer italishten, latinishten, turqishten, frëngjishten. Përdorte dhe gjermanishten e greqishten. Pra, kishte një kulturë e formim si radhë kush. Por mbi të gjitha, ai ishte patriot i madh dhe atdhetar i flakët.
LILA: Në kuadrin e 100- vjetorit të Pavarësisë deshëm të theksonim rolin e kontributin e dhënë nga Gurakuqi, ku konsiston ai?
HOTI:
Fillimisht dua të theksoj faktin se L. Gurakuqi, si rrallë kush, përjetoi ngjarjet më kulmore të jetës politiko-shoqërore e kulturore e arsimore të çerekut të parë të shekullit XX. Në shumicën prej tyre ai qe pjesëmarrës e dëshmitar i drejtpërdrejtë, madje ndër organizatorët e drejtuesit kryesor të këtyre zhvillimeve. Madje, shumë prej këtyre ngjarjeve na i ka lënë të fiksuara me dorën e tij. Kudo në ballë, në mos i pari, ndër të parët qe. Kështu p.sh, ai ishte drejtori i parë i Normales së Elbasanit (1909) dhe ministër i parë i Arsimit shqiptar (1912). Dora e tij shkroi alfabetet e miratuara nga Kongresi i Manastirit (1908) dhe i zbuloi para delegatëve. Ai shkroi Memorandumin e famshëm të Greçës apo ”Librin e kuq” të malësorëve kryengritës, qershor 1911, zjarri i armëve të të cilëve paralajmëronte pavarësinë. Luigj Gurakuqi, së bashku me Ismail Qemalin, ishin ndër autorët kryesorë të hartimit e të përpunimit të programit të luftës së popullit tonë për liri, autonomi e pavarësi. Ai ishte dora e djathtë e Ismail Qemalit në ngritjen e flamurit në Vlorë në nëntorin e 1912-ës. Nga ajo dorë u shkrua vendimi historik i Kuvendit të Vlorës, nëpërmes të cilit mbarë bota mori vesh se “Shqipëria më sot do të bëhet më vehte, e lirë, e mosvarme”. Si politikan e burrë shteti, Gurakuqi ka luajtur një rol me rëndësi edhe në funksione të ndryshme me shumë rëndësi: si drejtor i përgjithshëm i Arsimit në zonën e pushtimit austro-hungarez (1916-1918); Ministër (Delegat) i Arsimit në qeverinë e Durrësit (1919); si deputet dhe si ministër në disa kabinete qeveritare në vitet 1920-1924, që shpesh ndërroheshin në shtetin shqiptar ende të pastabilizuar. Gurakuqi ka kontribute të shquara në shumë fusha. Ai ishte një nga diplomatët më të shquar shqiptarë, që përfaqësoi me dinjitet e mbrojti me zjarr interesat e popullit shqiptar në qendrat më të mëdha të politikës europiane, si: në Romë, në Vjenë, në Paris, në Londër në Konferencën e Paqes në Paris (1919) apo në Lidhjen e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë (1924). Në fushën e gjuhësisë e të arsimit ai mbetet një nga figurat më të shquara të kohës. Ai dha kontribute thelbësore në lëvrimin e gjuhës shqipe, e në hartimin e alfabetit të saj, në studimet që bëri, e në veprimtarinë e tij si nënkryetar i Kongresit të Manastirit e sekretar i komisionit të posaçëm të alfabetit. Gurakuqi pati meritën se udhëhoqi drejtpërdrejt në shtetin e pavarur shqiptar, për ndërtimin e shkollës shqipe dhe ngritjen e sistemit arsimor kombëtar shqiptar. Kështu që luftën për liri e pavarësi, për ndërtimin e demokratizimin e shtetit të vet, për lëvrimin e gjuhës shqipe, për ngritjen e shkollës shqipe, për historinë e arsimit e të mendimit pedagogjik shqiptar janë të pandarë nga emri i Luigj Gurakuqit dhe veprës së tij.
LILA: Kjo figurë me kontribute kaq të mëdha në jetën politike e patriotike të vendit, a mendoni se ka gjetur vlerësimin e trajtimin e duhur?
HOTI:
Paraprakisht duhet të them se Luigj Gurakuqi ka qenë ndër figurat më të studiuara e më të vlerësuara të së kaluarës. Gjatë gjithë kohërave, pavarësisht se ka pasur raste edhe të qëndrimeve dhe të mendimeve të kundërta, ai është vlerësuar shumë nga opinioni i gjerë shoqëror, nga qarqet patriotike e shtypi kombëtar edhe sa ishte gjallë. Figura e tij filloi të bëhej objekt studimi pas vdekjes. Për të është shkruar e folur edhe gjatë qeverisjes së Ahmet Zogut, gjatë pushtimit fashist, por veçanërisht pas çlirimit. Janë botuar jo pak artikuj studimorë e përkujtimorë, botime e studime të veçanta në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni. Figura e tij është pasqyruar në botimet akademike për historinë e Shqipërisë, në historinë e letërsisë e të arsimit. Për Gurakuqin është shkruar edhe jashtë Shqipërisë. Kështu p.sh vëllimi i parë i enciklopedisë kroate “Hrovatska Enciklopedija” ka një zë kushtuar Gurakuqit, të shkruar nga prof. Eqerem Çabej. Një vlerësim i veçantë i është bërë nga bashkia e Rajonit të Pulias, e cila më 2 mars 2000 organizoi veprimtari të veçantë për Gurakuqin. Sheshit pranë, ku u vra heroi ynë, në Bari, iu dha emri i tij, duke vendosur edhe një tabelë të shkruar në shqip e në italisht në përkujtim të tij. Universiteti i Barit botoi një përmbledhje me punë të studiuesve shqiptarë e italianë kushtuar Gurakuqit. Para viteve 1990, eshtrat e Luigj Gurakuqit u sollën në Shqipëri dhe u vendosën në varrezat e Shkodrës (1957). Ai është nderuar me tituj të lartë “Hero i Popullit” dhe “Mësues i Popullit”. Emri i Luigj Gurakuqit i është vënë Normales së Elbasanit (1959) dhe Universitetit të Shkodrës (1989). Megjithatë dhe një figurë e nderuar dhe kaq e vlerësuar si Luigj Gurakuqi, nuk i shpëtoi dot, kritereve të kohës së diktaturës, si censurimet, limimet, modifikimet që bëhej sa më i pranueshëm për ideologjinë marksiste-leniniste dhe sistemin komunist. Si kufizime mund të përmendim faktin se ana botëkuptimore filozofike e Gurakuqit është paraqitur në mënyrë evazive, pa e thënë qartë e prerë pozitën botëkuptimore, idealiste të tij, u lanë mënjanë idetë e tij mbi rolin e fesë në shoqëri dhe për lirinë e ndërgjegjes së individit, sipas parimit që ajo propagandonte “Fe e lirë në një shtet të lirë”. Para viteve 90 janë minimizuar marrëdhëniet e bashkëpunimi i vyer që ka pasur Gurakuqi për klerin katolik dhe vlerësimi i madh që kishte ai për të. As qe bërë fjalë për qëndrimet e prera antibolshevike që kishte, për pikëpamjet e tij mbi pronën si faktor kryesor të përparimit ekonomik dhe të mirëqenies së individit, etj. Edhe artikuj e punime të caktuara të Gurakuqit nuk janë të botuara të plota. Janë gjëra të domosdoshme që duhet të rregullohen e plotësohen nga studiuesit sot për të dalë sa më e plotë, ashtu siç ka qenë vepra e figura e tij.

LILA: Po pas viteve 90, sidomos në këtë vit jubilar të 100 – vjetorit të Pavarësisë a po bëhen përpjekje për ta dhënë sa më të plotë figurën e Luigj Gurakuqit?
HOTI:
Është bërë diçka, por shumë pak për një figurë kaq madhore të jetës sonë politike, atdhetare, shkencore, arsimore e kulturore. Ishte një shenjë e bukur nderimi e vlerësimi vendosja e përmendores së tij në sheshin kryesor të qytetit të Shkodrës. Por njëherësh ishte tepër e dhimbshme, e palejueshme dhe e turpshme shkatërrimi i shtëpisë së Luigj Gurakuqit dhe i muzeut që ishte në mjediset e saj. Ka qenë ndër muzetë më të bukura, e më të pasura të Shqipërisë. Një institucion i mbrojtur nga ligji e shteti u lejua të shkatërrohet. Është përgjegjësi para historisë e organeve të pushtetit vendor e qendror, edhe e opinionit kombëtar, posaçërisht atij shkodran që më shumë heshtën se sa folën e protestuan. Ka raste që institucione të trashëgimisë kulturore rindërtohen, restaurohen e ngrihen përsëri në këmbë. Unë vetë kam parë raste të tilla. Në Shën-Peterburg në periferi ishte Pallati i Pjetrit të Parë. Tepër madhështor, aty qe selia e shtabit të forcave gjermane gjatë luftës së dytë botërore. Pas ikjes forcat gjermane e kishin djegur, shkatërruar e grabitur. Por ai është ribërë nga themelet siç ka qenë, sepse në arkivat ruse është ruajtur projekti dhe pallati kishte qenë tërësisht i filmuar sipas kritereve shkencore. Nuk e di nëse në Shqipëri, në arkivat, në qendrat e monumenteve të Kulturës ekziston projekti i kësaj shtëpie. Nëse po, mendoj se qeveria jonë të marrë masat e duhura për ta ringritur këtë shtëpi-muze, si një dhuratë të bukur me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë. Nuk jam në dijeni se çfarë përmban programi i veprimtarisë politike, qeveritare shkencore e kulturore në kuadrin e 100- vjetorit të Pavarësisë. Kam dëgjuar disa herë prononcimet e Kryeministrit, por nuk kam ndonjë program veprimtarish të Akademisë e të institucioneve të ndryshme. Ndoshta nga mungesa e vëmendjes. Por, lidhur me figurën e Luigj Gurakuqit, mendoj se është detyrë e Akademisë së Shkencave, institucioneve të tjera studimore, Universitetit të Shkodrës, etj, që të ndërmerret një studim e botim i tërë trashëgimisë Gurakuqiane. Të bëhet botimi i plotë i veprës së tij. T’i kushtohet rëndësi epistolarit të tij, që është tepër i pasur, sepse ai ka pasur marrëdhënie të gjera në fushën e jetës politike, patriotike, arsimore e kulturore, me shumë prej të cilësive ka pasur letërkëmbime.
LILA: Çfarë përfaqëson sot figura e tij për Shqipërinë e shqiptarët në këtë 100- vjetor?
HOTI:
Figura e Luigj Gurakuqit është një amanet i historisë. Me atdhetarizmin e tij, me shpirtin, me luftën për liri dhe pavarësi, për krijimin e shtetit demokratik shqiptar, me konceptet e tij për ligjin e ligjshmërinë, lirinë e fjalës, të ndërgjegjes dhe shtypit, me luftën për shkollën shqipe, shkencën e kulturën kombëtare, Luigj Gurakuqi i shërbeu fuqishëm të sotmes në përpjekjet tona europianizuese. Rilindësit tanë të mëdhenj iu drejtuan Perëndimit dhe kulturës europiane për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, për mobilizimin e popullit shqiptar në luftën për liri e pavarësi. Luigj Gurakuqi është një ndër europianizuesit tonë të hershëm e të mëdhenj. Fan Noli e cilësonte si pionierin e qytetërimit perëndimor në Shqipëri, si një nga shqiptarët e pakët që thithi me themele kulturën e Perëndimit dhe si njeriu që punoi më gjatë e më shumë për ta mbjellë farën e saj në Shqipëri. Figura e tij mbetet burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët, veçanërisht e tillë duhet të jetë për brezin e ri. Ai mbetet një shembull i gjallë edhe për pushtetarët e politikanët shqiptarë të të gjitha rangjeve e kaheve, se si ta duash popullin e vendin tënd, si të luftohet për përparimin e tij, se si duhet mbrojtur ligji e ndërtuar shteti ligjor, se si duhet të zhvillohet e të mbrohet demokracia, të drejtat e liritë e individit, se si duhet të europianizohet e tërë jeta e vendit me dinjitet e personalitet. Është me vend që në këtë 100 – vjetor të theksohen me forcë meritat e kontributet e Luigj Gurakuqit, si një nga figurat më madhore e më të spikatura të këtij akti të madh për jetën e historinë e kombit shqiptar.
(Bisedën me prof.Dr.Vehbi Hotin e zhvilloi: Oliverta Lila, Korrik 2012)

Shtëpia e dikurshme Luigj Gurakuqit, një muze i mbrojtur nga ligji e shteti u lejua të shkatërrohet plotësisht!

……………………………………………………………..

*) Prof. Dr Vehbi Hoti u diplomua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës së Universitetit të Tiranës, në Degën Biologji-Kimi. Prej më shumë se 35 vitesh është pedagog në Universitetin e Shkodrës, “Luigj Gurakuqi” ku ka dhënë lëndët Psikologji-Pedagogji. Për punën e kontributin e tij është vlerësuar me tituj si “Mësues i Merituar” dhe “Urdhrin Naim Frashëri të Artë”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura