Prishtinë, 03. 06. 2015 – Pas luftërave të përgjakshme dhe pavarësimit të Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Maqedonisë, Mali Zi mbeti për një kohë në bashkësi me Serbinë, në të ashtuquajturën “Republika Federale e Jugosllavisë”. Udhëheqësia e Malit të Zi ishin të vetëdijshëm se në një federatë aq asimetrike, në të cilën gjithnjë do të dominonte Serbia, nuk kishte bashkëjetesë të harmonishme as perspektivë zhvillimi. Prandaj, me mençuri përgatitën disponimin e faktorit ndërkombëtar për t’u ndarë nga Serbia, e cila e kundërshtonte dhe kërcënonte, se nuk do ta lejonte ndarjen. Politika, propaganda dhe kërcënimi i Serbisë, dhe ndikimi i Kishës ortodokse serbe, e sidomos përbërja etnike e popullsisë së Malit të Zi, ishin faktorë që rrezikonin pavarësinë, respektivisht rezultatet e referendumit për pavarësim. Megjithatë, udhëheqja politike veproi me mençuri, u morën vesh me faktorët relevantë ndërkombëtar, ashtu që me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, midis pushtetit dhe opozitës së Malit Zi u arrit pajtimi që referendumi të konsiderohet i suksesshëm: nëse votojnë mbi 50% e votuesve të regjistruar, dhe nëse për pavarësi deklarohen mbi 55% e qytetarëve që dalin në votim.
Në vazhdën e bisedimeve për statusin e Kosovës (që u zhvilluan prej 20 shkurt, deri më 8 shtator 2006), Mali Zi më 21 maj 2006, mbajti referendumin e pavarësisë. Pyetja në fletëvotimet e referendumit ishte:
– “A dëshironi që Mali Zi të jetë shtet i pavarur me sovranitet të plotë ndërkombëtar-juridik”?
Në referendumin e mbajtur, për pavarësi u deklaruan 230.661 (55,5%) e votuesve, ndërsa kundër pavarësisë 185.002 (44,5%). Kuvendi i Malit Zi, në ditën e sotme para nëntë vjetëve, dmth. më 3 qershor 2006, në bazë të rezultateve të referendumit, shpalli pavarësinë e Malit Zi, i cili prej vitit 1918 (88 vjet) ishte në bashkësinë “jugosllave”. Siç shihet, pavarësia “varej” në një pe të hollë, dhe për pavarësinë e vet Mali Zi duhet t’iu falënderohet pakicave kombëtare: shqiptare dhe boshnjake. Sepse, këta të gjithë kanë votuar për pavarësi, dhe kështu i mundësuan e i dhanë legjitimitetin pavarësisë së Malit Zi. Kjo u bë e mundur ngase sipas regjistrimit të popullsisë (2003), në Mal të Zi ishin 31.163, apo 5,03% Shqiptarë, tamam aq sa u nevojitej për të fituar në referendum, mbi 55% të votave për pavarësi. Shqiptarët e gjorë, tradicionalisht kanë kontribuar për çlirimin dhe pavarësimin e armiqve të vet (e kujtojmë çlirimin dhe pavarësimin e Greqisë e të Egjyptit, ja tash dhanë kontributin vendimtar për pavarësimin e Malit Zi!).
Kur jemi te numri i shqiptarëve në Mal të Zi, për lexuesit e interesuar po japim shënimet nga statistikat zyrtare të regjistrimit të popullsisë, sipas viteve dhe numrit të shqiptarëve:
– në regjistrimin e vitit 1931 ishin 18.098 (5,03%) shqiptarë;
– në vitin 1948 ishin 19.425 (5,15%);
– në vitin 1953 ishin 23.460 (5,58%);
– në vitin 1961 ishin 25.803 (5,47%);
– në vitin 1971 ishin 35.671 (6,74%);
– në vitin 1981 ishin 37.735 (6,46%);
– në vitin 1991 ishin 40.415 6,5%);
– në vitin 2003 ishin 31.163 (5,03%), dhe
– në vitin 2011 ishin 30.439 (4,91%) shqiptarë.
Por, Mali Zi asnjëherë nuk ua diti për nderë lojalitetin e shqiptarëve të atjeshëm, veçse në mënyra të ndryshme i ka diskriminuar dhe po i diskriminon në zhvillimin ekonomik, në punësim, në arsim, në administratë. Sot, ma shumë shqiptarë të Malit të Zi janë në Amerikë, se në Republikën e Malit të Zi, edhe si popullsi edhe si të punësuar!
Pavarësia e Malit Zi pati efekt pozitiv edhe në propozimin e Marti Ahtisarit, për statusin e Kosovës, duke e konsideruar edhe pavarësimin e Kosovës si fundin e procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe formimit të shteteve të pavarura të dala prej saj.
Reagimet e Serbisë pas pavarësimit të Malit të Zi ishin nga më të ndryshmet: “Të ngritim murin kinez me Malin e Zi”; “Vetëm sa të kalojë sezona e turizmit, qysh në shtator do të bien në gjunjë e të na luten për t’i pranuar në federatë”; “Deti i Greqisë është më i ngrohtë se ai i Malit Zi”, e përralla të tilla.